1. Korniza e Teheranit
Kohët e fundit jemi mësuar të lexojmë a shikojmë shpesh lajme mbi Iranin, që në shumicën e rasteve janë ngushtësisht politike. Shpesh ndërthuren aty turbanët e klerikëve iranianë, kërcënimet bërthamore, armiqësia me Amerikën dhe tek-tuk më vonë një alternim midis xhirimeve filmike të ndonjë pallati të bombarduar në Teheran sërish, apo kërcënime ushtarake në distancë me deklarata nga më absurdet nga të dyja palët. Ky vërshim lajmesh politike, ashtu si edhe pozicioni gjeografik, domosdoshmërisht e stereotipizojnë kulturën iraniane, duke e kufizuar imazhin që kemi për të në një vend orientalist e të prapambetur, duke zhvlerësuar përpjekjet jo të pakta artistike që kanë lindur e vazhdojnë të krijohen aty, sidomos në fusha si letërsia apo kinemaja. Duket sikur bota perëndimore ka krijuar tashmë preferencat e veta mainstream, dhe ka pak hapësirë për të përfshirë në sferën e vet vende të tjera përveç vendeve perëndimore dhe vendeve të tjera që marrin rëndësi sipas modës së momentit.
Kineastët iranianë kanë arritur, falë prirjeve dhe prurjeve, të sjellin kontribute të rëndësishme për kinemanë moderne, si edhe një sukses që i thjeshtëzuar do përkthehej në 3 çmime të mëdha të festivalit të Cannes, 2 çmime Oscar dhe nominime të shpeshta në festivale ndërkombëtare të filmit. Statistika të tilla, thjeshtëzuese por të nevojshme, e vendosin kinemanë iraniane karshi vendeve të zhvilluara dhe me traditë kinematografike, si Italia apo Gjermania. Në 1997 ishte Abbas Kiarostami që fitoi Palmën e Artë me “Shija e qershisë” (Taste of Cherry), ndërkohë që vitin e kaluar, në 2025, i takoi Jafar Panahit çmimi me “Ishte thjesht një aksident” (It Was Just an Accident). Ky i fundit ka sfiduar dënime të shkuara në vendin e tij dhe shpesh filmat e tij xhirohen në mënyrë ilegale, për t’i shpëtuar censurës. Emisione TV të ndryshme jashtë Iranit e ftuan Panahin, shpesh për të folur edhe ata për Iranin, për të bashkëndarë diçka lidhur me realitetin e vështirë iranian (jo rrallë nën përgjithësimin: shiko sa keq jetojnë këta të gjorët), më shumë sesa për të ditur detajet filmike, rëndësinë e filmave të tillë apo trashëgiminë tashmë 30-vjeçare të Panahit në kinemanë botërore. Në New York ai intervistohet në Lincoln Center nga publiku i moderuar nga një Martin Scorsese—sa për të ilustruar vëmendjen që i japin “të mëdhenjtë” kinemasë iraniane. Por vëmendja e përgjithshme kinematografike ndaj Iranit duket e rrallë dhe deri diku ekzotike. Rryma e re e kinemasë iraniane e filluar në kapërcyellin midis regjimit të monarkisë iraniane dhe qeverisjes së Ajatollahëve ka shërbyer prej 50 vitesh duke krijuar filma të suksesshëm dhe duke krijuar një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe një mënyrë të re për të bërë filma.[1] Në mes tyre, regjisori Abbas Kiarostami, dhe në mes të filmave të tij dua të veçoj Close-Up (1990) me një nga personazhet e mi të preferuar: Hossain Sabzian.
Rrëfimi filmik i Close-Up e do që Kiarostami të lexojë në gazetë një lajm që tregon për një mashtrues të varfër nga Teherani që ka gënjyer një familje të shtresës së mesme në Teheran. Ai, pasi bisedon rastësisht në një autobus të Teheranit me një zonjë, arrin të gënjejë atë fillimisht (dhe më pas gjithë familjen e saj) duke i bindur që ai është regjisori i famshëm iranian Mohsen Makhmalbaf. Pasi impostori ftohet përzemërsisht nga bashkëbiseduesja në sediljen e autobusit, ai premton që do t’u shkojë për vizitë dhe më vonë u sugjeron gjithashtu xhirimin e një filmi me ata si protagonistë. Pasi ata pranojnë nderin e jashtëzakonshëm (flitej për një kohë kur artistët akoma kishin këto vlerësime!) që një regjisor i atij kalibri të hynte në pragun e shtëpisë së tyre, shpejt ngrihen pyetje mbi autenticitetin e këtij personi. Dyshimet e tyre të vazhdueshme i detyrojnë të kërkojnë duke zbuluar të vërtetën dhe duke ngritur një kurth që policia ta kapë mashtruesin Sabzian. Historia bën bujë, përfundon në gazeta dhe vetë Sabzian në burg. Pasi lexon këtë histori, Kiarostami interesohet dhe arrin të takojë e të bisedojë me Sabzian përpara gjykimit të tij. Ai gjen një person ndryshe nga një mashtrues i rëndomtë, sheh tek Sabzian një rast të veçantë dhe frymëzohet nga ai dhe ngjarja për të xhiruar një dokufilm. Kiarostami arrin të bindë Sabzian dhe familjen Ahankhah, si edhe gjykatësin që të filmojë pjesërisht atë që ndodh në sallën e gjyqit – ashtu si edhe më pas bie dakord me familjarët edhe Sabzian të risjellin në jetë të gjithë takimin dhe historinë e tyre fatkeqe për të bërë një film, me ata vetë si aktorë. Duke nisur nga autobusi e deri në detajet e burgosjes, të gjithë bëhen pjesë e kamerës së Kiarostamit, duke krijuar një vepër unike.
Termi Close-Up shpjegohet si një teknikë filmike që fokusohet nga afër në një subjekt, zakonisht në fytyrën e një personi. Duke përdorur këtë teknikë Kiarostami arrin të afrohet më shumë me personin Sabzian, duke e ndjekur atë në sallën e gjyqit dhe duke e fokusuar nën lentet e kinemasë. Në një çast të dokufilmit, gjendemi në sallën e gjyqit dhe gjykatësi ka përfunduar pyetjet e tij. Regjisori, i cili gjendet i ulur bashkë me kamerën e tij, kërkon të drejtën e tij për të bërë disa pyetje. Kamera e drejtuar te Sabzian, audioja po ashtu.[2] Kur merr të drejtën e fjalës—dhe këtu është Close-Up i vërtetë empatik i filmit—Sabzian flet me qetësi por edhe me dhembshuri për realitetin njerëzor ku ai gjendet. Ai flet për jetën e tij, dhe për arsyet që e kishin çuar drejt mashtrimit. Dhe në vend që të shohim përpara kamerës mashtruesin e radhës, shohim një adhurues, një të fantaksur të varfër pas kinemasë. Ai shprehet plot erudicion mbi regjisorë me nam, citon Dostojevskin. Në sallën e gjyqit tregon sesi kur sheh një film harron përditshmërinë dhe sa thellësi shpirtërore paraqet kinematografia për të. Ai shprehet në mënyrë të qetë por të sinqertë se si filmat dhe arti janë kuptimi dhe thelbi i jetës së tij, sesi është ndjerë kur ka parë një film dhe çfarë pasioni ka për kinemanë, që ai e përjeton si diçka shpirtërore, gati sublime e fetare. Fjalimi i tij dëshmon me sinqeritet vështirësinë dhe me raste edhe pamundësinë e individit për shprehje në shoqërinë moderne, dëshirat dhe ëndrrat për të arritur shumë e që në të vërtetë thjesht prishin punë në sigurinë e një të tashmeje dinjitoze. Ai nuk është i interesuar për paratë, as nuk kishte interes për të fituar diçka nga familja, por “thjesht donte të dinte si ndihej dikush kur ishte i respektuar”. Ai thotë: “Por sa herë që largohesha nga shtëpia e tyre (familjes Ahankhah), kthehesha sërish në veten time të vjetër, madje edhe atë natë kur mora paratë. E kuptoja se isha po ai Sabziani i vjetër, i dëshpëruar për pak para xhepi që të mund të kthehej në atë vend të mallkuar. Dhe sapo të arrinte atje, nuk do të kishte as para për t’i blerë fëmijës së tij një ëmbëlsirë” dhe më tutje: “Një regjisor nuk mund të jetë i varfër. Duhet të ketë para. Nuk mund të jetë aq i pafuqishëm sa të mos mund t’i blejë një ëmbëlsirë fëmijës së tij. Nuk mund të zgjohet në mëngjes dhe të kuptojë se nuk ka as edhe një thërrime për të ushqyer familjen dhe të detyrohet të vrapojë për të gjetur ushqim”.[3] Më vonë shohim edhe nënën e lodhur të Sabzian, që dëshmon për vështirësitë ekonomike të saj dhe të djalit të saj. Nëpërmjet lenteve arrijmë të shkojmë përtej gjykimit, dhe është e vështirë të mos empatizojmë me të akuzuarin. Kalohet nga respekti për një familje të gënjyer ne dhembshurinë për një pamundësi. Dokufilmi shërben kështu si Close-Up filmik i personit Sabzian, midis varfërisë, kulturës dhe realizimit.
Close-Up është një film por edhe një dokumentar në të njëjtën kohë. Kjo formë filmike, ku kufiri mes të vërtetës dhe aktrimit zhduket, krijon një efekt trullosës —shumë revolucionar për vendin e origjinës, por edhe më gjerë për kinemanë botërore. Kineastët iranianë shpesh e merrnin frymëzimin e tyre nga Neo-realizmi italian, Nouvelle-Vague francez apo nga poezia sufi (sidomos në shumëkuptimshmëri, funde të hapura dhe theksin mbi dhembshurinë e humanizmin si mënyrë për të lexuar botën). Rezultati i krijuar nga ky kombinim jep, mendoj unë, rezultatin më të mirë në filma të tillë si Close-Up—personazhe të nisur si antagonistë arrijnë të empatizohen në kufijtë e kornizave filmike. Vetë Kiarostami thotë në një intervistë të tij: “Kam vënë shpesh re se nuk mund të vëmë re atë që kemi përpara, nëse nuk e vendosim brenda një kornize.”[4]—për të shenjuar edhe pozitivizmin e filozofisë së tij. Bashkimi i të gjitha këtyre, në kornizën e një filmi nga lindja, më gjeti të papërgatitur kur e pashë për herë të parë Close-Up. Regjisori kishte arritur të tregohej jashtëzakonisht ambicioz, por pa humbur tabanin e traditës së tij.
Dhe këtu vjen fama ndërkombëtare e Kiarostamit (ashtu si edhe një famë jo e vogël e Sabzian[5]). Dokufilmi pëlqehet nga të gjithë, të panumërt kineastët që e çmojnë; Scorsese do i referohet Kiarostamit më vonë duke e cilësuar “shkalla më e lartë e mjeshtërisë artistike në kinema”[6], ndërkohë që Nanni Moretti xhiron një film me metrazh të shkurtër të titulluar “Dita e premierës së Close-Up”, ku ironizon realitetin konsumist (të asaj kohe, vaj medet tani!) dhe mungesën e vëmendjes ndaj kulturës alternative.
Është interesant fakti sesi një mashtrues i periferive të Teheranit mund të bëhet një nga personazhet më të vlerësuara dhe të arrira të kinemasë botërore. Një rast i ngjashëm është vërejtur edhe në historinë kurioze të John Wojtowicz. Ky, një hajdut banke amator tenton të vjedhë një bankë në New York në vitet ‘70. Pasi misioni komplikohet, karakteri i çuditshëm i Wojtowicz bie ndesh me policinë e New York që, jashtë xhamave të bankës provon ta bindë. Sakaq njerëzit që bënin sehir matanë kordonit të policisë fillojnë të brohorasin dhe të bëjnë tifozëri për këtë hero të çuditshëm dhe rebel ndaj status quo-së (kjo ndodhte në Amerikën e viteve ‘70 ku në mes të luftës së Vietnamit dhe skandaleve të qeverisjes Nixon reputacioni i policisë dhe i shtetit ishte mjaft i ulët). Historia, e dramatizuar në filmin “Pasdite përvëluese” (Dog Day Afternoon) me regji të Sidney Lumet, paraqet një personazh nga ata gjithmonë të dorës së dytë, një periferik të përhershëm që për shkak të rastësive, pjesërisht guximit të tij irracional si Sabzian apo edhe fatit, e gjen veten befas një hero të klasës punëtore, ku familjarët e tij fillojnë dhe intervistohen dhe ku më në fund ai ndjen pak respekt. Al Pacino në rolin e Wojtowicz luan karakterin eklektik në një film që qëndron midis komedisë dhe tragjedisë, nga një hajdut banke në një klloun të mbytur në një botë padrejtësisht të tillë. Më në fund ka një makinë filmike që do ta dëgjojë atë, më në fund dikush që – ngjashëm me Sabzian – në këtë det me njerëz të tjerë të rëndësishëm i jep një mundësi edhe atij. Me kë kemi të bëjmë në të vërtetë në rastin e Sabzian, me të akuzuarin apo me viktimën?

2. Sabzianët ndër ne
Historia e Sabzian është një histori komplekse. Një karakter kaq kompleks është vështirë të zbërthehet në një dimension të vetëm; vetë rrëfimi i tij para gjyqit tregon një individ jo të qetë dhe sigurisht fajtor para një krimi. Por në të njëjtën kohë, nën rrëfimin kinematografik është edhe një histori e pamundësisë së vetë-realizimit. Vetë-realizimi nënkuptohet si proces i njohjes, zgjimit dhe përmbushjes së plotë të potencialit personal, dhe në rast se mungon mund të jetë një nga diagnozat më të rënda në një shoqëri. Një strukturë sociale që bëhet gjithmonë e më indiferente karshi formimit artistik ka gjithmonë e më shumë gjasa të ketë qytetarë të pakënaqur, me raste edhe fatalistë ndaj të ardhmes. Në rastin e një varfri si Sabzian, një familje më e pasur apo një vend ndryshe mund ta kishin shndërruar atë mbase në një kineast me famë dhe që mund të kontribuonte aty ku ai kishte më shumë prirje, në vend që të mashtronte familje apo të vërtitej rrugëve të qytetit në kërkim të punës së radhës. Raste të tilla besoj nuk qëndrojnë larg realitetit shqiptar, ku vëmendja ndaj shkollimit dhe vetë-realizimit është e ulët, sidomos kur flasim për art dhe kulturë. Infrastruktura e dobët, shembujt e gabuar, materializmi dhe mungesa e një ekosistemi nga shkolla deri në një punësim dinjitoz na lë gjithmonë e më shterpë, në një kohë plot kapistra si e jona. Kushtet ku gjendemi limitojnë jo vetëm një brez që kërkon të specializohet në arte, por në çdo profesion. Vetë-realizimi duhet të konsiderohet një investim i gjerë për t’i dhënë të rinjve mundësinë e gjetjes së profesionit ku ata të shprehen më mirë dhe në mënyrë më pasionale, dhe që fatkeqësisht për mendimin tim, te ne mungon.
Dhe këtu del në skenë Sabzian sërish, tashmë pasi del nga salla e gjyqit i falur nga familja Ahankhah. Atë e pret për ta shoqëruar askush tjetër veç regjisorit Makhmalbaf, personit që ai kishte impersonuar! Imazhi i të dyve në motoçikletë, varfanjakut që të nesërmen do kthehet sërish në kotësinë e tij, dhe regjisorit që është i aftë të shprehë identitetin e tij në bezenë e kinemasë emocionon dhe, duke i parë të dy aq afër dhe aq të ngjashëm fizikisht, natyrshëm pasqyrohen dy ide: ata që jemi përballë asaj që do donim të ishim, ëndrrat që shohim me sy hapur dhe realitetit shpesh pak bujar, zhgënjimit që mbase nuk do jemi kurrë ata që do donim të jemi dhe që, ndryshe nga Sabzian, nuk do ketë asnjë regjisor të famshëm të na vendosë një kamerë Close-Up. Tek ne, sa janë ata që nuk e kanë mundësinë të eksplorojnë shtigje të tilla profesionale, që nuk e kanë shansin (por mbase edhe fatin, duke pasur parasysh situatën) e një alternative tjetër për jetën e tyre profesionale, pra si mund të kishin synuar për të qenë atletë olimpikë, arkitektë me famë ndërkombëtare, ekonomistë me peshë apo aktorë teatri. Pyes dhe dëgjoj me habi shpesh familjarët e mi kur flasin krejt normalisht për artistë me emër që shiheshin më parë afër shtëpisë sime në Tiranë: shikonin shpesh te ura pranë ish-Ekspozitës Bujar Lakon, Rikard Ljarjen apo aktorë të tjerë të mëdhenj të një kohe tjetër. Po sot, ku janë këta “të jashtëzakonshëm” potencialë? Tek e njëjta urë, ku kaloj shpesh, tashmë e vetmja gjë që të tërheq vëmendjen janë motoçikletat e delivery, prej të cilave duhet të kesh kujdes kur të kalojnë përbri.
Patjetër që nuk duhet të fajësojmë vetëm faktorë të jashtëm apo mungesa të politikave të caktuara për suksesin individual. Vullneti, dëshira e brendshme dhe guximi janë faktorë thelbësorë për të. Vetë regjisori Makhmalbaf ishte një nga “fëmijët e periferisë” dhe kaloi jo pak vështirësi për të arritur për të filmuar. Por nuk duhen nënvlerësuar faktorët socio-ekonomikë të një vendi, sidomos në kategori profesionale ku është i nevojshëm rregullimi apo vlerësimi nga ana e institucioneve. Thënë më thjeshtë, një i talentuar që krijon një startup të suksesshëm mbase e ka më të lehtë të ndihet i vlerësuar financiarisht dhe personalisht prej mekanizmave të tregut, ndërkohë që një kineast apo shkrimtar i talentuar në Shqipëri e ka të vështirë të garojë në të njëjtën korsi me kolegët e tij në vende ku ka më shumë mbështetje. Raporti që kemi me kulturën është shqetësues. Siç thuhet nga Oriada Dako në “Arti që nuk shfaqet në Prime Time”[7]: “Problemi i artit dhe kulturës nuk qëndron te mungesa e krijuesve apo e veprave artistike, por te mungesa e promovimit të tyre. Teatri, muzika, filmi, arti pamor dhe letërsia prodhohen vazhdimisht, por rrallë bëhen pjesë e diskursit publik”. Numri i vogël i mediave që përbëjnë mazhorancën e shikimeve dikton shijet e publikut, dhe në ambientin wild-west kapitalist ku është Shqipëria sjell një degradim të ndjeshëm e të vazhdueshëm të vlerave socio-kulturore. Sot, me mungesën aq të nevojshme të emisioneve kulturore (sidomos atë të Elsa Demos) në median televizive shqip ka pak për të folur, dhe që të bëhesh pjesë e TV jo rrallë duhet të kalosh në filtrat zhgërryes të emisioneve televizive, që ndjekin njëri-tjetrin në rënien pikiatë në vlera, ashtu si edhe në ngritjen e shikimeve dhe klikimeve nën parimin “sa më injorant, aq më mirë”.
Mora disa shembuj për të ilustruar si shpesh qeveri pa kapacitetin apo vullnetin e duhur nuk janë të afta të krijojnë një jetë dinjitoze për njerëzit. Këtu sigurisht argumenti mund të zgjerohet me plot shembuj ku politikat e duhura apo infrastruktura janë faktorë të rëndësishëm, nga arkitektët tek muzikantët apo sportistët olimpikë. Një përditshmëri ku të gjithë detyrohen apo zgjedhin të tërhiqen drejt parasë (si stërnipër të madhërisë së saj, parasë, do thoshte Franco Battiato), mbase në mungesë të alternativave, sjell një shoqëri jo-produktive, ku arrihet të shprehet pak, dhe si pasojë shprehja është e cunguar, e vetmuar dhe e mbytur në një det plehrash mediatike. Dhe sigurisht që problemi nuk qëndron veç tek ne. Në çdo vend, kohë apo sistem ka qenë e vështirë të arrish të krijosh diçka personale, të pakushtëzuar nga ambienti përreth dhe as të mos të tërhiqesh kryesisht nga aspekti financiar — por lufta për shprehje është më e ashpër në vende me infrastrukturë të dobët se pari shoqërore, gjithnjë e më shumë konsumatore ashtu si edhe gati përbuzëse ndaj kulturës. Dëshira për të bërë diçka personale ka nevojë për mbështetje, në të kundërt shuhet në pesimizmin e “Nuk bëhet gjë këtu” — deklaratë që fatkeqësisht përkthehet në shumë potenciale të humbura. Kjo vërehet kudo, në diskutimet vendçe në TV, në bisedat e studentëve kur duhet të zgjedhin mes degëve që ofrojnë punësim apo te futbollistët e moshave të reja kur duhet të zgjedhin për të ardhmen e tyre.
Nëpërmjet Close-Up Sabzian ia doli, të paktën për një moment, të dilte nga periferia. Fytyra dhe personazhi Sabzian vazhdojnë të frymëzojnë për origjinalitetin dhe dramën që përcjellin. Mes traditës iraniane, regjisë së guximshme dhe një historie sa reale, aq edhe absurde në realizimin filmik, Kiarostami shpalos një pikëpamje origjinale mbi shoqërinë dhe potencialin. Mjafton me raste për të ndryshuar emëruesin, për të parë më qartë ngjashmëritë, pavarësisht largësive gjeografike. Nëse e shohim më afër, drama e potencialit të Sabzianit është një situatë sociale universale. Por është një dramë që bëhet më e theksuar kur nuk jepet asnjë provë për të shkëlqyer, asnjë mundësi për të qenë aq afër me objektivin e kamerës së një filmi që do e shohin miliona njerëz. Prandaj, respekti ndaj atyre që kanë punuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë tek ne artistikisht, pavarësisht problemeve dhe mungesës së mbështetjes aq të nevojshme, është shumë i rëndësishëm. Në teatër, në librari apo në koncert kemi nevojë për dikë që të emocionojë dhe të na flasë përtej konvencionit. Dhe, me raste duhet ta imagjinojmë Sabzianin në të njëjtën motoçikletë me Makhmalbaf përtej fatalizmit dhe pesimizmit. Dhe ndoshta, në një botë të mbingarkuar nga lajmet politike, herën tjetër në librari duhet të marrim në dorë një libër që vjen nga botëkuptime apo vende të largëta, qoftë edhe veç për të zbuluar sa të afërt jemi me njëri-tjetrin në të vërtetë — me të mirat dhe të këqijat tona, me apo pa lentet e Close-Up.
(c) 2026 Reni Hoxha. Të gjitha të drejtat janë tä autorit.
[1] Një shembull: prurja kanadeze për Oscars 2025, “Universal Language”, është një ndërthurje e komikes, homazhit dhe admirimit për kinematografinë iraniane. Autori Matthew Rankin ka jetuar për disa kohë në Teheran, nën gjurmët e kësaj shkolle filmike.
[2] Në të vërtetë, për arsye të pamundësisë filmike dhe vështirësisë së kamerave (regjisori tregon në një intervistë që një nga dy kamerat doli totalisht jashtë funksioni sapo nisën xhirimet në gjyqin që do zgjaste vetëm një orë), një pjesë e filmimeve që shohim janë të trilluara. Kiarostami e quan më vonë dokufilmin “mashtrimin më të madh të jetës së tij artistike”.
[3] Përkthim i autorit.
[4] https://www.theguardian.com/artanddesign/2009/jul/29/photography-abbas-kiarostami-best-shot
[5] Kiarostami rikujton më vonë sesi fama që Sabzian kishte marrë në Teheran ishte aq e madhe, saqë një herë ai kishte mbetur jashtë kinemasë pasi nuk kishte më vende të lira dhe nuk e kishin njohur; dhe ne një moment Sabzian kishte dalë nga brenda kinemasë me një status prej një njeriu të famshëm dhe pas bisedës me biletarinë e kishte ftuar të hynte brenda atë, regjisorin më të famshëm iranian. https://www.youtube.com/watch?v=nFbHBN0UqO4
[6] https://www.hollywoodreporter.com/news/general-news/abbas-kiarostami-dead-award-winning-908307/
[7] https://peizazhe.com/2026/02/09/arti-qe-nuk-shfaqet-ne-prime-time/
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.