HISTORIANËT DIGJITALË

Elidor Mëhilli (2019) shpreh në artikullin e tij të fundit një tezë interesante mbi periudhën e ashtuquajtur të izolimit në Shqipëri. Ai mëton se, kjo periudhë e “izolimit” (1970-1980) mund të cilësohet më mirë një ri-pozicionim gjeografik i veprimtarive politike (gjithashtu ekonomike e diplomatike) të shtetit shqiptar në marrëdhënie me botën e jashtme.

Mëhilli, që e ka përfaqësuar këtë ide edhe në trajtimin e “internacionalizmit socialist” (2011) mbi shkëmbimet e ekspertëve mes vendeve të Bllokut Lindor, thotë:

Më gjerësisht, veprat që eksplorojnë punën e brendshme të institucioneve të tilla mund të hedhin dritë mbi paradokse të viteve të fundit të socializmit. Shumë shpesh, vitet 1970 dhe 1980 të Shqipërisë janë shënuar si një periudha të e ‘izolimit’. Dhe është e vërtetë se paranoja e regjimit për ndërhyrjet e jashtme ka arritur një kulm [-in e saj]: Kushtetuta e vitit 1976, për shembull, konfirmoi marksizëm-leninizmin si ideologji zyrtare dhe ndaloi kredi nga koncesionet apo kompanitë e huaja ose ‘kapitaliste, borgjeze dhe revizioniste shtete “. Por flasim [diskutimi] për vendin që ‘mbyllet’ [taposet] nga bota e jashtme e errëson faktin se izolacionizmi gjithashtu nxit një hartë [ri-konfigurimin e hartave] të vazhdueshme të botës së jashtme. (2019, fq. 94, përkthyer me Google Translate për arsye që tregohen më poshtë)

Argumenti i tij kryesor është se këto koncepte, të izolimit apo të hapjes ndaj botës, nuk ndihmojnë në analizën e paradokseve të socializmit global që vepronte në shumë fronte dhe nivele të ndryshme. Sipas tij, edhe pse regjimi shfaqte pasiguri dhe frikë nga infektimi me ideologjitë perëndimore, vazhdonte ti përbetohej internacionalizmit në marrëdhëniet e tij me botën e jashtme, sidomos me organizatat komuniste e maoiste nëpër botë. Teza e Mëhillit është interesante se mund të verifikohet edhe nëpërmjet metodave sasiore që janë tanimë pjesë e “digital humanities”. Historianët digjitalë në këtë traditë merren me përgatitjen e përpunimin digjital të dokumenteve historikë dhe analizën e të dhënave nëpërmjet metodave statistikore[1].

Digjitializimi i së paku inventarëve të arkivave në Shqipëri (Arkivit Qendror, Ministria e Punëve të Jashtme, dhe përpjekjet e Autoritet të Dosjeve) mundëson pjesërisht një sipërmarrje të tillë. Kështu mund të ndërmerren analiza gjuhësorë të dosjeve, analiza të rrjeteve për biografitë e elitave politike në Shqipëri, analiza të ngjyrimeve emocionale të teksteve (Sentimentanalyse) nëpërmjet text-mining etj.

Për të verifikuar këtë tezë të E. Mëhillit unë shkarkova dhe përpunova për vizualizim inventarin e dosjeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të publikuara në formatin PDF. Kurse përpunimi i inventarit të Arkivit Qendror kërkon shumë punë pasi është publikuar në një lloj database të vjetër (ASPX, Active Server Page Extended File). Me një program lexues OCR dhe PDF (OMNIPAGE), programet statistikore (R) dhe Excel/Microsoft i pastrova dhe ndërtova një dataset për periudhën 1922-1987. (Mungon viti 1941, viti 1944 është i ndarë në dy periudha dhe viti 1981 ishte i skanuar e mund të ketë gabime, ndërsa disa dosje nuk kanë numra).

Pyetjet kërkimore janë: Bazuar mbi volumin e korrespondencës së arkivuar nga MPJ, a mund të lexojmë në regjistrat e arkivit periudhat e izolimit? Cilat janë ato ri-konfigurime të diplomacisë shqiptare që mund të lexohen? Volumi shërben pra si proxy variable për matjen e raporteve të Shqipërisë dhe vëmendjen e regjimit ndaj marrëdhënieve me botën.

Në këtë fazë, veç metodës sime, edhe të dhënat në këtë studim duhen perceptuar me shumë rezerva. Fillimisht duhet marrë parasysh përgatitja shkencore e personave që kanë kryer inventarizimin e dosjeve, emërimin e dosjeve në lidhje me çështjet që trajtohen dhe seleksionimin e tyre për ruatje të përhershme, të përkohshme apo asgjësim. Këto të gjitha janë vendime politike të institucionit, por edhe produkte të rastësisë, budalllallikut apo ndonjë tjetër ndodhie të paarsyetueshme[2]. Gjithashtu vlen që kjo tezë të analizohet edhe në nivel drejtorie brenda MPJ,  në institucionet përgjegjëse për tregtinë e jashtme (komisionet, ministria), ministritë e arsimit dhe të industrisë. Megjithatë në vija të përgjithshme mund të lexohet një trend për shkak të rolit që zë Ministria e Jashtme.

Në lidhje me tezën mbi izolimin, rezultatet paraprake të këtij studimi (përgatitur për një konferencë me temë të ngjashme) janë si më poshtë:

  1. Hipoteza se mund të ketë pasur një periudhë izolimi vërtetohet nga volumi shkresave të prodhuara nga MPJ.
  2. Vetëm pas vitit 1960 regjimi arrin të krijojë një volum raportesh të krahasueshëm me mbretërinë në vitin 1929, dhe e kalon atë në fundin e viteve 1970, pas izolimit.
  3. Në periudhën 1985-6 kemi një lloj reduktimi të volumit.

 

Sa përket tezës mbi ri-konfigurimin e hartës së marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, kjo mund të lexohet duke parë sa i madh është volumi i dokumentacionit për një shtet apo bllok shtetesh gjatë një periudhe të caktuar. Kuptohet që duhen vërejtur me rezerva, pasi arsyet e dokumentacionit nuk janë analizuar.

Nga një vështrim i shpejtë rezulton se, në vitet e fundit të regjimit kemi një afrim me Greqinë (këto mund të jenë edhe nota proteste, por le ta marrim të mirëqene, ose interes i theksuar i MPJ ndaj ambasadës sonë në Athinë). Me vendet e lindjes bie interesi dhe ngrihet po sërish në vitet 70. Me Jugosllavinë ka rritje të madhe deri në vitet 50, e më pas bie, për t’u ngritur disi në vitet 70 (mund të tregojë interes të MPJ për ndodhitë atje apo veprimet subversive të imagjinuara ose reale). Interesi për Anglinë arrin periudhën e mbretit Zogu I në mesin e viteve 1970 (mund të ketë të bëjë me ndonjë tematikë, çështja e floririt etj.). Me Bashkimin Sovjetik vërehet se është ulur interesi dhe ngrihet sërish në mesin e viteve 70. Po kështu me organizatat ndërkombëtare si PNUD, ka një rritje të interesit pas vitit 1973 dhe në vitet 1979 dhe 1982, ndërsa me OKB në 1956, 1962 dhe në periudhën 1982-4.

Ka një hapje për nga vendet perëndimore gjatë viteve të fundit të 70. Izolimi, nëse ka qenë i tillë, ka zgjatur shumë pak. Ndërsa ndarja në blloqe e shteteve tregon një trend: gjatë “izolimit” ka pasur një zhvendosje gjeopolitike drejt vendeve të polit të tretë (Non-Aligned Movement). Por kjo duhet analizuar në mënyrë statistikore (nëse do i perceptonim këto të dhëna si seri kohore) dhe duke analizuar variabla të tjerë, p.sh. votën e Shqipërisë në OKB (shih Holloway 1990 me cluster analysis apo Powers 1980 me PCA, analize faktoriale), dhe përmes metodave cilësore (qasjet post-kolonialiste).

 

Nga ana tjetër patjetër që studiuesit e huaj e perceptojnë këtë periudhë si izolim, pasi vëmendja ndaj Shqipërisë bie ndjeshëm pas daljes së saj nga Traktati i Varshavës dhe lidhja me Kinën. Mjafton të shohim në Google Ngram Viewer sa shpesh përmendet Shqipëria në librat e digjitalizuar nga Google prej vitit 1970. Frekuenca e përmendjes është gjithmonë në ulje, e ngrihet vetëm me transformimin e sistemit politik.

Ngram Shqiperia

Përqindja e numrit të përmendjes së fjalëve “Albania” në gjuhën angleze, dhe “Albanien” në gjuhën gjermane në librat e digjitalizuar prej 1800 deri në 2000. Burimi: Google Ngram Viewer.

 


Mëhilli, E. (2011). Defying De-Stalinization: Albania’s 1956. Journal of Cold War Studies, 13(4), 4-56.

Mëhilli, E. (2019). Documents as Weapons: The Uses of a Dictatorship’s Archives. Contemporary European History, 28(1), 82-95. doi:10.1017/S0960777318000656 web: https://www.cambridge.org/core/article/documents-as-weapons-the-uses-of-a-dictatorships-archives/98392D45853DD7049237962C075FE296

R Core Team (2018). R: A language and environment for statistical computing. R Foundation for Statistical Computing, Vienna, Austria. URL https://www.R-project.org/.

Sarkar, Deepayan (2008) Lattice: Multivariate Data Visualization with R. Springer, New York. ISBN 978-0-387-75968-5

Holloway, S. (1990). Forty Years of United Nations General Assembly Voting. Canadian Journal of Political Science,23(2), 279-296. doi:10.1017/S0008423900012257

Powers, R. J. (1980). United Nations voting alignments: A new equilibrium. Western Political Quarterly33(2), 167-184.

[1] Nuk e di në mund ta quaj veten të atillë, por kam filluar të përdor Google Translate për të përkthyer dokumente në gjuhën ruse dhe përkthimi është shumë i pranueshëm, siç mund të vërehet në përkthimin e paragrafit nga Mëhilli.

[2] Gjithashtu, vlen të përmendet se, edhe pse shumë studiues janë të shqetësuar në lidhje me qasjen në dosjet e Arkivin Qendror, apo atyre të klasifikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, shqetësimi im është për vitet në vijim. Kam përshtypjen se pas vitit 1990 volumi i dokumentacionit që arkivohet është ulur ndjeshëm. Nga shqyrtimi i dokumenteve të ministrisë përgjegjëse për arsimit vihet re se, edhe pse numri i dosjeve i prodhuar për drejtori është më i lartë, volumi i shkresave është më i vogël dhe mungojnë shënimet anësh fletëve apo memot për qarkullim të brendshëm. Sidomos këto shënimet e vendimmarrësve, madje edhe doodling socialist (një yll i vizatuar mërzitshëm në protokollin e mbledhjes), janë shumë domethënëse për historianët.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin