SHKRIMTARI NË MAKTH

Një mik, të cilit ia vlerësoj shijen, më rekomandoi një film argjentinas, El Ciudadano Ilustre (2016), që shfaqet tani në Netflix  (The Distinguished Citizen) – rekomandimi i vitit për mua.

I shkruar nga Andrés Duprat, me regjisorë Gastón Duprat dhe Mariano Cohn, filmi ndërtohet rreth aventurës së një shkrimtari të madh argjentinas, Daniel Mantovani (Oscar Martínez), fitues i Nobelit letrar, që ka jetuar në Europë për shumë kohë, por që tani pranon një ftesë për t’u kthyer në Salas, qytetin e tij të lindjes, në provincën argjentinase.

Mantovani, antikonformist dhe kontroversial, i neveritur nga hipokrizia e botës ku tanimë jeton – me një kalendar plot ngjarje, çmime, leksione, intervista, prezantime – shpreson se do të gjejë ndonjë farë shëlbimi, te realiteti gjenuin i qytezës ku ka lindur, dhe që i ka dhënë material për librat e vet me nam.

Parabola klishe e njeriut të suksesshëm, që kthehet në origjinë, për të rigjetur veten.

Në Salas e presin mirë, sikur t’u ketë rënë nga qielli: tek e fundit, është njeriu që e ka vendosur qytezën në hartën e botës.

Por shumë shpejt, madje pa kaluar as 24 orë, Mantovani fillon të përballet me realitetin provincial – ku admirimi i sinqertë, thjeshtësia naive, buka dhe kripa, dhëmbët e rralluar dhe jashtëkohësia rurale maskojnë brutalitet dhe egërsi djallëzore.

Nobelisti që nuk ndihej në elementin e vet, i rrethuar nga ritualet dhe kotësia e triumfit global, fillon ta kuptojë – incident pas incidenti – se ngado që të shkojë, në Salas nuk mund të gjejë veçse armiqësi viscerale.

Dhe nuk janë aq banorët vendës dhe ethosi i tyre i rrëgjuar, për t’u bërë me faj; sa ç’është raporti mes shkrimtarit tashmë i dalë në orbitë planetare, dhe skutës së mjerë që ka lënë pas. Megjithë përpjekjet, Mantovani nuk arrin të komunikojë dot më me të shkuarën e vet.

Siç e konstaton vetë heroi, duke shëtitur rrugëve i filmuar nga telefonat e kalimtarëve, Salas-i nuk ka ndryshuar shumë, siç nuk ka ndryshuar peizazhi; por qytetit sikur i ka humbur shpirti. Shumë nga vendësit i kanë blerë dhe lexuar librat e nobelistit të tyre, për të parë si i ka paraqitur ky në fiksion – dhe kanë mbetur të zhgënjyer.

Tani që Mantovani u ka dalë në shteg, po kërkojnë ta përdorin deri në fund, si alibi të mizerjes së tyre – ose si justifikim të kotësisë.

Shkrimtari i madh rrezikon të përfundojë i sakrifikuar në ceremoninë mistike, ku riprodhohet komuniteti i qytezës.

Filmi është shkruar jashtëzakonisht mirë; aq sa ti, që e sheh, e nis si komedi por pastaj – pa e kuptuar mirë – e vazhdon si dramë, për ta përfunduar si të ishte horror. Çfarë prezantohet në krye si vitrina plot pluhur, një dyqani lodrash të përdorura, në një qoshe të padëmshme të provincës, vjen dhe shndërrohet në teatër të kërcënimit total.

Derisa spektatori të bindet se, e vetmja mënyrë për qytezën Salas që të komunikojë me birin e vet, tashmë gjysmë-perëndi, është që ta hajë për darkë.

Nga një skenë në tjetrën, autorët arrijnë ta bëjnë protagonistin të thotë gjëra shumë të mençura, për kulturën dhe artin – por që vijnë dhe tingëllojnë komike, përballë atij publiku.

E megjithatë, filmi na paraqitet si i rrëfyer, tek e fundit, nga Mantovani vetë; ose produkt i një procesi fiksionalizues. Publikut nuk i ofrohet më “e vërteta”, e filmuar nga kamera përtej, por sërish eksperienca e personazhit kryesor të filmit.

Legjenda e kthimit dhe e shëlbimit që vjen më pas na dekonstruktohet e tëra, në mënyrën më të natyrshme të mundshme. Jo vetëm që Mantovani nuk arrin të gjejë ndonjë farë ngushëllimi duke vizituar të shkuarën e vet, por fillon të dyshojë – dhe bashkë me të edhe ne që e ndjekim – nëse kjo e shkuar ka ekzistuar ndonjëherë vërtet.

Po sikur shkrimtari, protagonist i filmit, të jetë futur, në fakt, botën e vet narrative; dhe Salas-i të mos jetë gjë tjetër, veç makthi i dalë prej veprës së tij?

E rekomandoj fort.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Komente

  1. Me sa e mbaj mend filmi leviz ngadale ne disa interpretime.

    I pari ai qe nuk ka profet ne vend te vet. Shkrimtari vleresohet pikerisht se ai eshte i huaj. Kur kthehet dhe jeton aty per pak kohe transformohet ne vendas ne syte e bashkeqytetasve dhe nga ai cast ai nuk eshte me profet por dikush qe e thith vorbulla provinciale.

    Interpretimi psikoanalitik qe kur dikush te adhuron, fshehtasi deshiron te te shkel me kembe.

    Dhe ne fund pavaresisht se Mantovani e gjen veten ne mes te nje keqkuptimi te madh, ku kerkoi paqen e gjeti lemshinm, paradoksalisht ky lemsh u be shtyse per romanin e tij te ri qe kishte kohe qe nuk vinte. Qyteza i fali shkrimtarit nje ringritje duke dashur ta kafshonte.

  2. Nuk qenkan vetem shqiptaret te cilet kur dikush ngrihet mbi te tjeret perpiqen ta terheqin poshte .Sulmet e piktorit te provinces qe e akuzon per tradheti duke sjelle fragmente nga vepra e tij, jane te ngjashme me sulmet ndaj Kadarese ne Shqiperi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin