1X10: KUJTIME TË PAHARRUARA

Titulli: Kujtime të paharruara dhe shkrime të tjera
Autori: 
Sevasti Qiriazi-Dako
Shtëpia Botuese: ISSHP, Tiranë, 2022
Përzgjodhi:
Teuta Toska

 

 

1.

Autorja, Sevasti Qiriazi-Dako, ashtu si edhe e motra, Parashqevi Qiriazi, është një emër shumë i njohur për shqiptarët, por vepra dhe puna e saj njihet pak. Vetëm në vitin 2016 publiku i gjerë mundi të njohë historinë e jetës së saj, që nga lindja e deri në vdekje, betejat e saj të mëdha, njëherësh beteja të shoqërisë dhe gruas shqiptare, dhe fundin tragjik në regjimin komunist. Sevastia e kishte shkruar në anglisht historinë e jetës së saj, e nxitur nga miqtë e bashkëpunëtorët e saj amerikanë, të cilët kishin qenë dëshmitarë të jetës së jashtëzakonshme të kësaj gruaje, qoftë për shkak të rrethanave historike në të cilat gjendej kombi i saj, qoftë për shkak të karakterit të saj. Ndeshtrashat në të cilat u gjendën shqiptarët në fund të shek. XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX bashkudhëtojnë me jetën e Sevastisë, dhe jeta e saj ndërthuret pandashëm me jetën e kombit. Asaj i duket e natyrshme kjo shkrirje dhe njëjtësim, sa kohë që e quan shpesh veten në shkrime “bijë” të kombit të vet.

2.

Ky libër përmban krijimtarinë në shqip të Sevastisë dhe përmbledh “Kujtime të paharruara”, në pjesën e parë; në pjesën e dytë kemi shtatë portrete të figurave të rëndësishme që i takoi dhe e frymëzuan gjatë jetës: Naim Frashëri, Petro Nini Luarasi, Mihal Turtulli, Karolina Borden, Meri Mills Patrik, Çarls Uds dhe Spiro Bellkameni. Mund të shohim në përshkrimet që u ka bërë këtyre burrave dhe grave cilësitë më të rëndësishme që ajo ka vlerësuar te këta njerëz, karakteristikat e heronjve të saj qoftë në planin e luftës kombëtare, por edhe për modelin e gruas që ka aspiruar të jetë. Në pjesën e tretë kemi 3 tregime, krijime origjinale të Sevastisë. Lexojmë kështu sprovat e para për një letërsi në shqipe, përpjekje të thjeshta, me gjasë nxitur prej motiveve të rrëfimeve të dëgjuara në mjedisin shqiptar dhe të ngritura pastaj në nivelin e një krijimi origjinal, herë me tematikën e zakonshme patriotike (“Gjaku ujë s’bëhet”), herë me tematikë mistike e fetare dhe me motive psikologjike (“Mundimi i ndërgjegjes”), dhe me motive të dashurisë (“Të çdukurit e Manushaqes”).

3.

Por të mundohemi të shohim pak më thellë në jetën e kësaj gruaje në këto tri vite, përtej rreshtave të “Kujtimeve”: në verën e vitit 1912 Sevastia kthehet e vetme në Korçë për të hapur shkollën, ndërsa Parashqevia dhe Kristo janë nisur në Amerikë, në Kolegjin Oberlin në Ohajo, për të kryer studimet e thelluara për master. Ata do të kthehen një vit më vonë. Së bashku me të është Aleksandri, 2 vjeç, dhe ajo është shtatzënë me djalin e dytë, Gjergjin, që do të lindë në 1913. Këtë fakt kaq të rëndësishëm ajo nuk e përmend te “Kujtimet” – ajo gjendet vetëm me një fëmijë 2 vjeç dhe shtatzënë në mes të zjarrit të luftës, e kërcënuar thuajse çdo ditë për jetën, e tmerruar për fatin e Shqipërisë, dhe si të mos mjaftonte kjo, Gjergj Qiriazi, vëllai i saj i dashur, bashkëpunëtori më i ngushtë, ndërron jetë papritur po atë vit.

4.

Kur arrimë në Korçë, ishte mjaft erët. Qyteti ishte i qetë dhe era po frynte ëmbëlë edhe të pushtonte me gëzim. Togje, togje fëmija po këndonin nëpër lëndinat dhe depërtonin erësirën me zërat e tyre plot ëmbëlsirë edhe gëzim. Këngët e tyre patriotike më ngjallë shpresën edhe kështu munda për pak kohë të haronj gjith ato, që më patnë trubulluarë shpirtin tërë ditën. Të nesërmet shumë miq ardhë të më pjekin edhe të marin vesh të reat e ditës. Mjegulla, që mbretëronte përmi vëndin që lashë ditën e parë, edhe nuku kishte arrirë në Korçë, po pas ca dit zu të çfaqet pak nga pak, gjer sa viset e Korçës u pushtuan reth e përqark, edhe nuku mernim dot vesh ngjarjet e jashtësme.

5.

Që kur se u mbyll shkolla edhe gjer në krye të korrikut mbeçë e burgosur ndë shtëpi. As njeri nuku kuxonte të kapërzenjë pragun e portës, sepse Qeverija kishte vënë ruajtës që të shohën kush hyn edhe kush del; as miqtë nuku kuxonin të vinin se kishin frikë nga Qeverija. Ah! Miqësia është një gjë e shentëruarë. Lidhjet e miqësisë edhe fjala e shënjtëruarë “Besa-besën” është e gatishme të japë edhe jetën. Vetëm këjo miqësi mer pjesë në hidhërim; vetëm këjo miqësi shton gëzimnë. Miket e besës edhe të vërteta nuku muntnin të hynin dot; po vallë kush munt t’i ndalonte të mos shkonin udhës përpara derës edhe të më flisnin me gojën e zembrës? Disa vjet më parë kisha vizituar këtu në Amerikë shumë burgje edhe në kohën kur mbretëronte tmeri në Korçë vizitova edhe burgun e Korçës, kur shtëpija e atdhetarit të çkëlqyrë Vani Kosturit ishte e burgosur. Shumë herë mentonesha edhe thosha se burgu për mua do të ishte një vent shumë më i pëlqyerë se sa shtëpija ime, ku nuku muntnja të shinja, ku nuku muntnja të këmbenja një fjalë me as njeri.

6.

Me këto mentime të tmeruara, zbres shkallë të pyes cili troket. Kur i afronem portës, ç’të dëgjonj? Disa njerëz që flasin anglisht. Më një grimë herë, furtuna e brendëshme zu të qetësohet. Pyes cili është? Dhe kur u sigurova se zëri ishte zë gruaje, hapa portën dhe ç’të shoh? Miss Durham dhe zoti H.W.Nevinson, miqtë e mij të vjetër! Ishin ëngjëjtë e Perëndisë, që zbrisnin nga Qielli për të ngushulluarë mua të mjerën që kisha mbetur e vetëm pa mburur[1], pa krahë; e larguarë nga njerëzija, po jo edhe nga Ay i cili na ka dhënë të drejtat e rojtjes edhe të kombësisë, edhe na ka porositur të qendrojmë për të ruajtur edhe për të shpëtuar vëndin nga thonjtë e armikut.

Si u përshëndoshmë, ndejmë në obor, nënë shelk, që shtrinte hien e tij të bekuarë për të shkuarë vapën e ditës, e cila ishte e madhe. U manita kur Miss Durham më pyeti:

– Ç’është shkaku që u trubullon, mikja ime e dashur?

– Eh, mikja ime, tashi me ardhjen t’uaj të gjitha do të i kapërxenj. Ndë më ndihmofshi të më mbushet dëshira e zembrës time, atëhere punën time e mbarova.

7.

Qëllimi im sot nuku është të shkruanj një biografi të plotë të Naim Bej Frashërit, dëshëronj vetëm të çfaq përshtypjen e pëlqyerë që më bëri ky atdhetar kur u hasa për të parën herë me të në Stamboll. Ishte dita kur mbaronja mësimet e mija edhe do të delnja në botë t’u bënja ballë pengimevet të cilat i kupëtonja do të ishin të shuma edhe të vështira, sikundër na tha edhe Ambassadori i Amerikës kur na dha diplomat. Gëzimi im ishte i pa treguarë, jo se mbaronja shkollën edhe se dëshira e zembrës t’ime po afronej të mbushet; po se do të kisha nderë pas pak kohe të hasem me atdhetarë të flaktë, të cilët i adhuronja për shkrimet e tyre.

8.

– Nuku jam kaq i poshtër; nuku munt t’a duronj dot këtë paudhëri. Do të i tregonj plakut të vërtetën!

– Të lutem, mos më bëj këtë të keqe, Isonzo, – thëret Anita.

– Eh! Pa haro për pak mjeshtërinë e aktorëvet!

Anita për një herë këmben fjalën edhe i thotë:

– Plaku është i gëzuarë; edhe unë jam fort e lumurë. Ndë i trëgofsh të vërtetën, do t’i thyhet zemra edhe kush e di se ç’munt të pësonjë. Mos u bëj budalla. A të duhen të holla?

– As një dyshke s’kam, i përgjigjet Isonzua. Po si të thom, ndofta ke të drejtë. – edhe u ngrit edhe shkoj.

9.

Tri dit baritmë nëpër mes të një fushe të madhe edhe të gjerë, e cila në ca vise ishte e papunuar edhe e shkretë. Më në funt muntmë të harijmë në kufinë e jashtësme të një korije të moçime. Duallmë ballë për ballë më ca brigje të rahura nga kohërat prej qindra vjetesh, edhe shkëmbinjtë që ishin përndarë posht’ e lart togje-togje bashkë me sëret e borigavet të larta, të cilat zgjateshin mi majrat e brigjevet me orë bënin një pamje të manitëshme edhe linin një ndështypje të paharuar në mëndjen të njeriut. Gjithë këto rethime dukeshe sikur vinin sinjënjë[2] me karakterin e vëndit edhe me jetat e betuara[3] të ndenjësvet këtij vëndi. Unë mbeta i habitur me këtë pamje të rallë të cilën nuku e shihnja dot. Leka, përkundrazi, me fytyrë të trubulluar edhe me sy të unjur po analizonte ca lule që i kishte shkelur ndër këmbë. Kur po qendronim kështu, këmbana e manastirit përtej po bije, të thëresë besnikët në lutje. Për së largu vemë re oshënarët veshur me roba të bardha [që] po mernin udhë nga arat, ku kishin punuar që më të zbardhëlluarit e ditës, për në manastir.

10.

– Do të vemi në Ersekë të martonemi.

– Të martonemi!? Mos u çkallmove, Skëndo?

– U çkallova!? Jo as pak, e dashura ime Margaritë. Jam kaqe i mënçurë sa munt të jetë njeriu. Do të vemi në kishë të Ersekës edhe atje do të japim betë të martesit.

– Skëndo, si kuxon të bësh një të këtillë gjë? Ktheu prapë të lutem, edhe më shpjerë në shtëpi, edhe më dorëzo tek babaj nga i cili më more.

– Më vjen keq, po nuku munt t’i bindem urdhërit tënt, e dashura ime Margaritë; jemi dyke vajtur në gëzimin tonë të plottë.

 

 

[1] Pa mbrojtje.
[2] Në unitet, njësoj, së bashku.
[3] E ka fjalën për jetën e murgjve, të cilët janë betuar për t’iu përkushtuar Zotit tërësisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin