ORGANIZATA BAZË

Qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se sociologjia e sotme në Shqipëri po interesohet më shumë për Kanunin e Lekës, sesa për rolin që ka luajtur Partia e Punës, gjatë gati gjysmë shekulli, në krijimin dhe riprodhimin e shumicës së strukturave dhe të institucioneve sociale në Shqipërinë totalitare.

Njëlloj sikurse historiografia interesohet më shumë për Besëlidhjen e Lezhës dhe Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqipe, sesa për dokumentimin historik të këtij institucioni sui generis, si Partia e Punës, i cili parazitoi mbi shoqërinë shqiptare gjatë viteve 1945-1990, duke marrë kontroll të plotë mbi të.

Brezat e rinj, që nuk e kanë jetuar totalitarizmin, e kujtojnë Partinë e Punës si ndonjë version veçanërisht të rreptë të partive të sotme politike; por nuk janë në gjendje të përfytyrojnë si artikulohej famëkeqi rol udhëheqës i asaj “partie” në jetën e vendit; me ç’mekanizma e ç’metoda; e sidomos me ç’autoritet.

Edhe një institucion i tillë i rëndomtë, si organizata bazë e Partisë (me P të madhe), po përjetohet sot si emër i zbrazët ose kujtim fëminie; edhe pse sot e kësaj dite në Shqipëri jeton një brez ish-komunistësh, duke filluar nga kryeministri i tanishëm, që kanë qenë anëtarë aktivë të këtij institucioni, madje janë formuar atje politikisht dhe e kanë mirëmbajtur e drejtuar me vite.

Nuk dua të paragjykoj komunistët, as përkatësinë e tyre në një organizatë në thelb përgjegjëse për krimin totalitar, si PPSH-ja. Në tërësinë e tyre, qindra mijëra komunistët shqiptarë pasqyronin, pak a shumë besnikërisht, shoqërinë shqiptare, me dritëhijet e saj, virtytet dhe veset, të mirat dhe të këqiat.

Por si mund të ndodhë, që komunistët një ditë prej ditësh të jenë gdhirë jo-komunistë? A mjafton vallë refuzimi i ideologjisë, ose triumfi i ndonjë skepticizmi të vjetër ndaj udhëheqjes dhe vetë diktaturës së proletariatit, ose admirimi për Perëndimin, kapitalizmin dhe borgjezinë, madje edhe thjesht dëshira për të qëndruar mbi ujë me çdo kusht, për t’ua shlyer përnjimend nga profili vite dhe dekada të jetës në Partinë e Punës?

Përgjigjen kësaj pyetjeje unë nuk ia jap dot këtu. As besoj se mund t’i jepet tamam, pa ndriçuar më parë, me anë studimesh të hapëta, mënyrën si ka ndikuar veprimtaria e organizatave bazë të PPSh-së në jetën shqiptare gjatë pesëdhjetë vjetëve; veçmas nga veprimtaria dhe bëmat e Enver Hoxhës dhe të aparatit represiv totalitar si të tillë.

Për të kuptuar rëndësinë e problemit, duhet vënë në dukje, menjëherë, se Partia e Punës nuk ishte aspak parti në kuptimin e rëndomtë të fjalës; por më tepër një urdhër monastik ose kalorësiak, që kishte për mision ruajtjen, konsolidimin dhe riprodhimin e pushtetit totalitar në Shqipëri.

Disa tipare të këtij urdhri mund të shpjegohen me rëndësinë e punëve që kryheshin – p.sh. sekreti i mbledhjeve ose i dokumenteve; të tjera, si fetishizimi i teserës së anëtarësisë ose gardhimi i një hapësire publike çfarëdo për t’u përdorur për mbledhjet dhe aktivitetet e tjera (“dhoma e Partisë”) kanë të bëjnë me rituale të vjetra, të nevojshme për të konfirmuar ekzistencën e organizatës dhe të hierarkive përkatëse; njëlloj sikurse edhe veprimtaritë ciklike të mbledhjeve të zakonshme dhe Formave të Edukimit.

Disa tipare të tjera, të trashëguara ndoshta nga parti simotra por të përsosura me kohë, gjatë dekadave autarkike pas vitit 1960, lidheshin me ritualet iniciatike të pranimit, të kandidaturës, të “stazhit” në prodhim që duhej të kryenin kandidatët dhe të tjera trimëri ose gjeste të mundimshme, që u kërkoheshin të rinjve. Studiuesit do t’i tërheqin vëmendjen edhe mënyrat e tërheqjes së kandidatëve të rinj, sikurse analizat e hollësishme që do t’u bëheshin biografive të tyre për kleçka çfarëdo, njolla dhe pengesa gjithfarësh; por edhe rrëfimet e detyruara të anëtarëve, për mëkatet e kryera prej tyre dhe të afërmve prej tyre; dosjet dhe karakteristikat e hollësishme, ose “dokumentet” e Partisë, ku regjistrohej e shkuara për t’u përdorur në të ardhmen po të ishte nevoja.

Tërheqin vëmendjen edhe tipare monastike të urdhrit, të cilat njëfarësoj do të jenë përcjellë nga modelet religjioze; dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për sekretin, por edhe për përkorën – që në çështje të seksit dhe të hedonizmit shkonte deri në asketizëm dhe seksofobi; por edhe përmbysjen e hierarkive tradicionale, si sfidë ndaj pushtetit shekullar; që ndeshej në ato organizata ku sekretar Partie zgjidhej portieri i shkollës, ose karrocieri i kooperativës.

Sipas një recete të njohur e të kolauduar prej shekujsh, anëtarët e Partisë kaliteshin etikisht nëpërmjet abstinencës, ose duke u qëndruar larg mëkateve ideologjikisht relevante, çka i bënte, me kalimin e kohës, superiorë ndaj vdekëtarëve të zakonshëm; kësisoj edhe morali borgjez, përndryshe i damkosur prej kohësh si hipokrit nga Marksi & Co., dhe i dëbuar nga dera prej rebelëve komunistë anembanë botës, kthehej nëpërmjet dritares së disiplinës komuniste.

Brezat e sotëm e kanë të vështirë, besoj, të kuptojnë edhe mënyrën si riprodhohej pushteti në kushtet e ushtrimit të dyfishtë – ekzekutiv dhe ideologjik. Figurat arketipale të komandantit dhe të komisarit, të përjetësuara në personazhet e Memos dhe të Rrapos te Komisari Memo i Dritero Agollit, përthyhen e pasqyrohen në të gjitha hallkat e hierarkive, nga majat e pushtetit deri poshtë në bazë. Partia ishte pushteti që i kundërvihej pushtetit, ose vegla që ia hapte rrugën arbitraritetit absolut.

Natyrisht, asgjë heroike nuk ka pasur në këto organizata bazë, të cilat zakonisht i kalonin mbledhjet e tyre të përfshira në rituale të mërzitshme formulimesh ideologjike ose “zbërthimesh” të gjithfarë dokumenteve rutinë që vinin nga lart; edhe pse në momente tensioni ose spastrimesh, funksiononin si impiante për trajtimin e ujërave të zeza të thashethemeve, ose instanca të detyrueshme të inkuizicionit totalitar.

Të merrje pjesë aktive, me vite të tëra, në veprimtaritë e organizatës bazë të Partisë do të thoshte edhe të mësoje si të orientoheshe mes intrigave, censurës, thashethemeve, rreziqeve biografike, kurtheve, prapaskenave; por edhe të përvetësoje gjuhën e përshtatshme për t’i folur autoritetit absolut që buronte nga lart, deri në atë shkallë sa ajo gjuhë të merrte në kontroll vetëdijen dhe ta mbronte, me garanci, nga gabimi ideologjik.

Kam njohur komunistë të panumërt – në familje, në rrethin shoqëror, në shkollë dhe në vendet ku kam punuar. Pa qenë vetë komunist, nuk pretendoj të kem pasur kurrë ndonjë epërsi morale ndaj tyre; e kam të qartë se, për një periudhë kohe shumë të gjatë në Shqipëri, anëtarësimi në PPSh ishte për shumëkënd e vetmja mënyrë për të bërë përpara në karrierë ose në profesion; sikurse e kam të qartë se, një pjesë e madhe prej nesh besonin se do të ishin në gjendje t’i rezistonin efektit përvetësues (ose korruptues) të jetës së Partisë.

Megjithatë, në të gjitha rastet, organizata bazë e Partisë më ka lënë përshtypjen e një vatre ku jo vetëm riprodhohej sundimi politik dhe ideologjik i PPSh-së ndaj të gjitha institucioneve, formave shoqërore dhe individëve, por edhe përftoheshin paprerë trajtat e së keqes në jetën shoqërore, publike dhe private.

Po i kthehem këtu pyetjes që shtrova në krye: a po studiohet aktivisht ndonjë sociologji e komunistit në Shqipërinë e sotme? A jemi të vetëdijshëm për karakteristikat etike, ideologjike dhe psikologjike të njerëzve – nënave tona dhe baballarëve, vëllezërve tanë dhe motrave – që kanë kaluar vite dhe dekada në mjedise të tilla të helmuara si organizatat bazë?

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, projekt i nevojshem, por ti e di qe une i kam fiksim pyetjet metodologjike. Pse sociologji? Dhe pse te interdisiplinuar vetem me historiografi? Nejse se eshte pyetje shume e madhe kjo, gjithsesi legjitime, por t’a kam llafin qe, dakord sociologjia shqiptare mund te ndricoje dhe te ofroje elementin e organizates baze, por cfare do t’i ofronte vete sociologjise ky element? Shtyhem te pyes, pervec kesaj, edhe nga formulimi i cuditshem i frazes “sociologji e komunistit,” a thua se “sociologji e komunizmit” dhe “psikologji e komunistit” nuk do ishin fraza me te sakta. Pra, kur pyet:

    “Por si mund të ndodhë, që komunistët një ditë prej ditësh të jenë gdhirë jo-komunistë? A mjafton vallë refuzimi i ideologjisë, ose triumfi i ndonjë skepticizmi të vjetër ndaj udhëheqjes dhe vetë diktaturës së proletariatit, ose admirimi për Perëndimin, kapitalizmin dhe borgjezinë, madje edhe thjesht dëshira për të qëndruar mbi ujë me çdo kusht, për t’ua shlyer përnjimend nga profili vite dhe dekada të jetës në Partinë e Punës?”

    Pse e sheh si pyetje te vecante dhe dytesore njeriun e ri – komunist apo post-komunist qofte – nga nevoja paresore per te ndricuar formacione sociale si organizata baze?

    1. Pse sociologji? Po i përgjigjem pyetjes me pyetje: pse jo?

      Po ashtu, roli i organizatës bazë meriton të shihet në vetvete, ose pavarësisht nga krijimi i njeriut të ri. Organizata bazë nuk kishte vetëm funksion edukativ; madje as vetëm funksion edukativ për anëtarët e vet.

      Vërejta më lart se, në kushtet e një aparati ekzekutiv të centralizuar dhe të organizuar mirë, roli i organizatës bazë ishte t’i hapte rrugë arbitraritetit. I njëjti parim, i tejbartur në rrethanat e sotme, të bën të mendosh se është mungesa e organizatës bazë që ia hap rrugën arbitraritetit të drejtuesve.

      Bie fjala.

  2. Xhaxha edhe mua do te me interesonte kjo dukuri. Mesa di une ka disa qe e kane studjuar kete. Jo vecanerisht Partine e Punes, sikur me duket se ka nxjerre nje studim K. Frasheri, porse jane marre me studimin historiko-sociologjik te shtetit shqiptar.

    Per Shqiperine do te rekomandoja: Hensell (2008) Die Willkuer des Staates…, ndersa per metodologjine do te sugjeroja: Eisenstadt & Roniger (1984) Patrons, Clients and Friends: Interpersonal Relations and the Structure of Trust in Society, si edhe Tilly (1990) Coercion, Capital, and European States, A. D. 990-1990.

    Nese dikush ka ndonje informacion interesant per ceshtjen le ta ndaje me shoqerine.

      1. E kam lexuar Enin që shkrimet e saja, sidomos recetat e kuzhinës, kanë qenë vjedhur, kopjuar; por këto që po paraqet PA sot, më duket me të vërtetë një masakër. Ndoshta po përdori një fjalë të rëndë, se të gjithë në një mënyrë a tjetër kemi kopjuar (të paktën një herë), por kjo vjedhje është skandaloze. T’i marrësh dikujt shkrimin dhe ta paraqesesh me një autor tjetër, kjo quhet vjedhje dhe nuk e di se sa mund të mbrohemi nga këto të pafytyrë/a që për të thithur publik në forumet a blogjet e tyre, nuk përtojnë edhe të bëjnë Copy-Past pa iu dridhur çerpiku. Në Universitetet pariziane, para se të dorëzosh një punë shtëpie për të mbrojtur një note, sekretaria të kërkon edhe një frazë në fund të punës përsonale, ku deklarohet se gjithçka është shkruar nga studenti dhe se të gjitha frazat apo mendimet e huazuara janë të cituara në fund. Pra, epoka e vjedhjes virtuale, ka filluar dhe nuk e di se si do i gjendet dermani.
        Sot ka shumë që shkruajnë nëpër blogjet e tyre apo dhe forume, dhe janë të vetdijshëm (të pafuqishëm) që këto shkrime mund të kopjohen për një qëllim a një tjetër). Të gjithë ne që mundohemi të shkruajmë ndonjë gjë, jemi edhe përballë hajdutëve, që për mua janë si ato hajdutët e kodeve bankare në internet (por në këtë rast sigurimi i kartës, kundrejt një pagese vjetore, të rikthen shumën e vjedhur).

    1. Xha Xha, puna qenka me rrezik! Tash prite edhe ndonjë akuzë për plagjiaturë:)

      P.S. I tregova gruas për këtë vaki, ajo ma ktheu: ”e shkreta, po dojka m’u martu:)”

    2. “””Pa qenë vetë komunist, nuk pretendoj të kem pasur kurrë ndonjë epërsi morale ndaj tyre;”””””

      “””Pa qenë vetë komuniste, bile një anti komuniste e fortë, nuk pretendoj të kem pasur kurrë ndonjë epërsi morale ndaj tyne;””””

      😀 😀 😀

  3. Une mendoj se tema e kapur nga xha xhai eshte nje teme kyce per shoqerine tone. Ka ardhur koha per kete, nuk duhet ta leme te na ike. Mendoj se xhaxhai ka permendur sociologjine si disiplina qe duhet ta beje kete, ne kuptimin se sociologjia konsidorohet si shkenca kryesore e shoqerise dhe per shoqerine, por e kam te qarte se ai nuk deshiron te kufizoje askend ne kete pike.

    Vete kam shkruar nje artikull (shkencor) ne lidhje me zhvillimin e etnografise shqiptare nen komunizem dhe gjate shkrimit e ndjeva se sa e palevruar eshte ajo periudhe. Problem pata sidomos per te shpjeguar rolin komandues-censurues qe organizata baze e PPSH ka luajtur ne institucionet tona shkencore (ne rastin konkret ne Institutin e Kultures Popullore), sepse me mendien time une e dija se c’ishte organizata baze, por kur vinte puna per ta shpjeguar, kujtesa me la ne balte.

    Dhe atehere e kuptova se sa shume harrese sociale na eshte imponuar per periudhen e komunizmit gjate ketyre 20 vjeteve. Keshtu qe urte e bute, kam filluar te bej intervista te tipit life histories dhe oral histories per ate periudhe ne pergjithesi dhe per organizatat baze ne vecanti. Artikulli im i kaloi permasat normale te kerkuara me shume se dyfish, thjeshte nuk mund te ndaloja, kaq shume gjera doli se duheshin sqaruar (shpresoj se botuesit do te ma pranojne kerkesen time per te mos e shkurtuar :), ndryshe do te ishte tmerr), por ndjej se ai duhet zgjeruar me tej ne formatin e nje libri. Mendoj se shoqeria jone ndodhet ne gjendjen aktuale, edhe per shkak te mungeses se studimeve serioze per periudhen e komunizmit.
    Bashkohem me kerkesen e kapedanit se keto gjera duhet t’i ndajme me shoqerine :))

  4. Por si mund të ndodhë, që komunistët një ditë prej ditësh të jenë gdhirë jo-komunistë? Përgjigjen kësaj pyetjeje unë nuk ia jap dot këtu.

    Koco Danaj eshte perpjekur ti jape nje pergjigje kesaj pyetjeje kardinale ne pamfletin e tij “Enigma”. Kam nje pjese te saj te perkthyer (jo profesionalisht) ne anglsht ne blogun tim, nen titullin “Who are these arseholes anyway?”

    Permbledhur shkurt, pergjigjja e Koco Danajt ka te beje me cilesine karrieriste dhe jo-parimore te shume individeve te shoqerise Shqiptare. Keto cilesi te ketyre njerezve ne fakt filluan te shfaqen shume gjate rremujave te reformave te Tanzimatit.

    Per me teper nga Koco (nqs lejohet te percillet ketu material ne anglisht)

    http://qafirarnaut.wordpress.com/2008/03/25/who-are-these-arseholes-anyway/

  5. Sociologjia e komunistit shqiptar nuk me duket se ka nje specifike te veten. Ajo eshte e ngjashme edhe me sociologjine e komunisteve te te gjitha vendeve te tjera te lindjes.
    Nga ana tjeret, komunizmi, sic qe i aplikuar ne Shqiperi dhe gjetke, ishte nje sistem, dhe jo nje fenomen i shkeputur dhe extemporal. Ai lindi, u rrit, u zhvillua dhe vdiq, si cdo gje tjeter ne natyre. Pra sociologjia e komunizmit shqiptar s’do pare si nje vektor qe leviz ne planin horizontal. Cfare ishte e vertet per nje komunist ne vitet 48-66, ka gjasa te mos kete qene e vertete per nje komunist ne vitet 75-90.

    Ajo qe me ka terhequr me teper vemendjen eshte jeteshkurtesia, si e sistemit socialist ashtu edhe atij nacional-socialist. Gati-gati si te ishin gjendje mendore jo te natyrshme, te induktuara nga stimulues te jashtem (nder mend me vjen steroidet ne nje trup atleti qe super-perforomon?!)
    Dinamizmi i te dy sistemeve s`mund te mohohet, po aq sa nuk mohohet dot jeteshkurtesia e tyre, dhe aftesia per veteshkaterrim e tyre.

    Organizimi i brendeshem, i te dy sistemeve, socializmin dhe nacional-socializmin, i ndertuar nga lart poshte, sic e konstaton me te drejte Xhaxhai, i ofrohet shembelltyres se nje strukture fetare, ku ka te gjitha gjasat te kete marre edhe blu-printin e vet.
    Kjo ngjashmeri me ka rene ne sy tek lexoja nje liber mbi gjyqin e Kaloresve te Tempullit (Trial of Templars) me fillesat e tyre te mjera, varferine e deklaruar, 72 rregullat e tyre ( sa rregulla kishte rregullorja e komunistit?), me te bardhen si ngjyre te tyre (what is white but perfect chastity), me guximin e tyre ne kryqezata, me rritjen e mevonshme te influences se tyre me ane te pushtetit ekonomik etj, etj.

    1. Partia e Punës, pas themelimit në 1941, iu përshtat modelit jugosllav, së paku deri në 1948-ën; por kam frikë se disa mbeturina të atij modeli vazhduan deri vonë, qoftë edhe vetëm për inerci.

      Më pas, u ndërrua modeli dhe vështrimin PPSh-ja e ktheu nga sovjetikët; së paku deri në fillim të viteve 1960. Ndikimi sovjetik ishte vendimtar sidomos në lëmin organizativ dhe të kuadrit, ngaqë shumë specialistë u formuan në shkollat sovjetike.

      Çfarë e bën unike eksperiencën shqiptare, është periudha pas shkëputjes nga blloku i Lindjes; sepse në atë kohë Shqipëria u izolua dhe PPSh-ja vetë u zhvillua pa ndonjë pikë referimi.

      Unë nuk besoj se eksperienca organizative e kinezëve ka pasur ndonjë farë ndikimi në jetën e komunistit shqiptar; as di të jetë studiuar ajo eksperiencë seriozisht.

      Gjatë atyre 30 vjetëve (1960-1990) PPSh-ja ndoqi një rrugë të vetën, pjesërisht për inerci të zhvillimeve të mëparshme, pjesërisht origjinale, për t’iu përgjigjur rrethanave të rreja produkt i politikave autarkike dhe represive.

      Nuk besoj se eksperienca hungareze ose vjetnameze, bie fjala, mund të ndihmojë për të kuptuar mënyrën si funksiononte PPSh në shoqërinë shqiptare, gjatë viteve 1960-1990.

      Natyrisht, disa marrëdhënie të padukshme me sovjetikët vazhduan, sidomos nëpërmjet literaturës që depërtonte; kur deri edhe materiale të ushtrisë ishin përkthyer nga rusishtja, nuk do të habitesha sikur të rezultonin të tilla edhe materiale të tjera, të hartuara nga KQ ose instanca të tjera partiake.

      Veçanërisht me interes për studiuesit do të ishin: (1) marrëdhëniet midis Komiteteve të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive në rrethet; (2) marrëdhëniet e komiteteve të partisë dhe të organizatave bazë me organet e Sigurimit të Shtetit; (3) sistemi i karakteristikave dhe i të dhënave biografike të komunistëve, veçanërisht në raport me dosjet; (4) trajtimi i letrave anonime dhe denoncimeve të ndryshme që bëheshin me rrugë Partie; (5) raportet e organizatave bazë me drejtorët e ndërmarrjeve dhe të institucioneve, etj.; (6) funksionimi i organizatave bazë sipas sektorit të ekonomisë, kulturës, arsimit, ushtrisë, etj. Lista mund të zgjatet pa vështirësi.

      Natyrisht, PPSh-ja nuk ka pasur ndonjë teoricien të vetin të jetës partiake – Enver Hoxha nuk shquhej në këtë fushë, dhe të tjerë edhe po të mundeshin, nuk do të guxonin. Për këtë arsye, tiparet dhe rregullsitë e funksionimit të organizatës bazë të PPSh, të themi, në vitin 1985 nuk ishin aq rezultat i ndonjë vizioni ose përpjekjeje sistematike dhe të planëzuar, por produkt procesesh kryesisht involutive. Këtu sociologët dhe politologët do të kishin plot material për të studiuar.

      1. Nga cfare kam lexuar une ka pasur ngjashmeri me strukturat organizative te Bashkimit Sovjetik, sidomos persa i perket perdorimit te lidhjeve klienteliste, cfare vazhdon ende ne disa rajone autonome ne Rusine e sotme.
        Keto lidhje klienteliste vertet qe ishin brenda nje konteksti institucional modern, sic ishte burokracia, porse ato bazoheshin kryesisht ose mbi interesat reciproke ose mbi gjakun, pra lidhjet faresfisnore.

        Sidoqofte une po sugjeroj dicka mbi metodologjine. Me interes do te ishte qe ato lidhjet te studjohen nepermjet analizave te rrjeteve sociale (soziologische Netzwerkanalyse). Objekt i nje analize te tille do te ishin strukturat e marredhenieve sociale ndermjet aktoreve, dhe pozicionet e gjithsecilit aktor ne nje rrjet, si edhe nyjet e tyre me rrjetet e tjera.
        Autore:
        Mark Granovetter (1985) Economic Action and Social Structure: The Problem of Embeddedness”, American Journal of Sociology 91 (3): 481-510.
        Ronald Burt (1982) Toward a structural theory of action

      2. Xhaxha, nuk e di se sa me interes është, por për t’ju përgjigjur disave prej pyetjeve tuaja po sjell shembullin personal (mbaruar shkollën e mesme me rezultate, të themi, të larta dhe nuk më dhanë të drejtën e studimit)

        (1) marrëdhëniet midis Komiteteve të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive në rrethet; dikush, kandidat i KQ të Partisë, arriti që të dërgonte 10 të drejta studimi shtesë në rreth që më në fund të kisha edhe unë një shanc, por NUK GUXONTE që të ndërhynte dhe të thoshte në Komitetin Egzekutiv (apo seksionin e arsimit) që jepjani një të drejtë studimi “filanit”.

        (3) sistemi i karakteristikave dhe i të dhënave biografike të komunistëve, veçanërisht në raport me dosjet; (4) trajtimi i letrave anonime dhe denoncimeve të ndryshme që bëheshin me rrugë Partie vazhdoj me shembullin tim, duke treguar që shkaku i vetëm i bllokimit të praktikës ishin DY LETRA ANONIME, dhe sado që, si shefja e seksionit, si kryetari i Komitetit egzekutiv më njihnin shumë mirë, NUK GUXONIN të ndërmerrnin iniciativa që do binin ndesh me “zërin e bazës” (pra, për sado të nënshtruar nga autoriteti i Partisë (me P të madhe), të gjitha organizmat e drejtimit ja kishin frikën bazës… element ky, që në demokracinë e sotme nuk dihet as se nga e ka shtëpinë).

        Për sa i përket rolit të organizatës bazë dhe statusit të Partisë… pasi edhe vitin e dytë që punoja, dukej që nuk kishin ndërmënd që të ma jepnin të drejtën e studimit, im gjysh, komunist i ’42, ju fut në zyrë kryetarit të komitetit dhe i thotë: Jemi në shtëpi 3 komunistë dhe 2 kandidatë, me kaq anëtarë, sipas statusit kam të drejtë të krijoj Organizatën bazë dhe po në emër të statusit, kjo organizatë bazë mund të thërrasë kongresin e jashtzakonshëm të Partisë… prandaj, o do ma çoni djalin në shkollë, o ashtu siç e bëra gjithë fshatin të bëhej me partinë mund edhe ta bëj që t’i vijë turp se si punoni dhe bëni ju me njerëzit.

        Pra, i dashur Xhaxha, edhe kjo ishte forca e organizatës… që nipit të një ballisti e kulaku pa triska fronti (helbete, ishte gjyshi tjetër 🙂 ), t’i jepej e drejta për të studiuar… do thuash ti: “po pse nuk është ngritur kjo organizatë edhe për qindra të tjerë që kanë patur probleme biografie?”… nuk di se ç’të them, por ama, edhe për vehten e tyre, pritën deri sa t’i vinte thika në palcë që të ngrinin zërin.

        1. Shumë të vërteta janë këto, Edrus; dhe të falënderoj që iu ktheve kësaj teme, të cilën edhe unë dua ta vazhdoj.

          Në fakt, organizata bazë ishte gjithnjë alternative në raport me rendin e sendeve, ose me hierarkitë normale të pushtetit; sepse Partia ishte edhe brenda, edhe jashtë sistemit.

          Partia ia shkruante rregullat ekzekutivit, por edhe bënte përjashtime, sipas rastit; duke ia ruajtur sistemit një tipar njerëzor, sado absurde të tingëllojë kjo.

          Kushdo mund të dënonte; por vetëm Partia mund të falte – duke marrë me vetëdije atributet e monarkut sovran, ose të Perëndisë.

          Ashtu, të gjithë që ndiheshin viktima të padrejtësive çfarëdo, që zakonisht u ishin bërë nga ekzekutivi, e ruanin një shpresë se Partia mund ta vinte të drejtën në vend.

          Nëse e harrojmë këtë, nuk kemi kuptuar asgjë nga si funksiononte sistemi i atëhershëm; sepse Partia e siguronte rolin e vet udhëheqës në shoqëri jo vetëm duke urdhëruar, por edhe duke qenë e vetmja në gjendje që ta kthente urdhrin mbrapsht.

  6. Do të ishte nga ato studime të cilat lexuesi i sotëm do ti shmangte; nëse nuk do prirej ti përdorte për qëllime politike. Të vjetrit mund ta merrnin nëse aty do kishte thagma të padëgjuara e kontraversialitet, që tek të rinjtë nuk do të kishin efekt.
    Jo se nuk duhet shkruar. Mbase duhet thënë se është shkruar. HPPSH-së si sintezë, a periodikë si Jeta e Partisë a të ngjashme përmbajnë pothuajse gjithë lëndën e duhur, të cilës i duhet bërë interpretim tjetër. Kush do prej të rinjve mund të lexojë kështu, ashtu si ne dikur lexonim (përpinim) paragrafët me korsive në librat e kritikës M-L. Me sa lexoj arkivi i KQ është dëngas, e trajtimi qoftë dhe vetëm i organizatës bazë, do të kërkonte volume, pa bërë lexuesin të bërtasë: “digression!” – dole nga tema. Këto, dhe fakti se shumica e sociologëve (100% e atyre që studiuan filozofi deri më 1990 e ca) janë bij të dalë nga familje të elitës komuniste, ndër të tjera, kanë sjellë që të mos ketë studime të mirëfillta.
    Në vazhdim të qasjes së drejtë, Xha Xhai dhe idashur, shënoj se fillimisht komunistët shqiptarë ishin në pushtet por partia ishte në ilegalitet, ndërsa në vitet 1980, partia ishte më shumë se e hapur në drejtim të asaj që po e quaj kooptim të antarëve nga rradhët e intelektualëve, apo ftesën për pjesmarrje të drpdr të intelektualëve edhe pa qënë komunistë në mbledhjet e organizatës bazë. Të shpjegohem vetëm për kooptimin se për drpdr s’më del koha.
    Që partia të shtrihej kudo e të mbante nën frerë gjithçka, duheshin formuar organizatat. Statuti, a Rregullore e jetë së brendëshme kërkonte një numur të caktuar komunistësh (me tesër), ndryshe, komunistët e Teatrit të Kukullave, fjala vjen, duhet të mblidheshin në një organizatë me ata të Teatrit Popullor, apo ata të Institutit Arkeologjik me ata të Bibliotekës Universitare, gjë që veç M-L, nuk i lidhnin problemet. Kjo ka qënë një ndër shtysat e forta pse, intelektualët i vunë para dilemës, o komunistë o qarkullim, ju bënë dhe presion edhe shantazh. Kështu, ne kemi sot ish-komunistë të llojit të Kadaresë, Berishës që mund të jenë bërë me zor, ashtu si një pjesë tjetër, mbetur pa shkollë të lartë, sepse vëllait a motrës më të madhe i ishte dhënë e drejtë studimi, shkonin në prodhim a shkonin ushtarë e pahumbur kohë bënin lutjen për pranimin në parti, bënin stazhin e fitonin të drejtën për të shkuar në universitet, në rastin më të keq në Shkollën e Partisë. Sa e justifikueshme është kjo? Po ta quash qarkullimin, lënien pa shkollë, mbytje, filozofia thotë se është. Por sa prej tyre e kishin bindje e ideal e sa u bënë se nuk kishin nga t’ja mbanin vështirë të thuhet.
    Sa për përmbysjen e hierarkive, nuk është se ishte PPSH, apo organizatat e saj që e bënë. Ishte Marksi e Engelsi që me gjeni-djallëzinë e tyre u thirrën proletarëve të të gjitha vendeve dhe jo intelektualëve të të gjitha vendeve (mbase se nuk dilte arithmetika), ishte Lenini i shtetit të punëtorëve dhe punëtorëve (fshatarëve por në rrugën e kthimit dhunshëm në puntorë) që vendosën në majë të hierarkisë puntorin. Që roja i shkollës e karrocieri të ishin sekretarë ishte normalja e kësaj filozofie. Anormalja është në teorinë që muskujt drejtojnë më mirë se koka, në mohimin e arsyes njerëzore. Po kush ishte në organizatën e partisë së shkollës? Drejtori/ja, nën/drejtori/ja ushtarake, dy-tre mësues që vinin nga familje partizanësh, tre-katër të tjerë sipas modelit o të Kadare-Berishës o të atyre që e kishin bërë për tu shkolluar dhe roja i shkollës të cilin po e përshkruaj kështu: pjesmarrës i demostratës Z, partizan me Brigadën e X, dalë në KEMP më aq e kaq pas një aksidenti në veprën e dritës Y. Nuk mund të mos e marrësh në konsideratë zgjedhjen e këtij njeriu, ashtu si nuk duhet harruar se komunistët me qarkore ishin të sqaruar se nuk duhej zgjedhur vetëm njëri. Shembulli me karrocier mirë të mos ishte sjellë fare. Në kooperativë të gjithë ata që hynë ishin fshatarë; statusi i karrocierit ishte i njëjtë, bile, kjo sot mund tu duket shaka, në atë kohë brenda banorëve të fshatit karrocieri ishte më adapti për tu bërë sekretar, sepse ky funksion kërkonte ecë e jake në qytet e Komitetin e Partisë, e karrocieri bënte një rrugë e dy punë. Kur fshati u popullua me të arsimuar, djemtë e vajzat e fshatarëve, zgjedhja e karrocierit sekretar pak ndryshon nga zgjedhja që sot fshati shqiptar bën të themi për kryeplakun. Fshati shqiptar ishte një bashkësi fisesh, dikur gjak me njëri tjetrin, me një kod specifik që mund të jetë devijuar (mutantuar) nga komunizmi, demokratizimi, por që palcën ende nuk e ka të tjetërsuar. Pranoj se ka qënë ndryshe në fshatrat e reja.

    p.s. Jetë partie – ofrim për titull të mundshëm atij që mendon ti hyjë kësaj pune

    1. Nese eshte keshtu si thoni ju, atehere si ka mundesi qe ne gjirin e ketij gjirizi i politik, pra te se emertuares ‘klase puntore’ lindi dhe u zhvillua deri ne permasa maniake, miti i Shkolles se Larte qe lidhet direkt me ate intelektualin e neperkembur sipas jush nga karrocieri apo roja i shkolles ? Mos valle ish – anetaret e OB ishin perpos te tjerave edhe sadomazokiste ndaj Familjes se tyre apo thjesht nje ligjesi historiko-bilogjike, po i conte ata drejt vetvrasjes politike permes instiktit te Ndryshimit te Klases ?

      1. Nuk e di c’ke patur parasysh me ‘nese eshte keshtu si thoni ju’, por cfaredo qe te kesh pasur mendo se nuk ka pamundesira ne punet njerezore.
        Per te tjerat jo se te kuptoj gje, pervec urrejtjes per klasen puntore, te cilen ben mire qe e shpraz drejt e ne Zyren e Shenjte te Xhejms Xhojsit:

        Që të lehtësoj ndrojtjen e vërrës së tyre,
        Ve në punë zyrën time Katharsise.
        E skuqura ime i le ata të bardhë si leshtë:
        Përmes meje ata pastrojnë zorrën e trashë.

  7. Heret a vone do diskutohen marredheniet e individit apo masave me Partine apo nomenklaturen e udheheqies. Madje te gjitha ceshtjet ne makro-optike besoj se do trajtohen. Ato qe per mua kane me shume interes jane detajet e jetes nen diktature qe do kalojne ne heshtje. Psh, si ka qene jeta erotike ne diktature (ose ne koherat e koleres le te themi), apo lidhjet midis te deklasuarve me klasat e tjera. Apo lejet qe duheshin marre per te blere nje televizor.

    Mikrooptika eshte qe do na shkaje nga duart.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: