GJUHA DHE NËNA (III)

Nëse Dantja, në traktatin e vet për gjuhën, e shkoqiti bukur dallimin midis vernakularit dhe asaj që ai e quajti “gramatikë”, por që në fakt nuk ishte veçse latinishtja diturore, me kalimin nga Mesjeta në kohën e re vernakulari do të vinte duke iu kundërvënë, gjithnjë e më fort, gjuhëve kombëtare. Paradoksi, në këtë mes, është se edhe njëra formë, edhe tjetra, do të vazhdojnë të quhen “gjuhë amtare” ose “gjuhë e nënës” – edhe frëngjishtja e vjelësve të rrushit, edhe ajo e enciklopedistëve; edhe italishtja e karrocierëve të Firenze-s, edhe ajo e Petrarca-s dhe Ariostos.

Ivan Illich-i kujdeset të na shpjegojë, se dallimi për të cilin po flasim nuk është i njëjtë me dallime të tjera për të cilat flasin sociolinguistët – në ligjërimin e shtresave sociale, dallimet dialektore, në alfabetizim e të tjera; dhe unë do të shtoja këtu, as përkon me dallimin e mirënjohur saussure-ian midis langue dhe parole.

Për ta thënë gjithnjë me Illich-in, vernakulari i kundërvihet gjuhës së mësuar në shkollë njëlloj si qumështi i gjirit i kundërvihet formulës – një metaforë me degëzime shumë të thella, që sjell në vështrim jo vetëm aspektin bio të vernakularit, por edhe ngjashmëritë midis arsimit në masë dhe industrializimit, sikurse edhe midis ekonomisë së tregut/të konsumit dhe përdorimit publik të gjuhës në shoqëritë e sunduara nga mass-mediat.

Dhe këtu vjen menjëherë në vështrim zanafilla e gjuhës standard dhe e standardizimit, në kulturën perëndimore.

Përftimin e gjuhëve standard, së paku në Europë, e kanë lidhur me të drejtë me lindjen dhe lulëzimin e kombeve dhe të kulturave kombëtare; por nevojën e standardizimit, edhe Bonfiglio edhe Illich-i para tij, sikurse plot studiues të tjerë, e gjejnë të artikuluar së pari teorikisht te Don Elio Antonio de Nebrija dhe vepra e tij Grammatica Castellana, e botuar në vitin (kritik) 1492, me një dedikim për mbretëreshën Isabel la Católica.

Kjo vepër mbahet si e para gramatikë e një gjuhe romane në historinë e Europës post-mesjetare.

Duke parashikuar që mbretëresha e vet nuk do ta kuptonte kujt do t’i hynte në punë kjo gramatikë e vernakularit, Nebrija e arsyeton nevojën e saj në kontekstin e konsolidimit të sundimit spanjoll në botë – ku, për ta thënë gjithnjë me Illich-in, ushtari krijon një hapësirë të re dhe role të reja për klerikun, pastorin dhe edukatorin.

Në letrën që ia drejton mbretëreshës për të përligjur librin, vëren Illich-i, Nebrija flet për gjuhën e Castile-s sikur edhe kjo të ishte po aq e vdekur sa edhe latinishtja dhe greqishtja – ngaqë në rrjedhë të shekujve ajo “ka ndryshuar aq sa të mos njihet më.” Prandaj, thotë Illich-i, Nebrija kërkon t’i japë ndërmarrjes së vet një rol të ngjashëm me atë të instrumentit për matjen e kohës, në një kontekst në ndryshim të pandërprerë: njëlloj si sahati, të cilin e vënë në piedestal në mes qytetit dhe e lënë të “qeverisë” jetën publike, edhe gramatika e Nebrija-s do të qeverisë ligjërimin.

“Unë kam vendosur ta shndërroj gjuhën kastiliane në një artifakt,” shkruan dijetari spanjoll, “në mënyrë që gjithçka që do të shkruhet tash e tutje në të, do të jetë standardi që do t’i qëndrojë kohës.” Ashtu u kanë rezistuar kohëve edhe greqishtja dhe latinishtja, duke e ruajtur uniformitetin nga një epokë në tjetër. Illich-i i jep rëndësi të madhe termit artifakt, që përdor Nebrija (artificio, në spanjishte); pse ai shënjon një evolucion dramatik, në raport me Danten: Nebrija kërkon tani që t’u mësojë njerëzve, nënshtetasve të perandorisë, gjuhën e shkruesve (clerics), në mënyrë që edhe të folurit e popullit (vernakulari) të vihet nën zgjedhën e pushtetit. Për ta përligjur këtë, dijetari spanjoll evokon nevojën për t’ia ruajtur famën dhe lavdinë Isabelës vetë; por edhe për ta përhapur gjuhën kastiliane në botë – të mos harrojmë vitin kur shkruheshin këto fjalë, 1492; ose vitin kur do të kthehej Kolombi nga udhëtimi i vet drejt “Indive”.

Kësisoj, shkruan Illich-i, u hodhën bazat teorike dhe ideologjike që, një ditë prej ditësh, “gjuha amtare” e mësuar në fillim në kishë dhe pastaj në shkollë, të zëvendësonte vernakularin e folur prej nënës. Gjuha amtare, thotë ai, u shndërrua në mall konsumi (commodity) shumë më herët se qumështi i nënës, çka përkoi edhe me marrjen në zotërim, prej burrave, të educatio prolis (edukimi i fëmijëve, deri atëherë detyrë e shenjtë e institucionit familjar); dhe alma mater, që për latinët shënjonte zakonisht hyjnitë amnore si Ceres-in ose Cybele-n dhe më pas për të krishterët Virgjëreshën Mari, erdhi dhe u shndërrua në një emër për institucionet arsimore ose shkollën: alma mater studiorum. Omnibus, omnia, omnino docendi ars do të bëhej detyra e edukatorit, siç e ftillon Gjon Amos Komenius-i në titullin e librit të vet.

Ideja sipas së cilës qytetari ka nevojë të arsimohet, për të ushtruar qytetarinë e tij, e shndërroi subjektin sovran në vasal të shtetit, thotë Illich-i; çka edhe ia kundërvë përfundimisht gjuhën e mësuar, si hapësirë të disiplinës, vernakularit, si hapësirë të autonomisë.

Illich-i ndalet pastaj te një mutacion i tretë, që i ka ndodhur vernakularit. Shumica e të lindurve para Luftës II, shkruan ai, e mësonin gjuhën e tyre të parë ose nga njerëz që u flisnin, ose nga të tjerë, të cilët fëmija i dëgjonte kur flisnin mes tyre – dhe fare pak e mësonin nga aktorë, predikues ose mësues. Sot ndodh e kundërta – fëmijët nuk e mësojnë më vernakularin duke e thithur prej rrënjëve të familjes në kontekstin social; sepse këta fëmijë sot u ngjajnë gjithnjë e më tepër bimëve në kulturat hidroponike; dhe kompetenca gjuhësore e qytetarëve do të varet, në masë të madhe, nga sa dhe si e kanë mësuar gjuhën “amtare” në shkollë.

Shënim: kjo është pjesa e tretë e një parashtrese që do të vijojë edhe më (pjesa e dytë këtu; pjesa e parë këtu); për këtë arsye, do të lejoj komente vetëm pasi ta kem sjellë të gjithë materialin.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin