TË EMËRTOSH LUFTËN

Strategji semantike në politikat gjuhësore të emërtimit të luftës në Izrael

nga Ledio Hala/ Universiteti i Regensburgut

Lindja e një fushe studimore, si ajo e politikave gjuhësore erdhi si nevojë për të ndriçuar ndryshime gjuhësore të cilat nuk shpjegohen vetëm përmes faktorëve të brendshëm gjuhësore, por edhe prej faktorëve jashtëgjuhësore. Kjo në radhë të parë sepse ndryshimet gjuhësore vijnë edhe si pasojë e ndryshimeve sociale e politike. Përtej qasjeve të përgjithshme teorike, mund të thuhet që shumë ndryshime apo risi motivohen nga një apo disa ideologji dhe janë produkt i  politikave (shtetërore) të qëllimshme. Kjo do të thotë që edhe një emërtim, sado i parëndësishëm në dukje, ndikon dhe imponon mënyrën tonë të të kuptuarit të një ngjarjeje.

E kësisoj kjo parashtresë e shkurtër, na ndihmon të kalojmë konkretisht te ndodhitë e fundit që po ndodhin në Izrael, të cilat kanë motivuar shtetin të detyrojë „Komitetin Qeveritar të Emërtimeve“, që të emërtojë luftën e tanishme. Ky komitet, themeluar qysh në vitin 1951, kishte si synim hartimin, më saktë rivendosjen e emërtimeve të krahinave dhe e të gjitha emërtimeve të tjera të hartës së Izraelit. Me rivendosje nënkuptojmë zëvendësimin e emërtimeve në arabisht, me emërtime në hebraisht. Komiteti është kujdesur që të bazohet në emërtime historike, në përkthimin e emërtimeve nga arabishtja, ose në vendosjen e një trajte në hebraisht të emërtimeve në arabisht. Besoj se lexuesit të këtij shkrimi nuk i duhet shumë mund për të kuptuar që emërtimet janë motivuar nga ideologji dhe politika të caktuara. Po aq mund nuk duhet për t‘u kuptuar që themelimi dhe ekzistenca prej kaq dekadash e këtij komiteti qeveritar flet hapur jo vetëm për një politikë gjuhësore, por edhe për një planifikim gjuhësor të suksesshëm. Të dyja ndërveprojnë me njëra-tjetrën, duke vendosur kësisoj në mënyrë të qëllimshme dhe të planifikuar jo vetëm emërtimet, por edhe duke ndikuar në perceptimin e individëve, meqenëse emërtimet mbartin kuptime dhe kujtime, ose thënë ndryshe emërtimet mbartin kuptimin dhe kujtimin që planifikuesit e gjuhës dëshirojnë të përcjellin.

Në një moment historik për Izraelin, Komiteti, gjithmonë i pranishëm si institucion më vete, merr detyrën e vendosjes së emërtimit të luftës. Kjo luftë deri më tani ka pasur disa emërtime: nga njëra anë populli i Izraelit që e quan „Lufta“ ose „Lufta e 7 tetorit“, ose „Lufta e Gazës“ dhe nga ana tjetër forcat mbrojtëse që e emërtuan operacionin e tyre  „Shpatat e hekurta“ (Iron Swords). Po t’i këqyrim me vëmendje, këto emërtime na lënë të kuptojmë si më poshtë:

I. Lufta- një konflikt i hapur, i deklaruar dhe i armatosur midis dy vendeve a shteteve

II. Lufta e 7 tetorit- një konflikt i hapur, i deklaruar dhe i armatosur mes dy vendeve a shteteve që ka filluar apo ndodhur në 7 tetor

III. Lufta e Gazës- një konflikt i hapur, i deklaruar dhe i armatosur mes dy vendeve a shteteve që ështe zhvilluar dhe po zhvillohet në Gaza.

IV. Lufta e “Shpatave te hekurta”- një konflikt i hapur, i deklaruar dhe i armatosur mes dy vendeve a shteteve, në të cilin pala ushtarake izraelite është vetëquajtur në mënyrë metaforike dhe patriotike “Shpatat e hekurta”.

Të gjitha këto emërtime janë ndoshta të mjaftueshme për popullsinë dhe ushtrinë. Në një situatë kaq të nderë pasigurie, këtyre palëve (e sidomos ushtrisë) as që i shkon ndërmend një emërtim tjetër. Gjithsesi, emërtimi “Luftë” është i përkohshëm, përdoret vetëm sepse lufta është aktuale, por është fare e qartë që më vonë do të dalë nga përdorimi. Si në shumicën e rasteve, ndryshe ndodh me shtetin, i cili ka si synim të imponojë mënyrën e të kuptuarit të kësaj lufte. Si çdo lloj mënyre apo mjeti propagande, emërtimi përbën gjithashtu një nga mjetet më të rëndësishme të kontrollit qeveritar mbi mënyrën se si do të kuptohet lufta (edhe) më vonë, si dhe se si do të kuptohet dhe perceptohet vetë historia.

Kështu, vetë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u ankua pranë kabinetit të ministrave që emërtimi i luftës si “Shpatat e hekurta” teksa është domethënës për një operacion ushtarak, nuk është i mjaftueshëm si emërtim lufte.  Në nxitim e sipër ai rekomandoi të emërtohej zyrtarisht „Lufta e Gazës“ duke u pajtuar me popullin, dhe duke menduar që një emërtim konkret do të ishte më domethënës se sa një metaforë. Por kryeministri kishte harruar që rezidenca ku ai banon në Jeruzalem quhet rruga “Aza” që është emërtimi në hebraisht për Gazan. Ata që e këshilluan kryeministrin të mos e emërtonte “Lufta e Gazës” , sigurisht ishin të vetëdijshëm që një emërtim i tillë i luftës, teksa ai jeton në një rrugë që mban emrin Gaza mund të shihej si një paradoks i vërtetë.

Tashmë, Komiteti ka tri alternativa emërtimesh, dhe gjendet përpara përgjegjësisë për të vendosur për njërën prej tyre. Tri emërtimet që diskutohen janë “Lufta e Zanafillës” (Genesis War), „ Lufta e Simchat Torah“ (Simchat Torah War) dhe „Lufta e Erërave“ (War of the Winds). Le të shqyrtojmë tani kuptimet e këtyre tri emërtimeve:

I. Lufta e Zanafillës – i referohet librit biblik të Zanafillës, që hebrenjtë fillojnë të lexojnë në festën e Simhat Torah, që këtë vit ndodhi më 7 tetor, në ditën që Izraeli u sulmua nga forcat e Hamasit.

II. Lufta e Simchat Torah – i referohet festës së Simchat Torah të 7 tetorit 2023, në të cilën festohet mbyllja  e ciklit vjetor të leximit të Torah dhe niset leximi i Zanafillës.

III.Lufta e Erërave (Mashiv HaRuach ) – kjo i referohet një lutjeje për shiun dhe erën, që bëhet nga hebrenjtë pikërisht në këtë ditë, në Simchat Torah. Përmbajtja e lutjes është „Ai që bën erën të fryjë, Ai që bën shiun të bjerë“ (Mashiv HaRuach U’Morid HaGeshem).

Të trija emërtimet kanë në thelb një motivim religjioz. Që Hamas sulmoi në ditën e Simhat Torah ky është një fakt, po aq sa është tashmë një fakt që shteti kërkon t’i orientojë individët drejt një kuptimi të luftës si luftë fetare, që do të thotë ata u sulmuan në ditën e një feste fetare, sepse janë hebrenj dhe sepse feja e tyre është judaizmi. Politika qeveritare kërkon ta identifikojë përkatësinë nacionale me përkatësinë fetare, duke e orientuar perceptimin mbi luftën drejt një interpretimi tradicional: ne u sulmuam ashtu si dikur sepse jemi hebrenj. Emërtimi më i preferueshëm deri tani është “Lufta e Zanafillës”, ndoshta jo vetëm për të tejçuar kuptimin e lartshënuar, por edhe për t’i dhënë luftës karakterin e një lufte esenciale, e cila rrënjët i ka qysh në Zanafillën Biblike.

Nuk është hera e parë që një luftë emërtohet në këtë mënyrë në Izrael. Mjafton të hedhim sytë nga e shkuara, te lufta e Yom Kippur, luftë e zhvilluar në tetor 1973 mes Izraelit dhe shteteve arabike të drejtuara nga Egjipti dhe Siria. Yom Kippur është dita më e shenjtë e vitit për hebrenjtë, që në tetor 1973 përkoi me ditën e dhjetë të muajit të Ramazanit për palën arabe. Nga njëra palë emërtohet Lufta e Yom Kippur e nga pala tjetër Lufta e Ramazanit. Të dyja palët përpiqen historikisht ta emërtojnë luftën në mënyrë të tillë që ajo të perceptohet si një luftë për arsye fetare.

Shkruesit të këtyre rreshtave nuk i takon të mbajë një qëndrim për kësisoj vendimesh, por i takon të rikthehet dhe njëherë te rëndësia e politikës dhe planifikimit gjuhësor, që gjen shtrirje në këtë rast deri në vendosjen e planifikuar të emërtimit të luftës.  Për sa kohë që mënyra e përdorimit të gjuhës nga pushteti ndikon mënyrën e perceptimit të ngjarjeve dhe të vetë historisë, kjo shkencë do të jetë gjithmonë e pranishme, për të vëzhguar modele, për të hedhur hipoteza, e për të konceptuar teori.

© 2023 Ledio Hala. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është përftuar me AI.


Për lexime të mëtejshme:

1.https://www.timesofisrael.com/liveblog_entry/swords-of-iron-out-genesis-war-in-the-answer-may-be-blowin-in-the-wind/

2.https://www.algemeiner.com/2023/12/21/israeli-government-discuss-formally-changing-countrys-name-gaza-war/

Rreth Autorit

Ledio Hala është lektor i shqipes në Universitetin e Regensburgut dhe Universitetin e Mynihut. Ai doktoron në fushën e politikave gjuhësore në Shqipëri. Interesat e tij shkencore janë në gjuhësi sinkronike, filologji të teksteve shqipe të shekullit XIX, si dhe në censurën e letërsisë në Shqipërinë totalitare, temë për të cilën Ledio ka botuar së fundmi dhe një monografi.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin