TRANSKINOSTUDIO

nga Elsa Demo

Prolog

Oborri i Kinostudios në të ngrysur, korrik 2022. Një tapet i kuq shtrihet nga portat hyrëse prej hekuri te shkallët e portikut klasik qendror. Dy led-e video wall-e ku shfaqet e shkruar në fushë të kuqe “70 vjet Kinostudio”. Disa tavolina të vogla të gjata kokteji, pije për trupin diplomatik, karrige.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Personazhet: Kinostudioja vetë, fasada e saj, ministrja e Kulturës, një pjesë e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, regjisorë, aktorë, kompozitorë, kino-operatorë – në pozicionin e figurantëve – banorë të lagjes, fëmijë, hije të së shkuarës e të së tashmes.

Instrumentistët akordojnë. Pianistja luan copëza nga Kujtim Laro, Shopeni dhe një lajtmotiv që më vjen i njohur.

-Më fal, nga Dyrasi ishte ajo që po luaje?

-Kjo?

-Po. I ngjan motivit të filmit “India Song” të Margret Dyrasit.

-Ah, jo! Është e Arditit kjo, e Gjebresë. Fillimi i këngës “Kur të jesh mërzitur shumë…” nga “Rrethimi i vogël”.

Fytyra e pianistes është e çliruar dhe nuk shpreh nëntekste të llojit “nuk arrin të dallosh këngën më të ndjerë që është shkruar ndonjëherë për një film shqiptar? Më e ndjera pas këngës më të bukur si “Në shtëpinë tonë” që është shkruar ndonjëherë për një film shqiptar?”.

Ardita vazhdon luan dhe me sytë gjysmëmbyllur thotë:

-Nuk vjen më muzikë si kjo!

-Po filmat, ç’mbetet nga filmat?

-Dikur i kam parë me kënaqësi. Tani mendoj se mund t’i kapësh ku të duash.

-Atëherë, çfarë i feston ti sot Kinostudios?

-Muzikën e filmit.

Ardita ka hedhur në qarkullim dy albume. Njëri është përshtatje për piano e muzikës së filmit për fëmijë dhe tjetri, me kolonat zanore të Kujtim Laros punuar për muzikë dhome. E ka bërë individualisht, me vullnetin e një grupi artistësh me të cilët ajo punon. Sidoqoftë, pasioni i saj nuk mund të zëvendësojë punën e institucioneve për të shpëtuar shiritat dhe partiturat e muzikës së atyre filmave ekzekutuar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Aleksandër Peçi ka ngritur zërin kur ka parë kushtet në magazinat e AlbaFilm Studios deri vonë, derisa Arkivi i Filmit u gjeti një vend në fondet e veta.

Në ftesën elektronike të Ministrisë së Kulturës është njoftuar një 70-vjetor “me muzikë live me kolonat zanore më të bukura si dhe vlerësime për personalitetet e filmit shqiptar”. Vetë filmi, konteksti historik dhe ç’ka mbetur sot nga Kinostudioja, nuk është parashikuar në skenarin e mbrëmjes gala. Prandaj ky shkrim do të donte të tregonte atë që inskenohet dhe fshihet nga një festë si kjo e ku, si në një film të Kinostudios, ndërtohet ideologjiksht një botë dhe lihet jashtë një pjesë e mirë realiteti.

Instrumentistët ngrihen e çmpijnë këmbët. Aktivitetin e filmon një televizion privat, që sot është zot mbi të tjerë i Kinostudios. Teknikët krijojnë efektin e mjegullës artificiale. Pas shpatullave të orkestrës rrëzohen sende llamarine. Janë çmimet e mirënjohjes që punonjësit e Ministrisë i sjellin duar-duar. Nga zhurma e ndien që janë bakallëk. Nga afër e sheh që janë vërtet ashtu. Pjesën e përparme e kanë pasqyrë si ato konvekset që i vijnë në ndihmë qarkullimit të automjeteve në rrugët e ngushta kryq të Tiranës. Sipër është gërvishtur “70 vjet Kinostudio”, stilizuar sipas logos zyrtare për prodhimet e studios kinematografike “Shqipëria e Re”. “Mund të kenë imituar pasqyrën e projeksionit filmik”, thotë logjika analitike e Ermës, specialistes së Arkivit të Filmit. Hamendësim më inteligjent sesa e kërkojnë punët e Ministrisë.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Sikur t’i harronin e të mos i shpërndanin! Të japin gërdinë e dekoratave që emeton në seri Presidenca e Shqipërisë. Dallimin mes kallëpeve të stimujve e dekoratave e bëjnë fare mirë artistët e Kinostudios, që megjithatë, nuk do t’i refuzonin të çfarëdolloji të ishin. Kujtimet që kanë shkruar, intervistat që kanë dhënë, qëndrimi folklorik që kanë mbajtur për të shkuarën, tregojnë se nuk e njohin artin e të thënit “jo”. Ata hyjnë në kategorinë intelektuale-shoqërore (dikush do të thoshte se kanë qenë mbi nivelin e shoqërisë) së cilës i është mirënjohës për kontributin në kulturën kombëtare një publik jo i pakët në Shqipërinë zyrtare dhe diasporë, përfshirë institucionin e Presidentit të Republikës.

Pamja e fundit e peizazhit

Komunizmi ra, Kinostudioja mbeti, provë e asaj që thuhet se historia, si çdo histori në jetën e një kombi, ka një fund të hapur. Po cila Kinostudio ekziston?

Si territor, Kinostudioja nuk renditet te shenjat e distopisë komuniste (burgjet politike, kampet e punës së detyruar apo të internimit, madje Ministria e Kulturës përdor në deklaratat publike edhe emërtimin “kampet e shfarosjes”). Përkundrazi është një mriz, një hapësirë e hijezuar në mes gjelbërimit dhe ullishtës, e që qeveria “Rama” e futi në procesin e privatizimit të plotë.

Në dokumentet e Këshillit të Ministrave e gjejmë të shkruar ish-Kinostudio ose ish-Kino Studio për të përcaktuar truallin ku shtrihej fabrika kinematografike e regjimit të shkuar; në dokumentet e Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës shkruhet ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”; në adresat e bankave, thjesht “Kinostudio”, si destinacion urban, sikurse Linja 15 e transportit Kombinat-Kinostudio.

Një ditë në Muajin e Muzikës, ministrja e Kulturës i hipi kësaj linje, bashkë me dhjetë instrumentistë të Ansamblit Popullor. Faqja në facebook e ministres, pastaj faqja në facebook e Ministrisë dhe ajo e Bashkisë, njoftoi këtë “koncert të veçantë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, për të sjellë një mëngjes ndryshe, me muzikën e zgjedhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë…, për t’i dhuruar një ditë ndryshe njerëzve që marrin autobusin për të shkuar në destinacionet e tyre. Kjo eksperiencë e parë do të përsëritet me të tjera linja e muzikantë të ndryshëm.”

Shpejtësia e autobusëve urbanë në Tiranë ka zbritur në minimumin e kilometrave për orë, aq sa mund të mbash me artistë të ndryshëm një koncert të veçantë me muzikë nga gjithë trevat e Shqipërisë. Sporti për një ditë ndryshe në një mëngjes ndryshe ndodhi vetëm një herë para pandemisë. Kur shtetrrethimi u hoq, nuk u mor vesh si e zgjidhën transportin për disa muaj mijëra qytetarë pa makinë të periferive, të cilët prisnin që jeta të rikthehej me monotoninë e skizofrenisë imune.

Stacioni i fundit i Kombinat-Kinostudios ndodhet përballë Arkivit të Filmit. Në fasadën ku rri roja e sigurisë, kanë vënë dorë çunat e bashkisë. Më të njohurit nënshkruajnë me emrat Franko dhe Mario. Pas klanit të artistëve ndërkombëtarë dhe bashkisë së Tiranës nën Edi Ramën në vitet dymijë, këta janë gjenerata e dytë e artistëve që janë ngarkuar nga pushteti vendor të pikturojnë fasadat e pallateve me subjekte politikisht korrekte nga kultura popullore shqiptare, ajo perëndimore, nga imagjinata infantile, si dhe të fshijnë gjurmët e subkulturës apo kundërkulturës. Tani, prezantimi i parë vizual me Arkivin e Filmit bëhet me portretin e Tanës së Tinka Kurtit, nga dora e Frankos.

Në vazhdim të rrethimit të Arkivit vjen “Tirana Teatër”, objekt që imiton, duke e derformuar, fasadën neoklasike të Kinostudios. Në secilin krah të dyerve të jashtme duralumin, që nuk i kam parë të hapen ndonjëherë, janë katër figura gjysmë të zhveshura, realizuar sipas një shprehjeje inferiore që, me pak sforco, mund t’i përafrosh me modelet e Rilindjes në skulpturë (David apo Venus). “Tirana Teatër” nuk ekziston në axhendat artistike zyrtare apo jozyrtare. Është investim i një kompanie private audiovizive, që e ka ngritur biznesin prej 20 vitesh në tokën e Kinostudios.

Përgjatë trotuarit, një varrezë kalimtare makinash, nga automjetet e luksit tek autoambulancat, të bëra përshesh: “Vita brevis”, them. Dhe pas kësaj shfaqet Kinostudioja: është ky një vend ku arti rron gjatë?

Faqja e murit në të djathtë, e mbuluar me posterin “Mona Liza autoportret” i Salvador Dalí-së, është orientim për tek Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Dalí e krijoi në vitin 1973 si për t’i mbrojtur “nderin” kryeveprës së Rilindjes nga parodia e artit readymade të Dyshampit. Me fjalë të tjera: nëse diçka revolucionare duhet të ndodhë në art, ajo duhet t’i kundërvihet artit të së shkuarës, mundësisht edhe ta urrejë atë, si një proces njohjeje, gjykimi, vlerësimi, por jo injorimi, ndalimi, hedhjeje poshtë. Autoportreti i Dalí-së krijon idenë se diçka radikale ndodh kur kapërcen pragun e “Marubit”.

Në krahun e djathtë të kompleksit, gjithashtu me portik, që duhet të jetë mbyllur në vitet ’70, duke e cenuar harmoninë e objektit, është vendosur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (deri dje Instituti i Monumenteve të Kulturës). Themeluesit Gani Strazimiri, i kanë ngritur një bust bronzi, nderim që nuk e shpëlan dëmin e vendimeve me pasoja të pakthyeshme për trashëgiminë, marrë apo këshilluar nga IKTKM-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Kanë të bëjnë me sheshin “Skënderbe”, ndryshimin e kufijve të zonës historike të Tiranës, që u hapi rrugën ndërtesave të larta dhe me ekspertizën që i dha dorë shembjes së Teatrit Kombëtar. Instituti ka miratuar ndërhyrjet në korpusin qendror të Kinostudios, që së shpejti e kthejnë peizazhin monumental-floreal në instalacion-panair.

Midis bustit të Strazimirit dhe njërit prej dy shatërvanëve të dekoruar me guaska betoni, një mollë e egër ka lëshuar përtokë gjithë kokrrat.

Makinat e nëpunësve të Ministrisë së Kulturës janë parkuar kordon në oborr. Shkëlqen midis një “Jeep Rubicon” i kuq. Kjo pamje zgjat derisa të bëhet Parku i Artit që e parashikon parkingun nëntokësor. Studioja që ka zgjedhur Ministria ka përvojë në ndërtimin e parkingjeve nëntokësore si ai nën sheshin “Skënderbe”.

Portiku qendror me kolonat në stilin arkitekturor të tempullit grek është kurora e lavdisë së kompleksit. Pikërisht këtu, më 10 korrik 1952, është kapur fotografia e Xhanfise Kekos, (atëkohë montazhiere) që i ofron gërshërët Enver Hoxhës për të prerë shiritin e inaugurimit. Regjisori Roland Sejko, i cili është marrë shpesh me imazhet e regjimeve totalitare, e sheh ironikisht këtë foto si një metaforë padashje të marrëdhënies së kinematografisë me pushtetin: kineastja që i dorëzon gërshërët e censurës vetë Enver Hoxhës.

Që kur ndërtesa u projektua në Bashkimin Sovjetik nga Studioja e Arkitekturës Moskë, me  projektues Georgij L. Lavrov[1], u mendua që portiku qendror të mbante mbi pediment ngarkesën me simbolet e ideologjisë: flamuj, stema e Republikës Popullore dhe ylli në shtatoren e gruas (plastikën e ka të përafërt me gruan në logon e MosFilmit në epokën sovjetike). Simbolet e para u hoqën kur qeveria “Berisha” miratoi rikonstruksionin – e vetmja ndërhyrje rrënjësore në objekt prej vitit 1952 – dhe mbështeti idenë për një muze të kinemasë.

Në vitin 2014, qeveria me Edi Ramën kryeministër e ktheu në administratë të Ministrisë së Kulturës. Shtatorja në beton e gruas u zëvendësua me një kopje në bronz dhe në vend të yllit, në dorë i vunë pishtar. U hoq edhe pllaka përbri portës me datën historike të inaugurimit…

Por shshshshtttt! Sonte jemi ftuar në gala.

Mirë, por edhe dy fjalë për krahun e majtë të Kinostudios, për perimetrin që përcakton kufijtë e saj të jashtëm, aq sa lejojnë bizneset private që të shohësh. Mund të jetë pamja e fundit e peizazhit para transformimit. Kjo pjesë e kufijve të jashtëm do të çlirohet nga “zaptuesit”.

Në shkurt 2021, ditën e prezantimit të projektit “Parku i artit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përdori disa herë fjalën “zaptues”. Ai tregonte me gisht nga ajo zonë me mur rrethues, ku vijnë me rregull, njëra pas tjetrës, dyqane e zanatçinj. Pamja të kujton një kohë kur qyteti njerëzisht dhe urbanisht nuk ishte ky i sotmi. Është si një dekor filmi më i vërtetë se realiteti: një kafene, një mobileri, një shërbim veterinar, një dyqan perdesh-rrobaqepësi, një materiale ndërtimi, një dyqan rrobash të përdorura, një stacion zjarrfikës. Janë subjektet e fundit qiramarrëse të Kinostudios, kontratat e të cilave po prishen prej Parkut të Artit. Rreshti i “zaptuesve” shkon deri aty ku rrethimi me mur bëhet blu, ngjyra bazë që përdor korporata mediatike “Media 66”, e vendosur në këto hapësira në mes të viteve dymijë. Mogulin që identifikohet me TV Klanin, dhe jo vetëm, e dallon pasioni për kopshtarinë dhe pemëtarinë. Parcelat që gjeti djerrë i bëri ullishtë (respekte për ullirin, pemën simbol të Kinostudios!) dhe oborrin e brendshëm të kompanisë e spërkati me trëndafilë. Ky lloj pasioni, modestisht i përulur para punëve në industrinë mediatike, nuk nënvlerësohet më pak nga manjatë të tjerë, në oborret e të tjerë televizioneve apo në kopshtin e “Marubit”.

 

Përkujtimi është politika më e mirë, thotë

“Kjo që po dëgjoni nuk është përrallë nga e kaluara. Sado të bredhim Lindje-Perëndim-Lindje, prapë këtu do të kthehemi, se kjo është shtëpia jonë. E vetmja gjë që na ka mbetur është të lëmë gjurmë në kaltërsi… Jemi ballë për ballë, po të shoh në sy dhe po të them: I dashur armik, duaje emrin tënd, t’i shuajmë këto plagë të vjetra se kur hiqen maskat, do të shohim vëllezër dhe shokë mes nesh…”

Siç mund të kuptohet, festa në oborr ka filluar. Skenari ndjek formulën: një muzikë filmi, një përshëndetje, një vjershë. Tekstin më lart e reciton spikeri. Më kujtohet ta kem dëgjuar diku. Po. Një i ri i sapodiplomuar për regji filmi dhe televizioni në Universitetin e Arteve, Dritan Mesareja, uronte kineastët për vitin e ri 2015. Titujt e filmave të Kinostudios dhe ata bashkëkohorë ai i kishte lidhur në një sintaksë që të përkujtonte të vjetrit dhe të shprehte atë që dëshironte të ndodhte me të rinjtë që i hyjnë rrugës së kinemasë. Parim i qartë: e kujtoj të shkuarën duke qëndruar në të tashmen.

Politikës së përkujtimit nuk i intereson qasja realiste ndaj së shkuarës, në këtë rast, ndaj Kinostudios si pjesë e kulturës dhe historisë aq edhe si fenomen ideologjik. “Kjo godinë”, thotë ministrja Elva Margariti në fjalën përshëndetëse, “ka pasur misionin e çeljes së dyerve, e çeljes së dritareve”[2]. Duke iu drejtuar Margarita Xhepës, Tinka Kurtit, Yllka Mujos, Luiza Xhuvanit, Eva Alikajt, vazhdon: “Zonjat tona do të ndrisnin po të ishin në Venecia. Por ato kanë çarë zemrat e njerëzve me ato rolet e bukura, kaq të brishta e kaq të forta njëherësh.”

Ministrja beson që “këta” – dhe gjuha sërish përpëlitet mes dallimeve gjinore – “këta luftonin që Shqipëria të dukej më e bukur dhe na nxisnin që edhe ne të bëheshim pjesë e ëndrrave”.

Sipas kësaj narrative të vjetër veneruese, Kinostudioja dhe projekti i saj utopik nuk kanë rënë.

Mund të jetë edhe qëllim për të arritur, përmes fjalës, efektin e dëshiruar para yjeve të kinemasë, ose mund të jetë një “maskë e trashë” për të kamufluar rrethana të tjera.

Ministrja e shpalli korrikun “Muaji i Kinematografisë” dhe ditën e niste në facebook me statuse si ky:

Hera e parë që njoftohet një “muaj kinematografie” dhe program nuk ka. Arkivi i Filmit bëri  ekspozitën me foto nga filmat shqiptarë në trotuarin para ish-Hotel Dajtit. Iu bind Ministrisë me rolin e magazinës, që vërtet e ka si funksion, po si rojë e kujtesës që nxit studimin dhe kërkimin mbi kinemanë, ka për detyrë t’i rrijë përballë folklorizmit dhe përdorimit nga politika.

Nisur nga burimet historike, faktorët ideologjikë dhe metoda e studimit të historisë së artit filmik te ne, nëse mund të flitet për metodë, është momenti të shtrojmë disa pyetje.

Së pari: A është e saktë që 10 korriku 1952, datë e inaugurimit të objektit “Kinostudio”, të merret si datë themelimi për historinë e artit kinematografik shqiptar, siç e shpallën Ministria e Kulturës dhe Arkivi? Studimet e Abaz Hoxhës, Natasha Lakos dhe Spiro Mëhillit nuk e pohojnë.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Shqipëria nuk pati prodhim kinematografik kombëtar para vitit 1945. Fati ynë historik pas Luftës së Dytë Botërore ka imponuar mjegull kufijsh në studimet letrare, teatrore dhe e arteve pamore. Shumë institucione u krijuan pas lufte, çka u mor si pikënisje për historitë e artit. Në burimet dokumentare janë dy institucione që i paraprijnë Kinostudios:

1945, Agjencia Shqiptare e Filmit;

1947, Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike Shqiptare. Kjo që u krijua fillimisht si një magazinë ruajtjeje për filmat e grumbulluar nga shtetëzimi i kinemave private, sot quhet Arkivi i Filmit. Arkivi bëri të ditur pak ditë më parë se, dosjes personale të regjisorit Viktor Gjika, i shtohet certifikata e marrë “në tridhjetëvjetorin e kinematografisë shqiptare 1947-1977: “Çmim i veçantë për regjinë e filmit “Përballimi” i shfaqur në festivalin e dytë të filmit shqiptar”. Tiranë, 23.4.1977.” Pra, Kinostudioja vetë njihte si datë zyrtare të themelimit të artit kinematografik vitin 1947. Do të ketë përvjetor në nëntor 2022? Do të ketë festë tjetër datëlindjeje për kinemanë?

Nëse merret parasysh kriteri kronologjik, a mund të jenë kronikat dhe dokumentarët një datë fillimi? Prodhimet e para janë: “Shqipëria 1945” i dokumentaristit sovjetik Roman Karmen (1945), prodhim i Studios Qendrore të Filmit Dokumentar, Moskë; “Komandanti viziton Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut” (1947), dokumentar propagandë xhiruar nga Mandi Koçi.

Po datat e filmave të parë artistikë?

Natasha Lako e hap “Filmografinë e Filmit Shqiptar, 1953-1990” me “Skënderbeu – luftëtari i madh i Shqipërisë” (1953), me regji të Sergei Iutkevichit, prodhim i “MosFilmit” dhe Kinostudios “Shqipëria e Re”. Filmi e ka sovjetike shumicën krijuese, interpretuese dhe ekzekutuese. Kjo nuk e pengon Lakon t’i japë një status që në studimet e varfra gjatë komunizmit, për arsye politike, filmi nuk e pati.

Filmi trembëdhjetëminutësh “Fëmijët e saj” i Hysen Hakanit (1957) është pretenduar nga disa si filmi i parë absolut, e disa të tjerë ia njohin këtë privilegj “Tanës” së Kristaq Dhamos (1958).

Nga kjo del se Ministria e Kulturës ka përcaktuar në mënyrë arbitrare e të pamotivuar ditën e lindjes së kinematografisë shqiptare. MK-ja dhe AQSHF-ja celebruan një përvjetor virtual në facebook me fotografi dhe frames nga filmat, duke e ftuar publikun në garë me kujtesën ku nuk fiton kinemaja, por monumentet e njërit apo tjetrit.

Së dyti: Për çfarë arsyesh ministrja e Kulturës, Margariti, dikton narrativën e vjetër, bazuar në shije personale, se si duhet parë kinematografia e prodhuar nën komunizëm dhe artistët e saj, “yjet e pashuar” (cit.)?

Lexuesi duhet ta ketë të freskët përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e 17-të të Arkitekturës në Venecia (2021), komisionuar nga Ministria e Kulturës. Pyetjes “Si do të jetojmë së bashku?”, që arkitekti libanez Hashim Sarkis ia drejtonte komunitetit botëror të arkitekturës, Shqipëria e ilustroi me projektin “Në shtëpinë tonë”, duke propozuar modelin e fqinjësisë së mirë sipas filmave të Kinostudios. Projekti u kritikua në media si idealizim dhe trajtim idilik i jetës në komunizëm. Margariti militoi për atë pavijon jo nga pozita e arkitektes, por se “i përkas atij brezi me çelës në qafë…”[3].

As ky nuk është rast i izoluar. Lexoj një fjalim të ministres mbajtur për Rrjetin Europian të Kujtesës dhe Solidaritetit, në Varshavë (2020). Para një audience polake të stërvitur në çështje të kujtesës publike për komunizmin, ajo tregon se shqiptarët më 1991, bashkë me monumentin e Enver Hoxhës, rrëzuan një sistem që i mbajti të shtypur për 45 vjet, “i izoloi, u mohoi të drejtat themelore, si ato të fjalës dhe lëvizjes së lirë; i përçau përmes “luftës së klasave” dhe implementoi projektin denatyrues të “Njeriut të Ri”… E shkuara shërben për të na kujtuar gjithmonë e gjithmonë, se ajo nuk duhet të përsëritet më, duke folur për të jo me venerim, por me objektivitet.”[4]

A nuk ishin temat e Kinostudios lufta e klasave, njeriu i ri, kulti i punës dhe i qëndresës antifashiste, roli i kudondodhur i partisë, e keqja dhe e mira sipas konceptit ideologjik?

Nuk është fjala për të mohuar vlerat estetike të disa filmave apo talentin e disa krijuesve të Kinostudios, si njohës të mjeshtërisë së artit filmik e që duhen studiuar rast pas rasti[5]. Shqetësim në këtë kontekst mbetet pikëpamja zyrtare shtetërore për estetikën e kinemasë. Vende të Europës Qendore e Lindore vazhdojnë t’i rrahin kontradiktat e trashëgimisë filmike nën komunizëm. Shembujt nga bota sovjetike prej tri dekadash po studiohen si dokumente të shoqërive të politizuara. Më e pakta që mund të bëjë Shqipëria është që institucionet politike të tërhiqen nga diktati sa i venerimit, aq edhe i censurimit e ndalimit të kësaj trashëgimie (fushatat e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit i krijuar nën “Berishën”). Kam parasysh gjithashtu qëndrimet e Edi Ramës publicist[6] (jo larg nga dita e tij si ministër Kulture kur dha me qira hapësirat e para të Kinostudios) dhe Edi Ramës kryeministër[7].

Qëndrimi kontrovers, i duhuri ndoshta për atë kohë, ka qenë baza e sjelljes dhe e vendimeve politike të mëvonshme ndaj pronës publike, tokës së Kinostudios dhe trashëgimisë së saj jomateriale.

Pozicioni politik ka ushqyer ndër të tjera qëndrimin e OJQ-ve, që e mbajnë veten me narrativën e antikomunizmit dhe ka mbajtur gjallë zhurmën mediatike që funksionon pa filtra analize e njohjeje kritike duke trafikuar sensacionin dhe komercializmin. E gjitha kjo në vend të investimit të qeverive për një program të vërtetë edukimi mbi artin dhe kulturën kombëtare në të gjitha nivelet e sistemit parauniversitar, investimit në objekte kulturore për kushte normale të ruajtjes së trashëgimisë, në teknologji dixhitale po ashtu, ngritjes së bërthamave studimore në qendra si Arkivi i Filmit, mbështetjes së botimeve ku qarkullon mendimi kritik profesionist.

E pyes Ermën në oborrin e festës: Sa studentë për regji filmi e televizioni janë të interesuar apo kryejnë kërkime në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit? “Asnjë”, përgjigjet ajo. “Studentët thonë Hitchcock, por nuk dinë kur ka ardhur filmi në Shqipëri, nuk njohin historinë e Manaqëve, nuk njohin rolin e Idromenos dhe të nxënësve të tij për projeksionet e para filmike në Shkodër. Duhet filluar nga këtu.” Për të thënë se rrugët për studimin e kinemasë sot janë bërë të pafundme, Erma sjell shembullin e “Përrallë nga e kaluara”, sesi i njëjti film perceptohet ndryshe në vende të ndryshme për shkak të dallimeve dhe rrethana kulturore. Publikun e huaj mund ta habisë për dhunën ndaj gruas, ndërsa publikun shqiptar kjo e zbavit.

Ka kaluar kohë nga programet afatshkurtra në vite që nisën N. Lako, E. Diamanti, I. Elezi. Nga fondet ku ruhen filma të neorealizmit italian, realizmit poetik francez të viteve ’30 dhe të Valës së Re franceze, të filmit noir, kam parë për herë të parë në ekranin e madh të kinemasë modeste të Arkivit projektimin e pelikulës “I huaji” i Viscontit me Mastroiannin dhe Anna Karinan, “Vdekjen e Mario Ricit” të Claude Goretta-s me Gian Maria Volontén, projeksionet retrospektivë të filmave shqiptarë të restauruar, etydet dokumentare të Anagnostit dhe kam dëgjuar rrëfimin e tij të sinqertë aty, para një publiku të ri. Të rinjtë nuk mund ta kuptojnë komunizmin nëse edhe kineastët nuk kanë një qëndrim kritik për komunizmin në kinema, me qëllim që, edhe ata që nuk janë familjarë me këtë sistem, të kuptojnë pse Shqipëria ishte komuniste.

Dy vitet e fundit Ministria e Kulturës ka nënshkruar 10 marrëveshje të quajtura “Pakti për Universitetin”, që përfshijnë Arkivin e Filmit dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, të cilat duhet t’i vijnë në ndihmë Universitetit të Arteve. QKK-së i kërkohet të financojë diplomat e studentëve për regji filmi dhe televizioni. Pra, qeveria ia heq paratë një institucioni për t’ia dhënë një tjetri, ndërkohë që vazhdon t’i jetë debitore QKK-së, buxheti i së cilës prej vitesh mbetet në kuota të ulëta, pa mundur dot të krahasohet as me buxhetin që jep Kosova për kinemanë.

“Pakti…” kërkon që Arkivi i Filmit të zbatojë një program të tërë edukimi, ndërgjegjësimi dhe orientimi të shijeve të studentëve drejt kinematografisë shqiptare, gjë që do të kërkonte burime njerëzore, programues, studiues, kritikë, të cilët Arkivi nuk i ka pasur dhe nuk i ka, përpos faktit që historikisht ka një buxhet diskriminues.

Ndërsa diskutojmë me “figurantët” në oborrin e festës këtë realitet që nuk puqet me performancën e mbivlerësimit dhe entuziazmit të Ministrisë dhe për faktin që përkujtimi nuk është adekuat me historinë, shfaqet nën dritën e projektorëve Piro Milkani, regjisori i “Zonjës nga qyteti” (ministrja e përmendte në “muajin e kinematografisë” në Facebook për batutat pikante të Teto Ollgës, si: “kanë shitur gomerë dhe kanë blerë biçikleta”).

Duhet kujtuar se Milkani ka qenë themelues i Forumit për Mbrojtjen e së Drejtës së Kineastëve Shqiptarë (2003) dhe e drejtoi atë për disa vjet. Forumi vuri disi rregull me filmat e Kinostudios, që edhe pse prodhim i një kinematografie të realizmit socialist, piratoheshin dhe shfaqeshin pa përjashtim nga të gjitha ekranet e televizioneve private, me pretendimin absurd se është pronë e shtetit dhe nuk është krijimtari-autor. Gjendja sot nuk është aq kritike sa në vitet 2000 kur TV Klani i bleu nga AlbaFilmi dhe me radhë televizionet e tjera i morën nën dorë. Por problemi mbetet[8]. Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë për mosfunksionim e ligjeve “Për kinematografinë” dhe “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të cilat garantojnë që, për çfarëdo produkti kinematografik, një përqindje e çdo fitimi të derdhet në arkën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK-ja është e ngarkuar ligjërisht të administrojë fondin e prodhimit shtetëror të periudhës 1952-1991), e Arkivit të Filmit dhe autorit, për më tepër kur tregu është zgjeruar me rikonfigurimin e hapësirës shqipfolëse dhe numrin në rritje të televizioneve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Milkani, veteran i Kinostudios, sonte është fjalëpak. Ai thotë se ky është vendi ku “është regjistruar historia, jeta, tradita jonë”. Përshëndet ambasadorin kinez të pranishëm në festë dhe kujton se “në Kinë janë popullorë edhe sot 28 filma shqiptarë”. Popullaritetin në Kinë, gjatë Revolucionit Kulturor, të filmave të Gjikës, Hakanit, Milkanit, Fejzos, faktin që Mevlan Shanaj ishte më popullor sesa Robert de Niro, nuk harrojnë ta përmendin edhe ata pak studiues të huaj të kinemasë shqiptare [9].

Para se të lërë mikrofonin, ministres Margariti i mbetet të thotë: “Kjo shtëpi meriton t’u transmetojë emocione edhe atyre që na ndjekin nga ballkonet e pallateve përballë. Por ne do t’ia rikthejmë komunitetit.”

“Ne do t’ia rikthejmë komunitetit” ndryshe lexohet: nga sot, Kinostudioja nuk ekziston më.

 

Copëtimi i “Shqipërisë së Re”

Kompleksi monumental i Kinostudios është për Shqipërinë objekt i rrallë arkitekturor e inxhinierik i shekullit të njëzetë. Më 25 shkurt 2021, Ministria e Kulturës, shpalli “Parkun e Artit”, projektin 1 milion euro, që ndryshon peizazhin dhe funksionet e disa hapësirave. Ndërhyrja cenon identitetin e asaj pjese që ka mbetur nga Kinostudioja dhe shënon fundin e një procesi gati 30-vjeçar për copëtimin e pasurisë publike e shtrirë në 80.000 m2, nga bizneset private me vendimin e qeverive të majta e të djathta.

Çfarë ka ndodhur[10]?

1991: Kinostudioja bëhet AlbaFilm sh.p.k, shoqëri tregtare me funksionin e servisit për prodhim audiovizual. Shteti ruan 100% të aksioneve.

1998: Ministria e Kulturës i jep me qira ambiente të studios së zërit kompanisë “2K Group” drejtuar nga Koço Kokëdhima. Projekti për investimin e Kokëdhimës kundërshtohet nga kineastët[11].

2004: AlbaFilmi shndërrohet në shoqëri aksionare. Shteti ruan 51% të aksioneve dhe 49% i nxjerr në ankand. Kapitali fillestar i shoqërisë është 991 532 000 lekë.

2005: Qeveria “Nano”, shoqërisë “Orafilm” sh.p.k. drejtuar nga Kujtim Çashku i jep në përdorim, pa
shpërblim, për 10 vjet, një mjedis me sipërfaqe 200 m2, në godinën e repartit të zërit. Por shkolla përfiton ndërkohë edhe hapësirën e oborrit e të lulishtes me sipërfaqe në total 2.924 m2 [12].

2007: AlbaFilm ka xhiro vjetore 14 264 964 lekë. Në vazhdim të qeverisjes “Berisha” xhiroja varion: 2008 – 29 330 574 lekë; 2009 – 56 882 692 lekë; 2013 – 68 061 487 lekë (sa për të përmendur disa vite);

2008: qeveria “Berisha” i jep me qira, pa konkurrim, “Top Channel” sh.a., ish-laboratorin e filmit, me sipërfaqe 4918 m2, nga të cilat 1402 m2 nën objekt me çmim 500 lekë/ m2 për sipërfaqen nën objekt dhe 100 lekë/ m2 për sipërfaqen funksionale.

2013: Bashkia e Tiranës i merr Albafilmit rreth 7000 m2 truall.

2013-2014: Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se shoqërisë AlbaFilm i është shkaktuar dëmi ekonomik 25ml lekë. Tre drejtues kallëzohen penalisht[13].

2014: një vit pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, korpusi qendror i ish-Kinostudios i kalon Ministrisë së Kulturës, bashkë me godinën 4-katëshe, magazina e kostumografisë.
Xhiroja vjetore e AlbaFilmit në këto vite është: viti 2014 – 42 614 812 lekë; 2015 – 30 478 824 lekë; 2016 – 27 748 096 lekë; 2017 – 28 084 401 lekë[14].
Fletorja Zyrtare e korrikut 2014, boton planimetrinë e ish-Kinostudios me sipërfaqet e bizneseve, ku dallohen qartë parcelat dominuar nga privatët.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

2016: Qeveria vendos ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të AlbaFilmit nga Ministria e Kulturës te Ministria e Arsimit dhe Sportit: të pasurisë së paluajtshme me emërtimin “lulishte” me sipërfaqe 2000 m2 truall (ish-Kinostudio); të pasurisë së paluajtshme me sipërfaqe 1906.5 m2 truall dhe sipërfaqe 1575.1 m2 objekt (ish-Kinostudio)
Po këtë vit, qeveria vendos kalimin e ish-laboratorit të filmit, me sipërfaqe 4918 m2, nga Albafilm sh.a. te Ministria e Kulturës duke revokuar vendimin e vitit 2008 të qeverisë “Berisha”[15]. Për AlbaFilm Studion firmos drejtori Buron Kaceli (piktor, me disa funksione politike në vite).

2017: Qeveria “Rama” vendos që ajo vetë, Këshilli i Ministrave, të jetë bashkëthemeluese me shtëpinë kinematografike “Orafilm” e fondacionit “Kinostudio”. Fondacionit i jepet: “pasuria e paluajtshme me emërtimin “Lulishte”, me sipërfaqe 2000 m2 truall (ish-Kinostudio);  pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 1906.5 m2 truall dhe sipërfaqe 1575.1 m2 objekt (ish-Kinostudio)”. Vendimi nënshkruhet nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi[16].

Vini re sesi qeveria bën në fillim transferim të administrimit të këtyre sipërfaqeve nga Ministria e Kulturës tek e Arsimit, për t’i hapur rrugën kalimit të pronës tek Akademia “Marubi”.

2018: Qeveria kalon nën administrim, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Bashkia Tiranë, truallin me sipërfaqe 909.5 m², pjesë e pasurisë shtetërore të AlbaFilmit.

Po këtë vit, Këshilli Kombëtar i Territorit i jep leje ndërtimi shoqërisë “Media 66” sh.a. drejtuar nga Aleksandër Frangaj, për objektin: “Studio televizive dhe zyra 5-3 kate dhe 1 kat nëntokë”.

2019: Qeveria vendos që Qendrës Kombëtare të Kinematografisë t’i shtohet fondi 10 500 000 lekë, në formën e grantit për Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit! Qeveria i jep një akademie private tokë dhe para (prek fondin rezervë të buxhetit të shtetit!). Prej vitit 2019, QKK-ja shtrëngohet t’i japë “Marubit” një vlerë që po ta krahasojmë, është baraz me një vit buxhet që Teatri Kombëtar merr për projekte.

9 shtator 2020: qeveria vendos transferimin e pronësisë së 100% të aksioneve të shoqërisë AlbaFilm nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Ministria e Kulturës. Vendimi nënshkruhet nga zëvendëskryeministri Erion Braçe[17]. Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte zgjatur kontratat 20-vjeçare me subjektet qiramarrëse deri në mars 2022.

Ky vendim është më i qartë sot. Ç’ishte për t’u privatizuar është privatizuar ose ka hyrë në procesin e privatizimit të plotë. AlbaFilmi nuk ka më tokë për të dhënë me qira, nuk ka më për të arkëtuar të ardhura për buxhetin e shtetit. Nuk i duhet më shtetit. Ekziston formalisht si shoqëri me të drejta të kufizuara, veç si rojë e makinave të vjetra dhe kostumeve, çfarë ka mbetur nga Kinostudioja. Madje, as administrator nuk ka në momentin që flasim.

Shkurt 2021: Ministria e Kulturës shpall projektin “The Interreg IPA Project 3C cross-border exchange for the development of cultural and creative industries” në bashkëpunim me Italinë dhe Malin e Zi. Është Parku i Artit, një plan zhvillimi afatgjatë për kompleksin “Ish-Kinostudio Shqipëria e Re”, i planifikuar të fillojë në vitin 2022[18]. Sipas këtij plani: krijohet Rezidenca e Artit aty ku kanë qenë dy kinematë e vjetra të Kinostudios, në katin e parë të korpusit kryesor (e përdorur nga 2K Group). Rezidenca parashikon kuzhinë, dhomë fjetjeje, holl e çfarë i duhet një hapësire për të bujtur (një Ministri Kulture dhe një dhomë gjumi mur më mur. Në Shqipëri ndodh). Në parkun që shtrihet deri në kufijtë e jashtëm “të zaptuar” do të hapen rrugë për këmbësorët dhe biçikletat. Pra, hiqet rrethimi me mur dhe kangjella (rrethimi historik) dhe nuk ka më kufij mes rrugës automobilistike “Aleksandër Moisiu” dhe kompleksit. Oborri kthehet në hangar arti me instalacione, tenda, pavijone që artistët mund t’i marrin me qira.

6 qershor 2022: Ministria e Kulturës njofton fazën e dytë të Parkut të Artit. Vlera e përafërt e kontratës është: 155 008 461 lekë pa TVSH. Burimi i financimit: Buxheti i Shtetit.

Studioja e zgjedhur projektuese dhe zbatuese është “iRi” me përfaqësues Gentian Agollin; me arkitekt belgun Johan Anrys, restaurator Daniel Gjonin; inxhinier ndërtimi Piro Kokalari[19].

Gentian Agollin dhe studiot e tij i gjejmë ndër të tjera në projektet për sheshin “Skënderbe”, për rikualifikimin e sheshit të Flamurit në Vlorë, për rehabilitimin e Bulevardit “Zogu I”, për rikonstruksionin e Piramidës, për rikonstruksionin e aneksit të Bibliotekës së vjetër Kombëtare. Në stilin e punës së kësaj studioje në hapësirat publike është karakteristikë përdorimi i disa elementeve të “dizajnit”: panele, sfera e konstruksione metalike e betoni, stola me beton parafabrikat, karrige metalike të lëvizshme (shih rrotull sheshit “Skënderbe”, kafe “Florës”, korsitë e biçikletave, Bulevardin “Zogu I”), që janë në fakt, elemente të mbingarkuara mbushëse të hapësirës. Pjesë e “dizajnit” është edhe dekorimi gjelbërues me pemë, shkurre të vogla, bimë të egra, bimë shumëvjeçare dhe mbjellja me bar me hidrombjellje. Në projektin Parku i Artit bimët prezantohen me gjithë emrat e tyre latinë: Quercus Ilex, Pinus Pinea, Populus Alba etj..

Ju kujtohet parada botanike në Bulevardin e Ri, ai që i zuri vendin Stacionit të Trenit dhe Tirana u kthye në metropolin evropian pa transport publik hekurudhor?

Fuqia e shtetit paralel të monopoleve të ndërtimit dhe medias në Shqipëri shfaqet në formë të brishtë e të pafajshme te bimët dhe lulet.

 

Në vend të kinemasë, fshati mediatik

Në pak kohë nga rënia e regjimit komunist, ndodhën firmat piramidale dhe nëntëdhjetëeshtata. Shqipëria demokratike nuk po lindte. AlbaFilmi nuk arriti t’i inkorporojë shtëpitë filmike që janë baza e prodhimit kinematografik, ashtu siç ndodhi me studiot shtetërore të filmit në Rumani apo Bullgari. Megjithatë, në raportet e kineastëve për këtë kohë thuhet se “Shqipëria, për nga bashkëprodhimi filmik me të huaj, zë vendin e parë në Ballkan, por dhe më gjerë”. Këto prodhime njohën arritje në festivale ndërkombëtare, disa të kategorisë A: “Nekrologji” i Fatmir Koçit (1993), i realizuar tërësisht nga AlbaFilm Studio, fiton Çmim Special në Montreal World Film Festival (1996). Gjergj Xhuvani me “E diela e fundit” (1993) merr Çmimin Special të Jurisë në Festival International du Cinéma Méditeranéen de Montpélier. “Zemra e nënës” e Besnik Bishës (1994) merr Trofe Argjendi në Salerno International Film Festival. Kujtim Çashku me “Kolonel Bunker” (1996), përfaqësoi për herë të parë Shqipërinë për Oscar në 1997, pasi kishte marrë Çmimin e UNESCO-s në Festivalin e Venecias. Artan Minarolli dhe Petrit Ruka me “Plumbi prej plasteline” vlerësohet me President’s Award në Karlovy Vary International Film Festival (1997). Për të ardhur në vitin 2001 kur “Slogans” i Xhuvanit merr pjesë në Quinzaine des Réalisateurs (përzgjedhje paralele me Festivalin e Kanës) dhe “Tirana, viti zero” i Koçit fiton “Aleksandrin e Artë” në Thessaloniki Film Festival. Këta filma u shfaqën në sallat komerciale dhe televizionet e disa vendeve perëndimore. Ishte një brez kineastësh, shumica e të cilëve e fituan zanatin si autodidaktë në Kinostudio, që dukej se kërkonte një shprehje estetike tërësisht të ndryshme nga ajo e kinemasë nën komunizëm. Por ky ritëm ngeci. Me pak fjalë mund të thuhet se, një nga arsyet ishte korrupsioni në mesin e kineastëve krijues, vendimmarrës, administrues të fondeve për kinemanë. Korrupsioni nuk është vetëm financiar. Korrupsion janë marrëveshjet e pandershme, kompromiset, që në thelb cenojnë lirinë dhe pavarësinë krijuese. Arsye është mungesa e kritikës, ajo që duhet të zbulojë marrëdhëniet e kinemasë me realitetin, përputhjen e së vërtetës në jetë me të vërtetën fiksionale, po edhe ajo lloj kritike që denoncon korrupsionin. Arsye tjetër është që kinematografia bashkëkohore nuk u ballafaqua me publikun shqiptar në sallat e kinemave. Shkruan Gëzim Qëndro: “Klasa e sotme politike, ndryshe nga Lenini, parapëlqen televizionin në vend të kinemasë, sepse potenciali i televizionit për të përcjellë kumte politike, për të manipuluar zgjedhësit, për të pasur gjatë gjithë kohës vëmendjen e publikut e tejkalon dukshëm potencialin e dokumentarit filmik. Dhe, njëlloj si Stalini, ata do të thoshin se televizioni “është një iluzion, që i dikton realitetit ligjet e tij”.”[20] Kjo tezë qëndron pjesërisht për rastin shqiptar. Fshati mediatik e zuri vendin e kinemasë, jo vetëm ngaqë media po hynte në një epokë historike zhvillimi, por edhe sepse vendin e kinemasë e gjeti bosh.

Midis viteve 1991-2001 mbyllen një sërë kinemash. Truallit i del pronari, nuk ndiqen politika fiskale lehtësuese nga qeveritë me ministra kulture njerëz të kulturës (Dhimitër Anagnosti, Teodor Laço, Arta Dade, Edi Rama). Rama aplikoi në 5 qytete të vendit projektin e rrjetit të kinemave Millenium, projekt monopol për llojin e kinemasë komerciale që sot ka dështuar. Shqipëria, vend me 110 vjet histori projeksioni filmik, duhej të kishte sot 1 kinema për çdo 40 mijë banorë, sipas standardeve për një vend europian.

Kështu, ka kinema të vendeve të vogla (si ajo kroate, sllovene) të cilat janë popullore në vendet e tyre dhe pa ndonjë sukses të spikatur jashtë; ka kinema (si ajo rumune) që nuk kanë sukses në vend, por mjaft e vlerësuar në skenën ndërkombëtare (filmat e Cristian Mungiut që futen për çdo herë në Kanë, me zor kapin 10 mijë shikues për një popullatë 19 milionë banorë. Madje Mungiu, kur u bë pjesë e komisionit të Qendrës Kinematografike Rumune, pati guximin të denoncojë publikisht mënyrën si ndaheshin projektet[21] ); siç ka kinema si e Shqipërisë që nuk ka as njërën dhe as tjetrën.

Në statusin e kompanive mediatike që kanë përdorur ose privatizuar territore nga Kinostudioja, thuhet se kanë për qëllim ngritjen e kanaleve televizive, e studiove audiovizive, e prodhimit të spektakleve, por rendisin aty edhe prodhimin kinematografik, e mundësisht edhe ndonjë shkollë filmi (nga statusi i 2K Group apo Yldon Media Group drejtuar nga Ylli Ndroqi). Edhe pse parashikohet në ligjin “Për kinematografinë”, asnjë televizion privat nuk hyn në marrëdhënie prodhimi apo bashkëprodhimi me producentët shqiptarë. Përjashtim bën Televizioni Publik Shqiptar.

Është e kuptueshme që modeli i kompanive mediatike të kishte qëllim komercializimin e prodhimit të lajmeve, e prodhimit televiziv në tërësi, por jo në këtë masë. Televizionet krijuan vende për krah të lirë pune në shërbim të më të fortëve.

Po të kalosh pasditeve në lagjen pas Kinostudios, nga ana e portave hyrëse për në TV Klan e Ora News TV, ndesh familjarë, gjyshër, fëmijë, ambulatorë kokoshkash dhe misrash të pjekur. Është një lulishte publike e zhveshur nga bari dhe pemët, por gjithsesi darkave është freskët. Po të ishte sezon televiziv, në këtë zonë do t’i shihje këta njerëz grupe-grupe, gati për të hyrë në studiot televizive si figurantë duartrokitës.

 

Anekdota e resë së Anagnostit

-Që ta kuptosh, do të të tregoj tani si punonte regjisori më i mirë i Kinostudios.

Piktori mbështet bërrylat mbi tavolinë që anekdota t’i qëndrojë mirë muhabetit. Janë një grup punonjësish të vjetër të Kinostudios, piktor filmi, kimist, elektricist, butaforist, piroteknik, që kanë zënë një cep në festën e “70-vjetorit”.

-Dhimitri xhironte “Përrallë nga e kaluara”. Pas Gjirokastrës, erdhëm të xhirojmë skenat në interier në atelierin e Kinostudios ku sot bëhet “Opinioni” i Fevziut. Dhimitri ndodhej, ja, pak më tej, në oborr, me atë thuprën e tij në dorë që e bënte nyje-nyje me një biçak. Priste renë të kalonte.

Vangjush Zallëmi, drejtor i Kinostudios, i thotë: “Dëgjo, se nuk kemi kohë”. Dhe Dhimitri i përgjigjet qetësisht: “Dëgjo. Unë kam detyrë para Partisë të bëj film të mirë. Ti ke për detyrë të plotësosh normën, të bësh 8 filma. Si e zgjidh ti, punë për ty.” Dhe vazhdoi të priste renë të kalonte. Por ama kur bëri “Gjolekën, biri i Abazit”, nuk e priste dot më renë. Producenti i huaj numëronte ditët.

-E, në fakt, “Gjolekës…” nuk është se i mungojnë retë dhe çfarë resh, se.

-Jo, dua të them që, vërtet artistët ishin ndihmës të Partisë së Punës në edukimin komunist të masave, por kishin kohë dhe mundësi të bënin më të mirën.

-Po, Anagnosti ka shkruar për këtë: “Unë ndihmësi i Partisë në edukimin komunist të masave”. Sot nuk ka ardhur…

-Mirë ka bërë.

-Po ti pse je këtu?

-Të festojmë kujtimet.

-Kujtime si kjo me re? Dhe Kinostudio, ekziston?

-Shteti e rrëmbeu Kinostudion – ndërhyn një teknik i vjetër. E shiti pjesë-pjesë.

-Është vrasje në grup, – thotë një tjetër.

Zëri i spikerit të galës njofton të pranishmit: “Para se të ikni, ministrja ju dhuron një kujtim në emër të Kinostudios.” Njerëzit janë në të ikur. Disa nëpunës të Ministrisë iu ngatërrohen nëpër këmbë dhe u lënë në dorë “çmimin e mirënjohjes”.

 

Epilog

Mbrëmjeve i bie ndonjëherë qark Kinostudios, kaloj përmes saj në allée-n që e lidh me televizionet private. Sonte më vjen të rri aty ku trungu i një peme është ndarë më dysh nga koha. Pema është e lartë aq sa kurorat e secilit degëzim bashkohen dhe bëjnë një kurorë më të madhe. Ndjek gjurmët që dita ia lë natës. Nga dritaret duken redaksitë brenda të zbrazura, kompjuterët. Një hije te shkallët jashtë me pikën e kuqe të cigares. Nuk duket dritë celulari, as flashi ritmik i ekraneve televizive. Nuk dëgjohet zë spikeri. Rojat e sigurisë nuk janë në kabina.

U jap këmbëve për të dalë në rrugën “Aleksandër Moisiu” (ky emër nuk u bë dot popullor në këtë zonë). Para se të lë Kinostudion, më vjen mirë t’i hedh një sy autoportretit të Dalí-së si Xhokonda dhe bëj një verifikim të fundit të pllakës “AlbaFilm sh.a”. Është aty që nga koha kur AlbaFilmi ishte në varësi të një ministrie që quhej e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Kohë e largët, kur entuziazmin për atë që i priste, shqiptarët e kishin më të fortë sesa nostalgjinë për social-komunizmin. Progresin dhe kapitalizmin e kishin të dëgjuar me vesh dhe ashtu e aplikuan.

© 2022 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

 


[1] Gëzim Qendro, Kinostudioja “Shqipëria e vjetër” – ose Aventura seminale e gjurmës, Onufri, 2016.
[2] Citimet janë ruajtur ashtu si folësit janë shprehur.
[3] Nga fjala e ministres Margariti në botimin “In our home” që shoqëron prezantimin e pavijonit shqiptar në Bienale.
[4] https://kultura.gov.al/vizite-ne-varshave-poloni/
[5] “Shoqëria e Kinemasë” e Julian Bejkos, i cili vjen nga shkencat sociologjike, është shembull shkencor i një individi në studimet mbi kinemanë shqiptare, apo teza e diplomës së Eriola Fiores “Storia di un’assenza. La figura del Padre nel cinema Albanese dal 1979 ai giorni nostri”.
[6] “Çfarë do të ishin pa ju këta timonierë të zellshëm të mendimit dhe sjelljes demokratike? Kush do të ishte sot vetë Sali Berisha sikur ju të mos e kishit marrë për dore qysh në fëmini e të mos ia kishit stërvitur zemrën në betejat tuaja pa kompromis për triumfin e Njeriut të Ri… Dëshmitarë të një jete që shkoi, që nuk do të harrohet falë këtyre personazheve të filmave të realizmit socialist…, dëshmitarë të një arti të vdekur…”. “Pinoku, mbreti i të varfërve”, Edi Rama në bashkautorësi me Ardian Klosin, 1994-1995, botuar pjesërisht në “Përpjekja” 7, 1996.
[7]“…aktorët e paguar nga shteti për të argëtuar e farkëtuar ushtarët e vet… Sidoqoftë, rolet e Ndrek Lucës ngjajnë sot e gjithë ditën si shkëlqimet xixëlluese mbi atë mushamanë e zezë në anijen e një kohe të vdekur. Dhe tamam sot, në përvjetorin e lindjes e kujtoj si një nga heronjtë e përrallave të fëmijërisë.” Nga rubrika “Të paharrueshëm” në facebook-un e kryeministrit, 3 shtator 2020.
[8] Keqpërdorimi i filmave, marrja e fragmenteve, nxjerrja nga konteksti, mbetet po aq problem. Një rubrikë satirike e përjavshme në një televizion privat, vendoste përballë gafat e politikës në parlament me skenat e batutave nga filmat e Kinostudios. Emisioni ishte me zero kosto, kishte sukses dhe konfirmonte kinemanë e asaj epoke si vlerë e pakohë që i rri një Shqipërie e ngecur në vend.
[9] Bruce Williams, “Red Shift. New Albanian Cinema and its Dialogue with the Old”, në  “A Companion to Eastern European Cinemas”, edited by Anikó Imre, Wiley-Blackwell, 2012.
[10] Do ishte e pamundur të sigurohej një dokumentacion i plotë për procesin e dhënies me qira dhe më pas të privatizimit të AlbaFilm Studios. Dhe ky aspekt nuk qëllim në vetvete i këtij shkrimi. Po sjell ato të dhëna që provohen. Vendimet e qeverisë i kam zbardhur nga kopjet fizike të “Fletores Zyrtare”. Edhe me kaq shembuj, bëhet e qartë për lexuesin rruga e ndjekur nga qeveritë.
[11] https://www.youtube.com/watch?v=USJqHftJBkI. Shih edhe letrën publike të K.Kokëdhimës: http://shekulli.com.al/53946/
[12] Shih deklaratën e ministrit të Kulturës, Ylli Pango: https://www.youtube.com/watch?v=F0qrHueT0ug&t=4s
[13] https://panel.klsh.org.al/storage/phpwbXvJw.pdf. Ky është i vetmi raport i KLSH-së për Kinostudion i bërë publik. Aty thuhet se: kapitali i shoqërisë është zvogëluar për sipërfaqen totale prej 23.279 m², në vlerën prej 503,780 mijë lekë, dhe për vitin 2014 për sipërfaqen 20,941 m² në vlerën prej 463,502 mijë lekë, nëpërmjet shitjes së pronës shtetërore; nuk janë respektuar procedurat ligjore në nënshkrimin e kontratave të dhënies së ambienteve me qira subjekteve private, duke i favorizuar në çmimin për m2; janë zhdukur arkivat e Lidhjes së Shkrimtarëve; nuk është kryer prej vitesh inventari fizik i filmave që ruheshin në kushte të papërshtatshme. Ndonëse në bilanc vlera e bobinave të filmit figuronte në 574 488 052 lekë, nuk dihej me saktësi numri dhe lloji i bobinave.
[14] Sipas analizës së Open Data Albania, për vitet 1993-2014, AlbaFilmi hyn te shoqëritë aksionare si Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, Albpetrol, Hekurudha Shqiptare, Albtelecom, që kanë një numër të lartë të zvogëlimit të kapitalit, për shkak të ristrukturimeve që u bëhen këtyre institucioneve.
[15] Buxhetit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i shtohet fondi prej 38 725 768 lekë, për rregullimin e pasojave nga zgjidhja e kontratës së qirasë me subjektin “Top Channel” sh.a.. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë (!) i Këshillit të Ministrave.
[16] Në shkurt 2018, e ftuar në emisionin tim “Arkapia” në Ora News, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro thotë se nuk ka dijeni për Fondacionin “Kinostudio”. Por Kumbaro, përveçse në qeveri, ishte në komisionin e marrëveshjes që u nënshkrua më 3 maj 2018 mes “Marubit”, ministres së Arsimit Nikolla dhe kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka.
[17] Në mars 2020, e pyes ministren e Kulturës Elva Margariti, e ftuar në emisionin “Artes” në Televizionin Shqiptar: Për çfarë qëllimesh ndodhi ndryshimi i varësisë së administrimit të AlbaFilm sh.a, nga Ministria e Ekonomisë te Ministria e Kulturës?; Pas kësaj, do ta bëjë Ministria e Kulturës administrimin financiar të territoreve me qira, servisin e AlbaFilmit dhe ruajtjen e asaj pak trashëgimie që ka mbetur nga Kinostudioja?; Me çfarë kapitali po e merr në dorë Ministria e Kulturës AlbaFilmin? Ka një bilanc ekonomik të shoqërisë, të vlerave të saj materiale, të të ardhurave dhe detyrimeve që i kanë ndërmarrjet e tjera? Asnjëra nga pyetjet nuk mori përgjigje.
[18] Deklaratat në vijim, burim nga terreni, janë nga prezantimi i projektit në oborrin e Kinostudios më 25 shkurt 2021. E kam zbardhur dhe po e prezantoj këtu, sepse nuk ekziston në këtë formë në njoftimet e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës dhe sepse pas gjuhës propagandë, kuptohet ndërhyrja në kompleks.

Elva Margariti: Parku i Artit, kemi pasur jo pak takime për këtë projekt ku keni qenë prezent. Ky është një projekt me fondet e Bashkimit Evropian, si një projekt ndërkufitar, në bashkëpunim me Malin e Zi dhe me Italinë. Me të njëjtën filozofi, si për zonat e tjera të prekura nga tërmeti, filluam të shohim modelin e zhvillimit, jo të bënim një restaurim të thjeshtë, por ky projekt ishte një potencial shumë i mirë për të kthyer vëmendjen në gjithë këtë periferi. E kemi parë si një qendër afër qendrës, falë edhe një projekti madhor të Bashkisë, e gjithë masterplanit më të gjerë, që nuk është vetëm Parku i Artit, por i të gjithë zonës rreth e përqark dhe mbi të gjitha lidhja me qendrën që do ta bëjë vërtet një pol të ri kulturor. Kjo do të ishte një nga lagjet e para post-tërmetit që do të kishte në fokus kulturën. Ishte një ngrehinë e lënë në mëshirë të fatit për të hyrë në rrugën pa kthim.

Një krah i pasëm ku do ndërhyhet për t’ua dhënë totalisht artistëve. Ka qenë një punë e gjatë si me studiot projektuese edhe me artistët e pavarur, të cilët kanë kontribuar me idetë dhe funksionet që duhet të kryejë kjo godinë.

Muzeu i filmit është sfida pasi të kemi filluar Parkun e Artit.

Parku i Artit, një park për komunitetin. Patjetër do të kemi një dialogim me të gjithë ndërhyrjen e infrastrukturës së re rreth e rrotull. Duam të shohim ca godina pa gardhe. Dhe ky komunitet nuk duhet të mendojë që jeton në një zonë rezidenciale, jeton në një zonë që krijon hapësirë kulture, po pse jo edhe hapësira punësimi. Ne do të krijojmë hapësira për industritë krijuese.

Sot ne kemi përfunduar projektin e zbatimit, i detajuar sipas kërkesave të Bashkimit Europian. Është një fond konsistent prej 1 milion euro që është një fazë fillestare. E kemi ndarë në tre lote, atë të sistemimit të parkut, të restaurimit të godinës dhe infrastruktura. Ne jemi besimtarë që do të kemi prurje të tjera, për të krijuar një magnet të ri kulturor.

Erion Veliaj: Jam krenar për Elvën, skuadrën e Ministrisë së Kulturës dhe skuadrën e arkitektëve që ka punuar. Me disa prej jush kemi qenë pjesë e skuadrave të përbashkëta për sheshin “Skënderbe”, Piramidën, kështu që unë ëndrrën e kam parë në krahasim me disa të tjerë që ëndrrën duhet ta dëgjojnë e ta imagjinojnë dhe e di ekzaktësisht si do përfundojë kjo punë. Do përfundojë si një histori suksesi, sepse është bashkuar gjithë kimia e mirë, gjithë energjia e mirë dhe gjithë dashuria për këtë vend. Ama e di, se deri sa të mbërrijmë tek ëndrra, do kalojmë edhe disa etapa të tjera, etapa e cinizmit, me gjasë do jetë ndonjë shkulmë histerie si tipikisht i shoqëron transformimet, pastaj kur ndryshimi të vijë, do t’i harrojmë gjithë këto gjërat e tjera dhe do t’i gëzohemi gjësë së re që ka lindur. Ky është një film që tashmë e kemi parë dhe ju uroj kurajo që t’i shkoni deri në fund ëndrrës, pavarësisht debateve dhe provokimeve që nuk do mungojnë.

Ajo shprehja e Çërçillit që ne iu japim formë ndërtesave dhe qytetit pastaj ndërtesat e qytetit na japin formë ne, do të thotë që ne jemi në fazën në Shqipëri që ne duhet t’i japim formë kësaj hapësire, me shpresë që siç ndodh në Venecia, siç ndodh në Arsenale, ato ish-kazerma, ish-kapanone, ish-depo, disa herë të rrënuara, disa herë vjetërsira, disa herë të zaptuara, edhe pas kurrizit tuaj, janë të gjitha zaptimet në territor, shiten rroba të përdoruara, ndërrohet vaji i makinës, ka veteriner, dikush ka bërë një klub. Do të duhet të bëjmë një paqe, siç po mundohemi të bëjmë, një paqe me natyrën. Edhe themi nuk do presim më pemë, nuk ndërtojmë më buzë liqenit, nuk do kemi kioska te Parku Rinia, nuk do shkojmë te Bregu i Lumit, ashtu duhet të bëjmë një paqe me artin dhe kulturën. Ne nuk do zaptojmë më territore, do duhet të gjejmë një armëpushim sa më jetëgjatë ku çfarë është destinuar hapësirë për art të jetë për kulturë dhe art ekskluzivisht… Ky është vendi më i çmuar i komunitetit të artit që realisht e shoh si ajo ëndrra që mund të kthehet potencialisht në një Arsenale.

Së dyti: është rritur shumë vlera e pronës në Tiranë. Sipas INSTA-it në Tiranë vlera e pronës rritet me 11% në vit. Dikush vetëm duke banuar një shtëpi, i vlen sot shtëpia 50-60% më shumë se ç’i vlente në 2015. Pronari më i madh i tokës në mesjetë ishte kisha, sot është shteti. Kjo do të thotë: a kemi luksin ne që një truall ose një terren në kryeqytet që vlen kaq shumë ta lëmë bosh? Edhe të kthehet i gjithi në një landfill e në një vend ku parkohen vjetërsira apo ku lejohet zaptimi? Kështu që, qoftë edhe nga ana ekonomike është e padobishme mosshfrytëzimi i gjithë kësaj hapësire. Pastaj shfrytëzimi me zgjuarsi, unë besoj se do të rrisë realisht vlerën edhe të pronës, edhe të aseteve të Ministrisë, sigurisht edhe të komunitetit. Jam i sigurtë që ka disa njerëz që thonë: njerëzit s’kanë bukë të hanë, ju merreni me art edhe kulturë. Nëse qytetet, qeveritë apo shtetet do mendonin vetëm për bukën, atëherë kjo do ishte një furrë e madhe buke, unë do të kisha një tjetër furrë të madhe buke ke sheshi “Skënderbej”, dhe ne të gjithë do të ishim bukëpjekës. Por kjo bëhet mbi parimin që njerëzit të jetojnë vetëm nga buka. Po në qoftë se ne besojmë se njerëzit jetojnë realisht edhe nga librat, edhe nga arti, edhe nga kultura, nga opera, edhe nga teatri edhe nga filmi që gjithashtu sigurojnë të ardhura e ekonomi, atëherë ky projekt bën sens. Arti është një vaksinë për shpirtin dhe për të ruajtur mendtë e kokës e për të kuptuar që ka arsye për t’u zgjuar në mëngjes. E gjithë bota nën frymën e populizmit po bëhet një ambient cinik, dyshues, toksik.

Ne si Bashki do marrim përsipër të gjithë ndërhyrjet fizike edhe pastrimin e territorit sipas të gjitha rregullave dhe procedurave, do të hapim për syrin po edhe për lëvizjen e mobilitetin, të gjithë këtë terren të zaptuar.

Do krijohet një rrethrrotullim aty ku pritet Kinostudio me IKPV-në dhe besoj se ky do të jetë vizioni i asaj që ne quajmë Tirana policentrike. Ne jemi rritur me fotot në sheshin “Skënderbej” dhe me foton e Skënderbeut si një lloj GPS-i, një gur kilometrazhi i faktit që kemi lindur dhe jemi rritur në Tiranë, po kjo do duhet të ndryshojë, me një Tiranë që rritet me 25.000-30.000 veta në vit. Nuk e kemi luksin të kemi një qendër. Edhe qendra e Kombinatit ka ndryshuar dhe emrin dhe quhet “KombinArt”. Sot filluam me kontratat e para të familjeve që të do të zhvendosen aty, po ne nuk duam të krijojmë konviktin e radhës. Disa fakultete të arteve kreative do transferohen në Kombinat, kemi planifikuar hapësira për galeri dhe muze, sepse unë besoj fort që do prodhojnë ekonomi. Në një vend ku tekstili mbaroi në 1991, tekstili për shpirtin në 2021, ai stofi që na mbledh të gjithë bashkë me art, me kulturë, me dizajn, me fashion, me industrinë dixhitale do jenë të pranishme në Kombinat. Diçka të ngjashme kemi parashikuar brenda njësisë 4 te Bregu i Lumit, në lagjen e re “5 Maji”. Aty është një tjetër arkitekt i madh. Nëse në Kombinat është Casamonti, në Bregun e Lumit është Stefano Boeri që ka planifikuar.

Për dikë që do të kuptojë vlerën e pronës, të krahasojë sa vlente metri katror kur Stadiumi “Qemal Stafa” ishte rrethuar nga gomisteri e ndërrim vaji e filtra makinash, e sa vlen sot metri katror nga një dizajn i ri e nga një ndërtesë e re. Është e njëjta metaforë që do përdorja për territorin këtu dhe për të gjithë investimet që po bëjmë te “5 Maji” edhe në Kombinat. Unë pres që nga këtu të lindi një përrallë, një fabul, një histori e re.

Më kujtohet kur takova në Bilbao, kryetarin e bashkisë së Bilbaos. Bilbao ishte Elbasani, Elbasani i Spanjës, çeliku i partisë së Spanjës. Në momentin që ajo industri kolapsoi, Bilbao kolapsoi dhe u ringjall nga një muze që Gugenheimi të vendosej aty. “Efekti Bilbao” është një shembull frymëzues.

Ju uroj kurajo intelektuale, se kur dëgjoj sa debat ka për një logo, mendo sa debat do prodhohet… Po ama një finale ku shkruhet historia harrohen cicmicet.

Gentian Agolli: Po ju krijoj fushëpamjen të shikoni projektin… (në ekran projektohet projekti). Fillimisht e kemi marrë këtë si detyrë që të bënim masterplanin e gjithë zonës ku kemi shikuar rrugën automobilistike. Bashkia e Tiranës ka bërë një projekt për këtë rrugë. Kemi renditur gjithë nevojat që ka Parku i Artit bashkëlidhur me trafikun, me lëvizjen e këmbësorëve, e biçikletave. Do të vendoset një rrethrrotullim dhe duke e kthyer zonën e Ministrisë në një shesh që bashkon zonën rezidenciale me anën e parkut, gjë që e kemi bërë me shumë sukses te Bulvardi “Zogu i Parë” dhe Fakulteti i Shkencave. Do bëhet një qendër e rëndësishme për Tiranën dhe do zbatohet ai plani TR30 që të kthehet Tirana me qendra policentrike. Uroj që kjo të jetë e para.

E para gjë që do bëjmë është heqja e rrethimeve. Kinostudio ka shumë rrethim. Ky është bërë që në vitin ‘56. Sot ai tashmë është jashtë mode, nuk lejon që komuniteti të marrë pjesë në këtë park që është aq i bukur. Brenda parkut do jenë rrugët e këmbësorëve por edhe rrugët e biçikletave.

Detyrë tjetër, si të shtojmë sasinë e gjelbërimit, sa më tepër pjesë të gjelbëruara me shkurre, në mënyrë që të ketë një lidhje sinergjike midis rrugës edhe parkut. Dhe e treta ta kthejmë në park për artin. Këtë e kemi bërë duke futur disa objekte. Kemi bërë hangarin e artit është një ngrehinë ku artistët do të kenë një atelier me sharing space, Ministria do krijojë fasilitete që ata ta marrin me qira, shtëpia e luleve, sheshi për ekspozimin e veprave të artit të përkohshme. Dhe pjesa me e rëndësishme është instalacioni i artistit italian Alfredo Pirri që është për Anonio Gramshin.

Krahu ku janë rreth 2200 m2 të kthehet në një qendër të re kulturore për artin dhe artistët.

Është monument kulture me shumë potencial. Në katin përdhe kemi një sallë që restaurohet, në katin e parë dhe të dytë, do të kemi rezidenca artistike për të prodhuar për një kohë idetë e tyre.

Ndërhyrjet në interier: do të jemi të kujdesshëm ndaj dyshemeve, veshjeve të mureve. Salla e kinemasë ose e projektimit, restaurimi i paneleve të drurit dhe tavanit dekorativ që është me vlera të veçanta.

Fasada restaurohet sipas modelit origjinal të këtij monumenti.

Në hapësirat e brendshme kemi laboratore qeramike, laboratorë fotografie…

Pyetje, Elsa Demo, gazetare: Kinostudioja është Monument Kulture i kategorisë së dytë, edhe kompleksi rreth saj dhe peizazhi është i tillë. Çfarë nënkupton arkitekti me “jashtë mode”, kur flet për rrethimin me kangjella të viteve ‘50? Si e justifikoni futjen në Parkun e Artit të elementeve mbushëse, shtuese, instalacione, panele dhe zyra “mbështetëse” që do të jepen me qira? A është ky prioriteti i Ministrisë, ndërhyrja në park dhe fasada, kur trashëgimia filmike pak më tej me Arkivin thërret për ndërhyrje urgjente?

Elva Margariti: Kemi filluar me Ministrinë e Infrastrukturës, me departmanetin retró, inventarizimin e kostumeve dhe për të bërë kartela të posaçme.

Ta bëjmë këtë hapësirë të aksesueshme për të vegjlit, për fëmijët të cilët në momentin që kur dalin nga shtëpitë e tyre nuk kanë një hapësirë të gjelbër. Do t’ua japim fëmijëve, do t’ua japim artistëve, do t’ia japim qendrës së Tiranës. Do të funksionojë si një magnet për punësimin, për komunitetin.

Pyetje nga Vizion Plus TV: Sa studio kanë marrë pjesë në konkurs dhe përse nuk është bërë publike shpallja e konkursit?

Elva Margariti: Është shpallur projekti fitues i cili ka përcaktuar më së miri të gjitha kriteret në termat e referencës, sipas kërkesave të detajuara nga Komuniteti Europian, është një projekt që lind si një projekt IPA, ka një sërë kriteresh dhe analizash si të performancës arkitektonike ashtu dhe ekonomike dhe ky është projekti i cili nuk ka vetëm Parkun e Artit, nuk pa vetëm idenë e rikualifikimit të hapësirave të përbashkëta të përcaktuara ngushtësisht në terma, por që ka shkuar më tej duke bërë analizën më të thellë të masterplanit, që do të thotë një lagje e re zhvillimi. Për ne ka qenë e rëndësishme sepse nuk duhet vetëm të bëjmë arna të vogla por t’i japim sa më tepër frymëmarrje të gjithë komunitetit.

Nuk kam qenë pjesë e seleksionimit, por do t’jua japim patjetër studiot. Studiot thirren sepse është një proces, nuk e di sa i njihni proceset IPA, por edhe për këto do t’ju informojmë.

Pyetje, Valeria Dedaj, gazetare e A1 Report TV: Sa do të shkojë në total ky projekt?

Elva Margariti: Shuma totale nuk mund ta themi, sepse ka elemente që mund të variojnë, sepse ka lidhje me ndërhyrjen. Nëse do do t’i jepnim një vlerë ekonomike muzeut të filmit, vlera do të ishte shumë e përshpejtuar, ashtu siç do të ishte shumë e përshpejtuar po t’i jepnim një vlerë ekonomike në masterplanin e madh, ndërhyrjes për një parking të nëndheshëm. Të gjithë automjetet që shikoni të nëpunësve të Ministrisë së Kulturës do të ishte e udhës të mos alokoheshin mbi tokë, por nën tokë.

Pyetje, Valeria Dedaj: Aktualisht sa hapësira në total ka shteti në përdorim dhe me ato që janë dhënë me qira çfarë do të bëhet?

Elva Margariti: Secila ka kontratat e veta, kanë kriteret e tyre dhe nuk mund t’i përgjithësojmë të gjitha në një emërues të përbashkët.

Pyetje, Valeria Dedaj: Sa është hapësira aktualisht në momentin që flasim?

Elva Margariti: Rreth 16000 m2. 2200 m2 është pjesa e godinës. Falemnderit. Për çdo informacion tjetër, patjetër e dini që dyert janë të hapura.

Erion Veliaj: Me krahë të lehta!

[19] https://www.kultura.gov.al/konkurrimi-publik-me-objekt-parku-i-artit-rivitalizimi-dhe-rikualifikimi-i-territorit-te-ish-kinostudios-shqiperia-e-re-tirane-faza-ii/
[20] Gëzim Qendro, Kinostudioja “SHQIPËRIA E VJETËR” (ose Aventura seminale e gjurmës), Onufri, 2016.
[21] “A Companion to Eastern European Cinemas”, edited by Anikó Imre, Wiley-Blackwell, 2012.

 

Ky reportazh-analizë është pjesë e një cikli mbi aktualitetin kulturor dhe artistik në kryeqytetin shqiptar dhe jo vetëm. Mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autores dhe në asnjë rast nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin