HABERE TURKE

nga Idlir Nivik

Vallë hahen kumbullat e mbjella në varreza?
Kasabaja, film i Nuri Bilxh Sejlan

Lavamani

Pak para se të plaste opinioni i fundit i qeverisë turke ndaj ShBA-ve, Elon Musk po intervistohej nga BBC. Musk-u fliste nga holli i zyrave të firmës Twitter, që bleu në tetor të vitit 2022. Në intervistë nuk dukej tani lavamani i famshëm. Ai me të cilin Elon Musk hyri, në mënyrë shumë simbolike, në ndërtesën e Twitter-it, atë 26 tetor.

Pas asaj dite, shumë polemika u ngritën në skenën politike amerikane. Polemika lidhur me instrumentalizimin e mundshëm të Twitter-it, për qëllime politike, nga kampi demokrat amerikan gjatë zgjedhjeve 2020. Anëtarë të Kongresit, republikanë sidomos, akuzuan ish-nëpunës të Twitter-it (ata para blerjes nga Elon Musk), për bllokim të papritur të llogarive të tyre. “Ju keni aprovuar bllokimin (shadow-banning) e llogarisë sime Twitter, i keni vënë filtër për një periudhë 90-ditëshe, që të mos isha e dukshme në Twitter për votuesit e mi’. Këtë akuzë ngriti kongresmenia Lauren Boebert në interpelancën e House of representatives në 8.2.2023.

‘Twitter files janë veç maja e ajsbergut e një sistemi censurimi antikushtetues (unconstitutional censorship)’, deklaroi dhe deputetja Elise Stefanik në këtë interpelancë parlamentare më 9.2.2023, duke argumentuar mandej mbi bashkëpunimin e FBI-së (me  strukturën e kaluar të Twitter-it) lidhur me këto censurime. ‘Të paktën 9 agjentë të FBI-së kanë punuar në Twitter atë periudhë’, theksoi sërish deputetja L. Boebert në seancë.

Intervista e BBC-së me E. Musk s’do qe bërë virale nëse nuk do të ndodhte ndryshimi i roleve në të. Sepse, ndërsa gazetari i BBC-së e sulmonte Musk-un me opinion se “shumë korporata e persona po e braktisnin Twitter-in për shkak të ‘fjalorit negativ, jokorrekt’ (hate speech), rolet sakaq ndryshuan. Për më se 7 minuta, Musk-i i kërkoi gazetarit t’i ofronte një shembull të këtij ‘hate speech’ në faqet e rrjetit social që ai zotëron. Duke ofruar veç përgjithësime, gazetari britanik nuk arriti assesi të jepte një shembull. Edhe pse ai u rrëfye se vetë kishte hequr dorë nga Twitter-i, pra për shkak të ‘hate speech’, sërish ai nuk iu përgjigj dot Musk-ut (tashmë ky në rolin e intervistuesit). Në këtë shkëmbim antologjik, gazetari nuk mundi t’i ofronte qoftë dhe një shembull të vetëm të asaj çka e paraqiste si ‘konstatim’ (1).

Për të dalë prej udhës qorre ku futi veten, gazetari bëri një piruetë. Ai deklaroi se ‘kjo nuk ishte intervistë lidhur me BBC-në’. Por kontrapunkti i Musk-ut vinte më se natyrshëm në këtë situatë të krijuar: ‘Këtë s’ta mori mendja’ (you didn’t expect that!), iu kthye ai gazetarit.

Pa i bërë aspak apologji firmës së tij (ca më pak ne), E. Musk i nxori në dukje gazetarit të korporatës më të madhe britanike të lajmeve (BBC) sa e kokolepsur mund të bëhet situata nëse gazetaria del në terren me ide fikse, me porosi klishe, parcialitete e apriori morale e me përgjigje në vend të pyetjes.

Por, Elon Musk nuk është i vetmi që i «kërkon» BBC-së të mos i japë leksione. Siç do vërejmë më tej.

Legeni

Jo fare rastësisht hamendëm, në bisedë miqsh, nëse vallë Turqia do t’i kërkonte edhe Shqipërisë të ndryshonte drejtshkrimin e fjalës ‘Turqi’. Për shkak të notës ca si shumë seksuale që ka. Kërkesë kjo ndoshta jo e lëshuar nga Turqia dhe nga tribuna e Kuvendit tonë, si ajo për të mënjanuar opozitarët gylenistë nga Tirana. Por mes Akademisë, bie fjala, ose gjuhëtarëve.

Jo rastësisht, ngase në 2 qershor 2022 Turqia i bëri kërkesë SHBA-së (dhe mediave anglishtfolëse) ta ndryshonte në ‘Türkiye’ drejtshkrimin e termit ‘Turkey’ (2). Meqë do të thotë ‘gjel deti’ në anglisht. Ndryshe nga rasti shqiptar, kjo i sjell ndoshta andralla religjioze liderëve turq, për sa gjeli i detit (turkey) mbush tryezat amerikane në Ditën e Falënderimeve (Thanksgiving, shpallur nga pionierët e krishterë britanikë të Mayflower-it në Boston).

“Legenat”, reagoi im atë kur i lexova lajmin se Turqia sapo shpalli: ‘SHBA është bërë vendi më i urryer i botës’ (3). Kjo deklaratë e ministrit të Brendshëm turk, Sulejman Sojliu (sipas Haber Turk TV) thotë: ‘SHBA po vazhdon e humb reputacionin e vet’. Duke shtuar se: ‘Europa as nuk ekziston … është veç pinjoll i SHBA-ve, sidomos në Afrikë’.

Ky tërbim i qeverisë turke erdhi këtë mesjavë dhe nuk kurseu as shtetet europiane. “Europa po përballet me vështirësi ekonomike, që do të vazhdojnë për një kohë të gjatë”, tha ministri turk. Duke shtuar mandej se “drejtuesve europianë po iu bie kredibiliteti”, dhe se “nuk kanë asnjë margjinë për të manovruar” në situatën aktuale ndërkombëtare.

Në inat e sipër (lidhur sidomos me sanksionet e SHBA-së ndaj industrisë ushtarake të Turqisë), ministri Sojliu nuk ngurroi të nxirrte dhe kartën e revanshit. “Turqia po ndryshon historinë; Turqia në zgjedhjet e ardhshme do ta ndryshojë këtë histori”. Ai aludon sigurisht mbi zgjedhjet e shumëpritura në Turqi; dhe me pozitën, ose më saktë, me fatin e pushtetit të sertë të Erdoganit.

Kashuni

Është tani opinion i përgjithësuar se Turqia prej kohësh ushtron një politikë të jashtme me shumë drejtime e me shumë nuanca. Kjo “politikë ekuilibriste”, nën moton për të “mos i vënë të gjitha vezët në të njëjtin kashun”, ka bërë që analistët shpesh t’i vënë Turqisë etiketën: ‘kameleon politik’. Paçka se kanë vërejtur dhe shkathtësi diplomatike. Ajo ka përfituar, sidomos nga situata aktuale, për të qenë sa më aktive në “pazarin” e madh që lufta lë hapur sa herë.

Kështu, në saje të presionit të Ankarasë për të mbajtur peng votën për Suedinë (që kjo të anëtarësohet në NATO), qeveria suedeze sapo miratoi ligje “më ekzigjente ndaj terrorizmit”. Ligje këto të Stokholmit, në saje të presionit turk, që synojnë hapur “qarqe terroriste e militantë kurdë të PKK-së të strehuar në Suedi”, sipas Ankarasë, të cilat pushteti turk i ka cilësuar armike.

Duke luajtur prej vitesh me kartën e ‘digës’ ndaj emigracionit oriental drejt Europës dhe duke përfituar masivisht nga fondet europiane dhënë Ankarasë për këtë bllokazh, qeveria turke nuk e ka lënë kurrë mënjanë sulmin ndaj rebelëve kurdë, si dhe ka shtuar intensivisht industrinë ushtarake. Në suazën e riarmatimit masiv që po aplikon Europa, Turqia madje ka hyrë në tregun kryesor të armatimit (dronët Bajraktar etj.). Shkeljet e avionëve ushtarakë turq në hapësirën e Greqisë janë bërë të zakonshme. Shumë analistë shfaqini habinë për mosngritjen e kësaj çështjeje kur bëhet fjalë për dy anëtarë të NATO-s.

Fuçia

Deklarata revanshiste e Turqisë i referohej veçanërisht rolit të SHBA-së dhe Europës në lidhje me vendet afrikane. “Të gjitha vendet e Afrikës ushqejnë urrejtje për Amerikën dhe shtetet e tjera që i shfrytëzojnë”, deklaroi më tej ministri Sojliu. “Ndërsa këto vende kërkojnë të rigjejnë kulturën e tyre e të shkëputen nga Perëndimi, i cili tani nuk e gëzon më autonominë sovrane”, sipas tij.

Këto referenca e kanë bazën edhe te reagimet më të fundit të disa vendeve afrikane e arabe ndaj institucioneve të mëdha botërore brenda sferës së dollarit. Në 6 prill Tunizia refuzoi si ‘diktat’ planin e shpëtimit ekonomik prej 1.9 miliard dollarësh nga FMN-ja (4). Përkundrazi, ajo i kërkoi BE-së kthimin e pasurive (që BE-ja i ka shkrirë qysh më 2022) të-ish diktatorit tunizian Ben Ali si ndihmë për situatën buxhetore. Presidenti tunizian shprehu se po synon të drejtohet nga një sistem financiar alternativ, ku ‘borxhi dhe huaja nuk janë instrumente të vasalitetit e të neokolonializmit’.

Shumë komente shohin rënien e ndikimit euroamerikan në kontinentin afrikan. Sipas tyre, kjo u pa qartë gjatë pritjes shumë problematike në vizitën e E. Macron në këto vende muajin e kaluar.  “Jo, marrëdhëniet tona nuk janë as miqësore, as të ngrohta” e kundërshtoi lideri maroken pretendimin e presidentit francez. Po aq, Félix Tshisekedi, presidenti i RD të Kongos i kërkoi Macron-it hapur në konferencën për shtyp ‘të hiqte dorë nga terminologjia poshtëruese e standardizuese’ ndaj vendeve afrikane. Njëlloj, liderë të tjerë, i janë kundërvënë BBC-së duke u shprehur se “BBC e të tjerë s’kanë pse të (na) japin më leksione mbi të ashtuquajturat vlera, siç ata i mendojnë”.

Duket se ligjërimi afatgjatë i studimeve postkoloniale, prodhim konceptual kryesor i universiteteve perëndimore (veçanërisht amerikane) ka sjellë fryte në farkëtimin e ndërgjegjes opozitare të këtyre vendeve, me shpresën që ato do të ngrihen para çdo lloji forme apo mënyre koloniale të ardhshme.

Një turne intensiv kreu nëpër Afrikë dhe zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris: në Ganë, Tanzani e Zambia. Madje, ajo vizitoi në Zambia dhe fshatin e gjyshërve të saj. E prapë këto vende shohin më me prioritet implikimin në projektin kinez të ndërtimit të Udhës së re të Mëndafshit (që përfshin masivisht edhe Europën, Lindjen e Mesme, Afrikën e Amerikën Latine). “Harrisi nuk e përmendi më planin amerikan Global infrastructure, të premtuar nga Bideni, gjatë samitit me liderët afrikanë në dhjetor 2022”, analizon rrjeti Afrique Média. “Ne shohim që SHBA-ja sa zbavitet me ne. Ndërsa projekti kinez ofron konkretisht infrastrukturë; këtë gjë që kolonizatorët prej shekujsh nuk e lanë te ne: asnjë infrastrukturë!”, përmbyll rrjeti më sipër. Në Zambia, madje, Kamala Harris u përball me reagimin afrikan ndaj aplikimit të politikave gjinore që udhëzon në këto vende Uashingtoni.

Mërdhezja turke, me deklaratën e ministrit Sojliu më lart, gjeti rastin t’u ‘sulet’ edhe qëndrimeve politike të Uashingtonit në Lindjen e Mesme. Edhe këtë herë Turqia lëshoi bateritë ndaj “luftës ilegale dhe pushtimit amerikan në Irak, të bazuar në falsifikime të inspektimeve” lidhur me armët e supozuara të shkatërrimit në masë. Këtu Turqia i referohet edhe disa ish-inspektorëve amerikanë të NATO-s, që kanë kundërshtuar ndërhyrjen amerikane në Irak.

Ky sulm i dhunshëm diplomatik i qeverisë turke përkonte edhe me 20-vjetorin e luftës së Irakut. Tani që kjo luftë ka dalë nga ekranet e mediave (5), publiku s’njeh thuajse asgjë lidhur me statusin e pasluftës. “Pothuajse askush nuk e paraqiti në media sondazhin e fundit të Gallup-it, sipas të cilit, 60% e popullsisë irakiane mendon se situata aktuale në vend është më keq se ajo para luftës, në 2003”, shkruan gjeopolitologu Saïd Bouamama. Mandej ai citon sondazhin, i cili tregon se “59% e popullit të Irakut beson se ndërhyrja amerikane kishte qëllim veç përvetësimin e resurseve të vendit, dhe ishte në shërbim të interesit të sipërmarrjeve amerikane”.

Opinion ky që pasqyrohet madje dhe në letërsi. Disa vite para këtij sondazhi irakian, Elfriede Jelinek (Çmimi Nobel 2004) shkruante në romanin Bambiland: “Yeah! Dick Cheney dhe firma e tij Halliburton. Ai dhe klani i tij do të merren me rindërtimin. Nën melodinë e 100 milionë dollaros, duke numëruar paratë ditë për ditë, ndërsa akrepi lëviz!”.

To be or not to be … greatstill 

Në mënyrë të gabuar, imazhet shpesh e ilustrojnë pyetjen e famshme ekzistenciale të Shekspirit me dikë që mban një kafkë para vetes. Mirëpo, kjo kafkë, e marrë nga skena e varrmihësve tek Hamleti (akti 5, skena 1), është rreth një jo-personazhi. Bëhet fjalë për Jorikun, ish-aktor, kafkën e të cilit Hamleti e mban në dorë me psherëtimën: “E kam njohur dikur; alas, i gjori Jorik!”.

Por, po e përdorim ilustrimin sa për ndihmë të argumentit: në një skenë të përafërt ndodhet tani SHBA. Lidhur me statusin e supremacisë. Shumë analistë ngrenë, me të drejtë, shqetësimin e rrezikut të reduktimit të supremacisë amerikane në arenën ndërkombëtare. Politologët vërejnë luhatje të ndikimit të dikurshëm amerikan edhe në vendet më partnere. Meksika e Presidentit Obrador po sheh prej kohësh mundësinë e vendosjes së vet përkrah grupit BRICS. Analistë të gjeopolitikës realiste dallojnë se SHBA po përballet vërtet me ‘rrezikun ekzistencial’. Jo atë territorial, doemos. Por atë të humbjes së supremacisë në plan ndërkombëtar. Brazili i Presidentit Lula, tashmë pjesë e BRICS-it, sapo konfirmoi orientimin nga partneriteti shumë i gjerë me Kinën. Të dyja vendet vendosën të “emancipohen nga sistemi i pagesës në dollarë” dhe të shkëmbejnë në monedhat përkatëse.

Shqetësimi i disa analistëve lidhet me faktet e fundit në domenin ekonomik. Shifrat tregojnë se GDP-ja, pra, prodhimi bruto global i ardhur nga vendet e BRICS-it sapo kaloi, për herë të parë, prodhimin e krejt vendeve të industrializuara të G7. “Sot BRICS siguron 31.5% të prodhimit (GDP) global, kundrejt 30% të prodhimit të G7’, cilëson Financial Times. Vetë BRICS-i parashikon një prodhim global në “50% për vitin 2030, në varësi të shtimit të anëtarëve”.

Kjo ka sjellë një pamje të re ekonomiko-politike në sferën ndërkombëtare. Analistët vërejnë, po aq, se ky grupim nuk është, gjithsesi, ende krejt solid. Ekzistojnë prapë përplasje sidomos mes Kinës dhe Indisë. Veçanërisht në ‘garën’ lidhur me numrin e popullsisë përkatëse. “Duhet parë dhe cilësia, e jo vetëm sasia e popullatës”, ka reaguar hidhtë Pekini ndaj krenarisë indiane për numër më të madh. Kjo e fundit e sheh këtë koment si ‘racist’.

Porse, mbetet realitet se vendet ‘jashtë’ sferës së ndikimit amerikan po kristalizojnë gradualisht fuqitë e tyre, partneritetet diplomatike dhe përparësitë në financime. Tashmë edhe Bangladeshi e Egjipti janë pjesë zyrtarisht e këtij grupi. Pas vendimit euroatlantik për t’i vënë tavan çmimit të naftës, Arabia Saudite vendosi ta ulë prodhimin e fuçive të naftës. “Bashkë me OPEC-un, është reduktuar prodhimi i naftës me 2 milion fuçi në ditë, çka përbën 2% të kërkesë globale”, citojmë Le Monde. Një sfidë kjo përkundër dëshirës së Presidentit Biden, që u mundua ta mbajë Riadin brenda qerthullit të aleatëve të vet.

Australia, me gjithë marrëveshjen solide të nëndetëseve bërthamore, AUKUS (SHBA-Angli-Australi), të ratifikuar në San Diego në 13 mars të këtij viti, nënvizoi se “nuk do ta ndiqte Uashingtonin lidhur me Tajvanin”, pra, në rast konflikti SHBA-Kinë. “Australia absolutisht nuk i ka dhënë premtim SHBA-ve për t’ju bashkëngjitur në rast lufte”, caktoi ministri i Mbrojtjes Richard Marles në The Guardian, në 18 mars.

Edhe në Europë, qeveritë kanë treguar një lloj skepticizmi lidhur me orkestrimin amerikan të  politikës ndërkombëtare. Reaksioni i beftë i Macron-it se “Europa nuk duhet të mbetet në varësi të SHBA-ve lidhur me Kinën”, shkaktoi turbulli në vendet e aleancës. Hungaria, konservatore prej kohësh, i mëshon qëndrimit të saj “për sovranitetin e pozicionit antiBruksel”. Lidhjet e saj aktuale me Uashingtonin kanë shumë kontrast në krahasim me periudhën e Presidencës Trump.

Ndoshta reagimi më direkt europian ndaj Uashingtonit erdhi së fundi nga Portugalia.  Qeveria portugeze ka dënuar ‘opsionin’ e hedhur nga ambasadori i SHBA-ve në Lisbonë, George Glass. Ky ka kërkuar që “Portugalia të zgjedhë mes SHBA e Kinës, nëse s’do të ketë pasoja!”, shkruan Reuters (6). “Në Portugali, janë të zgjedhurit e popullit që vendosin për fatet e orientimet, në bazë të kushtetutës sonë’, ka reaguar sakaq presidenti Marcelo Rebelo de Sousa.

Dukshëm, orbita amerikane përfshin më shumë se kurrë tani vendet e Europës Lindore, ato të ish-bllokut të Traktatit të Varshavës. Çka përbën njëfarë lajmi pozitiv për viset tona, Shqipëri e Kosovë, duke qenë të mirëvendosur nën ombrellën e Uashingtonit, dhe që do të mund të zbehej si i tillë, në rast të hollimit të fuqisë amerikane në kontinent. Ndërkohë, realiteti i ri politik në vendet afrikane është bërë një sfidë për diplomacinë kosovare. Rastet e qeverive afrikane, që fillimisht e njohën Kosovën e tani po e çnjohin, janë shtuar. Vendeve të vogla në skenën sado globaliste iu mungon dukshëm informacioni dhe njohja për dhe ndaj njëri-tjetrit.

Ndërsa shumë gjeopolitologë vërejnë se shenjat e rënies së supremacisë amerikane janë ‘çuditërisht të paneglizhueshme’, ata shprehin dhe shqetësimin për sigurimin e një kundrabalance të ardhme. Kjo, në rast të krijimit të një supremacie kineze dhe vendeve që janë, ose po dalin, jashtë asaj që quhet ‘anglosfera’. Kjo është pjesë e shqetësimit real për garantimin e një multipolariteti në skenën politike botërore. Shumë analistë këmbëngulin se duhet shmangur, në të ardhmen, rikthimi te një botë njëpolare dhe problematika që kultivon menaxhimi unipolar i politikës ndërkombëtare.

(c) 2023 Idlir Nivik. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Shënime:

  1. https://www.youtube.com/watch?v=XqJKAnN0-gM
  2. https://www.bbc.com/news/world-europe-61671913
  3. https://french.almanartv.com.lb/2596508
  4. Ky borxh i FMN-së kushtëzon Tunizinë të heqë subvencionet shtetërore ndaj prodhimeve ushqimore bazë. Çka mendohet të sjellë rritjen masive të çmimeve të këtyre produkteve. Tunizia e refuzoi këtë borxh me haraç të madh për shkak të varfërimit drastik të popullsisë. Në 1983 Tunizia pësoi një situatë të ngjashme, ku gati 100 vetë u vranë në të ashtuquajturat ‘revoltat e bukës’.
  5. Analist gjeopolitik, me synimin të paraqesë vështrimin e shtresave popullore ndaj skenës politike, S. Bouamama argumenton se “lufta në Irak bart karakteristikën e çdo lufte të sotme: sapo përfundon, ajo zhduket nga tryezat e mediave kryesore, të cilat nuk e shohin të nevojshme të bëjnë bilanc të këtyre luftërave, për të krahasuar qëllimet me rezultatin. Iu duket po aq e kotë të analizojnë pasojat afatgjata të këtyre luftërave mbi popullatën dhe ekonominë e këtyre vendeve”.
  6. https://www.reuters.com/article/portugal-china/we-make-the-rules-portugal-tells-u-s-after-china-threats-idUKL8N2GQ5TM

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin