RRETH TRAJNIMIT PAVLOVIAN TË PUBLIKUT

(version i plotësuar dhe mjaft i zgjeruar i një statusi tashmë të botuar në Facebook)

Kjo që i ndodhi Ermonela Jahos – salla bosh, u bë shkas që të më kujtohej një turp i ngjashëm, që pat ndodhur me disa shkrimtarë të ftuar për një takim me temën “Lehtësia e papërballueshme e fjalës”, në Tiranë, maj të vitit 2014, te Fakulteti i Shkencave Sociale, Salla e Ekselencës.

Takimin e organizonte Njësia e Komunikimit dhe Hulumtimit në Kryeministri me mbështetjen e Fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung.

Merrnin pjesë, si të ftuar, Elvira Dones, Bashkim Shehu, Luan Rama, Genc Burimi (që moderoi bisedën, bashkë me Falma Fshazin), Besa Myftiu, Eda Derhemi dhe unë, të gjithë autorë që jetonin larg Shqipërisë, por që ishin prej vitesh të pranishëm si zëra, në skenën e librit shqip.

Vura re një roitje dramatike kamerash dhe mikrofonash, nga gjithfarë mediash të Tiranës: thuhej se do të vinte në takim vetë bleta mbretëreshë Edi Rama (nuk e mbaj mend nëse pastaj erdhi; më duket se jo). Por erdhën konsujt e Fuqive të Mëdha, dhe të tjerë të mëdhenj të periferive të botës, të larë në dritë dhe vëmendje.

Te salla e ekselencës nuk hidhje dot më as mollën.

Seanca e parë kaloi me liturgji ndërkombëtarësh – mesazhe e masazhe verbale soporifike, me siguri të ricikluara nga evente të tjera po aq liturgjike dhe soporifike, por që u duk sikur u ndoqën me vëmendje absolute nga të pranishmit.

U lajmërua pushimi.

Nuk arrinim të dilnim dot nga salla, të penguar pas gjunjëve të trekëmbëshave të kamerave dhe të ngatërruar pas kabllove të teknikës së mediave, tashmë shtrirë për të ngordhur përgjatë dyshemesë së pjerrët të sallës. Nga zelli në dyert e pakta, dukej sikur ishte lajmëruar ndonjë zjarr.

Pastaj kur filloi seanca e dytë, ajo ku do të na vinte radha neve për të “kënduar”, salla ishte bosh: kishin ikur të gjithë: jo vetëm ambasadorët me shpurat e tyre, por edhe gazetarët me hallatet e maskat e djersitura të rastit.

Kishin ikur të interesuarit, studentët, studiuesit, kuriozët dhe dashamirësit, bodyguard-ët dhe terjaqinjtë e letërsisë shqipe, bibliofilët dhe bibliomanët, pedagogët e letrave dhe sekserët e botimeve, ekspertët e marrëdhënieve me publikun, operatorët e kulturës dhe vëzhguesit e diasporës.

Paskëshin ardhur aty për Ramën, për të thithur të njëjtin ajër me të, si të ishte celebrity a njeri i shenjtë. E kuptova – jo pa hidhërim – se eventi, fjala dhe përvoja që ne kishim ardhur të ndanim, nuk i interesonin kujt.

Në sallë kishin mbetur katër kokrra – miqtë e të njohurit tanë, që mbase nuk iknin dot, sepse nuk donin të na lëndonin.

(Ra ky Ramë dhe u pamë.)

Natyrisht, Ermonela Jaho ka statusin absolut të një ylli të operistikës botërore, ndryshe nga ne të letrave, që shkojmë e vijmë nën hijen e qiparisave të varrezave lokale; edhe pse unë besoj se në Tiranë ka shumë më tepër njerëz që lexojnë dhe shijojnë Elvirën dhe Bashkimin dhe Besën, se njerëz që ndjekin operën.

Që evente të tilla kulturore shpesh dështojnë, kjo ndodh – besoj unë – ngaqë publiku i tyre, të paktën në Tiranë, është trajnuar të veprojë si publik eventesh politike, ose detashment i koagulimit të votës.

Kam shkruar, vite më parë, se politika në Tiranë synon ta rekrutojë dhe përdorë kulturën si vegël për krijimin, mirëmbajtjen dhe riprodhimin e masës zgjedhore, në trajtën amorfe të publikut.

Ajo që ndodhi atë ditë të majit 2014, kur një sallë e mbushur cip më cip, befas u zbraz sapo mbaroi seanca e parë dhe u larguan të gjithë “pezzi grossi” më duket tani si paralajmërim i së ardhmes që e priste skenën kulturore publike të kryeqytetit.

* * *

Tekstin më lart e nxora si status në Facebook; dhe në muhabet e sipër, m’u kujtua edhe si, para dy vjetësh, u patëm ndodhur në një Festival të Letërsisë, në Polignano a Mare, në Puglia. Kjo qytezë kaq e ëmbël ishte vënë e tëra në shërbim të Festivalit, me evente që të dilnin përpara nga një shesh në tjetrin. Duke shëtitur, na solli rruga te një hapësirë e madhe, afër detit, e shtruar me karrige, ku mund të uleshin mbase 500-600 vetë. Ishte ende kohë Covid-i, mbaj mend që mbi secilën karrige kishin vendosur nga një tubet plastik me dizinfektant për duart… Pyeta rreth e rrotull, mora vesh se atë mbrëmje ishte ftuar të fliste Wole Soyinka, një dramaturg nigerian, fitues i Nobelit Letrar në 1986. E pyeta shoqen time nëse do të arrinte Soyinka ta mbushte këtë hapësirë me njerëz… më tha “e mbush që ç’ke me të.” Vetë isha skeptik. Po të pyesësh në Itali për nobelistët letrarë, vështirë të ta përmendë kush Soyinka-n. Por në fakt e kisha pasur gabim. Dy orë më pas, kur kaluam sërish përbri sheshit dhe eventi kish filluar, vura re që nuk kish mbetur më asnjë karrige bosh, madje kish njerëz që rrinin në këmbë, edhe 150 m larg skenës, për të dëgjuar, në heshtje totale, se çfarë po thuhej nga bisedarët. Kjo ndodhi në Polignano a Mare, që nuk është ekzaktësisht Parisi ose Vjena. Vetëm se publiku që ish mbledhur atje, ishte një publik që është mësuar t’i ndjekë këto evente, që i kërkon, dhe i shijon si pjesë e eksperiencës kulturore. Nuk shqetësohet askush, se kush do ta marrë vesh që ky ka qenë atje apo jo.

* * *

Gjetiu në FB, një kolege kish përmendur takimet elektorale të këtyre ditëve, edhe në Tiranë, ku nuk gjen dot vend as për t’u futur, jo më për t’u ulur. Si të mos i krahasosh këto, me ngjarje kulturore ku nuk shkon kush dhe të ftuarit u flasin karrigeve bosh? Këtë e provojnë, rregullisht, fotot dhe pamjet televizive që shoqërojnë njoftimet për këto ngjarje – ku shpesh të qëllon të shohësh njerëzit nga më të mençurit dhe elokuentët që kanë sot shqiptarët, t’u ligjërojnë sallave të zbrazura. Fjala dështim të vjen e para në mendje, por nuk është emërtimi i duhur, për atë që ndodh. Sepse emërtimi i duhur duhej të ishte FIASKO.

Eventet politike elektorale, ku disa njerëz marrin fjalën dhe japin premtime që dihet se nuk do t’i mbajnë dhe “demaskojnë” kundërshtarët e tyre me argumente të lodhura e të përsëritura, nuk mund të tërheqin më shumë njerëz se ato të kulturës, përveçse kur vetë praktika – të themi edhe rituali – i pjesëmarrjes në një event publik është korruptuar. Mbase duhet të fillojmë të besojmë se ata që shkojnë në një event nuk e bëjnë sepse u intereson çfarë do të komunikohet aty, por ngaqë kujtojnë se përfitojnë diçka – në status ose në kapital social – nga vetë akti i pjesëmarrjes.

Dhe ende nuk po e përmend pjesëmarrjen e tufëzuar, ose të gjitha ato herë kur një sallë mbushet me publik sepse atje kanë çuar – me urdhër – nxënës shkollash ose studentë, të cilët trajtohen si lëndë e parë e performativit të pjesëmarrjes. Më ka qëlluar edhe mua të flas në një event ku kisha përballë nxënës gjimnazi dhe ku “pyetjet” nga salla – siç m’u shpjegua më pas – i dërgonte me SMS mësuesja që shoqëronte grupin. Natyrisht, çdo event publik e ruan një element të spektaklit, të inskenimit; por kjo nuk e parakupton skriptimin.

Sërish vijmë te politika. Sepse politikës pjesëmarrja i shërben si konfirmim, si mbështetje dhe si provë e suksesit; dhe sepse politikës i intereson të komunikojë me masën, qoftë kjo edhe masë e publikut. Dhe pikërisht këtu, te publiku, kryqëzohen interesat edhe të kulturës edhe të politikës – paçka se kultura kërkon të angazhojë mendjet me ide dhe mbresa, ndërsa politika zakonisht interesohet vetëm për krijimin dhe riprodhimin e grupeve të mëdha të njerëzve, që marrin pjesë së bashku.

Çfarë po vërej sot, nga një event kulturor në tjetrin, është pikërisht molepsja e jetës kulturore nga modeli politik i pjesëmarrjes, që synon të shfrytëzojë publikun e kulturës si masë të gatshme për synimet e politikës; dhe kjo sidomos në evente që janë jo vetëm publike, por edhe janë organizuar me fonde publike, nga institucione publike; dhe që po vijnë duke u perceptuar, prej qytetarëve, si evente të rreshtuara politikisht, ose që i shërbejnë politikës. Edhe për nismën e dështuar të Ermonela Jahos, u tha – në atë agora që është Facebook-u – se nuk kish siguruar sponsorizimin e duhur politik, veçanërisht në rrethanat kur Ermonela vetë është adoptuar dhe përdorur si flamur dhe shaluar si kalë betejash propagandistike, nga politika dhe institucionet.

* * *

U përmend edhe kostoja e biletës, si faktor që kushtëzon pjesëmarrjen – me presupozimin se njerëzit do të kishin shkuar, po të kish qenë eventi falas. Në fakt, shumë evente kulturore janë falas, madje edhe kur mund të ishin me biletë; edhe pse kjo praktikë e panem et circenses dëshmon për një jetë sociale dhe qytetare të kalbëzuar së brendshmi. Shumë gjëra bëhen falas sot në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri, sepse fondet për to gjenden tjetërkund. Edhe këtë herë, modeli ka dështuar – meqë kush paguan, e bën këtë për interesat e vet, që shpesh nuk përkojnë me ato të publikut. E megjithatë, publiku sot është kushtëzuar të revoltohet, sikur t’i duhet që të paguajë, për një event kulturor, një shumë jo më të madhe se bakshishi që do të lërë atë natë në restorant. Dhe ky publik do të revoltohet jo mirëfilli sepse ia ka vënë vetes për synim të mbështetë financiarisht kamerierët – por sepse tashmë pret (është mësuar) që kulturën t’ia japin “falas”. Paçka se, për të krijuar një ide për konceptin dhe praktikën e kulturës falas, brenda establishmentit të ekonomisë së kulturës, mjafton të krahasosh hyrjen falas në evente objektivisht mjaft të kushtueshme (por të paguara nga sponsorët), me çmimet e librave, të cilat nuk i sponsorizon kush (në fakt shumë libra sponsorizohen rëndshëm, por në nivelin editorial, jo në momentin e shitjes në publik).

Normalizimi i eventit kulturor falas sjell me vete premtimin e një katastrofe: ndarjen e kulturës nga publiku. Kjo, ngaqë organizatorët, pavarësisht nëse institucione publike ose palë të treta, po mësohen t’i sigurojnë fondet nga burime të tjera dhe nuk duan t’ia dinë nëse eventi ka apo jo sukses në publik. Çfarë do të thotë se normalizimi i eventit kulturor falas sjell me vete normalizimin e eventit kulturor me sallën bosh, ose me pjesëmarrje nga publiku tendencialisht zero.

Duket sikur kjo bie haptazi ndesh me praktikën e pjesëmarrjes politike të masës së publikut në eventet kulturore, edhe pse është thjesht ana tjetër e medaljes. Sepse çështja nuk është nëse një event do të ketë apo jo publik, por sa do ta tolerojë, kultura publike, dukurinë e publikut zero; dhe unë besoj se tolerimi varet, në masë të madhe, nga rekrutimi i kulturës në shërbim të politikës. Një politikan, i cili zvarrit me vete publikun (dhe mass mediat) në një event kulturor, synon të akumulojë jo kapital parash, por kapital njerëzish. Lukunia e gazetarëve dhe kamerave, që – për t’u kthyer te historia që rrëfeva në krye të këtij shkrimi – ndenjën vetëm gjatë seancës ku folën “ambasadorët e Europës” – nuk është se preferuan të dëgjonin dhe të regjistronin në film dhe në zë platitudat e hatashme të ambasadorëve, ndaj fjalës së shkrimtarëve; por sepse ishin njëfarësoj të vetëdijshëm se është vëmendja ndaj ambasadorëve (dhe fondacioneve përkatëse) që e mban gjallë këtë lloj jete kulturore, duke e financuar me para të thata: aq sa ne, shkrimtarët e ftuar, kishim aty statusin e lopëve masive të racës, në një panair rajonal të gjësë së gjallë – madje edhe të stolisur me fjongo, siç e kërkonte vendi dhe kuvendi.

Si ta kundërshtosh këtë rrokullimë? Unë vetë tani përpiqem të mos marr pjesë në aktivitete, nëse e ndiej se po përdorem – por edhe jam i vetëdijshëm se tërheqja nga jeta publike nuk mund të ofrohet as të këshillohet si zgjidhje. Shpresa për një establishment kulturor më pak të varur nga politika mbetet gjithashtu një opsion, por modeli i financimeve të treta do të vazhdojë ta gërryejë kulturën publike nga brenda, sa kohë që buxhetet e tjera janë simbolike. Opsion tjetër është rritja edhe në dinjitet e prestigj e operatorëve privatë, të tillë që të synojnë jo masivitetin as zbatimin e vijës politike të ekzekutivit, por krijimin e komuniteteve sado të vogla dhe të kufizuara, por ku krijuesit të ndihen në qendër të vëmendjes, siç edhe e meritojnë. Këtu do të shtoja edhe de-prioritizimin e eksportit kulturor, nga libri i përkthyer te filmi dhe operacione të tjera: pa një kulturë të shëndetshme në origjinë, produktet kulturore vështirë se mund të kenë të ardhme duke iu dhënë publikëve të tjerë. Gjithsesi, asnjë nga këto që sugjeroj nuk do të vlente, pa ripërmasimin rrënjësor të raporteve mes krijuesve, publikut dhe institucioneve kulturore publike.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin