Si po e rrëfejmë historinë e shqiptarëve në rrjet? Si mos më keq.
- Arkivat
Dokumentet që botohen herë pas here si “të nxjerra” nga arkivat shpesh nuk kalojnë në asnjë filtër dhe po aq shpesh nuk shoqërohen nga ndonjë shënim kritik prej një profesionisti. Ashtu edhe shkulen nga konteksti dhe e humbin edhe atë vlerë që mund të kishin pasur, po të trajtoheshin me seriozitetin dhe kompetencën e nevojshme. Dokumentet arkivale gjithnjë dëshmojnë diçka – por jo gjithnjë dëshmojnë të vërtetën. Njëlloj mund të jenë edhe dëshmi të gënjeshtrës.
- Dokumente të vjetra me temë shqiptarët, historinë e tyre dhe gjuhën shqipe
Ka lloj-lloj amatorësh që kërkojnë materiale me këtë temë, në botime të këtyre 4-5 shekujve të fundit. “Zbulohet një roman i ri spanjoll për Skënderbeun!” “Zbulohet një portret i rrallë i Skënderbeut!” Në fakt, burimet e dorës së parë për historinë shqiptare në mesjetë janë relativisht të pakta, në krahasim me burimet dytësore; dhe duhet të jesh kërkues veçanërisht i zoti, për të zbuluar të reja. “Historia” e Barletit ka shërbyer si burim për dhjetëra, në mos qindra histori, rrëfime, romanizime, opera dhe produkte të tjera të mëpasshme anembanë Europës – të cilat dëshmojnë interes, por nuk sjellin gjë të re në njohjen historike. Edhe portretet e Skënderbeut mund të jenë fare lehtë krijime artistike – njëlloj si këto që ia bëjmë ne sot mbretëreshës Teuta, kur e paraqitim si konkurrente për titullin e Miss Universit.
- Autorët e traditës
E shkurtër dhe e varfër është historia e letërsisë shqipe. Sikur të mos mjaftonte kjo, një pjesë e madhe e letërsisë së traditës ka natyrë didaktike (as Naimi nuk i ka shpëtuar dot kësaj, pa folur pastaj për imituesit), çfarë ia vë në diskutim vlerat artistike. Një pjesë prej krijimeve të autorëve tanë të Rilindjes e të Pavarësisë, edhe atyre më të shquarve si Noli, Fishta, Asdreni, Lasgushi, tingëllojnë sot naive në mos foshnjore; dhe mund të përligjen vetëm për rrethanat historike të kohës – si dëshmi historike dhe publicistike; por jo artistikisht. Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, letërsia shqipe – me pak përjashtime të njohura – u lëvrua në distancë të madhe nga ndjeshmëritë artistike bashkëkohore, prandaj krijimet nga tradita kanë nevojë për aparat të imtë kritik, që të (ri)sillen në vëmendje të lexuesit sot.
- Realizmi socialist
Po kristalizohet një bindje se realizmi socialist – si metodë letrare-artistike – përftonte detyrimisht vepra të dobëta; dhe se veprat jo të dobëta, të krijuara në vitet 1960-1980, nuk kanë qenë të realizmit socialist, por e kanë sfiduar atë. Kjo bindje lidhet me diskursin përçmues për skematizmin, edhe pse ky i fundit mund të ndeshet në çdo lloj vepre arti. Paradoksalisht, para 1990-ës ka pasë qarkulluar edhe bindja e kundërt: se realizmi socialist në Shqipëri filloi jo me urdhër të PPSH-së, por vetëm me veprat e mira të viteve 1960 e këtej, teksa ato të mëhershmet, e bëra si me porosi, nuk ngrinin shumë peshë. Por pështjellojnë me qëllim të gjithë ata që i paraqitin veprat e mira të realizmit socialist si jo të kësaj metode ose shkolle.
- Rrënojat
Në trojet shqiptare gjen rrënoja sa të duash – nga ato ilire, greke të lashta e romake, tek ato mesjetare dhe fortifikimet osmane, deri te këto të vonat, që duhen studiuar nga arkeologët industrialë. Jo të gjitha rrënojat meritojnë vëmendje publike, aq më pak kulturore; disa thjesht duhen pastruar. Momente si ato kur dikush vihet të filmojë gërmadha anonime në një shpat mali dhe pastaj ndërhyn zëri i dridhur i komentuesit amator, që të thotë: “këto gjetje arkeologjike dëshmojnë se shqiptarët kanë jetuar këtu që në lashtësinë e hershme” e kanë humbur deri edhe vlerën argëtuese. Aq më keq kur kalohet pastaj nga rrënoja te paranoja; dhe kur artikulohen dyshime se “dikush” i ka prishur këto, “dikush” tjetër i ka lënë në heshtje, e kështu me radhë.
- Fotot “vintage” të qyteteve
Qarkullojnë prej këtyre – të shoqëruara nga gjithfarë psherëtimash. Edhe pse shumë nga ato që po i quajmë me zemërgjerësi “qytete shqiptare” nuk kanë qenë veçse fshatra disi të mëdha – çfarë edhe duket në fotot, ku spikatin karrocat me kuaj, opingat me baltë dhe çitjanet. Tek-tuk shfaqet ndonjë vilë “e bukur”, por një vilë nuk e bën qytetin. Gjatë sundimit osman u zhbënë edhe ato pak qytete që gjëllinin në trojet e Shqipërisë së sotme: Shkodra mesjetare dhe Durrësi mesjetar… Një model qytetërimi u shlye nga faqja e dheut, për t’i bërë vend një modeli tjetër, i cili edhe ai pastaj u zbyth. Në vitet 1980 kam dëgjuar vizitorë të huaj ta quajnë Tiranën – pa armiqësi – “fshat të madh.” Sepse nuk mjafton një grumbullim ndërtesash, për ta bërë një qendër të banuar qytet. Sikurse nuk mjafton një grumbullim veturash dhe garazhesh, dhe as një konsensus vullnetesh të mira, shpesh tejet lokaliste.
- “Aristokracia”
Ky emër kolektiv po përdoret për familjet e bejlerëve të dikurshëm – shtresës së pronarëve të tokave, nën Perandorinë Osmane. Në një shtet si Shqipëria, që u krijua duke u shkëputur nga kjo Perandori dhe duke e refuzuar atë, shtresa e bejlerëve erdhi duke u fosilizuar, dhe kjo që para se të vinte në fuqi regjimi i Hoxhës. Bejlerët dhe familjet e tyre, me gjithë përpjekjet sporadike për t’u përshtatur me kohën, nuk e mënjanuan dot stigmën që u mbeti, si dëshmi e gjallë e prapambetjes historike të parive shqiptare.
- Figurat “e shquara” të traditës politike
Që historiografia zyrtare e regjimit të Hoxhës shpesh u përpoq – për arsye mirëfilli ideologjike – t’i fshinte këto figura nga defteri, kjo nuk përbën arsye të mjaftueshme për t’i përlavduar sot. Tradicionalisht, paritë shqiptare janë shitur tek të huajt për fare pak – këtë nuk ka nevojë të jesh historian enverist, që ta besosh. Prandaj le t’i kthejmë figurat e vjetra historike në fokus, por edhe le të mos i lyejmë me buzëkuq, të mos i mbulojmë me petale trëndafili dhe të mos ua kremtojmë ca dorëshkrime e pasthirrma që kanë lënë pas, si kryeveprat që na kishin munguar. Ndodh ndonjëherë që edhe shkarravinat të jenë thjesht shkarravina.
- Hijet e aksiologjive të dikurshme
Ka ca, pastaj, që vazhdojnë të përkujtojnë e të kremtojnë gjithfarë komitësh, kaçakësh dhe kusarësh, në vazhdën e asaj tradite të historisë enveriste, që favorizonte rebelimin, si pararendje të revolucionit socialist. Nuk është gjithnjë e lehtë, për historianin, të dallojë mes atyre që vidhnin thjesht për të bërë plaçkë, dhe atyre të tjerëve që “ngriheshin” kundër osmanëve dhe, aq më rrallë, kundër “bejlerëve dhe agallarëve”. Enverizmi kish logjikën e vet, kur u jepte përparësi këtyre kusarllëqeve dhe grabitqarive; por sot nevojitet qasje tjetër nga ajo e “treqind kryengritjeve në katërqind vjet”.
- Zbulimet tronditëse
Një gazetar dhe një kameraman i vijnë rrotull ndonjë gjetjeje arkeologjike përndryshe krejt të njohur, për të filmuar ndonjë mozaik a ndonjë mbishkrim (zakonisht në greqisht) e për t’i dhënë pastaj fre fantazisë. Rrallëkujt i shkon ndërmend të këshillohet me specialistët ose të shfletojë çfarë është shkruar për këto gjëra më parë. Etja për zbulime të mëdha, “epokale”, është shenja numër një e amatorizmit – profesionistët matin dhjetë herë e presin një herë dhe nuk synojnë të zbulojnë një statujë të Fidias-it, sa herë që ngulin kazmën në dhé.
- Shqipëria e mbyllur
Shqipëria u mbyll ndaj Perëndimit në vitin 1945, ndaj Lindjes Sovjetike (pak a shumë) në vitin 1961, ndaj Kinës në vitin 1978. Për më se tridhjetë vjet, vendi u zhvillua falë ndihmës së huaj – gjurmët masive të së cilës i gjen lirisht edhe sot, nga industria në urbanistikë. Për arsye të ndryshme, sovjetikët më parë dhe kinezët më pas derdhën miliarda dollarë në Shqipëri – dhe kjo mundësoi zhvillimin dhe modernizimin e vendit dhe përvijimin e asaj Shqipërie që na duket se e njohim. Në krahasim me kontributet sovjetike dhe kineze, ato italiane para dhe gjatë Luftës II Botërore humbasin në peshë specifike. Megjithatë, po mësohemi të flasim për Shqipërinë totalitare duke iu referuar periudhës së autarkisë totale, ose viteve 1977-1987 – përafërsisht; të cilat ishin edhe vitet e rrokullimës totale; çfarë edhe na pengon ta kuptojmë drejt.
- Pra
Sa më lart – dhe të tjera që kanë mbetur pa u përmendur – dëshmojnë një përpjekje për ta shndërruar historinë në një lloj narrative paranojake, të ndërtuar rreth një imazhi sa të thjeshtuar, aq jashtëkohor dhe esencialist, të shqiptarisë; imazh që përfaqëson në thelb anulimin e historisë dhe të historikes si të tillë. I ushqyer sistematikisht nga mediat, ky imazh bashkëpunon me shtysa të ngjashme në tekstet shkollore, në tubimet e programet akademike dhe në politikat kulturore, duke e rrezikuar – ndonjëherë seriozisht – përmasën mirëfilli historike të kulturës kombëtare.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: Ky shkrim është pjesë e një projekti të Institutit Shqiptar të Medias dhe botohet njëkohësisht edhe në faqen e atij instituti.