KRIPË DHE SHEQER

Të gjithëve na kujtohet Vlora, e ngarkuar dingas me refugjatë, si ndonjë trung i mbuluar me milingona, në rrjedhë të lumit të rrëmbyer – teksa i afrohej bankinës së portit të Barit, në Itali, këtu e 21 vjet më parë, më 8 gusht 1991.

E quanim vapori Vlora atëherë, pa çka se nuk punonte me avull, por ishte krenaria e flotës sonë tregtare, ose anija që çante bllokadën dhe rrethimin imperialist-revizionist, për të çuar anembanë globit eksportet tona…

E paskësha harruar, megjithatë, se Vlora që iu afrua brigjeve të Puglia-s, si ato velierat e dikurshme me ekipazhin të krimbur nga murtaja, lia e zezë, ethet e verdha; mbante ende nën kuvertë dhjetë ton sheqer, blerë nga qeveria shqiptare në Kubë.

Ma riktheu në mendje një lajm që pashë sot te La Repubblica, për një film dokumentar të Daniele Vicari-t që do të shfaqet në Festivalin e Venezia-s; film që përpiqet të rikrijojë pamjet dhe sidomos atmosferën e atyre ditëve të nxehta të gushtit, kur refugjatët i grumbulluan si bagëtinë, dhe njëlloj si bagëtinë i çuan pastaj të lëngonin në stadiumin e Barit, nën zhegun përvëlues të diellit mesdhetar.

Ndonjë prej viktimave të atij udhëtimi, rrëfen sot si, nga etja e padurueshme, kish provuar të pinte deri edhe ujë deti – për t’u ndezur pastaj më keq, deri në jerm. Të rrethuar nga kripa, por me tonelata sheqer në bark të anijes – ky ishte fati emblematik i shqiptarëve që arratiseshin nga llahtaria e gjysmë shekulli komunizëm.

La nave dolce, e ka quajtur filmin e vet Vicari; për shkak të ëndrrës së pasagjerëve të saj të fundit për një dolce vita, në bregun përballë; por edhe për shkak të sheqerit nën kuvertë, që mbeti pa ua ëmbëlsuar dot kafetë dhe bakllavatë shqiptarëve të mbetur në atdhe.

Promovideoja e dokumentarit mund të shihet këtu; dhe, po të kemi parasysh se për atë dramë njerëzore të njëzet vjetëve më parë autoriteteve italiane u janë shpërndarë deri edhe medalje nderi, historia i duhet kujtuar publikut shqiptar më parë e më mirë se atij italian.

Nuk ka komente

  1. PpSh nuk ekzistonte – e kishte zhdukur Enveri me shoket e tij.Edhe thermijat e fundit te prones private ne Shqiperi ishin zhdukur me te ashtuquajturin tufezim.As pula private nuk kishte.Ne kete menyre Enver Hoxha kishte per qellim te shuante ”psikologjine e prones private”.Kam bindjen se me e demshme ishte per mireqenien e qytetareve eliminimi i prones se vogel private se sa te prones se madhe.Fundja, me pak apo me shume e demshme, ska edhe aq rendesi.Padyshim, ishte teper e demshme.Kete me se miri e dine vete qytetaret e Shqiperise qe i kane perjetuar ato kohe.Nese kesaj i shtohet edhe fakti se nuk kishte as liri te levizjes edhe brenda vendit, se mos te flasim per dalje jashte, rezultati eshte ky qe shohim ne keto pamje apokaliptike, ne kohe paqeje.
    Me sa mbaj mend, Ramiz Alia, duke pare pasojat e tufezimit, kishte bere perpjekje te beje ”çtufezimin”. Kjo ishte ”reforma” e tij e pare, qe nuk mund te fshehej se ishte ne kundershtim me ”mesimet” e xhaxhit Enver.Me kujtohet nje fjalim i tij, ne nje vizite diku ne ndonje malesi, kur thoshte: ”jepjani fshatarit dhine(bagetine), pa do shihni se çdo beje ai”. Edhe mosshenimi i pervjetorit te vdekjes se Stalinit, ne vitin 1988, ishte shmangie nga rruga e Enverit, qe nuk mund te fshehej.Kete e bente ndoshta per opinionin e huaj.
    Ndryshimet kozmetike me shume ishin per ta zgjatur qendrimin ne pushtet.
    Sidoçofte Shqiperia u dermua nga totalitarizmi i gjate, dhe ne fund edhe nga ndrrimi i menjehershem i sistemit nga stalinizmi ne pluralizem, pa nje ndermjetkohe pregatitore, sidomos per psikologjine e miletit.
    Duke i rikujtuar edhenjehere keto pamje, dhe duke marre parasysh faktin se sot qytetaret e Shqiperise udhetojne pa viza jashte vendit, mund t’i jap te drejt fjaleve qe mi pat thene njeri nga grupi i vizitoreve nga Shqiperia e Enverit, ne vitin 1979, ”çdo popull perparon, pa marre parasysh se kush çka thote”.
    Por une do te shtoja, nuk eshte çeshtja se a perparon nje popull, por sa perparon ne krahasim me popujt e tjere.

  2. Nuk di pse vendosa ta shoh me contrapasso kete parabolen e anijes se embel mbi uje te kripur, me shqiptaret nen diellin e gushtit qe e ben detin dhe udhetimin te duket statik, me shqiptaret te uritur qe ketej ngulen me goje mbi debore kubane sheqeri, e andej me shqiptaret qe eten pastaj dhe shkojne percellohen me uje te njelmet, qe pastaj kthehen te etur me shume per te ballancuar pehashin me sheqer, pastaj edhe nje here nga fillimi, nga bregu i kripes ne bregun e sheqerit – keshtu deri ne bregun perbri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin