SQARIM PËR HAXHIADEMIN

Nuk i kisha pritur ca reagime aq agresive për shkrimin tim “Idhuj të zgavërt”, dhe aq më pak fyerjet personale – por janë ca që nuk dinë të komunikojnë ndryshe dhe kanë axhendat e tyre private, që mua nuk më interesojnë, prandaj nuk u përgjigjem madje përpiqem të mos i lexoj.

Megjithatë, besoj se duhet të sqaroj qëndrimin tim lidhur me trashëgiminë letrare të Ethem Haxhiademit, sepse ma kanë keqkuptuar – disa ngaqë janë futur në muhabet të papërgatitur, të tjerë ngaqë i shohin gjërat bardhezi dhe të tjerë ngaqë DUAN t’i shohin gjërat bardhezi (sepse u ka ngecur mendimi në skemat manikeiste që ushqente totalitarizmi).

Haxhiademin e pata përmendur si shembull në shkrim, vetëm se jo si “idhull të zgavërt” – por për të ilustruar idenë se ka një lloj letërsie të traditës e cila i reziston aktualizimit, për shkak të formës.

Po e jap citatin tim të plotë, në kontekst të zgjeruar:

Brezi më i ri, që nuk i kupton mirë manovrat institucionale dhe lojërat e pushtetit kulturor, merr në duar vepra të cilat nuk arrin dot t’i vlerësojë – sepse i gjen të palexueshme. Por brezi i ri, ngaqë nuk ka përvojë kulturore, do të priret që të bëjë veten me faj; ose në rastin më të keq, të gjykojë se letërsia e traditës nuk bën për të.

ËSHTË OBJEKTIVISHT E VËSHTIRË T’I NGJALLËSH PUBLIKUT TË SOTËM INTERES PËR, TË THEMI, ETHEM HAXHIADEMIN OSE ZEF SKIROIN; dhe aq më tepër për gjithfarë dorëshkrimesh, ditarësh dhe letërsi të tjera sirtarësh, që vijnë prej autorësh me histori personale të dhimbshme. Rreziku gjithnjë mbetet që tradita të shndërrohet në depozitë interesash privatë dhe periferikë, ose në një arkiv të glorifikuar eventesh me valencë kryesisht politike.

Me HAXHIADEMIN dhe SKIROIN kam sjellë në vëmendje të lexuesit dy shkrimtarë të traditës jo shumë të hershme, për të cilët gjykoj se ËSHTË OBJEKTIVISHT E VËSHTIRË T’I NGJALLËSH PUBLIKUT TË SOTËM INTERES; pa u shprehur për cilësinë letrare të veprës së tyre, jo sepse e kam frenuar veten, por sepse nuk ua njoh mjaftueshëm. Supozimi im – me rezervë – ka qenë se kushedi promovimi i autorëve të tillë po bëhet JO për arsye letrare dhe kulturore, por për interesa privatë dhe periferikë; do të shtoja, edhe për lokalizëm, që shumë shqiptarë i tërheq për hunde gjithë jetën.

Dhe për ta shpjeguar më mirë qëndrimin tim, po sjell një pasazh nga një poemë mjaft e vlerësuar e Haxhiademit, “Nymfat e Shkuminit” (e shkruar në vitin 1933):

Ndër zaje të Shkuminit ku rrëqethen
E të shkumzuëme valët prapë përndahen
Ku lisat buzës s’tij e rrisin gjethen,
Nymfat po lahen.

Ato jan’ ndemun n’ujin e kullumun’
E trupat lark u duken bor’ të bardha;
Në krahanur shkëlqejn tyke notumun
Gjinjt porsi dardha.

Përmbrapa supave të tyne flokët,
Si fije ari të kulluëm u derdhen,
Dhe rrezja e diellit kur u bie mbi kokët,
Faqet u verdhen.

Me gas në buzët zanë e rrokullehen
Të gjitha, dhe lëvizin porsi ngjala,
E tyke lojtun ambëlsisht dëfrehen
Ato ndër vala.

E kështu për shumë e shumë strofa të tjera.

Letrarisht, kjo poemë është shumë larg shijeve të sotme (kjo NUK e bën automatikisht të keqe, por vetëm sa ia vështirëson receptimin nga lexuesi aktual). Nuk e them dot me siguri nëse ka qenë më afër shijeve të publikut shqip të viteve 1930, kur është botuar dhe nëse ka pasur ndonjë ndikim në letërsinë e kohës. As e them dot me siguri se çfarë e shtynte një njeri shumë të lexuar dhe kulturorisht të rafinuar, si E.H., që të shkruante kështu, në Europën e shekullit XX, ku poezia kish kohë që shihej, lëvrohej dhe lexohej ndryshe (mos duhet të sjell emra edhe këtu?). E.H. kish shëtitur botën, ish shkolluar në Perëndim, kish parë si shkruhej poezia në Itali, në Austri, në Gjermani… Ç’e kish bindur që të shkruante shqip në mënyrë kaq bukolike? Mos kërkonte t’i jepte kulturës kombëtare një përmasë neoklasike, nëpërmjet një estetike në thelb restaurimi? Mos kërkonte t’i bashkëngjitej shkollës letrare së Shkodrës, të udhëhequr nga Gjergj Fishta? Aq më tepër që së njëjtës periudhë i përkasin edhe “Vargjet e lira” të Migjenit, të shkruara sipas një poetike që sot e kësaj dite tingëllon moderne dhe që përcjellin imazhe dhe ide me të cilat lexuesi i sotëm mund të gjejë të përbashkëta.

Për historinë e letërsisë, ka interes të studiohet pse disa poetë në Shqipërinë e atyre viteve shkruanin në mënyrë kaq haptazi dhe qëllimisht edhe arkaizante edhe anakronike, pa shenja auto-ironie; dhe çfarë synonin të arrinin me zgjedhjet e tyre letrare.

Kjo lloj poetike mund të interpretohet edhe si kundërvënie ndaj folklorizmit, e megjithatë edhe ajo vjen me klishetë e veta: që nga vetë tema e ninfave, por edhe te rimat shpesh foljore, epitetet stereotipike “bor’ të bardha”, krahasimet “gjinjt porsi dardha” (për t’u mjaftuar me shembullin që kam sjellë më lart). Poema është qëllimisht artificiale, si zbukurim porcelani, dhe pikturon një skenë të nxjerrë nga një tablo romantike, por pa asnjë surprizë për lexuesin. njëlloj i ngjan edhe një vepre muzikore baroke, të kodifikuar notë pas note, ku nuk gjen dot vend spontaneiteti. Sikur të mos dija më shumë për autorin, do ta kisha lexuar si ushtrim poetik virtuoz, ose demonstrim (demo).

Prandaj – sërish – më duket e vështirë që kjo lloj krijimtarie të mund të rivlerësohet sot për publikun e gjerë; dhe aq më pak të rivlerësohet, ngaqë ndonjë autor, si Haxhiademi, ka qenë persekutuar prej regjimit totalitar, për arsye politike.

Gjithsesi, ata dy emra i pata përmendur, pra, jo për t’ua ulur profilin e as për t’i hequr nga panteoni letrar (nuk është në natyrën time të dua të heq e të vë statuja në piedestale), por për të treguar se jo gjithnjë historinë e letërsisë e bëjnë njerëz të cilëve u dhimset vërtet letërsia; shpesh thjesht duan ta përdorin, si edhe po bëjnë.

(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin