HISTORI ME POROSI

Më qëlloi këto ditë të ndiqja një dokumentar televiziv të rëndomtë, me temë historike dhe nota të forta kombëtariste – nga ata që duket sikur i bën e njëjta dorë dhe i lexon i njëjti zë.

Dhe vura re diçka që më kish tërhequr vëmendjen edhe më parë, por shkarazi: autorët e dokumentarit, kur i referoheshin historisë së shqiptarëve, “citonin” pasazhe nga filma me temë historike të Kinostudios Shqipëria e Re.

E kam fjalën për filma të tillë si “Nëntori i dytë”, “Mësonjëtorja” dhe të tjerë, të cilët sillnin në ekran (dhe ende sjellin) një histori të sanitizuar të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Filma të tillë rrëfejnë, në mënyrë naive, versionet zyrtare të narrativave kombëtariste, të cilat regjimi totalitar i kish miratuar, duke menduar se i shërbenin edhe synimeve të veta ideologjike.

Edhe pse autorët e filmave mund të kenë punuar me profesionalizëm dhe përkushtim dhe të jenë bazuar – me aq sa kanë mundur – në të vërtetën, bëhet fjalë gjithnjë për vepra fiksionale.

Nëse filma të tillë dokumentojnë diçka, kjo diçka është periudha kur u konceptuan, u prodhuan dhe u shfaqën në kinema – si produkte të kinostudios “Shqipëria e Re”, ata janë dokumente të filmit shqiptar të realizmit socialist.

Të gjithë ata që sot i bien shkurt, dhe i përdorin pamjet e tyre për të ilustruar “historinë”, janë duke abuzuar me të vërtetën, me publikun dhe me ata filma vetë.

Sa mund të tolerohet që një film i tillë të përdoret sot për t’i dhënë fytyrë – pamje, zë dhe atmosferë – historisë kombëtare?

Këtë pyetje e bëj edhe jashtë kontekstit të analizës ideologjike të këtyre veprave – duke u nisur edhe vetëm nga premisa se është fjala për produkte fiksioni, të cilat nuk mund të zëvendësojnë dokumentacionin historik.

Ç’efekt mund të sjellë fati që sot, për shumicën e shqiptarëve, Ismail Qemali ka fytyrën, zërin dhe manierizmat e aktorit Sandër Prosi, ndërsa Isa Boletini zërin dhe manierizmat e aktorit Reshat Arbana?

Si gjithnjë, do të më kundërshtojnë me argumentin përtac: ç’të keqe ka? Edhe pse e keqja është aty dhe e dukshme sa s’ka dhe tradhton një vizion folklorik të vetëdijes historike.

Aq më tepër që, sa kohë që produkte të tilla fiksionale janë njëfarësoj të detyruara që të mos riprodhojnë realitetin, meqë ai realitet nuk është dokumentuar.

Ne sot mund ta dimë se ç’kanë thënë mes tyre Enver Hoxha dhe Hrushovi në Moskë – ngaqë janë mbajtur procesverbale dhe materialet janë arkivuar. Por nuk mund ta dimë se ç’kanë thënë personazhet historike më të hershme, dhe aq më pak çfarë kanë menduar.

Rindërtimi i tyre në vepra fiksionale – qofshin këto romane, pjesë teatrale ose filma – parakupton edhe që autorët t’i përdorin këto personazhe “reale” si zëdhënës të ideve të veta; ose, në rastin e Realizmit Socialist, si zëdhënës të historiografisë zyrtare.

Një dokumentar, nga ana e vet, synon të “dokumentojë” diçka – me aq sa mundet. Të thotë një të vërtetë dhe të ndriçojë një pjesë të realitetit që deri dje mund të ketë qenë e errët për publikun.

Nëse dokumentari, për ta realizuar këtë synim, thërret në ndihmë vepra me vizibilitet të madh dhe haptazi fiksionale, atëherë ai rrezikon të manipulojë shijuesit e vet.

Ngatërrimi i fiksionit me realitetin është tipik për kulturat naive – ku shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kineastët ende përgëzohen, në qoftë se produktet e tyre i përgjigjen në mënyrë “fotografike” realitetit.

Ajo çfarë ndodh, kur një dokumentar i sotëm përdor për ilustrim dhe citim copëza nga një vepër fiksionale e ngre këtë naivitet në katror, duke ia bjerrë edhe pafajësinë: pamjet e Ismail Qemalit – Sandër Prosi në ekran synojnë të forcojnë “efektin realitet” të dokumentarit, duke iu referuar një realiteti aq fiksional, sa ç’mund të jetë një film i Kinostudios.

Edhe pse efekti, në këto raste, është që të përdoret arkivi fiksional i Realizmit Socialist si pikë referimi dhe model për rindërtimin – sado në sfond – të një realiteti historik.

Paradoksalisht, kjo përftesë i jep natyrë fiksionale realitetit të sotëm, në krahasim me kujtesën e të shkuarës para 1990-ës, ose të asaj periudhe kur Shqipëria “prodhonte realitet”.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.