ÇABEJ PËR TË GJITHË

Që sot, po fillojmë të nxjerrim në blog pjesë nga veprat dorëshkrim të Eqrem Çabejt, të cilat e bija Brikena, që edhe po i përgatit këto dorëshkrime për botim, pati mirësinë të na i dërgojë.

Vepra e Çabejt përfaqëson pjekurinë e dijes albanologjike, si sintezë e punës së albanologëve klasikë, të kategorisë së Meyer-it dhe Joklit dhe e njohjes kapilare të vetë shqipes, në të gjitha shfaqjet e saj vernakulare dhe diturore, prej autorit.

Si e tillë, ajo mbetet sot e kësaj dite e pakapërcyer, veçanërisht në lëmin e historisë së fjalës shqip, ose të rrethprerjes midis gjuhës dhe kulturës sonë.

Etimologjitë e Çabejt janë botuar në revistat shkencore në Tiranë dhe Prishtinë, në Veprën Gjuhësore të Çabejt botuar në Prishtinë dhe më pas në serinë Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes, e cila ende nuk ka përfunduar.

Kësaj serie i përkasin edhe ata pak shembuj të etimologjive të Çabejt, që do të nxjerrim në blog; të cilët mund të jenë botuar më parë, por që tani i vijnë lexuesit në formë të plotë dhe ashtu siç do të kish dashur vetë autori, pas rindërtimit që ia ka bërë tekstit Brikena, duke e krahasuar me dorëshkrimin origjinal.

Materialet mund të ndiqen lehtë edhe nga një lexues jo i fushës, meqë Çabej shkruan për t’u ndriçuar mendjet të tjerëve, jo për t’i impresionuar këta me erudicionin dhe mjeshtërinë e vet (që i ka pasur si pakkush tjetër).

Leximi do të ketë rastin të konfirmojë edhe rëndësinë e pashoqe që merr historia e gjuhës, veçanërisht e fjalëve, për një kulturë të shkruar vonë, si e jona.

E falënderoj Brikenën për këtë dhuratë të vyer, gjithë duke shpresuar se kontakti me prof. Çabejn, këtu në blog, do të afrojë një brez të ri lexuesish me veprën e këtij dijetari dhe shqiptari të madh.

Nuk ka komente

  1. Sa per mua, kjo do te ishte ngjarja me e bukur dhe me e vlere ne historine e blogut. Nje falenderim rrenjesisht te thelle Brikenes dhe Xhaxhait.

    1. Blogu ka vendin e tij dhe shtimi qe do i behet me tej eshte nje dicka me shume (me vlera te padiskutueshme sigurisht).
      Le ti mbajme vec keto thesare, njeri ve me ne pah vlerat e tjetrit.

  2. Nese do te fillohej ndonje fushate per marrjen ne mbrojtje nga institucionet shteterore te te gjithe vepres se Cabejit do te firmosja i pari.
    I ka shkuar ndonjehere ndermend njeriut qe kur flasim per Cabejin dhe punen e tij flasim per nje monument kulturor dhe si te tille duhet ta ruajme? Ka marre ndonjeri iniciativa ne kete drejtim ne Ministrine e Kultures (tani qe kemi edhe nje ministre qe gjuhet i ka patur deri para pak kohesh si buken e perditshme e shoh si moment te favorshem)?
    Xhaxhai mund te na jape ndonje info per kete.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: