PRESIDENTI (SHËNIME)

(sa vijon, janë rezultate të përpjekjeve të mia për të marrë vesh diçka; i sjell në formë shënimesh, me shpresën, mbase të tepruar, se tek-tuk do të kem vërejtur diçka me vlerë për lexuesin)

Neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton:

1. Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.

Kjo e “Presidentit” kryetar i shtetit mund të ketë hyrë në Kushtetutën tonë nga ajo italiane:

ART. 87. Il Presidente della Repubblica è il capo dello Stato e rappresenta l’unità nazionale.

Ku shprehjes i korrespondon italishtja: CAPO DELLO STATO.

Edhe kushtetuta të tjera sistemesh politike të ngjashme me tonin e cilësojnë presidentin si “Head of State” (p.sh. kushtetuta e Kosovës në versionin anglisht, kushtetuta çeke, kushtetuta sllovake). Por unë këtë capo dello Stato do ta kisha përkthyer “kreu i shtetit” – siç e gjej te Kushtetuta e Kosovës, jo “kryetari i shtetit”, duke e përdorur kreu me kuptimin e dikujt që përfaqëson një grup, një organizatë ose institucion, ndryshe nga kryetari, i cili e drejton atë grup, organizatë ose institucion; por kam vënë re që dy fjalët, kreu dhe kryetari, shpesh ndërkëmbehen lirisht, nga shumë përdorues.

Në kushtetutën gjermane (këtu) nuk shoh që Presidenti Federal të cilësohet si “kryetar i federatës” ose të përkufizohet në mënyrë të ngjashme.

Kushtetuta kroate thotë se:

The President of the Republic of Croatia shall represent and stand for the Republic of Croatia at home and abroad.

Çfarë tingëllon edhe më logjike, po të mbajmë parasysh se përfaqësimi që realizon Presidenti është real, ndërsa kryesimi që ia bën shtetit simbolik.

Përkufizimin më bindës të Presidentit ma ka dhënë një jurist shqiptar që jeton në Gjermani:

Presidenti është NOTERI i shtetit.

(Nëse është kështu, atëherë do të ish mirë për të gjithë sikur ky NOTER i shtetit të kish kulturë juridike të nivelit së paku universitar.)

Kushtetuta italiane i njeh presidentit rolin e GARANTIT të Kushtetutës vetë, në kundërshtim me rolin ndonjëherë të përsiatur të ARBITRIT të konflikteve mes palëve (p.sh. mes pushteteve). Nëse këto konflikte i përfytyrojmë si ndeshje sportive, presidenti nuk vepron ngjashëm me arbitrin në fushë, meqë jo vetëm është super partes, por edhe qëndron jashtë fushës.

Përkundrazi, Kushtetuta jonë i jep mjaft vend nocionit të GARANTIMIT, duke njohur sipas rastit institucionet ose shtetin vetë si garantues të kësaj apo të asaj të drejte.

Gjithsesi, për shkak të ndërhyrjeve dhe arnimeve të shumta në rrjedhë të viteve, Pjesa e Katërt e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që i kushtohet Presidentit të Republikës ka nevojë të paktën të rishkruhet. Kjo duket edhe nga shpërpjesëtimi i madh tani i krijuar midis tekstit që përshkruan procedurat e zgjedhjes, përkatësisht shkarkimit të Presidentit, dhe tekstit që përshkruan funksionet dhe prerogativat e kësaj figure. Aq i madh është ky shpërpjesëtim, sa lexuesit i krijohet përshtypja – qesharake – se Presidenti është thjesht ai person që zgjidhet sipas një procedure të caktuar.

Neni 92 rreshton disa kompetenca të Presidentit, por duke i prezantuar kështu:

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca

Ja cilat janë ato:

a) i drejton mesazhe Kuvendit;
b) ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit;
c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit; ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
d) jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit;
dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;
e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë;
ë) lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit;
f) me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e shërbimit informativ të shtetit;
g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit;
gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;
h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.

Mua kjo listë më kujtoi një listë tjetër të famshme, të Borges-it, kinse të nxjerrë nga një enciklopedi e lashtë kineze, Celestial Emporium of Benevolent Knowledge, listë që i klasifikon kafshët në 14 kategori (përkthimi këtu poshtë, i bërë shpejt e shpejt, është imi):

  1. kafshët që i përkasin Perandorit
  2. kafshët e balsamosura
  3. kafshët e stërvitura
  4. gicat
  5. sirenat
  6. kafshët përrallore
  7. qentë e rrugës
  8. kafshët që përfshihen në këtë klasifikim
  9. kafshët që dridhen si të ndërkryera
  10. kafshët e panumërta
  11. kafshët që janë vizatuar me një penel me qime deveje shumë të hollë
  12. etj.
  13. kafshët që sapo kanë thyer vazon
  14. kafshët që duken si miza nga larg

Dhe, pavarësisht nga Borges-i, këto kompetenca që i njeh Kushtetuta Presidentit – në kontekstin e atyre kompetencave që mund të kishte por që i janë hequr në rrjedhë të viteve – mund të kenë kuptim, por jo domethënie; dhe për mua, që i lexoj “në pafajësi”, kanë mes tyre po aq lidhje sa edhe kafshët e klasifikimit kinez më lart. Dhe kjo sepse atyre funksioneve dhe kompetencave – sado dytësore – u mungon lidhja organike mes tyre.

Nga ana tjetër, funksionet dhe kompetencat parësore të Presidentit, që kanë lidhje me marrëdhëniet e tij me Kuvendin, ligjet e miratuara nga Kuvendi, gjyqësorin, emërimin e ministrave, etj. i gjen të shpërndara në pjesë të tjera të Kushtetutës (mbase këtyre u referohet ajo “edhe” në pohimin “Presidenti ushtron edhe këto kompetenca”, duke nënkuptuar kompetenca të tjera, me gjasë më të rëndësishme, por që NUK janë parë të arsyeshme të përmenden te pjesa përkatëse e Kushtetutës! Mbase do të ishte më e dobishme (dhe logjike) që të gjitha këto funksione dhe kompetenca parësore të rimerreshin së bashku edhe në Pjesën e Katërt të Kushtetutës, me gjithë koston tekstuale të përsëritjes, sepse ashtu do të parashtrohej më qartë thelbi konstitucional i figurës së Presidentit.

Ja si e ka zgjidhur këtë Kushtetuta e Kosovës:

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]

Presidenti i Republikës së Kosovës:
(1) përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë;
(2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë;
(3) shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij;
(4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë;
(5) shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë;
(7) nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë;
(8) propozon amendamente për këtë Kushtetutë;
(9) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
(10) udhëheq politikën e jashtme të vendit;
(11) pranon letrat kredenciale të shefave të misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës;
(12) është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës;
(13) udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete;
(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;
(15) emëron dhe shkarkon Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(16) emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(17) emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Prokuro[r]ial të Kosovës;
(18) emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
(19) emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit;
(20) emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit;
(21) së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intel[i]gjencë;
(22) vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin;
(23) mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
(24) vendos për formimin e misioneve diplomatike e konsullare të Republikës së Kosovës, në bazë të konsultimit me Kryeministrin;
(25) emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë;
(26) emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
(27) emëron Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili shërben edhe si Drejtor Menaxhues dhe emëron anëtarët e tjerë të Bordit të Bankës;
(28) jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin;
(29) shpall falje individuale, në pajtim me ligjin;
(30) sё paku një herë në vit i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj.

Kushdo mund ta krahasojë parashtresën profesionale më lart, të denjë për një Ligj Themeltar, dhe kolazhin kaotik e të arnuar, që gjen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ku, më duhet ta theksoj sërish, disa nga funksionet dhe kompetencat e Presidentit të Republikës parashtrohen në pjesë të tjera të Kushtetutës, që i referohen Presidentit vetëm tërthorazi.

Kultura politike në Shqipëri nuk ka qenë gati dhe as është aktualisht e përgatitur për të pranuar institucionin e Presidentit të Republikës, ashtu siç përvijohet ky në kushtetutat e republikave parlamentare të shumë vendeve të Europës; çfarë lidhet edhe me shkallën e pranimit tek ne të institucionit të së drejtës dhe të shtetit ligjor në raport me arbitraritetin dhe përparësinë e ekzekutivit, por edhe me pamundësinë për të përfytyruar politikisht ndarjen e pushteteve dhe pluralizmin. Pas vitit 1990, Presidenti është luhatur mes presidencializmit të Berishës dhe reduktimit të Presidentit në noter jo të shtetit, por të PUSHTETIT; ose në një figurë opozitare burleske, siç ka ndodhur me disa Presidentë të tjerë, përfshi Nishanin dhe Metën.

Në vija të trasha, shumica parlamentare tek ne është prirur të zgjedhë një President të tillë që t’i bindet ekzekutivit, por jo rrallë ka ndodhur që – i çliruar nga varësia politike prej asaj shumice, i njëjti President të ketë vepruar pastaj si një lloj kryetari nderi i “opozitës”. Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, ka munguar cilësia e të qenit “super partes” dhe, anasjelltas, respekti ndaj figurës; por edhe roli i bashkërendimit (koordinimit) të pushteteve – provë e mëtejshme që sistemi politik, tek ne, de facto nuk e njeh akoma nevojën për një figurë të kësaj natyre, relativisht të sofistikuar.

Në këto rrethana, dhe duke parë realitetin politik të sotëm, ndoshta do të ishte më mirë edhe për qytetarët edhe për pushtetet, sikur Shqipëria të rithemelohej si Republikë Presidenciale, me President të zgjedhur nga populli.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin