Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Kritikë

SUKSESIN E MBAJA MEND NDRYSHE

Titulli i filmit – Juggernaut
Vendi i prodhimit – Gjermani
Gjuha – Anglisht
Regjisorë – Neozoon
Kohëzgjatja – 9 min.
Viti i prodhimit – 2026

nga Katerina Bylyku

– Juggernaut! Obobo, vraponi se gjigandi!
– Ku është? Nuk shoh ndonjë të tillë gjëkundi!

Ka vërtet një gjigand aty, veçse nuk dallohet me sy të lirë. Kjo e bën edhe më të rrezikshëm, në fakt, këtë gjigandin e padukshëm ose «helmatosës» sipas epitetit që përdor vetë regjisorja, Friederike Kersten, gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve pas shfaqjes së filmit “Juggernaut”. 

Falë “Ekranit të Artit”, arrita të isha spektatore e filmit në ekranin e madh, ndoshta për të ndjerë një kënaqësi shtesë si kinodashëse që e konsideroj veten, megjithëse këtu kemi të bëjmë me një film eksperimental, që ka një strukturë jolineare, përdor një teknikë ndryshe dhe synon të sjellë një perspektivë unike të autoreve.

Njësoj si shprehja “oreksi vjen duke ngrënë”, pas shfaqjes dhe takimit me një nga autoret e veprës, me interesin për të marrë më shumë informacion, i drejtohemi motorëve të kërkimit në internet. Një vasketë plastike 150-gramëshe me dhëmbë lope në shitje, shfaqet në ekranin e celularit. Ndoshta më bëjnë sytë, i fërkoj një herë, po vasketa është sërish aty. Në fakt është një prej projekteve të Neozoon-it, i pasqyruar në faqen zyrtare të dyshes së artisteve, me bazë Berlinin dhe Francën ku bën pjesë regjisorja Friederike Kersten.

Grupi është autor i një sërë veprash të ndryshme në kolazh, video-art dhe instalacion, prej më shumë se një dekade, me fokus kryesisht te marrëdhënia e njeriut në raport me speciet e tjera. Vetë emri Neozoon si term nënkupton një kategori speciesh të caktuara që bëhen pjesë e një habitati të ri ku ato kanë migruar, duke mbajtur mbi supe identitetin e “të huajit”. Neozoon-i ka thembër Akili altruizmin ndaj kafshëve dhe gjallesave të tjera, motiv ky që e kanë prezent në një numër veprash. Femrat dhe kafshët i kanë mënjanuar, si të ishin personazhi i huaj që hyn në “Dogville”-it të Von Trierit. Prandaj Neozoon-i e konsideron veten kolektiv kundrejt përbindëshit të pamëshirshëm “Juggernaut”, egos ambicioze mashkullore.

Dihet që në ditët e sotme, mentorimi i suksesit që shfaqet dhe reklamohet përditë në rrjete sociale, si te femrat ashtu edhe te meshkujt, nuk është një fenomen i izoluar, përkundrazi sa vjen e zgjerohet, me këshilla të panumërta që përfshijnë aspektin fizik, shoqëror, personal, shëndetësor, ndërpersonal, financiar dhe sa e sa aspekte të tjera, duke e detyruar njeriun e shkretë të manualizohet sipas programit të mentorëve të vetëshpallur me ose pa atribute vetjake profesionale.

Por a mund të mentorohet jeta?

Një biceps i stërvitur, një llogari bankare e majme, një ishull i virgjër privat, një dashnor i kalitur që di si të manovrojë me femrat duke iu dhënë leksione dhe të tjerëve. Po ashtu nuk ngelen pas as podkastet për zhvillimin individual, që mbijnë si kërpudhat pas shiut, librat e konsideruar best seller që premtojnë të të bëjnë milioner, apo trajnimet e kushtueshme që tregtohen nga guru të suksesit. Në këtë pikë, më vijnë ndërmend fjalët e psikoanalistit Erich Fromm, i cili në veprën “Të kesh apo të jesh?” deklaron se raporti emër/folje qëndron në përpjestim të zhdrejtë me prurjen e emrave të rinj, duke nxitur edhe më shumë një shpirt konsumerist. Është e vështirë të mos joshesh nga këto këshilla që herë vijnë falas e herë me pagesë, sepse nëse zgjedh të mos hidhesh në veprim tani, ka rrezik të pozicionohesh si humbës.

Fenomeni i trajtuar në “Juggernaut” nuk është i panjohur, ama artistet duket ta shohin nga një prizm i tipit standard vs përjashtim, kur është fjala për raportet mes sekseve mashkull/femër.

Regjisorja Kersten është e shqetësuar edhe për çfarë ndodh pas ulërimës kumbuese të luanit që e pozicionon veten si mbreti i xhunglës, në kuptimin e parë dhe atë figurativ, sepse fundja dikush duhet ta bëjë bilancin e pasojave.

Ama ka edhe të tjerë që mund ta konsiderojnë të polarizuar qasjen ndaj fenomenit, si një qëndrim të njëanshëm, duke qenë se autorja po kritikon meshkujt si pjesë e Juggernaut, por edhe femrat nuk ngelen pas kur bëhet fjalë për të tilla praktika.

Atipike është edhe teknika e përdorur, video të marra nga Youtube-i, një mashkull i fragmentarizuar fizikisht, një tjetër fytyrë, një tjetër trup, të cilët bëhen bashkë me një synim të vetëm:  për të mos rreshtur asnjëherë së kërkuari më shumë, qoftë nga bota apo nga vetja, gjithnjë lufto për të arritur në shtresa të ndryshme të qiellit!

Kundërvënia e artistes ndaj kësaj mendësie është në të njëjtën linjë me shpirtin e festivalit “Ekrani i Artit”, me moton e tij Avash avash, si një thirrje, mbase jo aq e fuqishme sa e luanit, por si shteg i parrahur që pret të zbulohet, njësoj siç u desh të zbuloheshin ekranet ku shfaqeshin filmat, nëpër oborret e fshehta të qytetit. 

Ndoshta filmi nuk do t’i transportojë qeniet tona në dimensione ndjesore, ndoshta nuk do të zgjatë aq sa t’ju bëjë të përhumbni në ëndërrime, por do t’ju bëjë me dije se ekziston një univers tjetër si të ishte një seks i dytë ndoshta, por sërish një seks.

© 2026 Katerina Bylyku. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading