ANTOLOGJI PRIVATE DHE (JO)ZYRTARE

nga Sokrat Habilaj

Debati që ka nisur për një prej antologjive të poezisë shqipe (botuar kohët e fundit), ndoshta ka nevojë për korrigjime edhe si debat. Stuhia e kritikave ndaj saj, me ose padashje, i jep atribute dhe misione që nuk i ka. Për këtë arsye duhet që ky debat të ulet në një rrafsh më racional. Flitet aq shumë sa të krijohet ideja e gabuar se na ofrohet një përzgjedhje serioze dhe përfundimtare e poezisë shqipe, duke harruar të themi se kemi të bëjmë thjesht një listim poetësh dhe poezish, sipas idesë dhe shijes së një individi të caktuar. Në këtë sherrnajë, natyrisht që mungojnë ‘’antologjikët’’ (me ndonjë përjashtim të vetëm). Shumica e atyre që e kanë parë veten në listën prej pesëdhjetë e nëntë poetësh heshtin, sepse në variantin më meskin, e kanë kuptuar se në fund të fundin (disave prej tyre), u është bërë një lloj qoke, apo në rastin më të sinqertë, thellë-thellë, e ndjejnë se ndoshta gjysma e tyre janë të diskutueshëm dhe nuk e meritojnë vendin në një antologji serioze. Për të argumentuar këtë, do të mjaftoheshim vetëm me faktin se mbase dhe te një lexues i thjeshtë, por veçanërisht te dikush që ka një njohje dhe perceptimin të kultivuar të poezisë, në atë listë jo të gjatë me ‘’antologjikë’’, tek shumë nga autorët, do ta ketë të vështirë të gjejë një poezi që ka tharm vërtet poetik, një poezi antologjike. Doni emra? Doni të gjeni tek secili një poezi antologjike? I lexoni me kujdes të gjithë ‘’antologjikët’’ dhe më pas, ndërmerrni misionin e vështirë (të pamundur), që përbri secilit të vendosni një poezi antologjike të tij. Kjo mund të jetë edhe çështje shijesh natyrisht dhe secili mund të përcaktojë si poezi antologjike atë që ai mendon. Mund të ndodhë për shembull, si në rastin e vetëhartuesit të kësaj antologjie, i cili në një intervistë televizive, duke u munduar të shpjegojë zgjedhjet e veta, ndalet te një rast konkret duke theksuar (sipas asaj që tha në intervistë), se e kishte ‘’goditur’’ artistikisht, poezia e dikujt, e cila kishte si metaforë rastin e një vajze të re, e cila pasi kishte kaluar një natë me të dashurin e saj, në mëngjes i fshehu atij këpucët që ai të mos i ikte! E pra këtë poezi, ai nuk mund ta linte pa e përfshirë në antologjinë e tij. Gjetja e kësaj poezie, mund të jetë thjesht lojë dashurie e një vajze të re dhe kaq. Ndërsa të flasësh për të, si për një poezi që godet, si poezi antologjike, kjo duket pak si e tepruar.

Por le të kthehemi tek ajo që theksuam më lart. Për të mos i dhënë vlera të pameritura antologjisë së poezisë “moderne” shqipe: “Veshur me diell, mbathun me hanë”, apo edhe për të mos ia mohuar vlerat, ajo duhet cilësuar, jo antologji e poezisë moderne shqipe, por thjesht një nga antologjitë e poezisë shqipe, saktësisht një nga treqind, apo katërqind antologjitë e poezisë shqipe, të botuara deri tani. Duke e cilësuar kështu, jo vetëm jemi më korrektë, sepse e tillë është ajo në fakt, por do shmangim shumë ngjyrime negative për të.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo antologji do duhet të trajtohet si ndërmarrje e një individi, i cili tej aftësive të tij, tej njohjes për poezinë shqipe që nga fillesat e saj, tej pozitivitetit për të qenë i baraslarguar në vlerësimin për të pesëdhjetë e nëntë të zgjedhurit e vet, nuk e ka dhe nuk mundet ta ketë, të drejtën e ngritjes së piedestalit të autorëve të poezisë shqipe.
Debati i nisur, natyrisht do zgjatë fare pak. Më pas, ajo antologji do kthehet realisht në ‘’një nga antologjitë e poezisë shqipe”, siç ka ndodhur edhe me antologjitë e tjera, (ku dy prej tyre kanë qenë ndoshta më të respektuarat). Antologjitë e botuara kohë më parë, tani i përkasin së shkuarës, ashtu si do ndodhë dhe me këtë antologji.

Për të krijuar një ide më të saktë rreth kësaj antologjie, (një prej antologjive), le ta ndajmë gjykimin në lidhje me të, në dy pjesë!

Së pari, është i pranuar fakti i padiskutueshëm se kjo përmbledhje është një iniciativë private (siç dhe është realisht). Mund ta vini re lehtësisht se këtë detaj, autori i antologjisë e ka theksuar disa herë nëpër intervista. Madje, ai kujdeset të thotë se kjo është antologjia ime, aty janë shijet e mia, apo se ajo është realizuar mbi bazën e njohjeve që kam pasur në lidhje me autorët. Si për ta evidentuar më shumë këtë fakt, emri i hartuesit që në kopertinë, zë thuajse gjysmën e saj, si të ishte një krijimin origjinal i autorit, kur fare lehtë, mund të ishte shënuar diku në faqen e parë, apo të dytë, jo për efekte modestie, por sepse e shpreh më saktë atë punë që ka bërë. Thjesht mund të vihej shënimi:

“Përzgjodhi, a përgatiti: Rudolf Marku.”

Po le të themi se edhe kjo gjë nuk është aspak e qortueshme. Punë e tij në fund të fundit.

Nisur nga përcaktimi ‘’punë e tij’’, në një aspekt, debatet, sherret, mllefet, patriotizmat po deshët, nuk duhen marrë kaq seriozisht, siç mund të merren ndaj një produkti zyrtar. Më saktë, nuk është kjo antologji, vendi ku duhet të kërkojmë mangësitë në renditjen përfundimtare cilësore të poezisë shqipe, por renditjen sipas një individi.

Le të pranojmë se mbi këtë bazë, ai ka bërë përzgjedhjen e vet, një tjetër natyrisht mund të bëjë një përzgjedhje tjetër, dhe në vijim të bëjmë një ballafaqim mes kësaj antologjie dhe asaj që do përgatiste ‘’Ai tjetri’’. Ashtu siç e theksoi edhe vetë hartuesi i saj, ai është një individ që ka njohjet e veta me autorët e poezisë shqipe. Ndoshta edhe për fatin e keq të kësaj njohjeje, autorët e kësaj antologjie, në masën dërrmuese janë të brezit të tij. Janë ata që u bënë poetë në një kohë të mbrapshtë dhe pjesa dërmuese e tyre i përkasin shkollës së socrealizmit, apo thjesht viteve të para nëntëdhjetës. Ai natyrisht që mendon, ndoshta, se pjesa më përfaqësuese e poezisë shqipe është shkruar në ato vite. Një tjetër mund të ketë njohjet të tjera edhe tej brezit të tij, para apo dhe brezit më të ri. Një tjetër ndoshta do ishte treguar pak më dorështrënguar te poetët e asaj kohe, që me sa duket tej mbrapshtive pafund, paska prodhuar poetë me shumicë. Sidoqoftë fakti se pjesa dërmuese e poetëve të kësaj antologjie i përket poezisë së krijuar në vitet socrealiste dhe më pas thuajse zbehet, mundet të jetë i argumentuar me vetecurinë e poezisë shqipe, por sidoqoftë është një fakt dyshues. Ndoshta vërtet poezia shqipe më cilësore i përket asaj periudhe, ndoshta për atë periudhë, njohja, mbase dhe nostalgjia e hartuesit të saj është më e thelluar sesa poezia e pasviteve nëntëdhjetë, a ndoshta realisht poezia e krijuar ne vitet para nëntëdhjetës e ka plotësuar maturimin e saj dhe tani mund të japim refleksione më të sakta për të.

Hartuesi i antologjisë ka bindjen e tij (natyrisht të pabazuar), se poezia moderne shqipe ka nisur katërqind e ca vite më parë, madje ka qëlluar, sipas tij, që poezia shqipe, që në autorinë e parë të saj, që në poezinë e parë, që në rreshtat e parë, ka goditur në shenjë duke u shfaqur si moderne. Dhe si për ta argumentuar këtë fakt, shprehet se për sa kohë Rilindja italiane, mbi dyqind e ca vite më përpara se poezia shqipe, ishte moderne, nuk kemi arsye pse të mos mendojmë se edhe poezia shqipe ishte po kaq moderne sa Rilindja italiane. Për ta justifikuar këtë ‘’modernitet’’, është zgjedhur si titull i antologjisë, dy rreshta të diskutueshëm për nga autorësia e tyre. Duke qenë një ndërmarrje private, ai s’ka arsye pse t’i japë askujt llogari, që të sqarojë nëse ka edhe poezi shqipe paramoderne, a të traditës. Një tjetër mund të kishte një mendim krejt ndryshe për konceptin e modernes në poezinë shqipe e ndoshta nuk do ‘’shpërdoronte’’, kaq lehtësisht termin ‘’modern’’, apo mund të thoshte se poezia shqipe realisht nuk ka këllqe të quhet e gjitha moderne që nga fëmijëria e saj deri sot dhe mbase moderniteti i saj është me pikatore.

Hartuesi i antologjisë ka konceptin (natyrisht të gabuar), ndoshta dhe si atavizëm të luftës së ftohtë, se poezia shqipe ka kufij, ca kufij të pandryshuar, ashtu si i pati për gjysmëshekulli. Mbase për të qenë në rregull me veten, ka harruar të vendoste shënimin: “Kjo është poezia shqipe e kohës së kufijve”, sepse vetëm para viteve nëntëdhjetë poezia shqipe kishte kufij shtetëror. Një tjetër jo vetëm nuk do ta kishte këtë koncept, po do t’i shtrinte kufijtë e saj dhe atje ku nuk quhet Shqipëri, por ka poezi shqipe. Kufijtë e antologjisë së poezisë shqipe do t’i çonte deri në fund të botës, nëse do dallonte një zë të denjë të kësaj poezie (dhe për këtë ju garantoj që do ta bënte pa hezituar).

Hartuesi i antologjisë ka konceptin (natyrisht skandaloz), se poezia e një kombi, poezia e një gjuhe, mund të ndahet, duke lënë të kuptohet se edhe kjo gjuhë, mund ‘’të ndahet’’, duke mbetur sërish shqipe, në disa shqipe, shpërndarë si copëza pa lidhje dhe secila nga ‘’këto shqipe’’ mund të bëjë antologjinë e vet. Ai mendon se kjo ndarje, kjo shpërfillje e shqipes, nuk e turpëron, nuk e vë në siklet titullin pompoz: ‘’Antologji e poezisë moderne shqipe’’. Ndoshta ai e mendon se poezia shqipe e ka luksin të ketë disa antologji të ndara sipas trevave. Një tjetër mund ta mendojë se poezia shqipe, jo thjesht se në një rrafsh më të gjerë është modeste, por veçanërisht se ajo i përket një kombi e një gjuhe, duhet të unifikohet sa të mundet në një të vetme, duke i grumbulluar vlerat e saj kudo që mund të jenë. Një tjetër mund të mendojë se i bëhet padrejtësi vetë gjuhës shqipe nëse ia përjashton qoftë dhe një lëvrues të saj që ka vlera.

Hartuesi i antologjisë ka konceptin (natyrisht një koncept tejpoetik), se në një antologji me ndoshta pesëdhjetë e nëntë persona janë limitet e saj numerike. Nisur nga ky fakt, mund të jetë ndodhur ‘’në vështirësi’’ për të shtuar emra të tjerë, por një tjetër, pa asnjë hezitim mund ta zgjidhte krejt ndryshe këtë problem e mund të hiqte tridhjetë, tridhjetë nga pesëdhjetë e nëntë ‘’antologjikët’’, dhe në vend të tyre të vendoste pa asnjë dyshim Ali Podrimën dhe Azem Shkrelin.

Pas kësaj, antologjia e tij do dilte sigurisht më e bukur, jo thjesht se ata vijnë nga përtej kufirit shtetëror, por sepse pavarësisht në cilën anë të kufirit kanë jetuar, ata janë realisht poetë që e zbukurojnë çdo antologji të poezisë shqipe.

Hartuesi i antologjisë ka konceptin (natyrisht koncept i ngushtë), se poezia edhe ashtu e zvogëluar prej tij, ka një territor edhe më të ngushtë se vetë Shqipëria. Edhe kur do që të bëjë ‘’antologjik’’ dikë nga një qytet skajor, ndodh që zgjedhja e tij të mos jetë e duhura. Një tjetër mund të thoshte: Prit se është dikush, që nëse perifrazojmë vetë autorin që thotë se punët e bukura bëhen në thellësi, në heshtje, në errësirë, është dikush më i heshturi, më i mënjanuari nga bota e zhurmshme e turbopoetikës së ditës. Dhe ai tjetri pra, pa u menduar dy herë, në antologjinë e tij do shënonte: Skënder Rusi!

Hartuesi i antologjisë ndoshta harron (natyrisht harresë me ndjesi shpirtërore), por ndoshta dhe qëllimisht, e lë mënjanë faktin se mund të ketë edhe ndonjë poet, i cili shqipen nuk e ka gjuhën e vet, por ka shkruar poezi me vlera në një shqipe më të bukur se ata që e kanë shqipen gjuhën e tyre. Një tjetër, jo thjesht për ta bërë antologjinë e tij edhe më fisnike, por më tepër për t’ia rritur vlerat artistike, në pesëdhjetë e nëntë antologjikët e përzgjedhur, do shënonte padyshim Niko Kacalidhën, për vlerat e poezisë së tij. Një tjetër, natyrisht që do bënte pjesë të antologjisë, edhe Grigor Jovanin, cili edhe pse i larguar fizikisht nga vendi ku flitet shqip, duke shkuar në vendin ku flitet gjuha e origjinës së tij, është më shqiptar se shumë shqiptarë të tjerë që janë të rreshtuar në antologji. Ky autor mund të shkruante po kaq bukur në gjuhën greke, po ai ka zgjedhur gjuhën shqipe, që do të thotë se i përket poezisë moderne shqipe.

Në fund pasi folëm për disa emra të diskutueshëm, mund të përmendim dhe një emër, i cili për nga rëndësia e tij, ndoshta do ishte rreshtuar që në fillim.

Pasi e ka mbaruar këtë antologji, hartuesi ndoshta ka menduar (nxitimthi), se kjo antologji, mund të ketë dhe të meta, mund të ketë vend për korrigjime, mund të ketë emra dhe harresa të diskutueshme, apo emra që nuk e meritojnë, por le të themi se dhjetë, apo njëzet poetët më të spikatur të gjuhës shqipe janë aty. Po ndoshta edhe ky fakt nuk është i vërtetë se mjafton vetëm një emër dinjitoz, por i harruar, për ta trazuar ndërgjegjen e hartuesit dhe të shkaktojë një ndjenjë faji. Por prapë le të themi se kjo është” punë e tij” dhe ta vijojmë më tej idenë e nisur. Nëse pak më lart, theksuam se për të shtuar emrat e Podrimes dhe Shkrelit, mund të hiqeshin në mënyrë të arsyeshme rreth tridhjetë ‘’antologjikë’’, një tjetër mund ta shtynte këtë proces seleksionimi më tej. Ai mund të hiqte dhe më shumë se tridhjetë dhe në vend të tyre dhe mbase edhe me duf, edhe me inat për harresën, të vendoste një poet, një poet me emrin e profetit Ali (Asllani). Ai është klithma, është themelia e poezisë shqipe, pa të cilin çdo antologji është e mangët, ndërsa ai, me antologji apo pa antologji, është ai që është! Unë nuk e se çfarë do ndodhë me shumicën e ‘’antologjikëve’’ të kësaj antologjie, pas gjashtëdhjetë, apo më shumë vite, por atë që do ndodhë me Ali Asllanin edhe pas kaq shumë vitesh të tjerë, e di. Ai do vazhdojë të rrijë diku përballë nesh, përballë dhe kësaj antologjie, siç rrinte dikur në një cep të lidhjes së shkrimtarëve. Trupvogël, me vështrim e tij qesëndisës, ndiqte dhjetëra poetë me vlera, a mediokër dhe nuk përzihej kurrë me ta. Ndoshta ky mallkim, a ndoshta fati i tij e ndjek edhe sot. Pesëdhjetë e nëntë ‘’antologjikë’’ radhiten në ballinë, siç ndodhte dikur me ca të tjerë që ngjisnin e zbrisnin shkallët para tij, ndërsa poeti me emër profeti i ndiqte dhe i ndjek me qesëndi.

Hartuesi i antologjisë ka menduar, (ndoshta si narcist), se pavarësisht kush e harton një antologji, edhe nëse e përgatitë vetë ai, emri i tij duhet të jetë mes ‘’antologjikëve’’. Ndoshta në këtë gjykim është zgjatur shumë kur ka vendosur që në fillim se emri i tij do jetë atje, ndoshta është ndodhur në dilemë nëse duhet të jetë apo jo në një antologji të hartuar nga ai vetë, apo ndoshta ka menduar se e shkruara mbetet dhe nuk duhet humbur ky rast. Një tjetër do të mendonte ndoshta se kur dikush merr përsipër të hartojë një antologji, edhe për modesti, a edhe për pak moral, ai e ka privuar veten nga mundësia që të jetë pjesë e saj. Ai tjetri që do hartonte antologjinë e vet, natyrisht që do ta përfshinte emrin e Rudolf Markut

Së dyti, tej faktit se kjo antologji është krijim privat i dikujt, tej faktit se ajo është përzgjedhur sipas shijeve të dikujt, tej deklarimit publik se ajo është bërë si e mendova, duket se një dorë e fshehtë dhe e qëllimshme mundohet që ta promovojë atë si jo tërësisht private. Një botim privat, thellësisht privat, do ishte pak më ndryshe. Për ta ilustruar se ku dallon një botim privat, po përmend faktin se pak javë para kësaj antologjie, një miku im botues, hartoi dhe botoi një antologji poetike, natyrisht krejt ndryshe nga shtrirja, nga tematika, nga modestia e saj, po sidoqoftë ajo ishte një antologji poetike. Ishte një antologji modeste, e bukur, fine. As u përfol, as u anatemua, sepse ajo realisht ishte një ndërmarrje krejtësisht private, dhe lexuesi e kupton lehtësisht këtë fakt dhe nuk e zgjat më tej me pretendime.

“Veshur me diell, mbathun me hanë”, ndoshta me qëllim të paracaktuar, shfaqet në dy statuse, edhe private edhe tërësisht (jo)zyrtare. Tej pompozitetit të ballinës, tej thënieve se ky është mendimi im dhe njohja ime individuale që kam për poezinë shqipe, dora e padukshme, por e qëllimshme, i ka dhënë edhe imazh zyrtar. Kjo duket tek mbështetja financiare, tek prezantimi pompoz tërësisht zyrtar, tek marrja mbi vete prej një institucioni me një emër pak të ngatërruar, për t’u shpjeguar (QKLL), etj. Ky dualizëm i qëllimshëm, jo vetëm për t’i dhënë dhe liri egoizmit si botim privat, por për të pasur dhe një mburojë si botim (jo)zyrtar, u (s)jep të gjithëve të drejtë të flasin për këtë antologji, duke kërkuar që disa gjëra tek ajo të ishin më ndryshe.

E pikërisht duke u nisur nga ky fakt, hartuesi i saj, duhet ta dijë se ndoshta pa dashje, ka rënë në kurthin e “zyrtarizmit” të kësaj antologjie.
Privatisht ai mund të ngrejë sa të dojë piedestale të poezisë shqipe dhe të vendos e të heqë andej cilin të dëshirojë, t’i caktojë asaj edhe kufij shtetërorë e krahinorë, por ndërthurja me pjesën zyrtare, krijon idenë se jo ai, po është një institucion zyrtar që ka ngritur një podium me 59 vende, ka krijuar zyrtarisht një hierarki të poezisë shqipe dhe atje ka vendosur emrat e 59 poetëve. Askush, nga ata që flasin për këtë antologji, nuk mund të bëhet fajtor nëse këtë fakt e mer apo jo seriozisht, sepse edhe nëse e merr, këtë gjë e lejon vetë ndërthurja privato-zyrtare e kësaj antologjie.

Unë jam i bindur se asnjë institucion zyrtar, as ai me emrin QKLL, po dhe asnjë person i vetëm i sferës zyrtare, nuk ka dhënë ndonjë ndihmesë, madje as e ka lexuar këtë antologji, para botimit të saj, por është tendenca që vihet re, se kësaj antologjie i pëlqen që të duket edhe si zyrtare. Kjo gjë i jep të drejtën gjithkujt që ta shikojë edhe në këtë prizëm. Pa u ndalur në detajet, për të cilat folëm më lart, le ta vëmë edhe njëherë theksin tek ajo më kryesorja. Hartuesi i kësaj antologjie shprehet se ndihet mirë që vërejtjet në adresë të kësaj antologjie janë thjesht disa zëra minorë, por është një fakt, përkatësisht mangësi, a faj, i cili edhe po nuk e evidentoi njeri, godet në heshtje. Pa mohuar punën e hartuesit të saj, pra pjesën private e duke e parë në paraqitjen zyrtare, me të drejtë mund të pyesim: Kush ia dha të drejtën kësaj antologjie (jo)zyrtare, të sakatojë poezinë shqipe, duke shpërfillur gjysmën e saj, sikur të mos ekzistonte?! Kush ia dha të drejtën kësaj antologjie (jo)zyrtare që të krijojë precedentin e gabuar që nesër të botohet antologjia e poezisë moderne shqipe, vetëm e Kosovës, vetëm e Maqedonisë së Veriut, vetëm e Malit të Zi, apo vetëm e një grupi poetësh shqiptarë që jetojnë në Greqi, Itali, a pas diellit, kudo ku jetojnë shqiptarët, duke krijuar kështu ndasi të paqena?!

Nuk e di si do ndiheshin nesër, pesëdhjetë e nëntë ‘’antologjikët’’, kur në antologjinë e poezisë shqipe të botuar në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, apo kudo tjetër, jashtë kufijve të rrudhur të Shqipërisë, nuk do figuronte asnjë prej emrave të tyre. Unë jam i bindur se kurrë nuk do ndodhë kështu. Poezia shqipe ka arritur një nivel të caktuar pjekurie që e mbron nga kjo ndarje. Pavarësisht se ku botohet, poezia shqipe ka harmoni dhe unitet jo vetëm sa i përket gjuhës shqipe në të cilën shkruhet, por ka unitet në strukturën e saj, në frymën e saj, në mjetet shprehëse, në gjithçka. Ajo ka fisnikërinë e saj të brendshme që të shfaqet e tillë, si një poezi e vetme, pavarësisht se dikush, mund ta shpërndajë nëpër antologji të ndryshme.

Mendimet e mësipërme, renditja e disa detajeve, e disa të metave (dhe e një faji), mendojmë se do t’i jepnin tjetër vlerë asaj antologjie. Edhe pse në këtë antologji janë evidentuar shumë prej kulmeve të poezisë shqipe, janë harruar disa të tjerë, apo ka edhe emra të diskutueshëm, në fund të fundit kjo gjë nuk është ndonjë alarm i madh. Poezia ka mënyrën e vetë të mbijetesës, të lartësimit të saj dhe duke qenë një produkt që del nga shpirti, udhën për tek shpirtrat e tjerë, ajo di vetë si ta gjejë.

Shumë shpejt për ata që nuk e meritojnë të ishin aty, askush nuk do ta kujtojë faktin se dikur ishin pjesë të një antologjie poetike. Poet nuk të bënë qenia ose jo në antologji. Poet ose je ose nuk je. Nuk bëhesh poet edhe sikur të futesh në katërqind antologjitë poetike të botuara, ashtu siç nuk është e thënë se nuk je poet, edhe sikur të mungosh në të katërqind antologjitë.

Për ta argumentuar këtë le ta mbyllim me një detaj të paqtë. Shkrimtari ynë i ndritur Ismail Kadare, i ndritur jo vetëm për kohën tonë, por dhe për shumë kohëra të tjera në vijim, duke jetuar së fundi në Tiranë, çdo ditë e pi kafen tek i njëjti lokal. Në shenjtërinë e moshës së tij të avancuar, në paqen e shpirtit të tij, në tavolinën e tij çdo ditë ulen lloj-lloj krijuesish me vlera, mesatarë, nënmesatarë e grafomanë. Ashtu të ulur përballë tij, ndoshta (i japin dhe mendime), i flasin për letërsinë dhe nuk harrojnë të pozojnë me të. Më pas, të entuziazmuar që pinë një kafe me shkrimtarin e madh, mbushin rrjetet sociale me foto, dalë me ‘’mikun’’ e tyre Kadare.

Unë nuk di të them nëse në një kohë dhe moshë tjetër, kësaj turme mesatarësh e nënmesatarësh në krijimtari, apo thjesht grafomanë, do t’i jepej mundësia të pozonin me ‘’mikun’’ e tyre Kadare, gjë për të cilën tani shfrytëzojnë imazhin vërtet prej shenjti të shkrimtarit të madh. Të qëndrosh qoftë dhe pak çaste pranë shkrimtarit të madh, është nder, të jesh pjesë e një antologjie poetike, gjithashtu është nder, por aq sa do munden të bëhen shkrimtarë të ngjashëm me Kadarenë ata që rrinë me të, po aq do të bëhen poetë antologjikë, shumë prej ‘’antologjikëve’’ të Antologjisë së Poezisë moderne shqipe, “Veshur me diell, mbathun me hanë”!

(c) 2023 Sokrat Habilaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Rreth Autorit

Lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, Sokrat Habilaj, ka botuar romanet “Shpirt i trazuar gruaje”, “Rrëfimi i një nëpunësi” dhe “Shënime nga provinca”; si dhe vëllimet poetike: “Të kisha thënë për lotin”, "Pakt" dhe "Shkruar në eter".

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin