MIKROBIOGRAFI (VII)

Ali Xhixha

Emri i tij qëndronte gjithmonë lart, në një ekuilibër të brishtë mbi tel, njerëzit ngrinin kokën për ta parë me ogurin që këtë herë të binte, thyente qafën.

Vite më vonë emrin e tij ia vunë cirkut të Tiranës dhe ai kërcënim vuv i turmës u trasferua nën shatorren e madhe ku ende reket të struket lumturia e botës.

 

Ariel Sharon

Nuk e dimë a ka vdekur.

 

Ballkiz Sheba

Kur ktheheshim nga shkolla mblidhnim lulëkuqe në arat me grurë.

U këpusnim petalet dhe fërkonim me to kapakët e syve.

Na zinte gjumi pa i mbaruar detyrat.

 

Christa MacAuliffe

Na mësove se mësuesja

s’është vetëm për t’i parë shalët.

 

Se toka ajri zjarri uji

janë katër elementët.

 

Se edhe për amerikonët

ekziston m e l a n k o l i a.

 

Din Kulluri

Ishte i vetmi në pallat që dinte të lidhte kollaren nyje.

Komshinjtë i kërkonin ndihmë: drejtorë drejtorie (ata, për arsye profesioni, e mbanin gjithmonë nyjen të lidhur, e lëronin sa për të nxjerrë kokën, po ja që nganjëherë ajo e shkretë zgjidhej pa dashje), nëpunës dogane, zëvendëskomisarë policie, dëshmitarë të Jehovait, fashistë, folës në TV, zooteknikë…

Nuk e kuptoi që maturanti i katit të tetë, i fundit që i trokiti në derë me kollare në dorë, e desh nyjen jo për mbrëmjen e maturës, por për t’u varur.

 

Enri Tili

Në bisedë e sipër e pranoi që kish shkruar diçka të gabuar, por harroi të njoftojë për këtë ghost-writer-in, Demkën e tij afon.

 

Fatbardh Haxhiu

Sa më e madhe të ishte piktura e porositur, aq më shumë kohë i linte vetes për ta realizuar. Edhe kaparra ishte e lartë: gjysma e shumës së përgjithshme. Për Skënderbeun dhe Lidhjen e Prizrenit aplikonte një shtesë çmimi prej 30%.

Dy ditë para skadencës pastaj, i sapokthyer nga pushimet në Miami, ulej e kryente.

 

Fatosh Nano

Mishi i gomarit – mishi i preferuar i egërsirave të zbutura të cirkut, tha.

 

Fidel Castro

Ngaqë nuk qenë të sigurt nëse thika që e plagosi ishte apo jo e helmuar, u turrën kush e kush t’ia thithte gjithë afsh gjakun nga plaga.

 

Hajredin Çeliku

Sa e morën vesh si quhej, e kooptuan në Komitetin Qendror.

 

Ismet Sali Bruçaj

Nuk më kujtohet nëse suferina dimërore më rrëzoi në hon tek shkoja për të dhënë mësim në shkollën e largët malore, apo më ngriu si fillrojtës në shtyllë të telefonit.

 

Kursime Agalliu

Kur rregullonte sirtarin e ilaçeve dhe gjente barna të skaduara, ngaqë i vinte keq t’i hidhte, i pinte vetë.

 

Luan Latifi

Neve të Gardës Kombëtare, atë mars kaosi të 1997-ës, na u desh jo të mbrojmë Presidentin e Republikës, por të zgjidhim çështjen: “Kopësht Zoologjik”.

U vendos t’i pushkatonim kafshët, përndryshe rrezikohej ngordhja e tyre urie, apo më keq, lirimi nëpër Tiranë nga rebelët që kishin pushtuar periferinë.

Komandanti pati trillin t’i ndajë punët sipas emrave.

Më takoi pra mua ta vras luanin.

Zogjtë nuk përbënin problem: Garda qe plot me ushtarë me emra zogjsh.

Njëfarë Ndue Uk çunaj e kërkonin me ngulm për ujqit.

 

Marko Ashiku

Megjithëse përpiqeshim ta bindnim që fishkëllima e tij në sallën e errët të kinemasë sapo shihte zbardhëllimin e kofshës së aktores bënte që në fund të orarit të projektimit filmit t’i pritej i vetmi moment “i ndriçuar”, nuk përmbahej dot së futuri gishtat në gojë për të nxjerrë tingullin triumfal.

 

Mustafa Krantja

Në jetën e tij themeloi mbi 50 orkestra simfonike, një rekord ende i pathyer.

Shkuar nëpër duar listën, nga Filarmonia e Alarupit te Orkestra Simfonike e Zhulatit, asnjëra nuk luajti Beethoven-in.

 

Pavllov Pasha

E përjashtuan nga Fakulteti kur në lëndën e Anatomisë Normale mbrojti tezën që sperma prodhohet nga palca e kurrizit.

 

Rita Hayworth

Ritë moj, e Bukur e Dheut,

e rrethuar nga laro,

si ndjehesh kaq e dashuruar,

e dëshëruar?

 

Keq, se kur shkoj në shtrat

natën me një burrë ai kujton

se fle me Bombën Atomike,

por në mëngjes çohet e sheh

se paskësh fjetur me çupën

e brishtë Rita Hayworth.

 

Sevo Tarafi

– Doktor, kam vrarë – u rrëfye!

Meqë ra fjala dhe duke përfituar nga rasti, doktori e vrau.

 

Sinan Shabani

I dhanë tre muaj kohë që, si Drejtor i AQSH, të dokumentonte origjinën shqiptare të Anna Bolenës.

Përkohësisht shpëtoi nga shkarkimi kur plasi çështja Ajnshtajn: kish kaluar apo jo nga Shqipëria.

 

Shpat Sharra

Kur numri i të vdekurve nga vdekje e dhunshme e kaloi numrin e të vdekurve për shkaqe natyrale dhe sëmundje, lumi doli nga shtrati dhe e përmbyti krejt varrezën.

 

Uliks Bozo

Nga syri magjik i derës plaka kontrollonte gjithkënd që hipte e zbriste shkallët e pallatit.

Adoleshent, me gozhdë dhe me çekiç, vazhdimisht ia verbonte.

 

Vasil Shanto

Aq shumë i pëlqente të maskohej, sa herën e fundit që e bëri harroi të kthehej siç kish qenë më parë.

Mbeti në limbin midis heroit dhe agjentit të serbëve, tebdil kështu, apo ashtu.

 

Vezir (Vezo) Llaço

Pronar i një lavazhi modern në hyrje të Tiranës, majtas superstradës, një herë e një kohë i torturonte “armiqtë e popullit” me torturën e tij të preferuar: vezë të zjera fort, të saponxjerra nga uji i valë, nën sqetull.

Paskëtaj qenë gati të pranonin gjithçka.

Paskëtaj vezët i hante, shoqëruar me një kupë raki Skrapari.

 

Xhelo Kasapi

Si të gjithë kirurgët në pension, filloi të shkruajë veprën e vet madhore, distillim i një përvoje dyzetvjeçare: “Ndërlikimet në kirurgji”.

Si të tjerët edhe ai, ama, pasojë ndërlikimet e jetës, nuk arriti dot ta përfundojë.

 

Zemkë Nota

Vdekja e saj shkuli për ngushëllim krejt Byronë Politike, se ishte tezja e njërit syresh.

Çudi ky ortek byroistësh për një plakë që s’e mbanin kurrë mend jashtë shtratit.

S’kish pasur ndonjë sëmundje kushedi – fakti që kish rrojtur gjatë e tregonte – por i pëlqente t’i puthnin dorën, ta thërrisnin “hanko” dhe të lexonte turqisht.

– Na zuri mallkimi i të parëve: – thosh – “Të zëntë Moskovi!”, “Vafsh në Çinimaçin (Kinë)!”.

Hmmm, shokët e Byrosë, të ngrysur.

About the Author

Arben Dedja (Tiranë, 1964) është një kirurg shqiptar i diplomuar dhe specializuar në qytetin e lindjes. Nga viti 1999 jeton në Padova (Itali), në të cilin universitet është doktoruar dhe punon si kërkues shkencor. Në jetën e tij alternative ka botuar në Shqipëri (po e lëmë mënjanë Italinë) katër vëllime me poezi dhe gjashtë me prozë të shkurtër. Ka botuar gjithashtu edhe dhjetë libra me përkthime nga italishtja dhe anglishtja, gati ekskluzivisht libra poetikë, nga Guido Cavalcanti e tëhu.

Author Archive Page