ZYLOJA I KAPUR NË LIGJËRIM (IV)

Një tjetër shembull, ku Zyloja shqiptohet si të jetë në krye të punëve të shtetit, te një skenë kur ky takon rastësisht një ish-dervish, gjatë një vizite në fshat:

Mirë bëmë që i prishëm edhe teqetë edhe xhamitë edhe kishat! Feja e shqiptarit është shqiptaria, kanë thënë të mëdhenjtë rilindas! [f. 92]

Të jetë angazhuar vërtet Zyloja në aksionet kundër institucioneve të kultit? Kjo mbetet e paqartë në libër; çfarë duket qartë, përkundrazi, është se ky personazh kërkon të duket si identifikuar me atë grup që i ndërmori aksione të tilla. Si të thuash: kur flet Zyloja, flet shteti, flet autoriteti, flet pushteti, pa çka se Zylos, këtij nëpunësi jo dhe aq të lartë, këtë nuk ia kërkon kush.

Dhe sërish gjatë vizitës në fshat në shoqërinë e kryetarit të kooperativës, kur takohet me disa fshatarë të rastit:

Si vini me kryetarin? Është ndopak burokrat? Ne drejtuesit jemi burokratë. Na kritikoni, të na vijnë mendtë. Ne kalojmë nëpër filtrin tuaj dhe dalim nga filtri më të kulluar. Po, po, na kritikoni pa frikë. Goditnani! Le të na dhembë! Pa dhembje s’ka lindje, – qeshi shoku Zylo. [f. 103-104]

Te ky pasazh, ne-ja e Zylos përfshin atë vetë dhe kryetarin, si të sërës së “drejtuesve” – përballë masës së fshatarëve. E megjithatë, duke u dhënë këtyre të fundit licencën për të kritikuar, Zyloja e diferencon veten nga kryetari, duke u vendosur një shkallë më lart në hierarki dhe duke pranuar se inkluziviteti i kësaj ne-je është vetëm për mirësjellje. Tek e fundit, ai i fton fshatarët ta kritikojnë sepse e di që nga kjo lloj kritike atij nuk do t’i hyjë kurrë gjemb në këmbë. Prandaj edhe pikërisht dhënia e licencës, si performativ, sanksionon paprekshmërinë e kastës së burokratëve të lartë, të cilës Zyloja (kujton se) i përket.

Çfarë i jep thellësi personazhit Zylo, është vetëdija për frazizmin që përcjell orë e çast me ligjërimin e tij publik.

Eh Demkë, – tha ai. – Ti kujton se unë jam njeri i thatë me kokë të mbushur vetëm me ide dhe agjitacion. [f. 101]

Duke e pasur të qartë se Demka kujton kështu, sepse kështu i është paraqitur.

Një herë tjetër, Zyloja i lejon vetes pak më shumë sinqeritet. Monologu i mëposhtëm vjen fill pasi ai ka luajtur me një mëz në lëndinë:

Unë nuk jam as pagan, as panteist. Unë jam një njeri që dehem nga natyra dhe për një çast mendoj se në ajrin e saj gjej sinqeritetin dhe shëndetin e plotë. Fundja, ne jemi pjellë e natyrës. Ai mëzi që shikon ti atje, është një kushëri ynë i largët, i largët. Stërgjyshët e lashtë të asaj pele janë stërgjyshët tanë, o Demkë. Por ne na thirri natyra që ta ndryshojmë, kur pa se stërgjyshët tanë, ato shtazët e bekuara, nuk mund ta ndryshonin dot, pasi nuk dispononin materien e organizuar në shkallën më të lartë, që është truri. Lëvizje në formë spirali, Demkë! Spirali është formë e progresit – përfundoi ai. […]

– Ju, sot, shoku Zylo jeni thelluar shumë sot në natyrë dhe në jetë, – them unë.

– Nuk më ke njohur, Demkë. Unë gjithnjë kështu thellohem në fenomenet… – thotë shoku Zylo. [f. 129]

Monologu kombinon një lloj lirizmi, me materializmin vulgar; teksa heroi ynë, tashmë i dorëzuar në gjirin e natyrës, nuk harron të shtojë se ai gjithnjë kështu “thellohet në fenomenet.” Por çfarë nëpërduket në tekst, është se Zyloja, me gjithnjë maskën komplekse prej burokrati të lartë, tingëllon më autentik kur merret me tërfilin dhe mëzat. Midis origjinës së tij fshatarake dhe kostumit modern prej njeriu të kulturuar dhe fiLLozofik, hapet kështu një humnerë befasuese – ajo e hiçit burokratik. Në të vërtetë, identiteti i Zylos nuk është më ai i njeriut në natyrë dhe i bujkut në arë dhe i blegtorit me dhen; as ai i intelektualit të hollë; por më tepër tendosja e subjektit të tij midis këtyre dy skajeve, ose përpjekja – herë e dëshpëruar herë qesharake – për të qëndruar në ajër, si ato figurat e filmave vizatimorë, që vazhdojnë të vrapojnë edhe pak, pasi kanë kaluar përtej buzës së humnerës. Jo më kot Zyloja është, në thelb, i tmerruar.

Këtë “kushtrim të së parëve” ai e ndjek – njëfarësoj – nëpërmjet obsesionit të tij me proverbat. Kështu, duke u përgatitur për takimin zyrtar me rapsodët, i drejtohet Demkës kështu:

Para se të vijnë rapsodët, po të caktoj një detyrë të ngutshme – dhe bëri një pauzë. – Të më gjesh tri proverba nga Malësia e Madhe, tri nga Peshkopia, tri nga Tropoja, tri nga Kukësi, tri nga Mirdita, tri nga Kurveleshi, tri nga Gorë-Opari, tri nga Kolonja, tri nga Kosova dhe tri nga Çamëria. [f. 73]

Këto proverba, Zyloja mendon t’i përdorë në bisedën me rapsodët.

Si formë ligjërimore, proverba është karakteristike, madje përcaktuese e oralitetit: ajo kondenson shpesh me mjete metaforike një të vërtetë të përgjithshme që ruhet në gjuhë, duke u rimarrë nga një ligjërim në tjetrin, dhe që shërben për të mbështetur argumentin në bisedë, në mënyrë të ngjashme me premisën e madhe te silogjizmi. Proverba shpreh urtësi të konfirmuar në kohë dhe në eksperiencë, ngjashëm me një parim filozofik ose një ligjësi sociale. Prandaj edhe Zyloja, që sikurse e shtjelluam e ndërton ligjërimin e vet burokratik duke i eksplicituar premisat e mëdha, për të impresionuar bashkëfolësit me gjithëditurinë e tij, kërkon të bëjë të njëjtën gjë me proverbat, kur i flet “popullit”, ose një kategorie tjetër bashkëfolësish, të mbrujtur në oralitet – siç janë rapsodët, subjekte të folklorit.

Qesharakja këtu është se Zyloja e burokratizon edhe proverbën vetë – duke i kërkuar ndihmësit të tij që t’ia gjejë dhe t’i mbledhë, që ky pastaj t’i përdorë në ligjërim, në vend të premisave të mëdha. Por proverba e mbledhur, e kataloguar dhe e specializuar nuk i përket më oralitetit, por katandiset në një shenjë të vetvetes – meqë në gojën e Zylos ajo nuk e mishëron më kulturën gojore, por vetëm sa e shënjon. Zyloja sa kërkon “të paraqitet”, ose “të duket” si i popullit.

Ja edhe një shembull përdorimi të proverbës, prej Zylos, në vend të premisës së madhe (Zyloja në bisedë me Demkën, i shqetësuar për rrëgjimin e monumenteve të kulturës):

Kalatë e vjetra të Hekalit, Margëllëçit dhe Shëntriadhës janë për faqe të zezë. Njerëzit kalojnë dhe heqin nga një gur. Por a e di ti, o Demkë, se “gur-gur bëhet kalaja”? Ç’mbetet nga kalaja po i hoqe gurët? [f. 345]

Ja edhe një fragment i bisedës së Zylos me eprorin e vet misterioz, shokun Q., nga e cila në vepër riprodhohet vetëm pjesa që dëgjon Demka, ose fjalët e Zylos. Kjo bisedë zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet e Zylos me mikun dhe mbrojtësin e vet kishin marrë të krisur, edhe për shkak se këta të dy kishin rezultuar me opinione të kundërta, për një dramë të Adem Adashit. Tani për këtë dramë kish shkruar edhe kritiku Zaim Avazi, i cili – edhe pse më parë kish mbështetur Zylon – tani mbante anën e shokut Q.:

Po… Shoku Q.? Mirë, shoku Q… E lexova, Zaim Avazi në fakt është profilizuar si kritik teatral. Po, po teatral – dhe shoku Zylo qeshi. – Nuk them se ai është teatral. E kam fjalën për temën teatrale…. Si m’u duk? – e buzëqeshi si fajtor e shkoi dorën mbi flokë. – E kam të vështirë të gjykoj, sepse ju e dini që unë kam pasur tjetër mendim për dramën…. Ashtu është. Mendimi i nënshtrohet ligjit të evoluimit… E, varet nga distanca e kohës. Ka një proverb: kalaja duket nga larg… Dakord, Adem Adashi nuk është kala. – dhe qeshi përsëri. – Mund të bëhet. Gur mbi gur… Po, po, parimi i gur-mbi-gurit… Në plazh? Kam punë, nuk shkoj dot. Më la prapa me punët edhe ajo Afrika. S’do mend! Detyrë internacionale!

Kjo bisedë mbyllet pastaj me Zylon dhe shokun Q. që bien dakord të marrin me vete në plazh libra të hollë, sepse “Në plazh triumfon libri i hollë.”

Në pasazhin më lart, i gjen bashkë të dy anët e ligjërimit të Zylos: premisat e mëdha të eksplicituara, ose pseudo-parimet filozofike (“mendimi i nënshtrohet ligjit të evoluimit”) dhe proverbat (“kalaja duket nga larg”). Sikurse gjen edhe sintezën e tyre “dialektike”, në togfjalëshin parimi i gur-mbi-gurit, që edhe mishëron esencën ligjërimore të Zylos frazist: ky nuk mund ta legjitimojë oralitetin, përveçse të burokratizuar, ose të veshur në këmishë fraziste. Proverba “gur-gur bëhet kalaja”, të cilën ai vetë e pat përdorur në bisedë me Demkën (shih më lart) tani shndërrohet në “parim të gur-mbi-gurit”. Sa për proverbën tjetër, që sjell Zyloja – “kalaja duket nga larg” – a ekziston vërtet një e tillë? Apo mos është nga pseudo-proverbat, ose aforizmat që Zyloja i krijon vetë?

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen penalisht.