AUTORËT E RINJ KUNDËR VETES

nga Alisa Velaj

Në ditët e para të prillit jam kontaktuar me anë të një telefonate nga QKLL-ja për t’u pyetur në isha dakord për të qenë pjesë e jurisë që do të proçedonte me përzgjedhjen e krijuesve të rinj shqiptarë. Në faqen zyrtare të QKKL-së jepet ky shpjegim për konkursin e shpallur si “Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021”:

Ky fond synon të nxisë dhe të mbështesë financiarisht procesin krijues të autorëve të rinj të letërsisë bashkëkohore shqipe. QKLL-ja do t’u japë përparësi krijuesve të rinj, duke marrë parasysh vështirësitë që hasin për t’u evidentuar dhe promovuar në fushën e letrave. “Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021”, do të vijojë të jetë ndër projektet bazë dhe të përvitshme të QKLL-së.[1]

Jo më larg se në dhjetorin e vitit të shkuar, Juria e Çmimeve Kombëtare për Letërsinë e shpalli vëllimin tim me poezi “Shtjellë reje, shtjellë zjarri” si vëllimin më të mirë poetik të vitit 2019. Marrëdhënia ime me publikimin e poezive nisi mbi 15 vjet më parë, me cikle të botuara në gazetën “Fjala”, ndërsa librin e parë “Themelet e erës” e botova me vetfinancim në shtëpinë botuese “Ideart” në vitin 2007. Libri i parë u botua me një tirazh prej 300 kopjesh dhe u ngarkua prej meje në krahë në një çantë sportive, prej shtëpisë botuese e deri në rrugën ku banoja. Më ishte dashur të paguaja për të 500 mijë lekë të vjetra. Një shumë që e tejkalonte dukshëm rrogën time mujore të asaj kohe. Parathënia e Agron Tufës dhe shkrimi i Arian Lekës për këtë vëllim në gazetën “Tema” ishin mjaft profesionale dhe të përzemërta, por e gjithë kjo nuk do të më ndihmonte dot kurrsesi që për vëllimet e mëvonshme të gjeja një botues zyrtar.

Shpesh pyes veten se çdo të ndodhte me këto poezi nëse nuk do të ishte marrë ky çmim. Një poete si unë që për pak po shkon drejt të dyzetave, si do ta kishte të ardhmen letrare në vendin e saj pa një çmim??? Pyetja nuk lë vend për shumë alternativa. Nuk do të kisha mbërritur dot kurrë tek lexuesi i gjerë. Atëherë lind një tjetër pyetje: a duhet me patjetër të fitosh një çmim për të pasur mundësinë e një botimi zyrtar dhe për të qenë në gjendje të botohesh në gazeta dhe revista të mirënjohura?

Në vendet perëndimore organizohen shpesh konkurse letrare për grupmosha të caktuara, të cilat jo rrallë çojnë dhe në botime zyrtare të fituesve. Në vendin tonë mundësitë mbeten shumë të pakta. Alternativa janë ose çmimet kombëtare, ose çmimet e panaireve. Madje dhe çmimet e panaireve shpesh habisin. Një prozator i mrekullueshëm si Brajan Sukaj, libri i të cilit doli fitues në njërin prej panaireve, është shumë e vështirë të gjendet sot në librari. Për të mos harxhuar kohë me faktin që Panairi i Librit ka shumë kohë që pushtohet nga librat e politikanëve, për reklamimin e të cilave media bëhet copë. Po të larghidhemi në kohë, shohim se Ministria e Kulturës për disa vjet ka dhënë një cmim special për një autor të ri debutues, krahas çmimeve të tjera të përvitshme kombëtare. Një mënyrë të vlerësuari që i ka sjellë letërsisë shqipe, disa emra që më vonë do të provonin se ishin poetë apo shkrimtarë mjaft të mirë. Viteve të fundit çmimet për autorët e rinj u dhanë si një zë më vete nga Ministria e Kulturës. Në këtë kontekst e pranova edhe ftesën për të qenë pjesë e një jurie që do të vendoste për shpalljen fitues të autorëve të rinj. Krahas shumëçkaje tjetër që funksionon keq apo nuk funksionon fare me politikat e librit në vendin tonë, kjo shpallje e një konkursi për autorë të rinj nuk më duket ide jo e mirë. I kthehemi frazës në faqen zyrtare të QKL-së:

QKLL-ja do t’u japë përparësi krijuesve të rinj, duke marrë parasysh vështirësitë që hasin për t’u evidentuar dhe promovuar në fushën e letrave.

Ajo që duhet theksuar është fakti se një krijues i ri është një krijues që premton më shumë se të tjerët e një brezi të caktuar në letërsi, por ky çmim/vlerësim/botim nuk tregon kurrsesi se X apo Y krijues do të jetë me patjetër një personalitet i së nesërmes në fushën e letrave. Për këtë të fundit duhen vite prove, botimesh të tjera dhe vlerësimi përkatës që do të marrë nga lexuesi dhe kritika. Pra çmimi për një vëllim debutues dikur apo çmimi për një libër për autor të ri tani nuk është një provë se me patjetër kemi të bëjmë me një emër të sigurtë në fushën e letrave.

Në këtë kontekst, do të ishte plotësisht e mjaftueshme nga Ministria e Kulturës vlerësimi i një pene vjetore për poezi, prozë apo dramë, pa qenë nevoja të merret inisiativë pas inisiative për të rinj që sot për sot janë premtues, por në të ardhmen mund të jenë thjesht mësues shumë të mirë letërsie, ose edhe lexues të mirë të prurjeve letrare, çka në fund të fundit nuk do të ishte pak…Në vend që t’u krijojmë të rinjve delirin se jeni autorë që i përkisni letërsisë bashkohore shqipe (!!!) thjesht sepse janë pjesë e një antologjie prej 20 poetësh (!!!), është më mirë të zbatohen rreptësisht politika të tjera kulturore, për mbërritjen e letërsisë të mirë te lexuesi. Pikërisht atë lloj letërsie elitare që pikësepari u duhet të lexojnë këtyre poetëve/prozatorëve/dramaturgëve të rinj, për të kuptuar se çfarë janë vetë ata dhe ku kërkojnë të mbërrijnë.

Përndryshe, i gjithë ky revansh që më ka habitur së tepërmi këto ditë, do i përngjiste ngjarjes së mëposhtme, që ndonëse nuk jam e sigurtë sa e përpiktë dhe e vërtetë është, e pasqyron më së miri groteskun e autorëve të rinj që e kanë pushtuar papritmas hapësirën mediatike të QKLL-së Një grup autoresh të mirënjohur rusë shkojnë për një takim me lexues në një fshat të largët. Pasi i pyesin të pranishmit në e njohin Tolstoin, Pushkinin, Turgenievin etj, etj dhe shohin se asnjëri në sallë nuk po reagonte, atëherë njëri prej shkrimtarëve i pyet të pranishmit: “Po atëherë çfarë letërsie lexoni ju zotërinj?”. “Ne nuk lexojmë zotëri, ne shkruajmë. Ne jemi shkrimtarë, jo lexues”, iu përgjigjën pyetjes ata.

 

[1] https://qkll.gov.al/aktivitete/qkll-shpall-fondin-e-krijimtarise-letrare-per-te-rinj-2/

 

Imazhi në kopertinë – “The Writer” nga Giancarlo Neri

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin