KUR ASFALTOHET XHADEJA

nga Sait Saiti

Ndanë Karavastasë janë dy emërvende, Muçias dhe Çakajas, simbas atyre ligjësive të shqipes që mendoj se di, duhet t’i kenë marrë emrat e bijve të Muços dhe (po marr me mend) të Çakos që kanë zënë vend në një të kaluar të panjohur.[1] Për beharet e fëmijërisë xhadeja gati-e-kalldrëmtë që lidhte këto dy lagje kishte në njërën anë një kolektor që si qerthull zgripeve të tij kishte nga një vargua manaferrash, duke shtuar ndokund edhe kallamishtet bujare që u shërbenin si perde shtëpive për të mos u parë nga rruga, manaferrat dhe kallamishtet kaluar muzgun zdriteshin bindshëm nga xixëllonjat. Duke mos e ditur as sot se kur mund të ishte ujdisur ajo xhadé, pakohësia e kishte të lehtë t’i bashkëshoqërohej.

Pas shumë viteve shkova për një vaki, m’u desh të shihja se si mbarë fshatrave ua kishin asfaltuar xhadetë, gardhet e manaferrave ishin zëvendësuar me avulli blloqesh, kallamishtet ishin mpakur dhe shtëpitë prej qerpiçi e balte ishin zëvendësuar me shtëpi elbasançe dhe ndonjë “vilë” dy apo më shumëkatëshe. Ndanë asfaltit u kishin rregulluar edhe trotuar, merret me mend se sa komoditet i domosdoshëm për çobaninë, e sidomos për lopët. Ndriçuesit përmbi asfalt dukej se kishin trembur edhe xixëllonjat, por si për shumë gjëra të tjera është luks të flasim për light pollution, kur nuk u kishin mbjellë pasha një pemë për t’u bërë hije lopëve. Kush ka lindur pas asfaltimit të xhadesë e ka të pamundur t’i rikthejë shiritin kujtesës në atë peizazh, të cilat nuk mendoj se mund t’ia simulojë mjaftueshëm përjetimin me xhadetë e filmit Taste of cherry të Kiarostamit. Ashtu si e pamundur është t’i rigjendet filli lidhës i imazhit, duket e pamundur t’i ndërtohet ai i origjinës, ndërtuesit (/-ve), teknikës.

Mes këtyre dy caqeve, fëmijërisë sime dhe vakisë, rrodhën shumë ngjarje, shumë prej të cilave kuptohet vetiu se më të mëdha se kujtesa ime për xhadenë (madje edhe nisi të matej progresi historik me asfalt). Po prej këtyre, të pamundura për t’u çmuar si duhet në kohë reale, por vetëm me prapavështrim. Ndër ta, tani vonë rashë në kontakt me një debat të janarit të 2003shit që na qenkësh mbajtur në një emision televiziv për fondamentalizmin islamik në muajt e nxehtë të pas 11 shtatorit dhe para pushtimit të Irakut, ngjarje të cilat patën pasqyrimet e veta në rrethanat vendore të shoqërisë e Shqipërisë së kohës. Paraprakisht përmbajtjes së temave në emision, është për t’u vlerësuar përpjekja e të pranishëmve për të shtjelluar brenda mundësive pa atë që sot mund të quhet njëfarë tweeterizimi i komunikimit publik që kohët e fundit është ulur këmbëturqisht paneleve. Të vetmet pohime para-tweeteriste, që reflektojnë trashëgiminë e parullave, fletërrufeve lëshuar me një frymë pavarësisht njohjes se tematikave ndodh kund pas dekikut 47:45 dhe 1:17:34. Aq shënjues është si emision sa në pak sekonda pas 1:18:14 njëri nga të ftuarit shtroi një pyetje që edhe këtu tek Peizazhet e shtroi i zoti i shtëpisë 19 vite nga emisioni; vetëm se aty provokimi bëhet për trafiqet e femrave, kurse këtu u shkrua për trafikun e lakuriqësisë ekraneve. Parulla, fletërrufeja apo status-shkruarja fotoreportazhike (tok me gjithë përpjekjet për t’iu qasur) në epokën e sotme digjitale e ka tkurrur hapësirën, distancën që lipset si parakusht për t’u thelluar, përsiatur dhe provokuar (ëmbëlsisht ose jo) mendim. Ka zmadhuar ama sipërfaqen e mundshme për të prodhuar sensacion, jetëshkurtër, me rrënjë jo të thella, dhe patjetër pa ndonjë bereqet afatgjatë, për të mos përmendur begatinë e keqkuptimeve.

Temperaturat e diskutimeve ndërqytetërimore – meqë e paskemi patur edhe kuadrin, helbete edhe takatin – dhe ato ndërkomunitare pas disa luhatjeve me konfliktet si vijuan në pellgun e Mesdheut, nuk është se ndryshuan shumë. Madje duket sikur u aklimatizuam me to. Një ndër të pranishmit tek ai panel, Ervin Hatibi (bëftë ditën e mirë ndanë Tunës), kaluar 2 vite nga ai emision shkruan Pashallarë të kuq dhe blu: mbi islamizimin me dhunë të armikut. Ku njërin paragraf e nis “Jemi në nivelin e gardërobës pluraliste dhe sfilatës identitare […]”. Duket se nga kjo e vërtetë që Hatibi radhiste aq lirshëm, ende sot pas afro 2 dekadash nga emisioni dhe shkrimi, edhe sot diskutimi ngelet në rendin e sfilatës.

Nga vjeshta e vjetshme shkrimtari Stefan Çapaliku, me aq sa mund të tregojnë një status Facebook-u, doli nga petkat e ekspertizave ku gëzon kontribute të mirënjohura dhe tregoi qëndrimin e tij ndaj një deklarate nga rektorja e universitetit të Shkodrës mbi vëllazërinë, bashkëluftimin dhe lënien gjurmë së bashku në histori të turqve dhe shqiptarëve. Zotëria pas radhëve që shkroi në formë proteste asokohe e firmosi në fund me nënshkrimin “anëtar i asociuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.” Duke e shmangur mundësinë [të shtrohej si pyetje a kërkesë] që rëndësinë e atij pohimi[2] ta verifikonte ndonjëri prej kolegëve të tij, disa edhe bashkëqytetarë, anëtarë të asociuar ose jo të Akademisë, por sigurisht me fusha ekspertizash që mund të japin komente, referenca, këndvështrime. Mbase mund t’i shërbejë memories të kujtohet nekrologjia që Martin Camaj i kushtoi kolegut të tij Hasan Kaleshi tek numri i fundit i revistës Shêjzat më 1978, ku tregohet edhe begenisja e botëkuptimit të tjetrit, duke e përshkruar me njerëzillëk dhe etikë, pavarësisht pranimit. Bën vaki do të mund të kultivoheshin edhe grigjat përkatëse nëse do të ishte pikërisht elita (ajo e pandehur apo e papandehur si shkruan Konica tek Gjuha dhe një pjesë e gurmazit) që do t’i orientonte diskutimet edhe nga specialistët, sa janë gjallë.

Ashtu edhe rasti i postimit fotoreportazhik të Blushit, i beftë si shumë postime onllajni, në gjueti për sensacion, aq sa edhe këtu u shkrua se sa i mungojnë njohuritë, instrumentet dhe kureshtja.[3] Është po prapë Hatibi që Blushit i ka kushtuar një skanim të shpejtë tek shkrimi Orienti i ftohur i shqiptarëve (Shkup: revista Shenja, 2012), ku shkruan:

«Viti tjetër i nxehtë këto vitet e fundit në botime ishte edhe 2008-ta, nëse nxehtësinë e matim me furinë e debateve rreth romanit historik “Të jetosh në ishull” nga Ben Blushi. Libri fitoi temperatura joletrare debati komunitarist e politik, me supozimet dhe qëndrimet rreth procesit të islamizimit të shqiptarëve, që përbëjnë, sipas pasthënies nga botuesit, shtyllën kryesore të librit.»

Erudicioni i nënvizuar qëmoti i Blushit duket nga postimi se vazhdon të jetë po ai, duke e bërë të zëshëm dialogun e brendshëm me supozimet dhe qëndrimet për të cilat nuk duket se e ka cytur gjë që të thellohet përtej sfilatës së radhës. E gjitha kjo duke ekzotizuar projeksione të vetat pavarësisht viteve që kalojnë si pa u ndjerë duke mos begenisur grishjet e shpeshta të kolegëve për t’u thelluar, për të mos e lënë tek bajatja dhe kureshtja e shtirur për t’i hedhur dritë tjetrit. Duke e marrë për të mirëqenë tonin patronizues, ndjekësit e gëlltisin pa përtypur dhe nga didaskali u shndërrohet në narrativë përshkruese. Sëkëlldia e prodhuar dhe riprodhuar nga e gjithë ky sistem ripërtypës narrativash të ngordhura e bën lexuesin të përballet me asfaltin që secilit taraf i leverdis t’i mbivendoset xhadesë pa lënë mënyrën si të ndërlidhemi me shtresat e përparshme. Kur ka shfryrje të llojit “i adhuroj veriorët se janë analfabetë” nga media që vetë eruditët drejtojnë, afërmendsh që çfarë nuk pritet onllajn. Pavarësisht vendnumrosë ku Blushi dhe blushët zgjedhin të engledisen, urojmë që të mos mjaftohen me kaq, urimi popullor “të mbajttë e jotja” (apo ai ideologjik “me forcat tona”) ndonjëherë nuk mjafton.

© 2022 Sait Saiti. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.


[1] Muçua merret me mend që është Mustafá, ndërsa Çakajasi për Petraq Dhanën tek “Arsimi dhe kultura në Myzeqe” (Morava, 2010) kumtohet se vjen prej çakallit. Në pamundësi për t’i vënë pikën, nuk e di nëse shumësi i çakallit do të prodhonte Çakajas. Kësajde antroponimi Çako më grish më tepër, i cili si rrjedhim mbase vjen nga Tsakos (gr. Τσάκος) që po ashtu përflitet se vjen prej τσακώνω (shpatarak), nga τσακίον (lloj thike).

[2] Së paku në rrafshin e gjurmës, pohimi ka rëndësinë edhe tek antroponimi që i shërben si mbiemër zotërisë: Çapalık, shq. Çapallëk, mënyrë matjeje tokash të punuara me shatë, kund-kund edhe të matjes së vreshtave. Çapa i thonë edhe në turçen e sotme shatës. Patjetër njeriu ka të drejtë mos t’i përfillë gjurmët, por nuk mund të shtiret sikur nuk ka të tilla.

[3] Do të duheshin njohuritë edhe nga ana e xhevapdhënësve, kur shkruhet për ndalimin e ferexhesë nga Mussolini. Della Rocca tek Kombësia dhe feja në Shqipëri (1920-1944) (Tiranë: Elena Gjika, 1994.) përkthyer nga Luan Omari, kund pas fq. 197, e parashtron ndryshe.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin