1X10: JETË BURGU

Titulli: Jetë Burgu
Autori: Fatos Lubonja
Shtëpia Botuese: Skanderbeg Books, 2021
Përzgjodhi: Elona Pira

 


FERIT LOPA, DORA JONË

1.

Shprehja “dora jonë”, që politikët e përdornin me humor në kuptimin e bërjes pjesë, së bashku me Feritin, në të njëjtin taraf kurvash apo hajdutësh, sikur ua lehtësonte komunikimin të dy palëve. Por, në të vërtetë, midis Feritit dhe bashkëvuajtësve të tij kishte një humnerë të madhe. Dora jonë ishte kafshë e rrallë, që jetonte vetëm nëpërmjet ligjeve të veta në atë kamp. Ai e për dorte atë shprehje më shumë si një maskë, pas së cilës fshihte punët e tij, sepse e dinte mirë që askush nuk e konsideronte mik. Askush nuk ishte parë ndonjëherë të ndante me të ndonjë kafshatë bukë në të njëjtën tryezë. Në anën tjetër, shumica e të burgosurve i drejtoheshin kështu ose për të filluar shakatë me të, ose sepse kishin frikë mos binin pre e vjedhjeve të tij.

2.

Pas gjithë gjasave, fantazia ëndërrsajuese e Feritit nxitej në këto fole. Dhe kjo e kishte shpjegimin, ndoshta, sa në ngushtësinë dhe privimet ekstreme të atij vendi, aq edhe për shkak se atje ai kishte më pak se kudo mundësi për të vjedhur dhe për të ngrënë. Një herë ai doli nga biruca me një ëndërrsajesë që mbeti në gojën e të burgosurve për një kohë të gjatë. Tregoi se kishte parë ëndërr sikur kodrat shkëmbore të minierës ishin shndërruar në male pilafi, se midis tyre ishte krijuar një liqen me kos dhe se Feriti hante e pinte nëpër to me një lugë të bërë me vagonët e galerisë. Nuk dihej nëse kjo ishte ëndër apo e kishte sajuar Feriti, veç ama, për ca kohë, ajo e shfytyroi peizazhin e Spaçit në sytë e të burgosurve duke e bërë nga të murrmë në të bardhë si pilafi.

KUJTIMI

3. 

Kur takoheshim, më recitonte ndonjë nga poezitë e reja që kishte shkruar. Ishin poezi me varg të shkurtër e me rimë. Më shpjegoi se i shkruante në letër, por pastaj i regjistronte në kujtesën e tij, kurse letrat i griste. Këtë e bënte jo vetëm pse në shumicën e tyre mallkonte diktaturën dhe fatin e zi që na kishte rënë, por edhe pse çdo dy javë në kamp bëhej kontroll i imët dhe, po t’i gjenin poezi të shkruara, do t’ia merrnin e do të përfundonte në birucë, cilado të ishte përmbajtja e tyre. Një ditë më tregoi se i ishin bërë në kokë dy volume.

– I kam të shkruara si në libër në faqe të veçanta që i shfletoj, – ma ktheu kur e pyeta si i mbante mend, – dhe herë pas here recitoj me mend tërë librin.

ZEF MALA

4. 

– Çfarë i shkrove në atë letër që e mërziti aq shumë sa të arrestuan? – e pyeta Zefin kur u ngjita tek ai. Në internim më kapi një mërzi më e madhe se në burgun e parë. Sepse në internim nuk je as i lirë, as i burgosur dhe je shumë më i vetmuar se në burg. Unë aty kisha vetëm gruan. Të ishte për mua, do ta kisha shkruar më herët atë letër. Por gruaja më pengonte. Derisa nuk durova. Tani më vjen keq për të.

– Po çfarë i shkrove?

– Çfarë më kishin parë e më shihnin sytë. Si socialist që jam, e mbylla duke i thënë: “Vërtet nuk ka liri pa socializëm, por edhe socializëm pa liri nuk mund të ketë”. Disa ditë më pas erdhën më vunë hekurat.

XHON SMITHI

5.

Erdhën t’i pinin cigaren edhe shumë nga ata që e kishin ngacmuar. Dukeshin të prekur. Ndoshta ngase po u linte boshllëkun e një vendi të veçantë, pasi vështirë të vinte një i dytë që do t’ua lehtësonte aq shumë nevojën për t’u vetëfshikulluar e, njëherësh, gajasur me tragjedinë e tyre, siç bënte Xhoni kur u thoshte: “shqiptarë të qelbur”.

Sigurisht, një pjesë e atyre që e uronin, teksa pinin cigaren e lirimit, pyesnin veten se cili kishte qenë Xhoni i vërtetë që kishte jetuar 15 vjet me ta. A ishte vërtet ai australian, apo një shqiptar i marrosur, apo një spiun veçanërisht i rrezikshëm? A i kishte mashtruar të gjithë me atë këmbën që e kishte mbajtur vite me radhë me një nallane druri, apo kishte mashtruar vetëm Komandën?

DONI

6. 

Herë të tjera pyesnim sho-shokun: mos vallë Doni gënjente dhe manipulonte më së pari veten, sepse nuk duronte dot mendimin se jeta e tij ishte një hiçasgjë prandaj strehohej në narrativën e gjeniut që shpejt do të lirohej për t’i treguar tërë botës gjeninë e tij? Dhe a nuk bazohej suksesi i vet në faktin se shumica aty vuanin të njëjtin peng: se po u ikte jeta kot pa e realizuar atë që ishin në të vërtetë? Prandaj dhe e besonin më lehtë? Po ne, që ishim po në atë gjendje, pse nuk arrinim ta besonim, por, ndaheshim prej tij me ndjenjën se na kishte dhuruar disa çaste humori duke mikluar kështu krenarinë e arsyes sonë superiore? Mos e kishim ne gabim? Mos ndoshta ishte makina e tij me një marsh më tepër?; atë të besimit që neve na mungonte, e që ia bënte më lehtë vuajtjen e burgut, atij dhe ndjekësve?

AHLEMI

7. 

Në sheshin e vogël në hyrje të kampit kishte një stendë të madhe emulacioni ku, në njërën prej tabelave, kishte edhe një fotografi të diktatorit. Ahlemi kishte gjetur diku një llambë elektriku të djegur, së cilës i kish hequr kokën dhe telat e brendshëm dhe e përdor te si kupë qelqi, ku fuste çdo mëngjes ujë të freskët dhe disa luledielli të mbledhura në një nga cepat e të oborrit të kampit. Pasi bënte kujdesshëm këtë punë, shkonte të varte llambën me lule nën fotografinë e diktatorit dhe ulej në një shkallë aty afër, ku rrinte kokëvarur thuajse gjithë ditën. Kuptohej se ai kishte zgjedhur atë vend afër hyrjes dhe poshtë tabelës për t’u treguar hidhërimin e tij oficerëve që hynin në kamp. Por pse e bënte këtë? Për t’i mashtruar, thoshin një pjesë; jo, e ndien, thoshin të tjerë.

FRANOJA DHE JOSIFI

8. 

Një ditë, e pyeta nëse besonte në Zot dhe në botën tjetër. – Jo, – ma ktheu, – jam agnostik, por besoj tek arti, te piktura si vazhdimësi e shpirtit tim.

Aty më shtjelloi përsëri idetë për pikturat me dritë dhe ngjyra që imagjinonte. Nga mënyra se si m’i përshkruante, veçanërisht sfondin e errët të telajos, që sikur çahej nga një eksplozion ngjyrash të forta që dilnin nga prapa saj, m’u bë se, gjithnjë e më shumë, ato po shprehnin përpjekjen e dëshpëruar të vullnetit të tij për të larguar errësirën e vdekjes që i afrohej përditë e më pranë, për ta kapluar.

NURIU

9.

Burgu ishte një botë e nëndheshme ku s’kishte kuptim varri, pasi ai vetë ishte një lloj varri që i ndante të burgosurit nga bota e të gjallëve. Për më tepër varreza shihej si një vend nderimi dhe kujtimi, ndërsa ata ishin futur aty pikërisht se s’meritonin nderim dhe kujtim. Prandaj, të vdisje aty nuk ishte tjetër veçse përfundimi i një varrosjeje fizike dhe morale që kishte nisur me marrjen nga jeta e lirë dhe futjen në qeli.

EPILOG

10.

Por duke shkruar për ata si Kujtimi, që nuk arritën të kishin jetë tjetër përveç asaj të burgut, te të cilët plagët dhe melhemi ndaj tyre, përshtatja dhe rezistenca u bënë e njëjta gjë, vetë vetja e tyre, dhe duke ngritur pyetjen se cila ishte vetja e vërtetë që kërkonim të gjenim në jetën jashtë burgut, që e quanim liri, ky mendim më zvenitet. Në këtë pikë të rrugëtimit mendoj se të gjitha këto histori i kam shkruar për t’i pranuar si të miat, si pjesë të vetes sime “të vërtetë” ato rroba dhe ato vuajtje që i kam refuzuar me aq ngulm në krye të herës; për të kuptuar se çeltira ku na duket se do të gjejmë veten tonë të vërtetë duke ecur, për kënaqësinë e trupit dhe shpirtit, me një kuptim jete dhe vdekjeje në zemër nuk arrihet dot veçse duke bërë inventarin e prangave që lemë prapa.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin