AVENTURA FJALËSH

Herë pas here më pëlqen të rrëmoj histori fjalësh, duke i parë më tepër si dëshmi dukurish dhe incidentesh kulturore. Shënimet e mëposhtme i kam nxjerrë nga blogu Shqipologji, ku shkruaj ndonjëherë për çështje të ndryshme të shqipes pa pretenduar plotësi shkencore, as rigorozitet akademik. Ndryshe nga probleme të gramatikës, të semantikës dhe të pragmatikës, këto hetime historike-kulturore mund t’i interesojnë një rrethi më të gjerë lexuesish.

Nën(ë)daja

Një fjalë kurioze: nën(ë)daja, për të shenjuar gjyshen nga ana e nënës.

Ndryshe nga shumë gjuhë të tjera indo-europiane, shqipja bën dallim leksikor mes tezes dhe hallës, xhajës dhe dajës.

Këto dallime në gjuhë i përkasin një periudhe relativisht të vonë, po të kemi parasysh se fjalët e lashta të farefisnisë, si gjyshi/gjyshja, ungji, emta, kunati, kunata, nipi, mbesa nuk e shfaqin këtë karakteristikë.

Antropologjikisht, ekzistenca e termave të tillë si teze, dajë dhe nën(ë)dajë i referohen një mendësie ku farefisnia në krahun amnor perceptohet si cilësisht e ndryshme nga ajo në krahun atnor.

Përndryshe, për fëmijën, nën(ë)daja nuk është vetëm gjyshja, por edhe vendi gjeometrik i një familjeje alternative, ose i një universi familjar paralel.

(Diçka si shtëpia e Babazotit, ku shkonte ndonjëherë heroi rrëfimtar i romanit Kronikë në gur).

Të kihet parasysh edhe rëndësia e dallimit mes krahut atnor dhe krahut amnor të lidhjeve të gjakut, në organizimin e jetës në malësitë e veriut. Durham ka një pasazh për këtë.

Meqë jemi në temën e emrave të farefisnisë, është për t’u vënë re edhe se shqipja, së bashku me gjuhë të tjera, nuk e sheh të arsyeshme të dallojë leksikalisht mes nipit (mbesës) si “grandson” (“granddaughter”) dhe nipit (mbesës) si “nephew” (“niece”).

Në rrethanat kur e njëjta gjuhë kujdeset të dallojë mes tezes dhe hallës, dajës dhe xhajës, gjyshes dhe nënëdajës, do të thoja se një asimetri e tillë tregon se leksikalizimi i dallimeve farefisnore (ose organizimi leksikor i familjes) ka vepruar më hollësisht nga perspektiva e fëmijës (nga poshtë lart), sesa nga ajo e plakut (nga lart poshtë).

Farfurí

Filologu dhe historiani Shaban Sinani, në një recension që ia bën librit “Purpureus”, të shkrimtarit, eseistit dhe studiuesit Luan Rama, i kushton pak vëmendje edhe vetë fjalës purpureus, të cilën e quan, jo pa emocion:

një kryefjalë e historisë së krishterimit, e historisë së shkrimeve të shenjta, e fillimeve të letërsisë ungjillore dhe e kohës së kodifikimit të tyre. Historia e së purpurtës është histori e një prej lukseve përjashtimorë të aristokracisë së antikitetit, të periudhës në kapërcyell prej lashtësisë në krishterimin e fshehtë, të forcimit dhe konfirmimit të ungjijve të Krishtit.

Natyrisht, në librin e Ramës, është fjala për

ngjyr[ën] metropolitane që sundoi për disa shekuj me radhë botën e shkrimeve, laike e fetare: purpureus (lat.), porphyra (gr.), purpul(anglishte e vjetër), e ka të lidhur historinë e saj edhe me trojet e popullsisë protoshqiptare, të paktën për katër shekuj me radhë, prej se u shkrua Codex Purpureus Beratinus F 043 deri në shekullin e 9-të, kur përfundoi së shkruari Codex Aureus Antimi.
Autori i njohur latin i Carmine imperiale Optaziano Porfirio, që herë-herë cilësohet si “i fundmi i së purpurtës perandorake dhe i pari i së purpurtës hyjnore” – në poezitë e tij gjendet kripti i “monogramit të Krishtit”, jo rastësisht e kishte këtë mbiemër.

Të gjitha këto, siç mund të merret me mend, gjëra fort të larta e të holla.

Vazhdon studiuesi Sinani:

Shqipja jonë duket se e ka ruajtur këtë fjalë edhe prej një burimi gjuhësor satem, sikurse dëshmohet në fjalën e bukur farfuri, sende të çmuara, të kristalta, të shkëlqimta, që farfurijnë dhe ndriçojnë mjediset njerëzore.

Fjalë që të bëjnë të mendosh.

Vallë të ketë ndonjë lidhje purpureus dhe porphyra me shqipen farfuri?

Çfarë do të thotë që shqipja “e ka ruajtur këtë fjalë”?

Ç’të jetë ky burim gjuhësor satem nga ku qenka “ruajtur” fjala?

Pse është e bukur fjala farfuri? Çfarë ka të bukur aty? Vallë mund t’i përcillet bukuria e sendit që shenjon fjala fjalës vetë?

Sipas autorit, kjo fjalë shenjon

sende të çmuara, të kristalta, të shkëlqimta, që farfurijnë dhe ndriçojnë mjediset njerëzore;

ose porcelanin, për ata që s’e kanë marrë vesh akoma.

Po ç’lidhje të ketë porcelani me ngjyrën e purpurt?

Këtë Sinani e shpjegon kështu:

Pjesa lindore e Mesdheut, që ia përcolli ndriçimin e vetëtimtë valë-valë vetvetes: nga një kulturë në tjetrën, nga një gjuhë në tjetrën, nga një shkrim në tjetrin dhe nga një popull në tjetrin – prej grekëve të vjetër tek romakët, prej hebrenjve tek grekët, prej egjiptianëve tek hebrenjtë, prej persëve e shumerëve te popujt paleoballkanas, pati privilegjin epokal të krijimit të bazave të eurokulturës, që, sikurse përshkruhet në “Traité de Lisbonne” (2007), mbështetet fort në vlerat themelore të judeokrishterimit.

Me fjalë të tjera, e purpurta, ky “luks përjashtimor” i aristokracisë së antikitetit dhe kjo “kryefjalë” e historisë së krishtërimit, në shqipe shpreh edhe “ndriçimin e vetëtimtë” të judeo-krishtërimit.

Bukur, por gabim. Close but no cigar, thonë amerikanët.

Sipas Gustav Meyer-it, shqipja farfuri vjen nga turqishtja farfuri (formë vulgare e fagfuri; dhe ndeshet, me të njëjtën formë, edhe në greqishten e re φαρφουρί, rumanishten farfurie “pjatë”, bullgarishten farforija.

Është një nga ato fjalë tipike të gjuhëve të Ballkanit, që i përkasin kulturës materiale dhe që janë përhapur së bashku me mallrat përkatëse, në një mjedis komercial të njëtrajtësuar nga sundimi osman.

Nuk ka lidhje as me të purpurtën e krishterë, as me lukse përjashtimore dhe ndriçime të vetëtimta; nuk i përket poetikës mistike dhe ezoterike, por prozës së një dyqani enësh kuzhine.

Jashtë Ballkanit, fjala ndeshet edhe në rusishte si фарфор, në polonishte si farfura dhe në rutenishte si faifurka, gjithnjë për të shenjuar porcelanin; në këto raste, burimi i drejtpërdrejtë mbetet osmanishtja.

Mendohet, meqë ra fjala, se turqishtja e ka marrë fjalën nga persishtja, dhe se fagfur është një nga titujt e perandorit kinez (“bir i qiellit”).

Butafori

Emri butafori, që shenjon sendet që përdoren në një shfaqje teatrale, së bashku me mbiemrin butaforik, janë nga ato fjalë që përdoruesit e lëçitur priren t’i konsiderojnë si librore, ndoshta për shkak të përshoqërimit me eufori, nga njëra anë, euforik, metaforik nga ana tjetër. Gjithnjë e më shpesh i gjen të përdorura, në ligjërimin libror, edhe me kuptime figurative (butafori si “diçka e inskenuar”,butaforik si “fals, teatral, sa për sy e faqe, për konsum të publikut”, etj.).

Në të vërtetë, etimologjia e fjalës të shpie në një drejtim krejt tjetër. Origjinën, siç e ka vënë re në një shënim të vetin Çabej, kjo e ka tek italishtja buttafuori, tekstualisht “ai që nxjerr përjashta me forcë” e që sot përdoret kryesisht me kuptimin “roje në një klub nate ose bar, që nxjerr përjashta të dehurit ose rrëmujaxhinjtë” (anglisht bouncer); por që ka qenë përdorur edhe në kuptimin “në kompanitë teatrale, person që ka për detyrë të zbrazë skenën para se të ngrihet perdja, të kontrollojë tekstin e pjesës, të paralajmërojë aktorët kur këtyre t’u vijë radha për t’u futur në skenë dhe t’u japë në dorë sendet që duhen për rolin, të kujdeset për zhurmat dhe tingujt, etj.” (kuptim i nxjerrë nga Treccani). Megjithatë, në italishten letrare nuk më rezulton të ketë pasur ndonjëherë një fjalë të tillë si *buttaforia; prandaj prejardhja e fjalës shqipe duhet kërkuar ndoshta në rusishten бутафория (butaforíya), që ka të njëjtin kuptim me shqipen butafori (të shihet, bie fjala, fjalori i Ushakovit, ku fjala përkufizohet si “sende që duhen për të pajisur skenën ose ndërtuar dekorin e një pjese teatrale” (anglisht props); ndërsa fjalori i Ozhegovit, shton edhe kuptimin “që kërkon të duket, fallco”. Njëlloj si shqipja, edhe rusishtja përdor mbiemrat relativë бутафорский dhe бутафорный. Pas gjase, kalimi nga italishtja buttafuori me kuptimin “punëtor skene, ndihmës-regjisor” në rusishten бутафория me kuptimin “sende të rekuizitës të skenës”, do të ketë ndodhur në rusishten, meqë shqipja e përdor fjalën vetëm në kuptimin që kjo ka në rusishte. Që këtej, mund të supozohet se fjala butafori ka hyrë në shqipe nëpërmjet kuadrove që kishin studiuar për teatër në Bashkimin Sovjetik, dhe që kishin nevojë për një fjalë që të shenjonte sendet e rekuizitës (anglisht: props).

Prej rusishtes, fjala ka shkuar edhe në rumanishten, si butaforie, me kuptimin “tërësi objektesh prej kartoni të presuar (it. cartapesta, fr. papier-mâché), ose letre, tekstili dhe zamku ose allçije, që përdoren për të realizuar dekorin në teatër ose në kinematografi” (shih shpjegimin këtu). Rumanishtja gjithashtu përdor mbiemrin butaforic, me të njëjtat kuptime si shqipja.

Çuditërisht, shumë burime online për rusishten бутафория dhe gjuhë të tjera kulturash me ndikim të fortë rus (lituanishtja butaforija, finlandishtja venäjä, ukrainishtja бутафорія dhe disa faqe në hebraishte, pas gjase nga autorë hebrenj që shfrytëzojnë burime të rusishtes) e nxjerrin këtë nga një formë pseudo-italishte *buttafuoria (e cila nuk më duket se është dëshmuar gjëkundi për këtë gjuhë).

Kolinoz

Në kulturat e dominuara nga tregu, ndodh rëndom që emrat e markave tregtare të përfundojnë të përdorura si emra të përgjithshëm – p.sh. aspirinë nuk ndihet më si emër tregtar (i Bayer-it), por shënjon një bar të caktuar (acidin acetilsalicilik).

Fjalë të tilla si vazelinë, velkro, najlon, teflon, valium, celofan i përkasin kësaj kategorie; sa i përket shqipes, këtu do të hynin fjalë si figaro, që ka shënjuar locionin pas rroje, ose të tjera arkaizma, si qumësht milk, për qumështin e kondensuar (sipas fjalës MILK që shquhej mirë në etiketat e kutive konserva të këtij lloji qumështi të importuar nga Kina; ku mbishkrimi i plotë lexonte Condensed MILK); djathë bebe, një emër për djathin e shkrirë; sapun venus, një emër për sapunin e tualetit në përgjithësi – për ta dalluar nga sapuni i rrobave;milva, një emër për pluhurin larës, sipas markës së një produkti gjermanolindor (MILWA, në mos gabohem) etj.

Këto ditë rastësisht dëgjova një bashkatdhetar, më të ri se unë, që i quajti brisqet e rrojes (angl. safety blades) brisqe astra, sipas markës të prodhimit çek të atyre produkteve gjatë viteve 1970. Mbaj mend, nga fëminia, që gjyshja ime, e cila kish kaluar ca vite të rinisë si emigrante ekonomike në New York, e thërriste insekticidin, çdo lloj insekticidi, flit, sipas një marke të njohur në Amerikën e paraluftës; unë fëmija kujtoja, për një kohë të gjatë, se flit quhej produkti vetë, jo marka.

Dukuria nuk është e re. Tek Çabej (ku tjetër), kam lexuar që emri i armës së krahut karajfile, që ndeshet në këngët popullore, vjen nga marka e fabrikës Carlo & Figlio, që i prodhonte këto armë në Itali, gjatë shekullit XIX (edhe pse nuk jam i sigurt nëse emri karajfile është zgjeruar kuptimisht me kalimin e kohës, për të shënjuar edhe pushkë jo doemos të atij modeli).

Fjalë e kësaj kategorie është edhe kolinoz, e cila ende përdoret për të shënjuar pastën e dhëmbëve (ja një shembull i tanishëm), edhe pse fjalorët e shqipes e kanë lënë jashtë.

Natyrisht, kjo fjalë shqipe vjen nga marka e pastës së dhëmbëve Kolynos, që nisi të prodhohej në fillim të shek. XX në Gjermani (Dresden), dhe ishte e para pastë dhëmbësh e miratuar nga American Dental Association.

Me sa mbaj mend, NISH Profarma në Tiranë prodhonte vetëm një lloj paste dhëmbësh, në tubeta ngjyrë të gjelbër të hapur, të markës Kolinoz. Logjikisht, kjo markë do të jetë marrë nga vendet e Lindjes; ku dihet se kishte disa fabrika të licensuara, që para Luftës II, për ta përdorur – p.sh. në Hungari. (Një koleg komentues, në zërin përkatës te blogu Shqipologji, vëren se fjala në shqipe mund të ketë hyrë nga serbo-kroatishtja, meqë në Serbi ka ende sot e kësaj dite një fabrikë që prodhon pastë dhëmbësh Kolynos.)

Sipas këtij burimi, emri komercial kolynos vjen nga greqishtja kolyo nosus, “parandalues sëmundjesh” ndërsa sipas këtij burimi tjetër, nga kombinimi i dy fjalëve greqishte që duan të thonë “zbukurues” dhe “parandalues sëmundjesh”.

Gjithsesi, në vitin 1937, pasta e dhëmbëve Kolynos shitej në 88 vende; dhe pas gjase në atë kohë do të ketë hyrë edhe produkti, e së bashku me të fjala, në shqipe.

Kuriozisht, edhe në Paraguay fjala kolinos rezulton e përdorur, së paku në thjeshtligjërim, me të njëjtin kuptim: “pastë dhëmbësh”.

Suficit

Term i ekonomisë me prejardhje interesante: suficit (anglisht surplus, “tepri të ardhurash në krahasim me ç’pritej”; italisht eccedenza).

Raporti antonimik i kësaj fjale me deficit është sa i tejdukshëm, aq edhe misterioz; sepse suficit nuk ndeshet gjëkundi, në asnjë gjuhë perëndimore.

E vetmja gjuhë europiane ku e kam ndeshur, është serbo-kroatishtja, ku përdoret me të njëjtin kuptim si në shqipe.

Mund të supozohet, me logjikë, se fjala ka hyrë në shqipe nga serbokroatishtja gjatë viteve 1945-1948, ose pikërisht në periudhën kur regjimi komunist në Tiranë po i merrte modelet e kontabilitetit nga Beogradi.

Në serbokroatisht, fjala duhet të jetë formuar, pas gjase, si pseudo-neolatinizëm, mbi bazën e deficit (ndoshta sipas modelit deficient/suficient).

Nuk ka komente

  1. Meqe argumenti; “nëndaja” me zgjoi mall, ja disa rreshta nga nje shkrim i imi i perpara disa viteve tek e peshku pa uje.

    “…besoj se duhet t’i kujtohet fjalia e famshme, me një muzikalitet tepër të ëmbël; “Po iki te nëndaja…”. Sepse te nëndaja gjeje gjithçka…
    Te nëndaja ishe e lirë të bëje të gjitha ato gjëra që në shtëpinë tënde nuk të lejoheshin t’i bëje. Te nëndaja mund të haje petulla edhe nëse shkoje në çastin më të papërshtatshëm. Te nëndaja të përcillnin me monedha të futura fshehtaz nëpër xhepa, ndërsa t’i shtireshe me sytë përdhe se nuk i doje. Te nëndaja nuk të bërtisnin kurrë edhe nëse e ktheje shtëpinë përmbys, sidomos kur fshiheshe në dollap, teksa luaje kukafshehtaz… Te nëndaja të thoshin; “S’ka gjë, kurbani yt !” nëse thyeje padashur ndonjë objekt zbukurimi, në një kohë kur nëse e bëje këtë gjë në shtëpinë tënde, do të të vinin të rrije me një këmbë te dera, ose do të tundnin petësin ( okllainë ) gjithë kërcënim përpara syve…

  2. Dy hipoteza të tjera:
    1. Detin që ndan prejardhjen latine të fjalës suficit dhe gjetjen e saj vetëm në dy gjuhë të ballkanit perëndimor mund ta mbushë merkantilizmi, dhe Venedik-Raguza- Shkodra. Tek merkantilistët gjen konceptin mbi fjalën, ashtu siç gjen dhe sistemin që të çon tek ai koncept që do ta emërtojmë –si? Kontabiliteti që prej kohës së Luca Paciolit nuk ka pasur ndryshime. Është po ai sistem, po ajo terminologji. Me kushtin që ndonjë variant i suficitit gjendet në “Particularis de Computis et Scripturis” ose në vepra të tilla të mëpasme ne mund ta kemi marrë fjalën suficit tok me kroatët në kohën e lulëzimit të tregëtisë në Adriatik dhe e kemi mbajtur atë për inerci (e krenari), ose si të mbetur mbrapa tregëtisë së botës së re. Në po, me ndihmën e studiuesve të Arbërisë Venedike, mbase gjenden diku gjurmët e fjalës.
    2. Hipoteza tjetër ka të bëjë me konsolidimin e sistemit bankar e tregëtar në kohën e mbretërisë së Zogut, e lidhjen e saj ekskluzive me Italinë. Personalisht kam parë si bilancin e tregëtisë me jashtë ashtu dhe pjesë të asaj që i bie të jetë pjesë e arshivës së pagesave me jashtë, të qepura e lidhura mirë e bukur. Nuk ka dyshim se koncepti njihej e përdorej, mbetet vetëm të shihet cila fjalë është përdorur. Them shihet, sepse besoj se dokumente që të tregojnë cila fjalë është përdorur gjenden si në BSH, ashtu dhe në AQSH.

    Duke rimarrë mënjanë hipotezën se suficit mund të ketë hyrë nga sërbokroatishtja.
    Koha e shkurtër e mardhënieve- 3 vjet, numri i pakët i përkrahësve së lidhjeve me jugosllavët, shpallja e menjëherëshme e armiqësisë, si dhe numri i madh i kontabilistëve të diplomuar në perëndim, e minimizojnë edhe më mundësinë që fjala të ketë ngjitur në atë kohë.

  3. Ajo që është shkruar në librat e ashtuquajtur të lashtë, ose ç’farë nuk është dashur me u shkrue në to për gjuhën dhe historinë e shqiptareve, nuk tregon asçik që ajo nuk ka ekzistuar. Bosh është historia jonë e ardhur në kohët moderne,dihet, por e keqja është që asnjeri nuk pyt: Pse?
    Librat e Kishës katolike-ortodokse dhe njikohësiht të autorëve të ashtuquajtur të lashtë, të lashtizuara me emra Aristotelesh dhe Skylakesh nuk thonë gjë reth. Shkruhet vetëm që emri Alban është permendur reth 1000 vjet më parë kur shkruhet për qytetin Albanoi, dhe pastaj vetëm nuke të njëpasnjëshme. Ajo është datëlindja e kombit tonë në Histori.
    A Ka mundësi qe historia është bërë nga priftërinj? Priftërinj që duhet t’shkruanin detyrimisht historinë, detyrim prej t’zotërve të tyre?
    Ata do të shkruanin skenarin e filmit “Histori për popujt”. Dhe gjatë atij krijimi të vështirë, ata nuk mund t’njihin visytisht vendin e ndodhjes së përalles. Edhë nëse rastësisht njihnin ca emna vëndësh duhet të fshihnin c’do gjë nga e kaluara e tyne dhe në asnji mënyre ti shkruanin në Historinë e tyne.Kështu që, aty për aty ata duhej të krijonin emna te rinj për vëndet në ngjarjet e pandoshura ndonjihere, mundësisht me njizet rrokje dhe sa më shumë i pakuptueshëm nëse mundej, dhe t’ja vendosin ndonji Lumi, apo ndonji fshati ne Iliro-Iper. Gjithe zemra e problemit ishte tek vendosja e emnave te vëndeve, lumenjve, maleve, etj, sepse ato janë të vetemet elementë të nji historie të cilat mund të verifikohen me vone. Ngjarjet vete , pas ndodhjes, nuk mund të verifikohen më dhe ashtu ngelen gjatë gjithë kohës së mapasme:Te pavërtetueshme. Dhe nga ajo vjen konfuzioni i madh i toponimve te Europes me ato te librave te lashtë. S’ka mund kush deri me sot me gjet rrugën e udhëtarit Udhise të përshkru nga Homeri edhe pse janë dhën reth 3000 alternativa nga studjuesit e sotëm.
    Sot, për rastin tonë, të nji kombi te parëndësishem per botën helenike, shkruajtur kjo nga nji gjuhëtar modern sikur ai t’kete pas jetu per ca kohe me helenet, kur kërkon me i gjet emnat e vendeve sipas librave të tyne, përveç emnave të qyteteve kryesore që janë sepse janë greke , njësoj siç quanin gabimisht Mesapet e Italise per 3000 vjetë dhe arbereshët e Italise për 500 vjetët e fundit, të tjerat nuk janë më.
    Kjo sepse shqiptaret nuk duhet të kishin lidhje me Iliret, si dhe nuk duhet te Kishin lidhje as me Grekerit dhe Latinët gjitashtu. Kështu që na lanë pa histori dhe pabëra të gjuhës së shkruar, pamvarësisht që kjo do të lindte pyetjen nga njerëzit e nji ditë: Po Shqiptarët nga Afërdita kanë rënë në tokë?
    Ata gjithashtu nuk mund të genjin edhe ne drejtim tjetër që janë të ardhur nga nji vënd i largshëm, sepse shqiptaret ishin të bardhë. Nuk mund të shkruanin që kanë ardh nga Afrika, ose Lindja e Mesme, India ose Kina. Do të ishte buddallësi e madhe. Të tjerët do t’qeshnin nji ditë të ardhshme me diell, dhe do të zbulohej mashtrimi. Kështu që na lanë në Afërdita, diku midis natës dhe ditës, atëher’kur agon dhe ne parashytuam prej saj reth 1000 vite më parë. E gjithë kjo ndodhte kur regjistrat e dy kishave kanë të regjistruar ne regjistra emnat e fimjëve të lindur 1500 viteve më parë, pronat e besimtarëve e deri tek qënte e macet në shtëpitë e tyre.
    Shqipja dhe shqiptarët nuk ka lidhje me Ilirët dhe gjuhën e tyre në thelb. Shqipja ishte në fakt ishte gjuha e folur jo vetem në Iliri,Thraki, Anatoli, por edhe Romë dhe në Athinën e lashtë deri në shekullin e 10 pas krishtit, shekulli kur Kishat fillun të ndryshonin gjuhën e popujve nën zgjedhën e tyne. Nuk ishte plotësisht e njëjta si ajo e sotmja, sepse koha ndryshon zonetiken e gjuhës, por ishte në forma dyaleketore te saj të të ndodhura nën veprimin e ligjeve zonetike, ku çdo gjuhë e folur peson t’ra-bone, ose quatjur me gjuhën tonë Brenda gjuhës latine “transformime”.
    Shikoni vetëm sa dyale-këte, ku “këtë” eshte fjala vete, ka çdo gjuhë europiane sot për të parë vetëm si ndryshon gjuha ne kohë.
    Kështu që, ata qe shkruajtën në shkollat-bibliotekat e vetme te asaj kohe, kishat, duhet fillimisht të kishin librat shkruajtur ne gjuhen e parë, ku ishte shkruar gjithcka deri ne castin kur ata vendosen me ndryshue ate. Prandaj, ata ishin në problem të madh kur shkruanin mashtrimin.
    Ah, gjuha e folme. Librat e Shqipes mund ti zhduknn sepse vetë i kishin në libraritë e tyre, por për gjuhën që flitej në atë popull nuk ishte e sigurtë që mund ta ndryshonin, siç do të ishte e mundur të bënin me popujt që ishin besimtarë. Ata ishin në frikë dhe mëdyshje që ç’farë emri tu vinin vëndeve në historinë e trilluar që po krijonin për pjesën që u takontë tokave të të pabindurve, sepse do te njiheshin lehtë me vonë prej gjuhë folesëve te mbijetuar të gjuhës Shqipe. Prandaj ata filluan të zbatonin lloj mënyrash bashkimi fjalësh, ndryshim vendi nyjesh, rotullim kodesh. Ndonjiherë i kthenin përsëmbrapthi pa i ndryshuar fjalët e Shqipes, siç a rasti i mbretit të parë të Romës, Romul, etimologjia e të cilit është e pranuar që do të thotë /lumor/, por se ku është /lumi/ si emer ,mbiemer, ose ndajfolje, asgjikundi gjendet dhe kurkush se kupton sot.
    Kur vjen puna për zbërthimin e emrave në hartat e Ilirise dhe Iperit, unë kam shumë veshtërsi, ndërsa për emrat e vëndeve, lumenjve, fshatrave e qyteteve në hartat e Greko-Romes së lashtësuar, i gjej me lehtesi rrënjët nga Shqipja.
    Lagjja e akropolit ne Athinë edhe sot vazhdon te quhet lagjja Plakë, deti Jone, vazhdon te quhet deti jonë edhe pa qënë më I plotësisht I “joni”, dhe mijëra raste të tjerë. Ka pas qënë deri në vendin
    që s’ka skaj , Skandinavi, ose “skania” gege, të cilën gjuha Shqipe e ka edhe ne termin gjuhësor të quajtur “pa-skajore”, ku “pa” eshte mohuesja e parë, “s’” eshte mohuesja e dytë dhe e folja e madhe e Shqipes e kudondodhur “ka”. Është njësoj si me then sot “s’ka më”.
    Mesa duket mendonin se duke ndarë territorin midis tyne, c’ka do të shkruhej si emër brënda trojeve të përandorive, kishave, ose mbretërive, do t’mendohej që i perkiste gjuhës së populljve të rinj gjuhë-ndryshuar, që në fakt ishin gjuhët e reja që po krijonin. Ata që i drejtonin dinin përsosur menyren sesi mendojnë zakonisht njerezit. Dhe ashtu ndodhi, me perjashtim te disa gjuhetarëve mistreca që diçka kanë kuptuar, por ende pasardhësit e tyne të sotëm janë të kenaqur sepse shumica e gjuhëtareve e kujtojnë gjuhën si zhvillim natyror prej gjuhës së njeriut modern që lindi në Afrike reth 200 mije vjetë me parë.
    Dhe si përfundim, më ndodhi sot e njëjta etimologji, siç ndodhi me emnin e mbretit lumor Romul. Nuk mu desh me hap fjalorin e Anglishtes t’perkthej fjalën e anglishtes “crib bed” , “krevat fëmije”, sepse thjesht është fjala /bir/ e Shqipes e kthyer persembrapthi.
    Ca të “ditur” thonë që është rastësi. A e besoni ju këtë?
    Por une mendoj se këto Lumor-Bir-Skani, janë shumë më te rëndesishme per gjuhësinë sesa emri i vetë Romës, ose i malit Alban ne Ameriken latine, ose i Gentit, Cezarit dhe gjithe peranadoreve-mbreterve romako-greko-iliretë të gjitha kohërave. Emnat e tyne nuk janë asgjë.
    Librat te lashtëzuar në Kishat e reja 1000 vjeçare janë problemi dhe jo zgjidhje e problemit, janë pengesa më e madhe për zbulimin e të vërtetës se Histo-Gjuësisë. Ata tingellojnë tek unë si zhurma masturbimesh mendore të priftërinjve qe e kishin t’ndaluar të kishin sex dhe familje. Por keto zhurma duhet te kenë qënë nën korrektimin e zgjuar te Papëve.
    Është e habitshme sepse e nëjta gjë pak a shumë vërehet edhe tek Krishti ne Bibël, i cili çfaq neurozat e nji personi qe nuk ka bërë kurrë sex, që po të lexosh Frojd edhe të tjerët pas tij, mund ti kuptosh më mirë pasojat e jete te atëtille. Librat për Krishtin dhe fenë janë shkruar nga të njejtat duar qe lashtezuan librat e mesjetes mbi madhështine e racave imagjinare, ngaku kishin prejardhje edhe Kishat vetë. Edhe ata ishin nga e njëjta rrënjë njerëzore që jemi edhe ne, por nuk pëlqenin më emerat e vjeter. Difekt njerëzor ky. Ishin Shqiptare të vjetër, por edhe kjo tashmë nuk ka rëndësi. Për gjuhesine e sotme nuk kane ma rëndësi Romako-Greket imagjinare te madherishem, me histir-historine e tyre, po imagjinare te madherishme, Krishti neurotik, priftërinjte e ndaluar ne seks njesoj si i adhuruari i tye Krisht, si dhe dhe Papët e zgjuar që jane te vetmit e mbijetur, çuditërisht me banka te mbifuqishme pas gjith asaj beteje të gjatë shumëshekullore. Midis se vertetës reth gjuhës Shqipe dhe genjeshtrave të mëdha reth saj dhe histories së saj, qëndron nji pengese me e madhe sot, e cila është paragjykimi ynë, pasojë e infektimit prej neurozes se neurotikeve. Pse vetem priftërinjte e vegjel, ne fund te interesit te gjithe kesaj , te ngelen pa pas seks. Edhe ne njëri nga popujt e Europës,, të fundit ne shkallen e rendesise, duhet te ngelemi pa ndonji gjë kryesore. Gjysma e të keqes që zgjodhen Historinë dhe gjuhën Shqipe. Pargjykimet neurotike prej mosdashjeve seksuale nuk kane ndonji peshë kur janë në popull, vetëm sa do të pakesohet perkohesisht disi numri, por rëndojnë kur janë në shkencëtare , sepse ata supozohet që të ndryshojnë gjendjen e ulet e mënyrës së menduarit në ç’do drejtim dhe jo te ulin prodhueshmërinë lëndore te mendimit. Ka shkencëtare, ose të njohur si shkëncetare sot, që shkruajne ndonjiherë që bëhet fjalë për nji madhështim shqiptarësh për te kaluarën, por që nuk kuptojne dhe harojnë të thonë te njëjtën gjë edhe për ato që jane pranuar si te verteta mbi greko-romaket, sepse mund mund të bëhet fjalë per të njëjtin madhështim te ca shqiptareve më te vjetër për të kaluarën e tyre edhe më të vjetër, dhe gjithashtu dëshira për madhështim e vetë Kishave. A nuk janë sot Kishat në Histori të lidhura me dy racat e mëdha që ndricuan Europen barbare për 2000 vjetët e fundit, dhe sidomos qysh prej momentit të lindjes së Krishtit.
    A e vështirë me dal nga korniza qi vetë i’a kena vonë vetes. Ndoshta e meritojmë gurin që e kanë hedh lart te parët tanë për me përça dhe sundu të tjerët.

  4. Në kategorinë e “kolinozit” do futja fjalën zetor apo zator (nga marka çekosllovake e traktorave Zetor) që përdoret ende për të gjithë traktorët pa zinxhira dhe ka dhënë në shqipe edhe fjalën zetorist apo zatorist sipas traktorist; fjalën amita (nga kompania greke Amita që prodhon lëngje frutash) për lëngjet e frutave. Fjalë që e kam ndeshur në shumë qytete të jugut por edhe në Tiranë; fjalën xhip (nga marka Jeep) për çdo makinë SUV etj.

    Fjala karajfile përdoret edhe në greqishte (καριοφίλι) pët të përshkruar të gjitha armët me tytë të gjatë të epokës së revolucionit grek (1821). Nuk di nëse ka lidhje me fjalën e shqipes apo fjala u zhvillua në mënyrë paralele.

    Nuk di nëse fjala zhaponé hyn në këtë kategori. XhaXha, mund të na ndihmosh pak me këtë fjalë?

    1. Kështu, për nga forma, do të jetë e ardhur nga frëngjishtja japonais; ndoshta si emër i ndonjë modeli këmishe ose mënge. E kam dëgjuar në togfjalëshin: mëngë zhaponé. Ndoshta kështu janë quajtur dikur këmishat që imitonin stile të importuara nga Azia… por unë gjithnjë kam menduar se fjalën do ta kishte edhe greqishtja (ngaqë ua kam dëgjuar shumë grave gjirokastrite).

      Meqë ma kujtove me zetorin, ndoshta edhe gaz hyn në këtë grup, e përdorur për çdo lloj automjeti all terrain (sipas markës sovjetike). Gjithsesi, gaz është fjalë e vjetëruar tashmë, madje edhe në përdorimin metonimik (si gaz dhe si gaz kinez).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin