EDHE NJË HERË “GËZUAR E TUNGJATJETA!” PËR ERIC HAMP-IN!

nga Eda Derhemi 

Këtë shkrim e kam shkruar më 2009, plot dhjetë vjet më parë, dhe botuar po atëherë në një revistë të përjavshme, gëlltitur tashmë nga tregu makut. Për shkrimin s’ka më gjurmë të gjallë, sepse revista nuk pati një version online. Shkrimi del sot në “Peizazhe të fjalës” për të kujtuar njeriun dhe albanologun Eric Hamp që na la në moshën 99-vjeçare, dy ditë më parë, më datën 17 shkurt, 2019. E botoj me titullin dhe përmbajtjen që pati në origjinal.

Arrin një moshë dhe kuptojmë që të vjetrit që duam nuk mund të jenë gjithnjë me ne. Vdekja bën udhën e vet e përzihet me jetën, një nga pasionet e saj më të mëdha… (apo është jeta që luan me vdekjen dhe i ngatërrohet nëpër këmbë, sfiduese dhe e papushtetshme, absolutes vdekje në kohë e hapësirë?) Nis dhe e mendon këtë së pari për prindët. I sheh që plaken, nisin të kenë probleme zemre e tensioni, tërhiqen nga jeta, ecin më ngadalë, por të shohin ende me sy të kuptimshëm dhe bëjnë sikur gjithçka shkon si kurdo, si atëherë kur u kërkoje dorën se nuk i zbrisje dot shkallët pa ndihmë, kur kishe frikë nga dallga e mëngjesit në plazh, ose kur ai burri me mustaqe gjigante ish shfaqur prapë tek kthesa e rrugës. Dhe ti e kupton që ata vetë të përgatisin që të mos e ndiesh hidhësirën e ikjes së tyre gjithnjëherësh, duke të të lënë t’i shohësh shenjat e jetës që nis të lëshohet e të dorëzohet, duke thënë paqshëm “kjo ishte copa e rrugës që duhej të ecja, dhe unë eca aq mirë sa munda”. Ndërsa ne, pas prindërve, mbetemi me ndjesinë e të mosbërit sa duhet, me fajin e atij që s’ka thënë sa duhet ‘falemnderit’, e sidomos që s’e ka thënë këtë atëherë kur nderi u bëhej të gjallëve e jo të vdekurve.

Këtë fundjave pata këtë ndjesi mirënjohjeje dhe dëshire për ta falënderuar, ndaj Eric Hamp-it, gjuhëtar dhe indoeuropianist e albanolog i shquar amerikan. Ishim në një konferencë albanologjie në Universitetin e Chicagos. Drejtuesi i qendrës së studimeve slave pranë këtij universiteti, Victor Friedman, edhe ky veç të tjerash edhe albanolog, për fat të keq është në Maqedoni. Por ka vënë në dispozicion të gjuhëtares Kelly Maynard që po organizon konferencën, gjithë stafin e tij të përpiktë e efikas. Qendra shkencore dhe emocionale e kësaj konference është Eric Hamp, 89 vjeç, një shpirt i bukur njerëzor, dhe një nga mendjet më të rralla që jetojnë sot në botë. Ia ka dalë të balancojë natyrshëm brenda vetes skrupulozitetin dhe idealet e 1700-ës me kompleksitetin dhe lëvizjen e viteve 2000. Ecën tejet ngadalë nga pleqëria, por sytë i ka ende fort energjikë e vitalë. I vetëtijnë, kur diçka profesionale e tërheq, dhe qesh nën mustaqet e tij të bardha gjigante kur ironizon një ide. Por ka gjithnjë një pauzë para se ta thotë atë që do, sikur ta rrotullojë në mendje që të të bëjë të presësh e ta shijosh më shumë kur llafi i arrin. Ka humor të mirë, si kur flet për albanologë që kanë jetuar treqind vjet të shkuara, ashtu edhe kur i referohet mënyrës se si ngatërrohen sot gjuhëtarët nëpër botë me idetë dhe hartat e tij shpesh të pandjekshme. Si çdo profesor amerikan i asaj moshe, titulli professor nuk i bën shumë përshtypje e nuk ia kërkon kujt t’ia njohë…të gjithë e thërrasin Eric. Por nëse për shumë profesorë të tjerë “afërsia” ngelet e kufizuar vetëm tek emri, tek Eric Hamp, mund të gjesh një mik që të mbetet i afërt. Eric nuk mban asgjë prapa asaj që ia sheh në sy e ia thotë goja.

Ka shkruar rreth 4000 artikuj shkencorë gjatë jetës së vet Hamp, dhe është fat që dikush shpesh ka insistuar t’ia “rrëmbejë” fjalën e folur e t’ia dokumentojë disi qoftë edhe artikuj fare të shkurtër, por që janë si shafran i zgjedhur mali. Po të qe për të, Hamp, si një enciklopedi endacake mbi dy këmbë të palodhura (të cilave duhet t’u shtojmë edhe dy të tjera të gruas së tij të zgjuar Margo që e ndoqi kudo baltrave e shkëmbinjve të Ballkanit, Italisë apo Skocisë), do kish bredhur çdo ditë të jetës së vet në kërkim të fjalës së njerëzve që të ribënte pazëllin indoeuropian dhe të vendit që zenë bijat e pasardhëset e indoeuropianishtes në këtë pazëll, pa u kujdesur shumë për botime. Ajo që i intereson ende më shumë se gjithçka është gjurmimi i dialekteve maleve e fshatrave mes të folmeve arbëreshe e arvanitase, e pastaj kthimi nëpër salla leksionesh ku e ftojnë papushim, duke derdhur me një përpikmëri detaji gati monstruoze, thesin e tij të pafund të dijes. Njohuritë e tij në dialektetet e humbura të Europës që rrallë i interesojnë kujt, si në shqipet e ndryshme, gjuhët e vdekura ose gati të vdekura mes skocezëve, galëve, e bretonëve, dhe bukuria në lidhjen që Hamp u bën dialekteve të gjalla me dhjetëra gjuhë të vdekura dhjetëra mijëra vjet të shkuara, por që ai i njeh dhe përdor lehtësisht, janë mahnitëse. Më kujtohet profesori im i universitetit, Shaban Demiraj, edhe ky një tjetër indoeuropianist i shquar që ende prodhon, krahason, e rindërton nga copëza të vjetra e të harruara, që njëherë duke bërë shaka për ardhjen e pleqërisë tha: “ne indoeuropianistët jetojmë sa duam vetë…” dhe pastaj nisi të numëronte sa të vjetër ishin disa nga shkencëtarët e njohur të indoeuropianistikës. Ndoshta është vërtet kështu: së paku Hamp dhe Demiraj vërtetojnë teorinë e Demirajt.

Herën e parë e kam takuar para 10 a 11 vjetësh në një konferencë albanologjike organizuar nga grekologu e albanologu Brian Joseph në universitetin e Columbus në Ohio. Hampi, qejfli, i verës e i muhabetit, më tha: “Jam i dashuruar me kategorinë e foljes. Është vepruese, energjike, ka aq shumë forma pra edhe është aq shprehëse, dhe është e vetëmjaftueshme e s’ia ka nevojën kujt për të thënë atë që do…” Kështu janë dashuritë e tij, me kategori, me paradigma, me pemë gjenealogjish gjuhësore, me grupime absolutisht jo-binare, me dialekte, katunde e njerëz që prodhojnë e përdorin fjalën e çmuar e që vdes. Ka qenë gjithnjë duke gërmuar e kërkuar fjalën, të cilën e ka ndjekur gjithë jetën që nga Harvardi i largët ku nisi studimet, dhe e ka gjëmuar pas më me pasion se Kazanova 122 gratë e veta.

Kësaj radhe në Chicago e pashë më të kërrusur se më parë, me hap shumë më të ngadalshëm, por ende me një mendje krejt të ndriçuar e e ide befasuese. Kur erdhi radha e leksionit të tij, nxori me kujdes një orë xhepi të florinjtë e shumë të vjetër, mezi e hoqi nga një ylyk i xhepit që mbante sahatin, e vuri pranë vetes në bankën ku kish shtruar rreth dhjetë pirgje me letra shënimesh të ndryshme që do duhej ta drejtonin gjatë leksionit, dhe u bë gati të niste. Kelly Maynard që i dha fjalën, tha diçka për eksentricitetin e njerëzve me sahatë xhepi në ditët kur celularët janë komputera dhe televizorë në të njëjtën kohë. Hamp qetë qetë u përgjigj: “Ashtu si gjuha shqipe që mban fort çdo folje të parregullt, madje edhe supletive, thjesht sepse ato funksionojnë ende, ashtu edhe unë mbaj e nuk hedh asgjë që ende funksionon…pra edhe sahatin tim të vjetër të xhepit”. Dhe kështu nisi të flasë për foljet e parregullta e supletive të shqipes dhe një mijë e një çështje të tjera të lidhjes mes shqipes e gjuhëve indoeuropiane.

E nis leksionin me një nderim të albanologut Holger Pedersen, e më pas thotë… “Imagjinoni: Danimarka, një vend që në tërësinë e vet numëron më pak banorë se Chicagoja, i ka dhënë shqipes dhe rolit të saj të pakrahasueshëm në familjen indo-europiane nëntë gjuhëtarë të kalibrit ndërkombëtar”. Hamp i quan të nëntë- “The Great Danes”, duke nisur me Rasmus Rask-un, zbuluesin e vërtetë të ligjit të Grimit, që ky i fundit vetëm sa e publikoi para Raskut danez, duke i dhënë padrejtësisht emrin. Pastaj u tërheq vëmendjen gjuhëtarëve historikë shqiptarë që “gjithnjë i referohen Pedersenit duke e cituar gabim sikur të kish thënë se kishte dy dhe jo tre laterale (bashkëtingëllore laterale/anësore) në indoeuropianishte…kam frikë se ata nuk e lexojnë Pedersenin në origjinal…thjesht i referohen njëri pas tjetrit gabimit që ka bërë i pari i atyre që e kanë cituar…”- shton pastaj duke lënë pas Ë-në e tij të gjatë, të plotë e tingëlluese mes fjalive, por edhe fjalëve; një “ë” që njihej si legjendare në fund të viteve 1960 mes studentëve pasuniversitarë të linguistikës në Universitetin e Chicagos, në epokën kur linguistika ishte mëma e rilindur e shkencave sociale moderne.  “Ëëëëëëëëëëë, por nuk dua të bëj listën me emra… s’ka rëndësi”, – thotë pastaj. Ngadalë, me një tufë rritëse parantezash, por edhe pa e humbur kurrë fillin, nis e lidh logjikisht tezën e tij, duke sjellë shembuj nga fjalë të mbledhura në 80 fshatrat arvanitase të Boeotisë greke, ku ka bërë ekspedita gjuhësore në vitet 1950-1960. Mban mend e përmend çdonjërin fshat, bashkë me moshat dhe karakteristikat e folësve që ka intervistuar, me një shqiptim perfekt (ndonëse tejet të sforcuar prej dishepulli të paepur) të të folmeve, e me një keqardhje prej ati që ka humbur bijtë e vet flori. Nis e thotë: “ëëëëëëëë, në vitet 50-60 ishin 570 ngulime të shqipes në Greqi… i kam numëruar një nga një… veç nuk pata kohë fizike të regjistroja më shumë se 80 ngulime”. Vetëm një gjuhëtar e di se çfarë do të thotë vjelje në 80 ngulime në terren! Dhe fytyra i pritet, e shfaqet një pezm i thellë. “Tani thuajse kanë vdekur të gjithë… folësit që intervistova unë, ishin në të gjashtëdhjetat atëherë. Duhet të kënë vdekur, megjithëse prapë mund të gjenden folës të mbijetuar.” Politika i intereson pak. Se si e pse jan zhdukur kaq ‘me nxitim’ arvanitasit e Greqisë, përse gjuha nuk flitet edhe kur dihet prej disa grupesh, se ç’rol kanë politikat institucionale greke në këtë, nuk është puna e tij. Veç gjuha i intereson, ajo e gjalla. Gjithsesi modestisht injoron që është i pari, para Trudgill-it, Kazazis-it, e Tsitsipis-it që ka folur për ndjesitë e forta të inferioritetit dhe diskriminimit të arvanitasve kur ata ende ndiheshin jo-grekë. Dhe lehtësisht, sikur t’i referohej rrugës që bën çdo mëngjes nga shtrati tek tavolina e punës, vizaton në ajër me gisht hartat e udhëve nga fshati në fshat në ndjekje të fjalës shqip nëpër Ballkane, prej shkrepave të malësive greke, malazese, atyre dalmate, serbe, kosovare e maqedonase. Po kështu bën me fshatrat e tjerë të shqipes arbëreshe në Itali, i vizaton në ajër, si zogj që zhvendosen në hartën që vetëm ai sheh, ku historia gjuhësore s’zë fill e s’ka fund, dhe as kufij, por vetëm continuum. Lakon lëvizjen e dorës në ajër dhe dredh vijën e drejtë, duke shmangur male e lumenj që i patën zënë rrugën më këmbë dikur, por të cilëve u ra qark, sepse përtej e priste fjala.

Cilësitë e metodës shkencore të Hampit? -Empirik, rigoroz në ligjësitë e fonetikës dhe gramatikës historike, i përpiktë në imtësi dhe i palodhur në kërkim të konfirmimit pa fund të çdo zbulimi në kuadrin e gjerë gjuhësor, i paepur e konsistent, me integritet shkencor të palakueshëm. Kur Hampi flet, të krijohet ideja se jeton në gjithëkohë e gjithëhapësirë; të duket vetja e përjetshme si ai. Nis me një formë foljore të fshatrave arbëreshë Cerzeto e Vaccarizzo Albanese, që jehohet nga arvanitishtja e fshatit Mandres dhe Magoula, dhe krejt natyrshëm dhe logjikshëm kalon në format e hetitishtes, anatolishtes, e mesapishtes, njëlloj sikur t’i kish vjelë mes të gjallëve edhe këto të fundit. Ë-të e tij të stërgjata janë një fat i madh në kësi rastesh, se të japin kohë të gjesh fillin që me siguri e ke humbur. Nuk ka kufij mes vdekjes dhe jetës në gjuhë apo shoqëri për Hampin. E gjitha është komunikim njerëzor i pandërprerë, domethënë gjuhë e përdorur dhe gradualisht e ndryshuar; e gjitha është vazhdimësi. Dhe ndoshta veç sipas kësaj filozofie, rindërtimi i miliona fijeve të shkëputura mes mëmës indo-evropiane e gjuhëve bija do ishte ndonjëherë i mundur.

Dhe kur ka përfunduar së përshkruari në detaj rrjetin fantastik që lidh Lindjen me Perëndimin, dhjetëra gjuhë të vdekura me ato që sot lulëzojnë apo po humbasin, kombe folësish miq e armiq, Hampi thotë: “Albanian is a personal love of mine. Albanian is the pinion on which Balkan linguistics all rests. Albanian is what is the fundament of Balkan Sprachbund.” (Shqipja është dashuri e imja personale. Është strumbullari rreth së cilës sillet gjithë gjuhësia ballkanike. Është themeli i sprachbundit ballkanik). E pastaj shton se “Slavishtja e vjetër dhe gjuhët balltike—edhe lituanezët do binin dakord, u pëlqen apo jo—janë si binjakë. Por këta binjakë nuk do mund të rrinin bashkë pa trinjakun e tyre, shqipen.”

Ah, shënimet komplekse, të mbishtresuara, të kapërthyera e të ndërlidhura me shenja fonetike, simbole komplekse, shigjeta e paranteza dyshimesh interesante të Hampit, janë një tjetër mesele shumë e veçantë. E kam provuar kur doja t’i botoja një artikull mbi numërorët themelorë në gjuhët indoeuropiane. Sa djersë e mund për t’i deshifruar e riprodhuar elektronikisht dorëshkrimet e tij, tamam ashtu siç i donte i pakomprometueshmi Hamp: “hundorësia e asaj zanoreje është ndryshe në atë fshat dalmat, dhe kjo lloj “ë-je” është rreth 1/10 e sekondës më e gjatë se ajo e shembullit të mëparshëm, dhe këto ndryshime duhen dëshmuar saktësisht në simbolet fonetike, përndryshe nuk bëjmë shkencë por mashtrojmë”. E pastaj, kur i kërkova të më jepte në bibliografi të shkrimit që kish përgatitur, burimet bibliografike për Buzukun, Matrangën, Bogdanin dhe Kristoforidhin, ca i fyer e ca i irrituar më tha: “Këto nuk duhet të jepen në bibliografi. Çdo shqiptar po ta zgjosh nga gjumi, duhet ta dijë këtë informacion. Do ishte e tepërt të shkruheshin”. Por do duhej një tjetër shkrim për to.

Në darkë, teksa pinte pak verë, me një buzëqeshje që përcjell aq shumë mirësi e sinqeritet, me sy gjithnjë të ndritshëm e të zgjuar, ngriti ai dollinë e fundit të tryezës: “Gëzuar e tungjatjeta!”- na tha Hamp me një shqipe jugore fshatarake, të pastër e të ëmbël.

Me gjithë zemër, i dashur e i virtytshëm Eric! T’u ngjattë jeta edhe ty, dhe të falemi nderit të gjithë për një jetë që na e kushtove ne shqiptarëve e gjuhës sonë më shumë se vetes. Dhe shpresoj të mund të ta themi këtë sa je gjallë e na dëgjon.

 

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

8 Komente

  1. Nuk e di a ekzistojne me kushtet qe bota te vazhdoje te nxjerre te tille njerez?

    1. Te mendosh se kushtet kur ka nisur punen kane qene pa dyshim me te veshtira se te sotmet ne tere aspektet, perkushtimi mbetet sfide si perberes themelor ne arritjet njerezore.

      1. Po. une kam mbetur ne rruge, pa autobus, automjete, hotele apo dyqane; e me eshte dashur te bej rruge te gjata malore ne kembe, e ndonjehere te luftoj me fjale per t’u mbrojtur ne ato fshatra ne 2012 e me pas. Imagjino si ka qene situata ne vitet 50 e 60 te shek te kaluar. Por ne pleqeri e merrnin arbereshet neper institutet e veta dhe ia benin shume te kendshme ndenjjen. 🙂

      2. Nuk mendoj se eshte thjesht çeshtje perkushtimi. Pavarsisht se çfare thuhet, njerz te perkushtuar ka ne çdo kohe, por rezultati nuk eshte i njejte. Kur u formua Hamp-i kerkohej te pajiseshe me njohuri te shumefishta e te panumerta (te cilat kerkonin individe me reception te veçante), nderkohe qe sot synohjet nje lloj specializimi mjaft i holle. Eshte kerkese e kohe dhe nuk eshte domosdoshmerisht gje e keqe, por thjesht sa per te kuptuar se kushtet e veçanta qe pergatiten Hamp-i dhe te tjere per mua nuk ekzistojne me.

        1. Lyss: as une nuk mendoj te jete vec perkushtim. Madje mendoj qe perkushtimi te mos jete hic themelor ne berjen e tij. Por ama nuk besoj qe ishte ashtu – pra, nje ruajtes e perdorues i njeres prej atyre dosjeve mendore me qindra xhepa brenda, ku ruheshin materiale qe zor se i gjeje kund tjeter, te gjitha aktive dhe gati per perdorim – nga qe koha e tij i formonte ashtu njerezit. Koha e tij ka prodhuar plot te tjere qe moren drejtime praktike e krijuan profile per ne te zakonta, drejtimet e kohes qe marrin gjithe qeniet humane qe gjithnje u takojne periudhave te caktuara. Sado i vjeter, Hamp ishte shekuj jashte kohes se vet. Nje tjeter gjuhetar me banim ne Bath te Anglise me vjen ne mend. Eshte 40 vjet me i ri se Hamp, por eshte identik ne aq shume drejtime. Edhe ndonje tjeter.

          Per mua keto jane zhvillime qe bazohen kryesisht ne idiosinkrezi te individit. Keta tipa, edhe sikur te duan, nuk dalin dot nga tipi i vet, dhe i gjemojne atij lloj zhvillimi (pasionant e te perkushtuar gjithashtu) qe i zgjeron dhe i shtresezon ashtu si duan vete. Ceshtja eshte se Hamp jetoi ne nje kohe kur universitetet amerikane kishin plot para dhe gjuhesia, ne kulm te zhvillimit te vet modern, e perballonte nje mendje si Hampi (per disa njerez “e toleronte”). Sot, nje njeri ashtu, ose eshte me fat dhe gjen ndonje zyre te vockel mbetur ne departamente gjuhesh te vdekura qe cdo vit kritikohet, akuzohet per mos-prodhim, merret neper goje si forme bamiresie, ose diskutohet a te mbyllet per mungese fondesh ne buxhet apo te lihet ende hapur edhe pak. Ose, me shume me shume gjasa, nje njeri ashtu sot ngelet per jete pa pune, dhe jeton si pjese e proletariatit intelektual te prekariatit te perjetshem. eheh. Kohet tona!

    2. Dikush ndoshta edhe me pak dashakeqesi tha njehere: “A great mind of the 19th century”.
      Por Hamp kish nje miresi aq te madhe e te thelle, dhe nje si idealizem feminor pa qene kurre ne rrezik qe te mos kuptonte shpotite, apo te mos qe ne lartesine a pjekurine e duhur si njerezore ashtu edhe shkencore. Pa dyshim sh i rralle, Dash!

  2. Unë Hampin e kam takuar veç një herë – do të ketë qenë viti 1993 ose 1994, te një konferencë linguistike në Vietri sul Mare, në Bregun Amalfitan, që e organizonte Universiteti i Salernos. Deri atëherë veç ia kisha dëgjuar emrin, sidomos të cituar nga Çabej dhe Sh. Demiraj, që ishin edhe mësuesit e mi: Hampi, ashtu për së largu, ishte për mua gjigand, i krahasueshëm me Joklin dhe Pedersenin.

    Kur e takova, më bënë përshtypje ngjyrat e ndezura të veshjes së tij, dhe faqet e kuqe që, bashkë me mustaqet, i jepnin një pamje si prej personazhi të Disney-t. Ishte shumë i butë dhe pak si i stakuar, edhe pse gjithnjë gati për t’u angazhuar në biseda teknike rreth çështjesh për mua obskure. Jam ulur edhe në tryezë me të në restorant: nuk foli shumë. Nëse më ka mbetur në mendje diçka, ishte sa i pastër m’u duk. Jo se isha mësuar të rrija me pleq të palarë, por ky ishte si i dalë nga kutia. Fantastik. Të gjithë e donin. Larger than life.

    Mbaj mend edhe si një nga organizatoret e takimit, Patrizia del Puente, shpesh merakosej për Hamp-in: ku është? – pyeste. E kish kapur një frikë e pashpjegueshme (dhe e paarsyeshme) mos ky nisej të ikte gjëkundi dhe humbte rrugën. Sidomos një ditë që e kishim “liridalje” dhe filluam të shëtisim në qytet. Vend shumë i bukur. Por Hamp-i lëvizte në përmasën e vet dhe atje nuk ia hante qeni shkopin. Sërish, si fëmijët, ish gati të vazhdonte një bisedë me dikë që e kish lënë përgjysmë para 2-3 ditësh.

    Tani më vjen keq që nuk ndenja pak më gjatë me të, ose të paktën “afër” tij. Më vonë, prof. Ismaili nga Prishtina më dhuroi librin që e kishin përgatitur, me përkthime “Studime krahasuese për shqipen”: punë e mrekullueshme. Hamp-i nuk e ka logjikën sistematike të Çabejt, por tregon një lloj aftësie të rrallë për të kërcyer shkrep më shkrep, pa iu larguar shumë temës (nëse Çabej është Brahms-i i albanologjisë, Hamp-in do ta krahasoja me Sibelius-in). Erudit i pashembullt, por edhe i vetëdijshëm që në atë nivel nuk ka se me kë t’i ndajë mendimet dhe dyshimet.

  3. E mendoj si ti. Hampi ishte filolog, ndersa Cabej nje linguist revolucionar. Ai qelloi ne Universitetin e Chicagos qe nga fundi i viteve 60, tamam atje ku ziente kazani i linguistikes qe ishte aq ne mode dhe e fuqishme aso kohe, me aq ide dhe peshtjellime qe kishin perqafuar, tekjaluar e kritikuar Chomskyn ne ato vjet. Shkenca qe adhurohej e kopjohej nga te gjitha fushat, por qe vetem me te mencurit mund ta merrnin persiper. Por Hamp nuk ndryshoi kurre gjesend tek vetja apo tek menyra se si i bente punet e si e shihte gjuhen dhe gjuhesine. Sic thote dikush, ai me ngulm e pa u lodhur i binte botes perreth me doren e vet te zgjatur dhe gishtat e hapur duke pyetur fshat me fshat: “sa jane ketu?”.
    Po – Hampi e adaptonte dhe e adoptonte ambientin perreth pa iu nenshtruar hic atij. Njerezit i shihnin siperfaqen, e s’e kuptonin qe ishte shkemb, dhe po ashtu sh i mprehte; por po te ishin me te kujdesshem, mustaqet e tij te pazakonta duhet t’i benin te mos kishin frikera se humbiste :). Kishte marredhenie shume te mira me njerezit. Kish nje miresi te dukshme dhe nje sens te forte qe te mos futej ne konflikte te kota. Akoma tani kam degjuar foles neper fshatra te humbur, qe e paten njohur kur ishin femije, te flasin per te me pasion e mall.
    Edhe une ashtu mendoj, qe askush nuk e ndjek dot ne arsyetimet e tij jo aq se i ka te copezuara (pa e humbur kurre lidhjen ne koken e vet) por sepse te gjitheve u mungon njohuria e aq gjuheve dhe thellimi ne njesi aq te detajuara ne lidhje shumefishe ne kohe e hapesire. Ja cfare thoshte Jerry Sadock nje tjeter gjuhetar me sh humor nga Uni of Chicago: “I was sad to hear that Eric Hamp has passed away, and with him his unbelievably enormous storehouse of facts and conclusions concerning the descent of words. His knowledge was so vast, and his ability to access that knowledge so adept that he could discourse almost infinitely on any question of etymology. I have heard the story that he once gave a course called, laconically, Etymology. The course began, I am told, with a single word of Old Irish and ceased ten weeks later without having completed the biography of that word.” 🙂 Dhe nje tjeter: “Here’s an anecdote that Eric Hamp was fond of telling on himself.
    Some time in the 1950’s, a Chicago Tribune reporter came to the university to interview Norman McQuown, a renowned Mayan scholar, and Eric Hamp. When it was Hamp’s turn, the reporter asked him how many languages he knew. “How many did McQuown say he knew?” Eric asked. “Fifty,” said the reporter. To which Eric replied, “Put me down for a hundred.”
    This brief story is actually pithy. It touches on some still fraught questions, among others, what counts as a language, and what it means to know a language.” Nje tjeter person thote kete: “I remember him saying at Tea once that he was talking to a colleague about his recent trip to Spain, and related a conversation he had there in Spanish. His colleague said ‘Oh, I didn’t know you speak Spanish, Eric’ to which he replied ‘I don’t, but I know Latin and just run through the sound-laws.” Dy studente te tij thone keto: “He read my Phonetics field exam and when I submitted its reading list his only comment was “All in English. Do we have a monopoly?” dhe tjetri: “I remember him being really mad at Helmut Jahn for his design with lights at O’Hare terminal 1 for United. Claimed an airport should be a place for relaxing. “-You sit down, wait, write a paper or two…”
    Historite jo vetem qe shprehin idete dhe humorin tipik te Hampit, por edhe sa shume e donin njerezit. Dhe e cmonin se askush nuk u vinte dot verdalle gjuheve te vdekura e te gjalla me aq lehtesi e kompetence si nje bari vathes se vet te gjere. Por pa dyshim ka edhe qe thone “He was overrated”. Keto gjera jane njerezore edhe per njerez me afer shkencave, akademise dhe metodave moderne.
    Une do ta kujtoj gjithnje si nje njeri idealist e te rralle, te mbytur gjer mbi hunde me tingujt dhe format e dialekteve ne pergjithesi, dhe shqipes ne vecanti, e nje mendje qe natyrshem e lehtesisht shqepte e thurte pa pushim lidhje elementesh gjuhesore.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin