SHQIPJA PËR LACAN-IN

Ja një fjalë shqipe që meriton vëmendje jo vetëm nga leksikologët, por edhe psikologët: qejf. E ardhur edhe ajo nga turqishte-osmanishtja, ka zënë vend mirë në shqipen bisedore, duke u artikuluar në një numër të madh shprehjesh frazeologjike dhe, veçanërisht, duke zhvilluar kuptime të reja në krahasim me burimin (turq. keyif).

Kuptimi i parë dhe pas gjase fillestar i fjalës është “dëfrim, zbavitje” (angl. fun, enjoyment) – një kuptim që do t’ia drejtonte antenat çdo lakaniani, dhe jo vetëm; sidomos po të shihen degëzimet që ka marrë ky kuptim gjatë shekujve përdorim.

Këtë kuptim e gjejmë në shprehje si bëj qejf, ishte qejf i madh, vazhdoi qejfi deri në mëngjes.

Këtu dallojmë dy aspekte: qejfin si ndjesi gëzimi, ëndjeje etj. dhe qejfin si veprimtari pak a shumë sociale (p.sh. gosti, dasmë) që e sjell këtë ndjesi.

Kuptimi i parë, ai i ndjesisë, merr pjesë në disa artikulime frazeologjike të shpeshta – duke filluar që nga bëj qejf e duke vazhduar pastaj me e bëj me qejf, jam pa qejf, sa qejf që do të shkojmë në Vithkuq… etj.

Qejfi, në shumë nga këto ndërtime, përfaqëson një gjendje shpirtërore të këndshme (+), por që në përfytyrimin e ligjërimit shpesh merr trajtat e një vendi ose të një hapësire: vij në qejf, më hyn në qejf (diçka), më doli nga qejfi, i ka hyrë vetja në qejf. Kjo duket edhe thjesht nga pozicioni sintaksor i fjalës qejf, në këto shprehje, si rrethanor vendi (me parafjalë).

Më me interes, për shqipen, është raporti i subjektit folës me këtë qejf, si gjendje shpirtërore dhe si veprimtari që e shkakton gjendjen shpirtërore.

Vërej dy zhvillime madhore: i pari, ka të bëjë me një kuptim të ri të qejfit, si “dëshirë, vullnet, zell, tekë.” Ky kuptim vjen dhe i largohet kuptimit të parë, si “dëfrim, ëndje, kënaqësi, zbavitje”; i pari ishte pasiv, meqë subjekti përjetonte diçka; i dyti është aktiv, meqë subjekti merr pjesë si vullnet ose dëshirë.

Për kalimin nga ëndja në dëshirë, nën të njëjtën etiketë leksikore, mund të shkruhet një libër i tërë, edhe pse jo doemos linguistik.

E megjithatë, ky kuptim i ri – që shfaqet në shprehje të tilla elementare si kam qejf të rri përjashta, ku folësi shpreh vullnetin për të ndenjur përjashta, meqë kjo i sjell kënaqësi (pleasure-seeking activity) – vjen së bashku me një konceptim të subjektit si spektator të asaj çfarë ndodh në mendje.

Të kihet parasysh këtu se subjekti mund ta kërkojë ëndjen me vullnet, por kjo shfaqet ose përftohet në mënyrë të pavarur nga vullneti: thjesht ndodh.

Dikush mund ta ketë qejf rakinë, por kjo nuk garanton që çdo gotë rakie do ta sjellë në qejf.

Dhe këtu kam qejf i përket të njëjtës paradigmë me kam frikë, kam gjumë, kam ftohtë etj.; ose ku subjekti dëshmon gjendje shpirtërore ose përjetime edhe me natyrë fizike.

ThickBorromeanRingsMirëpo qejfi brenda kësaj paradigme vjen edhe me një farë autonomie, të cilën subjekti i thëniezimit (ai që flet) do ta përjetojë duke e bërë qejfin subjekt të thënies, ose kryefjalë.

E kam fjalën për shprehje të tilla si më erdhi qejfi, më iku qejfi, më mbeti qejfi, ma do qejfi, më deshi qejfi, bën si i do qejfi, etj. Me marrëveshje, këtu qejfi ka mendjen dhe pavarësinë e vet, si të ishte një lloj kafshëze ose entiteti autonom që vjen, ikën, kërkon sende të ndryshme etj. – dhe me të cilën subjekti i thëniezimit duhet të hyjë në negociata.

Sikurse ëndja shfaqet ose “ndodh” në mënyrë të pavarur nga subjekti, edhe synimi për këtë ëndje duket sikur nuk kontrollohet tërësisht nga subjekti.

Por nëse subjekti nuk është tërësisht në kontroll të dëshirës, atëherë mund të pyesim edhe se çfarë është ky subjekt, përveçse një artifakt i diskursit vetë (gjë që nuk e diskutojmë dot këtu).

Në mënyrë të ngjashme me qejfin subjekt autonom të vetëdijes dhe të diskursit do të sillen edhe fjalë/koncepte të tjera që lidhen me psiken, si mendja, zemra, frika (ma do mendja, ma tha zemra, më iku frika, më luajti mendja, “më hiku truni”, ma dha në kokë, më doli shpirti).

Këtu mund të supozojmë – me kujdes – se qejf ka hyrë vërtet në shqipe nga turqishte-osmanishtja, por është përfshirë, hap pas hapi, në këtë matricë funksionesh psikike autonome ndaj subjektit të thëniezimit.

Me aq sa mund të them, kjo dukurie është specifike për shqipen; dhe nuk më rezulton për turqishten; edhe pse nuk është synimi im këtu të bëj krahasime ndërgjuhësore.

Përkundrazi, më duket me interes të madh ky konstituim i qejfit si një lloj subjekti autonom, vatër organizuese e dëshirave të unit ose të tjetrit; por gjithnjë e dallueshme nga – të themi – “vetja”.

Në fakt, me konceptet leksikore të psikes, ashtu siç manifestohen ende në shqipen bisedore, mund të ndërtohet një doktrinë psikanalitike më vete.

Të shihen frazeologji të tilla si mos ia prish qejfin (ose ma prishi qejfin); bëhet fjalë për refuzim të dëshirës së tjetrit, të cilin shqipja – si edhe gjuhë të tjera – parapëlqen ta japë nëpërmjet një sinekdoke: pjesa për të tërën, qejfi për tërësinë e psikes, e cila përfshin edhe vullnetin (dëshirën).

Ashtu edhe i shkon pas qejfit (dikujt); ose nuk prish qejf (dikush); ose i bëj qejfin (dikujt); ose ia ndreq (kallzon) qejfin (dikujt). Të krahasohen këto shprehje, kaq idiomatike, me të tjerat që përmendëm më sipër, të tipit më deshi qejfi, më mbeti qejfi etj., për të parë mënyrën si është zhvilluar ky kuptim abstrakt i qejfit, si subjekt dëshirash dhe vullneti, gjithsesi i ndryshëm nga “uni” i cogito-s karteziane.

Të jetë vallë i krahasueshëm me ID-in freudian, i cili manifestohet në vetëdije me projeksione të ëndjes/mos-ëndjes?

Nga pikëpamja gramatikore, dallimi midis qejfit gjendje shpirtërore, qoftë edhe në trajtë dëshire ose vullneti; dhe qejfit subjekt dëshirash (gjerm. Wille) ka të bëjë para së gjithash me praninë e nyjes shquese: (e) kam qejf (dikë), bëj qejf, jam pa qejf, vij në qejf i referohen gjendjes shpirtërore; por qejfi, me nyjen shquese, fillon të marrë autonomi dhe liri veprimi, duke u shkëputur nga subjekti i thëniezimit.

Ndoshta këtu duhet të kërkojmë edhe arsyen pse kjo fjalë, qejf, ka marrë në shqipe kuptime që i mungonin në burim: meqë turqishtes i mungon nyja shquese, ose pikërisht ajo përftesë gramatikore që ia jep autonominë konceptit që shpreh fjala, duke ia dhënë më parë fjalës.

Nuk ka komente

  1. E kam shumë qejf fjalën qejf. E m’u bë shumë qejfi kur pashë një shkrim për të. E lexova me gjithë mend me qejf. Por kam frikë se ata që nuk i duan fjalët me origjinë turke do t’ia tregojnë qejfin shpejt. Nuk ma ka qejfi t’i kthehem temës, por tani ky term, si shumë të tjerë, është metabolizuar tërësisht nga shqipja. Rri në leksik për qejf. Personalisht do të më mbetej qejfi sikur të dilte nga shqipja si fjalë. Ata që duan ta dëbojnë, nëse ka të tillë, nuk e bëjnë qejfin qeder për funksionimin e gjuhës. Nuk dua t’i bëj qejfin askujt, por është e pazëvendësueshme. Tek e fundit qejfe qejfe kjo dynja. Edhe mua kështu ma ka qejfi dhe do ta përdor si fjalë për qejf. Se qejfin ti mund ta heqësh, por qejfliut si t’ia bësh?

    1. Shqetesim i kote Pishak. Fjala qejf eshte pjese integrale e shqipes, me te gjitha ngjyrat qe sjell 2xha dhe nuk ka asnje mundesi te shkulet nga gjuha qe e ka “metabolizuar” kaq tanesisht ne trupin e vet.

      Po lexoja Xha-Xhain dhe me bere pershtypje mbyllja e shkrimit: “Ndoshta këtu duhet të kërkojmë edhe arsyen pse kjo fjalë, qejf, ka marrë në shqipe kuptime që i mungonin në burim: meqë turqishtes i mungon nyja shquese, ose pikërisht ajo përftesë gramatikore që ia jep autonominë konceptit që shpreh fjala, duke ia dhënë më parë fjalës.”

      A eshte vertete, merite e shqipes qe ka zgjeruar diapazonin e kuptimit te fjales qejf(per arsyet qe parashtron 2xha), apo eshte merita e shqipes qe ka mundur te percjelle kuptimin dhe perdorimin e fjales qejf ne shumellojshmerine e kuptimit dhe perdorimit te saj nga gjuha e perandorise osmane. Pra ka “metabolizuar” kaq me art turqishten osmane kah moti.

      E them kete se kjo fjale eshte huazuar jo nga turqishtja, por nga osmanllishtja; me kete desha te them se eshte bere pjese e shqipes shume kohe me pare, ku nder kuptimet e shumta ka edhe ate transhedalen, pertej koshiences, shpirteroren, sic permend edhe xha-xhai.

      Si shembull, mund te merret perdorimi i fjales ne kompleksitetin e vet ne misticizmin sufi(zmin), ku nen “ekstazen e qejfit”, njeriu e lehteson veten nga barra e unit, egos, per nje bote qe nuk mund te kapet kurresesi duke qene i ndergjegjshem, por vecse pertej te ndergjegjshmes. Fjala ka rrenjet kulturore e gjuhesore ne arabishten dhe persishten e perdorur edhe prej poeteve si Khajami, etj.

      Per te pare perdorimet e shumta dhe kuptimin e fjales qejf mund te perdoret si pike e shpejte referimi nje fjalor relativisht i vjeter i Sir James William Redhouse (An English and Turkish Dictionary:….1856)

      Si shembull:

      keyf – The quamodo of anything, the how, in what way, what sort of kind, the state of one’s health; the hilarity produced by joy, pleasure, or wine, joy, pleasure, happiness, good humor.

      Kuptimet dhe perdorimet e tjera ne baze te fjaleformimit te sjella ne fjalor, po i le jashte, por sic mund te shihet perdorimi i fjales eshte i shumellojshem e shumekuptimor si ne shqip.

      Mund te vihen re edhe antonimet dhe ngjyrimet e ndryshme si “keyfi-var” dhe “keifi-yok” dhe “keyfzis”(me qene ne humor te mire, me qene paqejf, mos me u ndje mire, jo mire shpirterisht, etj.).

      Fjala qejf eshte fjale e ritualit te perditshem te jeten se Turqise moderne, fjale qe shqiptaret sinqerisht besojne se ndoshta jane vetem ata qe e kane ngritur ne art.

      1. Gjithsesi, vërejtja ime – duket edhe nga citimi – nuk kish të bënte aq me kuptimet, sa me sintaksën e përdorimit të kësaj fjale; në kontekstin edhe të dinamikës së shquarsisë (nyjes shquese) e cila turqishtes i mungon.

  2. Me lejen e adminëve të blogut, po publikoj shpjegime nga Fjalori i Orientalizmave të Tahir Dizdarit rreth fjalës qejf:

    QEJF-I m. tosk. në Veri me ramje të spirantit j qef: Njashtu si në turqisht me kuptime të ndryshme:

    1. Dëfrim, zbavitje, argëtim, prehje. Këngë nga ato me shtat palë qejfe (Labëri). Njeri i qejfit : i defrimit, alegro. Pvb. “Qejfi qejf, puna punë” (Myzeqe). “S’e bën qejfin qeder” (Berat).

    2. Dëshirë, kënaqësi, kompliment. Si ta dojë qefi ashtu bëjmë: si të dëshrojsh. S’asht bash ashtu, por don me i bâ qejfin, me i ba kompliment. Me i shkue kujt për qèf, mbas qèfit: me e kondendue simbas dëshirit. “Moj fëllânx e malit/ Bânja qefin djalit” (nga refreni i nji kange në Shkodër).

    3. Prekje, hatër; kondendim. Menjiherë i prishet qèfi: i ngelë hatri. S’i bâhet qejfi : nuk kondendohet.

    4. Humor, formë. Ik or djalë! se s’ta kam qejfin: s’jam në formë, në terezi. S’ishte kurkund në qef, rrebkeq, it. in malumore. Pvb. “Veç gomari asht gjithmonë në nji qèf” (Shkodër).

    5. Andë, gusto, vullnet. S’jam në qef të ngranjes; s’kam oreks, andë. Qèf qèf kjo dyrnja (Shkodër). S’ma ka qefi s’ma do qèfi: s’më shkon për gusto. Pvb. “Qèfi ha’ kumbulla të tharta” (Elbasan, Tiranë) Pvb. “Tym për shtëpi, qèf për njeri” (Shq. Mesme).

    6. Mirakande, ftekje, kapric, luks. Ia do qejfi pa e bën: ashtu i teket. Në Shkodër nji kalamani në qortim e për ta trembë: “prit se tash po ta diftoj (ose ta kalxoj) qèfin”. Në Durrës: “as për qèf, as për qenef”, për nji njeri që nuk i duhet gja kujt.

    7. Fantastikim: Ban qèf me mend, shef andërra çuet.

    8. Në Shkodër në takime përshëndetje: “si ma ke qejfin?” ose edhe: “si ma ke at zog qefit?” (që dikush e ka pasë përkëthye në it. “come ti sta l’uccellino del piacere? (!). Në Malësi të Madhe, kur dahen prej nji dasme a gostije: “t’ardhëshim për të mirë, se përzò kèm hângër e bâ qeft sa mujtëm”. Përgj. “Mirë se kjoshi t’ardhun e qeftin e mirë e paçi”. Dhe në Vlonë: “në qejfe e gëzime u mblidhshim”.

    9. Në malësina të Veriut, me praninë e nji tingulli epitetik: qefti na don të vish. “Të tanë Merturi shpi për shpi/’ Tuj bâ qeft tuj pi raki” HD XVI, 222. “Se due me ardhë në dazëm bash për qèft”-nga cikli i kreshnikëve HD XV, 599. Po me kët tingull në fund edhe në të folmen e Kërrabës simbas M. Çelikut SF II, 133 (1966).

    10. Me kët fjalë, ba mall i gjuhës sonë në gojë të popullit (Veri) janë sajue kompozita si: çartaqèf mb. çartaqefas, shëm ndfj. prishaqèf-as: me gjymsë zemret kundra dëshirit me pendesë çartakandës, me pishmanllëk. “Pak ke marrë asqer me veti,/ N’burra t’fortë Ali ke m’u ndeshë,/ Prishaqèf ti ke m’u dredhë” – nga kanga e Bec Patanit. Dhe në Myzeqè qèfpaprishur ku pvb. “qèfpaprishuri punë pabitisuri” (Lushnje). Kjo fjalë ka qenë prodhimtare edhe në trajtim foljesh: në ciklin e kreshnikëve (HD VII-11, viti 1924) ndeshemi me qeftue (me, me u–): “Mish e vênë po për gjith ditë,/ Kan nisë djelmt’o m’u qeftue”. Për ma tepër, si shifet në kët kangë kosovare për Ali Pash Gusinë (HD XIV, 312), me protezë të m- “Sa fort Pasha tek â mqefue/ Për at shkresë qi i kam çue”. Me pf. privative janë trajtue paqèf mb. i pamundun, debul në trup, ndihmozot, it. indisposto kish gëdhi pa qèf. Paqefllek-u m. (Shkodër) paqefsi-ja f. ligështi në trup; it. indisposizione. “E pse e di,/ Miqt e mi,/ Prishaqef kan ndollë”-Zadeja, Leka VI, 13. “..sa me ndejë prishaqef as ma mirë po…” HD XVI, 410. Kjo fjalë me rrjedhojat e saja të sipër tregueme përbahet në të tanë fjalorët që prej Jungg 16 e deri në FGS 444. Për fjalë turke ke Weigand ADW 42 me trajtën kjēf “Wohlbehagen, Vergnügen, lustig sein”.

    Tur. keyif <ar. kejf كَيْف literal. “si?”. Ar. Ala kejfek على كيفك Sipas qejfit, si ta kesh qejfin, si të dëshirosh.

  3. Xha Xha, na more nga hiçi e na çove tek kapriçot e id-it qejfli. Alamet udhëtimi, me alamet klimaksi.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: