ÇIFUTË DHE HEBRENJ

Lexoj sot se kryeministri Rama paska përdorur fjalën “çifut” në Kuvend dhe se kjo ka irrituar kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Vasilin, i cili e ka krahasuar gjuhën e Ramës me atë të nazistëve dhe të neonazistëve.

Ka thënë Vasili:

Ne jemi të habitur nga gjuha e tmerrshme që Rama përdori për hebrenjtë, termin çifut, term që përdorej vetëm nga nazistët në Luftën e II Botërore.

Kjo ishte një gjuhë e një naziskini të ri, i cili po me këtë gjuhë naziskini  […] i drejtohet popullit shumë të respektuar të Izraelit. Hebrejtë kanë qenë miq të kahershëm të shqiptarëve.

Edhe pse Vasilin nuk mund ta besosh në këto rrëmbushje leksikore filosemite; edhe pse nuk ka asnjë bazë argumenti se termin çifut e paskan “përdorur vetëm nazistët”; edhe pse përpjekja për ta lidhur përdorimin e kësaj fjale të shqipes me votën e Shqipërisë në OKB për Jerusalemin kryeqytet të Izraelit tani së voni… pra, megjithë teatrin patetik që luan opozita në Parlament, tabunë e heshtur ndaj fjalës çifut nuk e ka krijuar, as shpikur opozita.

Kjo tabu njëfarësoj rimerr – duke pasqyruar dhe imituar – një situatë leksikore që ekziston në gjuhë dhe kultura të tjera, ku antisemitizmi ka rrënjë edhe historike, edhe në të tashmen; dhe ku antisemitët rëndom përdorin fjalë sinjalizuese të posaçme për t’u identifikuar me njëri-tjetrin. E tillë do të ishte fjala kike në anglishte, e cila është tabu në ligjërimin e përditshëm dhe konsiderohet si fjalë fyese me natyrë raciste.[1]

Anglishtja, përndryshe, përdor fjalë si Jew dhe Jewish, të cilat nuk janë as fyese as raciste në vetvete.

Për arsye kulturore dhe historike, shqipja nuk ka fjalë e cila të jetë specializuar tashmë si etiketë raciste fyese për hebrenjtë; çifut, e cila sot po kërkohet të trajtohet kështu, nuk ka qenë përdorur gjë ekskluzivisht në kontekste të diskriminimit, denigrimit racial dhe të persekutimit antisemit.

Fjala ka hyrë në shqip gjatë shekujve të pushtetit osman dhe ka shënjuar në mënyrë neutrale individët e etnisë përkatëse.

Ndoshta edhe për këtë arsye, asnjë nga fjalorët e shqipes nuk e shënjon fjalën çifut si tabu a si keqësuese, por vetëm sa e përkufizon si:

Pjesëtar i një populli, që banonte në Palestinë deri në shekujt e parë të erës sonë dhe që më pas u shpërnda në vende të ndryshme të botës; ai që e ka prejardhjen nga ky popull dhe që banon sot në Izrael ose në vende të tjera të botës; hebre.

Përkundrazi, një përdorim i figurshëm i kësaj fjale, me kuptimin “dorështrënguar, koprrac, që sheh gjithnjë përfitimin”, etiketohet si keqësues. Edhe pse ky përdorim i referohet stereotipit folklorik të hebreut në kulturën europiane, ai sot nuk zbatohet më ndaj individëve të kësaj etnie (dhe në përgjithësi është vjetruar).

Megjithatë, sa kohë që integrimi dhe globalizimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit në kulturën politike Atlantike-Perëndimore ka sjellë me vete edhe pozicionimin e fortë kundër antisemitizmit, është ndier progresivisht nevoja edhe për një tabu leksikore, si ajo e anglishtes më lart, dhe këtë nevojë duket se po e plotëson fjala bisedore ekzistuese çifut. Ky specializim i një fjale të vjetër ka natyrë librore, jo-popullore; vjen nga lart jo nga poshtë; dhe nuk dëshmon ndonjë formë spontane antisemitizmi, edhe pse mund të përdoret tash e tutje për synime antisemite, sa kohë që e ka marrë etiketën e tabusë.

Që nga momenti që statusi i çifut u problematizua, sidomos në shqipen formale dhe standarde, atëherë u desh plotësuar zbrazëtia e lënë prej tabuizimit; dhe ashtu u shpluhuros fjala hebré, dikur krejtësisht librore, për t’u përdorur në kontekste neutrale (së bashku me mbiemrin hebraik). Sa më dendur që të përdoret fjala hebré në kontekste ku dikur përdorej lirisht çifut, aq më shumë fundoset statusi i kësaj të fundit, në kënetat e tabusë dhe të antisemitizmit.

Tani, mund të diskutohet sa të barasvlershme mund të jenë fjalët hebré dhe çifut – meqë ka një dallim në origjinë mes tyre, meqë të dytët mbahen si pasardhës të së parëve (te kjo faqe mund të lexoni një diskutim të dallimeve në anglishte); po aty, lexoj edhe se “në ato gjuhë ku të dy termat ekzistojnë, konsiderohet fyese dhe e pasjellshme që t’i quash “çifutët e sotëm” (modern Jews) hebrenj.”

Por kjo nuk ka vlerë për shqipen. Çfarë ka vlerë për diskutimin e tanishëm, përkundrazi, është se atje ku ekzistojnë terma sinonimë për të quajtur individët e të njëjtit popull, si në shqipen çifut dhe hebre, atëherë diferencat kuptimore mes tyre do të përfshijnë, herët a vonë dhe në rrethanat e globalizimit, edhe antisemitizmin. Dhe në shqipen e sotme çifut, si fjalë bisedore, e cila ka zhvilluar edhe një kuptim keqësues (“koprrac”), është vetvetiu e dënuar që të tabuizohet; ndërsa hebre, si fjalë librore, do t’ia zërë vendin në leksikun neutral, siç edhe ia ka zënë.

Është për t’u shënuar se, për arsye që janë vënë në dukje nga historianët dhe sociologët, antisemitizmi historikisht nuk ka hedhur dot rrënjë ndër shqiptarë; por sot, për pasojë edhe të globalizimit dhe të patologjive kulturore dhe fetare që vijnë si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, po vërehet një përhapje e qëndrimeve antisemite mes grupeve dhe qarqeve islamike ekstremiste, por edhe mes disa qarqeve neonaziste dhe konspiraciste (mjaft të përmend që denoncimi i fortë që i bëhet Sorosit dhe veprimtarive të OJQ-ve të financuara prej tij shpesh vjen me tonalitete të forta antisemite).

Antisemitizmi mund të mos ketë rrënjë kulturore mes nesh, por kjo nuk i bën gjë shqiptarët vetvetiu imunë ndaj tij, përkundrazi.

Dhe fakt është që diskursi antisemit, si ai islamist ashtu edhe ai tjetri neonazist, po e përdorin tashmë termin çifut si “ethnic slur”, ose epitet fyes, racist, kundër hebrenjve dhe gjithçkaje ata përfaqësojnë në psikologjinë dhe në imagjinatën kolektive. Dhe po e përdorin jo vetëm ngaqë besojnë vërtet ashtu, por edhe pse grupe të tilla ekstremiste konsolidohen edhe duke thyer sistematikisht tabutë, ose duke komunikuar mes tyre nëpërmjet një diskursi që pjesa tjetër e shoqërisë, përfshi edhe shoqërinë “zyrtare”, e konsideron tashmë si subversiv, ose tabu. Me fjalë të tjera, antisemitët “e rinj” mes nesh, nëse mund t’i quaj kështu, kanë keqas nevojë edhe ata për tabunë.

Kjo “rrëshqitje leksikore” i bën vetvetiu të ndjeshëm ndaj fjalës – dhe tabusë së implikuar – edhe të gjithë ata që nuk duan të merren, madje as gabimisht, për antisemitë; sidomos ata që nuk duan të përdoren prej gjuhës, për të marrë pozicione me të cilat nuk identifikohen.[2]

Fakt është që shqipes së sotme i mungon një fjalë për “Jew” dhe “Jewish”, e cila të mos ketë konotacionet e çifut, gjithë duke mundësuar diferencimin nga hebre, hebraik; aq më tepër që, për shumë prej nesh, izraelit – një tjetër alternativë – po i referohet gjithnjë e më shpesh qytetarëve të Izraelit dhe gjithçkaje ka lidhje me atë shtet (ndërsa për hebrenjtë (çifutët) karakteristika kryesore do të ishte që ata jetojnë në vende që nuk janë “të tyret” – p.sh. hebrenjtë e Francës, ose të Italisë.

Më në fund, ashtu siç importojmë antisemitizëm, nëpërmjet predikimeve të klerikëve islamikë ekstremistë dhe teksteve të neonazistëve dhe burimeve të tjera të së djathtës alternative, njëlloj jemi duke importuar edhe strategjinë dhe metodat e luftës kundër antisemitizmit, e cila kërkon – paradoksalisht – edhe stabilizimin e tabuve antisemite. Dhe meqë lufta kundër antisemitizmit përbën një përparësi për kulturën e sotme Perëndimore, si pjesë e një lëvizjeje më të gjërë që kërkon mbrojtjen e diversitetit, të tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare dhe të bashkëjetesës me Tjetrin, por edhe distancimin permanent ndaj persekutimit të hebrenjve gjatë Luftës II dhe Holokaustit, atëherë edhe ne – si shoqëri me aspirata të caktuara – po i përvetësojmë me zell (herë të sinqertë herë oportunist) disa trope dhe stilema karakteristikë e shoqërive dhe kulturave të tjera ku antisemitizmi ka qenë dhe mbetet shqetësues.

Prandaj edhe fjala çifut, në të gjitha përdorimet e saj, e ka marrë rrugën drejt tabuizimit dhe nuk ka më të ardhme në shqipen e përditshme, sidomos në atë publike. Kjo nuk i përligj, megjithatë, akuzat e P. Vasilit sot,  për Ramën “naziskin”; të cilat vetëm sa turbullojnë ujërat dhe ia rritin autoritetin palës në pushtet – tek e fundit, si të mos mbetet kjo palë në pushtet, kur ka përballë një opozitë të specializuar në improvizime të tilla teatrale?

 

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe riprodhimi online dhe në mediat e shtypura.


[1] Fjalë tabu në gjuhë të tjera, që sot konsiderohen haptazi si antisemite: жид në rusishte, çıfıt në turqishten e sotme.

[2] Ndonëse ende nuk e konsideroj dhe as e ndiej fjalën çifut si antisemite në vetvete, edhe unë tani kujdesem që të mos e përdor në tekste publike, për të shmangur keqkuptime dhe keq-identifikime. Nuk më kushton asgjë të përdor hebre, një fjalë e barasvlershme me të.

28 Komente

  1. Ing. Marko Menahem, nje bir i ketij populli ne vitin 1986 gjate nje takimi ne Tirane, kur une perdora fjalen cifut, me tha: Te lutem mos e perdor kete fjale per te emeruar popullin tone. Kete fjale na e kane ngjitur arabet per te shprehur perbuzjen e tyre ndaj nesh. Fjala “Cifut” ka nje kuptim te ngjashem me fjalen shqipe “Pufte”, qe ju shqiptaret e perdorni per ndonje person te pavlere.
    Fjala Hebre / hebreu / hebrenj /hebrenjte, ose Jude / judeu / judenj / judenjte, mund te perdoret per popullin tone per kohen e shkuar, kurse pas formimit te shtetit te Izraelit, per te emeruar banoret e ketij shteti mjafton emri Izraelit.

  2. Dakord jam, sidomos kur per kopracine ne kemi Gjirokastritin(nuk di per Gjinokastritin) qe na shpeton nga keto lajthitje qe rrezikojne te na ekspozojne si “te huaj” me imagjinaten kolektive europiane.

    Dua te them, se sidoqofte gjirokastritet elektoralisht do ja falnin analogjine kryeministrit aktual qe eshte shperdorues i madh fjalesh, nderkohe qe kjo tolerance mund te shihej si akt bujarie qe buron nga injorimi.

    Ketu meriton nje lloj konsiderate gjetja letrare “Çifutka e Toledos” qe nuk tingellon me ate karakterizimin pezhorativ te cifutit.

  3. Në Kosovë, në ligjërimin bisedor, kryesisht përdoret emërtimi “jahudi”. Nuk jam i sigurt se kah vjen ky emërtim, po mund të vijë si pasojë e leximit literar të shkrimeve fetare nga gjuha arabe.
    Jahuditë janë përshkruar si njerëz punëtorë, që ruajnë lidhjet farefisnore dhe që kontribuojnë shumë për çështjen hebreje. Si i tillë, termi nuk ka natyrë stigmatizimi.
    Sitgmatizimi është më i shprehur ndaj etnive tjera: magjup, shká etj.

  4. Për ta plotësuar tablonë e ndyrë të politizimit të një fjale, po shtoj këtu poshtë një shënim që paska lënë patriarku i opozitës Sali Berisha sot në FB:

    Edi Rama rikthehen ne parlament gjuhen e urrejtjes te Enver Hoxhes ndaj hebrenjve!

    Te dashur miq, sot Edvin Kristaq Rama riktheu pas dekadash ne parlament gjuhen e urrejtejes se eterve te tij mizor, Enver Hoxhes dhe klikes se tij ndaj hebrenjve. Neo-bllokmeni Edivin Kristaq Rama perdori sot ne parlament terminologjine tipike hoxhiste ndaj hebrenjve. Ai, ne nje shperthim urrejtje dhe perçmimi ndaj deputeteve te opozites por edhe kombit hebre, tha ne parlament se “ju jeni gati te beheni çifute, jeni gati te beheni eskimez, jeni gati te beheni dele e zeze e ketij vendi..”

    Kjo eshte nje fyerje antisemite tipike hoxhiste ndaj kombit hebre. Ky eshte nje akt tejet i rend dhe i papergjegjshem i nje njeriu qe ruan trashegimine dhe urrejtjen e eterve te tij ndaj nje kombi mik, ndaj nje kombi qe nga urrejtja raciste perjetoi Holokaustin ne Luften e Dyte Boterore. Rama, njelloj si Enver Hoxha, me gjuhe perçmuese dhe urrejtje zgjodhi per te fyer deputetet e opozites me krahasimin e tyre me çifute dhe eskimez, apo dele te zeze duke besuar se me keto epitete mund ti poshtroje ata.

    Me kete rast, duke denuar me ashpersine me te madhe kete deklarate antisemite, i them Edi Rames se as Hitleri dhe as Enveri apo Hitleri shqiptar nuk arriti kurre te cenoje respektin, miqesine e shqiptareve ndaj hebrenjve dhe nuk mund ta cenoje askush.

    Shqiptaret me qendrimin e tyre ndaj Holokaustit firmosen faqet nder me te ndritura ne historine e tyre por edhe te qyteterimit perendimor! sb

    Meqë Berisha shkon deri atje sa të gjejë lidhje midis tallavasë së Parlamentit në Tiranë dhe “antisemitizmit hoxhist”, mbase duhet vërejtur se është kjo mënyrë histerike për t’u indinjuar me hiçgjë që të sjell në mend teatrin që luante Enver Hoxha në plenumet.

  5. Fjalori i Orientalizmave:Tahir.N.Dizdari-Tur.çifit<pers.xhohud<ar.jahud<hebr.Juda-lat.Judas,bir i Jakobit,prej te cilit muer emnin,nji prej 12 fiseve te Izraelit ose mretnija e Judës,shqip.çifut:besimtar i fese se Moisiut(Musajt)jahudi,xhudhi Bogdani,zudhi Bardhi;”Jude,feiger Mensch” Meyer EW,Çfutni-ja f.”cete,stirpe degli ebrei”ne fjalorin e Junggut17,Çifutrisht ndj.tosk.si çifutnit,ne menyre e ne zakone te tyne,A.Vehbiu”Patriarku Berisha etc”nje kumt i perkryer,Berishes po ti qahej zemra per Hebrenjt&Ameriken,nuk na fuste ne Lidhjen lslamike,kur perpjestimet e te krishterve&myslimanve ne Shqiperi,jane pothuajse,te barabarta,pasi nje pjese e mire e popullsise myslimane te Shqiperise,ose nuk jane praktikant ose hane mish derri dhe pijne alkool si te krishteret,identifikimi i kombit tone,si lslamik eshte dashakeqe,kunderthenese,dyfytyreshe,prej Berishes kur njeherazi pohon se”Ne jemi nder kombet e para qe perqafuan krishterimin dhe ishim mbrojtes te vlerave Europiane,kombi i humanistes se madhe Nene Terezes” e para si Shqiperia&Europa ne kushtetuten e tyre jane,shpallur laike, e dyta para humbjes se pushtetit,e kaploi nje mani monumentesh,kompleks madheshtie tipik i diktatoreve,dhe Tirana u mbush me monumente anekend,perfshire ate te Pavaresise,krejt i pavend,shoqeruar me shpenzime kolosale te taksapaguesve,por nje monument te hajrit,te vendosur ne nje vend ku shquhet nga te gjithe,p se jo edhe perbri monumenti te Skenderbeut,çka me duket mese llogjike,per Nene Terezen nuk e ngriti,kjo loje djallzore”Mire me burrin mire me vjerren” e tij tregon shumfytyresine,cektesine,shkurtpamesine,e Berishes,varrmihesi I mirfillt i kombit pas 90-tes,pastaj vijne ne rradhe Nano,Meta per te kulmuar me Ramen i fundit i mohikaneve,dhashte Zoti.

  6. E gjithë çështja, pavarësisht toneve rrethanore që e kanë nxjerrë në pah, nuk i përket vetëm gjuhës shqipe. Të paktën në italishte, hasim një debat pak a shumë të ngjashëm për sa i përket termit “giudeo”, i cili shmanget në ligjërimin publik pasi bart si kuptimin përcaktues etniko-fetar ashtu edhe atë përkeqësues. http://www.treccani.it/vocabolario/giudeo/. Madje, vëmendje edhe më të madhe lips trajta dialektore e së njëjtës fjalë në të folurën e qytetit të Romës, “giudio” që ende sot, pavarësisht gjithë procesit evolues dhe neutralizues që mund të ketë pësuar termi sipas ecurisë që shtjellon Vehbiu, vazhdon të skërmitet me po të njëjtën ngarkesë negative. Kujtoj se Roma, ndryshe nga cilado trevë shqiptare, ka një trashëgimi historike dhe social-kulturore shumë më imponuese për sa i përket pranisë së hebrenjve në qytet – me 2000 e ca vite të dokumentuara ngulmime dhe një lagje (il Gheto di Roma) ndër më dinamiket në qendrën historike te qytetit të sotëm.
    Për t’u kthyer tek thelbi i bisedës, shpesh kam dëgjuar se një prej personaliteteve më të spikatura me origjinë hebraike (gjysmë-hebraike për të qenë të saktë) në Shqipëri, Robert Shvarci, pështirosej gjithë sa herë dëgjonte termin “çifut”. Megjithëse nuk kam mundur ta has të shkruar a të dokumentuar në çfarëdolloj trajte këtë mospranim nga ana e Shvarcit – mbase ka mbetur diçka e shprehur vetëm në nivel bisedor nga ana e tij – ma merr mendja se ky intelektual ka jetuar pikërisht në kapërcyell të kalimit të termit nga trajta e vet dykuptimore (përcaktues etnik-fetar/epitet fyes) në atë neutral të sotëm që nënvizon Vehbiu, si i lindur në Sarajevën multikulturore por dhe të bastisur nga gjëmat e periudhës përreth Luftës së dytë botërore. Vlen të shtohet se romani shumë i njohur “Çifutka e Toledos” (Die Jüdin von Toledo), nga autori gjerman-hebraik Feuchtwanger (autor tejet i angazhuar në çështjet që kishin të bënin me valën e antisemitizmit në Europën e gjysmës së parë të shek. XX), është përkthyer kështu nga Shvarci jo vetëm për të përshtatur dy terma (Jüdin/çifutkë) me prejardhje të ndryshme njëra prej tjetrës (latine njëra, levantine tjera), por dhe për t’ia përshtatur ngarkesën kuptimore përkatëse njëri-tjetrit. Ngjarjet në roman i referohen një kohë – kulmore nga ana e pjekjes kulturore – në të cilën po përgatitej terreni i shtrirjes së absolutizmit katoliko-centrist në Spanjë, jo shumë kohë para se të niste vala e dëbimeve të hebrenjve sefardi nga gadishulli Iberik në fund të shek. XV. Kështu, përcaktuesi Jüdin/çifutkë, në mos përçmues, qe të paktën jo fort çmues. E ndoshta nga një ekuacion i tillë paralelizmash antropo-kulturore dhe leksikorë vinte Shvarci, sa nuk arrinte të përshtatej me evolucionin shqiptar – po e marrim të mirëfilltë se qe i pafajshëm – të termit “çifut”.
    Për ta mbyllur, vlen të theksohet se e vetmja alternativë ndaj përdorimit kombëtar të termit “çifut” dhe atij kozmopolit “hebre/hebraik” ka qenë një term tjetër: “izraelit”. Pavarësisht se termi “jude/judeas” dukshëm nuk ka ngjitur ndonjëherë në të folurën e përditshme shqipe, duhet thënë se, në shumicën e gjuhëve perëndimore, dy termat, pra “izraelit” dhe “jude”, kanë ecur historikisht bashkë dhe bashkërisht janë shumë të vjetër për të përcaktuar banorët e sotëm (qofshin këta hebrenj, myslimanë apo të krishterë) të Izraelit – i njohur ndërkombëtarisht vetëm në vitin 1948. Dy termat, siç shumë mund ta dinë, i referohen më së shumti historisë politike të hebrenjve të lashtë, në shek. X-IX p.l.K, kur trevat e tyre qenë ndarë në dy shtete: Izraeli, me kryeqendër Samarian, e Judea (a Judah) me kryeqendër Jerusalemin. Afërmendsh, këto dy terma kanë pasur, në krye të herës, një nuancë administrative-politike për të njëjtën bashkësi etnike-fetare, por që nga ajo kohë ata kanë ecur dorë për dore në kulturat gjuhësore të Perëndimit, aq sa termi “jude” (Jew, giudeo, Jüde, juif) është tërësisht i përputhshëm me atë “izraelit” (israelite, israelita, israeliten, israélite). Ky term i fundit, në po këto gjuhë, dallohet katërçipërisht nga termi që përdoret për të identifikuar shtetasit e Izraelit (Israeli, israeliano, Israeli, israélien). Tani, termi “izraelian” në shqipen standarde mungon, pavarësisht përdorimit këtu-aty verbal, por është e qartë se përdorimi i “izraelit” në vend të tij, së paku nëse orvatemi të bëjmë krahasime gjuhësore, është krejt i gabuar.

    1. Në botimin e vitit 1962, romani ka dalë me titullin “Çifutja e Toledos”. Nuk di pse edhe ti Edon, edhe një koleg tjetër më lart, e quani “Çifutka e Toledos.” Të ketë pasur ndonjë botim të ri me titull të ndryshuar? Dhe në çdo rast, mua nuk më rezulton se në atë roman fjala çifut, përkatësisht çifute, përdoret në vetvete me qëllim keqësues – ka personazhe që nuk i duan, madje i urrejnë çifutët, por kjo nuk ka të bëjë me përdorimin e fjalës vetë. Në gjermanisht titulli është “Die Jüdin von Toledo”; dhe fjala Jüdin, në këtë gjuhë, nuk më rezulton si slur. Prandaj për mua ai titull, i vitit 1962 në shqipe, provon se fjala çifut të paktën në atë kohë ende nuk perceptohej si “leksikisht” negative.

        1. Titullin e paskan ndryshuar – duke kaluar nga Çifutja te Çifutka. Pse vallë? Ta ketë bërë vetë përkthyesi? Apo redaktorët të kenë ndier se fjala çifutja tanimë do të perceptohet si “hate speech”? Gjithsesi, edhe ky retushim më duket provë e mjaftueshme se fjala ka ndryshuar kuptim, gjatë këtyre 50 vjetëve. Se pavarësisht nga ç’broçkullit Sali Berisha sot, nuk mund ta akuzosh regjimin hoxhist për anti-semitizëm – përkundrazi. Hebrenjtë e Shqipërisë komuniste, ata pak që ishin, u trajtuan njëlloj si pakicat e tjera – me po ato kufizime si pakicat e tjera. Regjimin atëherë mund ta akuzosh për ksenofobi, por jo për antisemitizëm. Mund ta akuzosh për anti-sionizëm, por jo për antisemitizëm. Janë gjëra të ndryshme. Intelektualët në Shqipërinë e viteve 1960 ishin mjaft të ndjeshëm ndaj problemit – madje edhe ata që ishin shkolluar në Bashkimin Sovjetik, ku antisemitizmi ishte i përditshëm. Vetë Schvarz-i, që e ka bërë përkthimin, e ka ditur si dhe pse ta titullojë librin ashtu.

          1. Bie plotësisht dakord me çka ti thua përreth antisemitizmit të supozuar të regjimit hoxhaist. Nuk më rezulton se askush nga shqiptarët hebrenj të Shqipërisë, të cilët më vonë ikën në Izrael apo SHBA, të ketë “depozituar” në shtyp a tjetër gjetkë ndonjë akuzë për diskriminim raciale nga ana e regjimit. Hebrenjtë, ashtu si gjithë pakicat e tjera (çfarëdo nuance t’i japim kësaj fjalë) vuanin të njëjtat pasoja që vuante çdo shqiptar “pur et simple” nga ana e regjimit. E kjo vlen gjithashtu për të dalluar antisemitizmin e përhershëm në shoqërinë ruse (e sovjetike) nga antisionizmi i vetë shtetit stalinist i cili veç në një fazë të dytë u kthye kundër Izraelit (Stalini, në vitin 1948, ishte ndër mbështetësit kryesorë të Izraelit si shtet sovran, e më vonë, pas lidhjeve të forta që Tel Avivi ngre me amerikanët, u kthye ndër faktorët më të zellshëm kundër tij).
            Për sa i përket pjesës tjetër, mbetemi në nivelin e përshtypjeve. Do të thotë se ndjesia që mund të lerë përdorimi i fjalës “çifut”, ende sot, shtrohet mbi një rrafsh tërësisht subjektiv. Ky i fundit, bie dakord me ty se nuk mund të paragjykojë një përdorim të caktuar ligjërimor, por nga ana tjetër natyrisht shkon të prekë disa ndjeshmëri të caktuara, në vetvete të pa paragjykueshme; e kësisoj, them unë, lips kujdes.
            Në qytetin tim të origjinës, për shembull, në Vlorë, emërtimi popullor i një rruge si “e çifuteve” nuk tregonte asnjë ndjesi ndaj banorëve të saj, përveç se një tregues i besimit fetar të një pakice në qytet, e cila (por s’jam i sigurt për këtë gjë) mbase shtrihej pikërisht ndanë asaj rruge. Por, në nivel bisedor, mund të them me plot bindje se shumë hebrenj Shqipërie preferonin emërtesën “izraelitë” ndaj “çifutë”. Mes tyre, për më tepër, di se nuk e përdornin në rastet dërrmuese të përditshmërisë. – Për çka po them natyrisht nuk zotëroj burime, veç bisedave dhe dëshmive, që të jemi të qartë.
            Slur-et janë shpesh eksternalitete irracionale të cilave nuk ua gjen dot origjinën, pavarësisht se mund t’u shpjegosh aktualitetin (e ky shpesh dallon prej origjinës), por ato shpesh thërrasin në mendjen e dikujt pikërisht rrënjët. Për shembull, unë s’e kam kuptuar ndonjëherë identitetin dhe arsyen se përse “çeku” rri pranë “çamit” dhe “çifutit” në tre klithjet e pandërprera të mirënjohura. Nuk di as origjinën e tyre, por supozoj se, nga tre emërtesat – të cilat në vetvete mund të kenë dhe ngjyresë neutrale – e treta shkon dhe “infekton” dy të parat në përfytyrimin popullor, duke karakterizuar në grup koprracin, dorështrënguarin dhe, pse jo, të ligun dhe mashtruesin. Nëse mbetemi në rrafshin e dëshmive, di se, dje dhe sot, kjo shprehi vazhdon të përdoret ndaj dikujt edhe kur ky s’është as çek as çam e as çifut (por është tregtar, për shembull) pavarësisht se, të përdorur veçmas, termat mund të tingëllojnë.
            Meqë ra fjala tek fjalorët, vura re se tek Fjalori i ’54-s termi “çifut” nuk ishte fare i renditur.

  7. Eshte per te te ardhur keq tek lexon zoteri Vehbiun te mundohet te justifikoje budallallekun e Rames. Dhe, nuk eshte hera e pare kjo.
    Edi Rama beri nje gafe dje; nje gafe te pajustifikueshme, sepse eshte Kryeminister dhe si i tille nuk mund t’i leshoje fjalet si lopa bajgen.
    Opozita ka te drejten e botes ta shfrytezoje kete politikisht. Te thuhet se e ka apo jo me zemer ,Vasili dhe te tjeret qe akuzojne Ramen, ky quhet spekulim. Sidoqofte, kjo nuk e justifikon budallallekun e Rames.
    Termi “cifut” , pavaresisht se si thuhet ne Fjalorin e Gjuhes Shqipe, eshte perdorur dhe perdoret ne sens keqesues. E theksoj: perhere eshte perdorur ne sens keqesues. Kete te gjithe e dine, e dime; vetem zoteri Vehbiu nuk e ditka!
    Ja pra, ku te shpie deshira per te justifikuar budallalleqet e Rames!
    Eshte e pasakte ti konsiderosh antisemitite antisorroistet, per faktin e thjeshte qe, jane vete semitet, nese mund te shprehemi keshtu, eshte vete shteti i tyre, shteti i Izraelit qe eshte Antisorroist.
    Shoqatat e Sorrosit ne Shqiperi jane shushunja,ne kuptimin me te keq te fjales. Sorroistet ne Shqiperi jane parazite, edhe kjo ne me te keqin kuptim. Misioni, kishe fisnik, i mendjehapesise se tyre, rezultoi nje hipokrizi e madhe; mbase me e madhja, qe pas renies se regjimit komunist.
    Eshte e pasakte ,gjithashtu, te thuhet qe tek te djathtet ka antisemitizem , duke lene te nenkuptohet se tek te majtet,nuk ka.
    Partia e Hitlerit ishte parti socialiste.Nazistet ishin nacional-socialiste.
    E djathta (perendimore) ka qene dhe eshte qendra e luftes kunder antisemitizmit. Tek e majta, perkundrazi, e kane pasur burimin, dhe e kane, te gjitha virozat antisemite. Antisemitet me te eger tek e majta i gjen. Eshte e majta, jane te majte, individe apo grupe me frymezim majtist, ato qe organizojne madje edhe protesta antisemite anekend Europes.

    1. Shkruan:

      Termi “cifut” , pavaresisht se si thuhet ne Fjalorin e Gjuhes Shqipe, eshte perdorur dhe perdoret ne sens keqesues. E theksoj: perhere eshte perdorur ne sens keqesues. Kete te gjithe e dine, e dime; vetem zoteri Vehbiu nuk e ditka!
      Ja pra, ku te shpie deshira per te justifikuar budallalleqet e Rames!

      Në fakt unë pashë disa fjalorë, përfshi edhe Fjalorin e Orientalizmave të Dizdarit, që ka cituar kolegu pak më tutje.

      Kjo që thua ti, që fjala çifut, “pavarësisht se si thuhet në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, është përdorur dhe përdoret ne sens keqësues”, më tregon të paktën:

      (a) që ti je i papërgatitur për t’u angazhuar seriozisht në këtë debat dhe (b) që je PIKËRISHT TI që e përdor fjalën “çifut” me kuptim keqësues. Ndërgjegjen tënde të keqe, e projekton në hapësirë dhe në kohë.

      Duhet të mësohesh t’ia pranosh vetes që në disa debate e shumta që mund të bësh është të dëgjosh dhe të përpiqesh të mësosh diçka.

      1. Citoj nga shkrimi : ” Dhe ne shqipen e sotme cifut, si fjale bisedore, e cila ka zhvilluar edhe nje kuptim keqesues ( ” koprrac” ) …”.
        “Koprrac” eshte vetem njeri nga kuptimet keqesuese te fjales cifut; nuk eshte zhvilluar, ashtu ka qene dajm. Ne femijeri, qe i perket kohes se diktatures, kam degjuar shume here, te permendet termi cifut , sidomos ne sharje ,nga njerez dhe ne rrethana te ndryshme. Se c’kuptim ka pasur kjo fjale per sharesin, kete nuk e di dhe as qe mund te dihet. Ashtu sic kam degjuar une, jam i sigurte qe kane degjuar edhe te tjere.
        Eshte e habitshme se si ngulmoni per nje gje qe eshte kaq e qarte, per nje fakt te njohur nga te gjithe!
        Nje pasaktesi tjeter, ka te beje me “pruresit” islamike te kuptimit perkeqesues te termit ne fjale. Islamiket perdorin termin “jahud” ose “jahudi”.
        Po te beni nje keqyrje te shpejte ne faqet islamike, do te bindeni per kete fakt dhe per pasaktesine tuaj gjithashtu.
        Islamiket, nga ana e tyre, jane grupimi kryesor dhe i vetem i antisemitizmit ne boten shqiptare dhe “trashegimtaret” e antisemitizmit hoxhist, sic e cileson me te drejte Berisha. Keshtu, antisemitizmi ka kaluar si stafete ,nga komunistat tek islamistat.
        Antisemitizmin ,ata e kultivojne kudo, madje edhe atje ku nuk jua merr mendja, zoteri Vehbiu : tek chatet…

        1. Nuk e ke kuptuar mirë çfarë kam thënë unë – besoj ngaqë vjen këtu i paragjykuar (mbase provon ta lexosh edhe komentin e gjatë që sapo shtova tani dhe që e nxora edhe si shkrim më vete).

  8. Një sqarim që ndoshta duhej ta kisha bërë që në shkrimin kryesor: nuk duhet të ngatërrojmë fjalën keqësuese, atë që në anglishte i thonë “slur” dhe që është pjesë e asaj që, sërish në anglishte, i thonë “hate speech”, me urrejtjen ose përbuzjen (racizmin) që një përdorues i fjalës mund të ndiejë për një grup etnik. Fjala mund të jetë tregues (indicie) i racizmit, por mund edhe të mos jetë; dhe një racist mund të jetë i tillë pa përdorur ndonjëherë “slurs”. Kështu dikush mund të ngrihet dhe të thotë: “hebrenjtë janë ashtu dhe kështu, u pinë gjakun të tjerëve, e kanë mendjen te paraja, etj.”, ose të përdorë të gjitha tropet dhe stereotipitë e diskursit antisemitik, pa përdorur asnjë “slur”, por duke u kujdesur të përdorë etnonimin politikisht korrekt – “hebrenjtë”. Këtë folës nuk është se do ta shlyejë nga akuza për antisemitizëm leksiku që përdor – sepse antisemite është përmbajtja e fjalëve që thotë. Një fjalë shndërrohet në “slur” kur mjafton të përdoret, që ta identifikojë tjetrin si racist, si urrejtës, si bigot, etj.; sepse e sjell negativitetin me vete dhe nuk ka nevojë t’i referohet kontekstit diskursiv. Fjala “çifut” tradicionalisht nuk e ka pasur këtë natyrë në shqipen, qoftë edhe ngaqë ka qenë emri standard i atij populli të paktën në ligjërimin bisedor; por edhe ngaqë antisemitizmi në kulturën shqiptare nuk ka pasur përhapje (për arsye të njohura). Për krahasim, po sjell fjalët “breshkaxhi” ose “breshkaman” të cilat, që në zanafillë, e kishin këtë ngjyrim keqësues ose përbuzës për italianët. Për arsye të ngjashme, fjala “Redskin” në anglishten e sotme konsiderohet si “slur” dhe mjafton ta përdorësh për t’u cilësuar si racist ose bigot; por kjo ka të bëjë me historinë e marrëdhënieve racore në Amerikë dhe me përpjekjet e popujve vendës për t’u emancipuar. Përkundrazi, në shqipen tradicionale “lëkurëkuq” nuk ka ndonjë ngjyrim veçanërisht negativ – siç përdoret në letërsinë e përkthyer; dhe kjo sepse ne, shqiptarët, nuk kemi kontakte të përditshme me vendësit amerikanë dhe as arsye për të hyrë në konflikt me ta. Megjithatë, e për t’u kthyer tek emrat etnikë jo-metaforikë, “çifut” sot në shqipe po priret të negativizohet me shpejtësi, kryesisht për shkak të importimit dhe të zgjerimit të diskursit anti-semit, brenda të cilit kultivohet kjo lloj ligjërate urrejtëse. Në vend të kësaj fjale po përdoret tani “hebre” dhe ndoshta edhe “izraelit” (si e ndryshme nga “izraelian”), siç e ceku Edon Qesari. Por problemi me fjalë të tilla, të cilat përvetësohen edhe nga ligjërata urrejtëse në përpjekjet e kësaj për t’i kapërcyer barrierat e politikishtes korrekte, është se “infektohen” brenda kësaj ligjërate dhe duhen ndërruar shpejt – siç ka ndodhur me emrat për të zinjtë në SHBA, ku është kaluar me të shpejtë nga Negro në Black e në Colored dhe tani në African-American dhe nesër kushedi në çfarë tjetër; thjesht ngaqë çdo fjalë që e fiton rishtas certifikatën e “sjelljes së mirë” do të mbushet sakaq me kuptime të padëshiruara, për shkak të kontekstit të përdorimit. Ata që mendojnë se fjala “çifut” në shqipe gjithnjë ka pasur konotacion negativ (përçmues, racist) ngatërrojnë përdorimet e kësaj fjale në diskurse me natyrë raciste me natyrën e fjalës vetë; një saussurean do të kish thënë: ngatërrojnë gjuhën me ligjërimin. E njëjta gjë ndodh edhe me emrin tonë etnik: një serb ose maqedonas mund të vjellë vrer kundër shqiptarëve, duke thënë se ata vjedhin, ose janë të pagdhendur e të paqytetëruar, se duhen zhdukur a dëbuar nga faqja e dheut etj., gjithnjë duke përdorur fjalën aлбанац (albanac), që është neutrale; përkundrazi, nuk ka nevojë të thotë gjë tjetër përveç slur-it “shiftar”, për t’u identifikuar si racist. I pari shfaqet si racist nëpërmjet gjërave që thotë, i dyti nëpërmjet fjalëve që përdor. Ka një dallim të hollë dhe ndoshta teknik, por të rëndësishëm, që duhet mbajtur parasysh, madje edhe kur diskutojmë për statusin e fjalëve si “çifut”, përdorimet raciste të së cilave, edhe pse ndeshen gjerësisht, ende nuk janë kodifikuar në gjuhë.

  9. Unë e kam përdorur termin “çifut” në një përkthim timin, “Stalinizëm për çdo stinë”, nga V. Tismaneanu. M’u desh të hapja një fusnotë dhe të shpjegoja se fjala çifut vjen nga persishtja “xhihud” – kjo e fundit rrjedh nga emri i tyre etnik “jahudi”, pak a shumë si Lat. Iulius ka dhënë Xhuljo. Dhe që nuk ka ato kuptime fantastike që janë përpjekur t’i japin më vonë.

      1. E përdora se “hebrenjtë” brenda partisë ose “judenjtë” e B. Sovjetik… tingëllonte shumë libreske (p.sh. a Soviet Jew).

  10. Ne kete/keto dikutim/e mund te dallojme qarte kush eshte i vjeter me moshe dhe kush i ri. Te paret e kane perdorur percaktimin “çifut” pa kontacione perbuzje, por thjesht si nje identifikim te nje personi me kombesi tjeter, (panvarsisht se ky ka qene me perpara percaktimi fetar i tyre). Ndersa grupi i dyte i diskutanteve jane keta te rinj te sotem, te rritur nen rrymat e reja te perbuzjes dhe urrejtjes per fete dhe kombet e tjera, te cilet detyrimisht qe dallojne vetem urrejtje (me e pakta: perbuzje) pas termit “çifut”.
    E dyta, librat e vjeter antropoligjike (shek. XIX) dhe historike i quajne zezaket “neger”, thjesht si percaktim i njeriut afrikan me lekure te zeze. Diku nga mezi i shek. XX u konsiderua si fyerje ky percaktim, dhe ata u quajten “scharzer” (gjerm.), -ne anglisht nuk e di. Mirpo dhe kjo nisi para 20-30 vjetesh te quhej diskriminuese, ndaj ka nisur tashme termi “afrikane” apo “afro-amerikane”. jam i sigurte se edhe ky term do te konsiderohet pas disa dekadash si ofendues, dhe nje term i ri do te dale.
    E treta, po te nisemi nga bibla, i bie qe hebrejte kane luftuar me judejte. Izraelitet ishin te keqinj. Dhe -biles- kur u be shteti i Izraelit me 1948-en, rabinet judeas protestuan me te madhe per kete emer (Izrael), sepse natyrisht qe ata ecin me Biblen.
    Si perfundim, qe mos ta zgjasim, po te vazhdojme me keto traplliqe, do vime verdalle kot me kot, do kopjojme boten (ato me te keqiat) kot me se koti, dhe do jemi thjesht figura (bajate) mediatike, -kuptohet, si gjithnje, per interesa te ngushta personale. (A nuk vajtem e zume tokat me zot e pa zot e ngrijtem shtepia, duke vene flamurin kombetar ne ndertese?! Ja keshtu sic perdorem simbolet kombetare per grabitje, keshtu perdorim edhe ne keto raste terminollogji nga me te ndryshmet per te ngejtur veten! Pika qe s’na bie!)
    Ah, se harrova, une vete perdor termin “cifut” me se shumti, thjesht nga shpejtesia gjate te shkruarit, por nuk e di deri tani qe te jem anti-semit. lere qe as nuk e kuptoj c’do me thene anti-semit!

  11. Para ca ditesh po luaja futboll me disa shqiptare. Ishim te gjithe shqiptare, si brenda dhe jashte fushe.
    Beri njeri nje gabim ne loje dhe u hodh nje tjeter e i tha: Po une kam nje ore qe jam i pamarkuar dhe ti yy si lopa o “Allvanos” !!

  12. Menyra me e mire per te vendosur nese fjala “çifut” ka apo jo ngjyresa perbuzese eshte te sillen shembuj nga tradita e shkruar ku fjala t’i barte ato ngjyresa. Mua nuk me kujtohen perdorime perbuzese te kesaj fjale me shkrim. Perkundrazi, me vijne nder mend perdorime perbuzese te fjales “hebre”, si p.sh. vargjet e Fishtes:

    Shqyptarё, a ndiet? Europa, mrrutё e ndytë
    Shkёrdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit,
    Së cilës dreqi ia plasi tё dy sytë
    E marren ma s’e sheh, njitash s’vonit
    ……………..

  13. Nje saktesim.
    Eshte e vertete qe nuk ka patur antisemitizem ne Shqiperi, qe nga themelimi i shtetit shqiptar. Perfshi edhe kohen e diktatures komuniste. Por, dhe ketu vijme pikerisht tek saktesimi, si Platforme ama.
    Keshtu, ashtu sic thuhet rendom, se ne Shqiperi nuk ka patur platforma raciste, por shqiptaret jane raciste ( si gjithe te tjeret) , po keshtu mund te thuhet edhe per antisemitizmin, megjithese ,dhe kjo per shkak te prezences te paperfillshme hebreje ne hapesiren shqiptare ( te pakten ne ate mase sic ka patur ne vendet e tjera te lindjes komuniste, ku hebrenjte kishin ndikimin e tyre, te paragjykuar, ne shume institucione, sidomos ato financiare), ne nje mase shume me te vogel, qe ne si shqiptare mund edhe ta quajme te paperfillshme.
    Por, qe ka patur, ka patur.
    Proven per kete na e japin vete ata hebrenje te pakte qe kane jetuar ne Shqiperi, gjate kohes se diktatures. Disa komentues ketu, permendin raste kur vete keta hebrenje e kane cilesuar si keqesues termin “cifut”. Mesa di une, edhe vete perkthyesi i shquar, Robert Shvarc, e ka shprehur nje shqetesim te tille ( e kerkova, por nuk munda ta gjeja, nje interviste te Ardian Klosit, ku ai permend kete shqetesim te perkthyesit, qe ia kishte thene ai vete).
    U tha qe fjala “cifut” e ka origjinen nga persishtja. Dakord. Por, ne nuk e dime se ne c’kuptim ,perkeqesues apo asnjanes, dhe se cili nga keto kuptime eshte perdorur apo eshte me i perdorshem ne persishte; se ne cilin kuptim eshte percjelle ajo ne shqip.
    Sidoqofte, une e quaj si te mireqene faktin, qe termi “cifut”, ne shqipen bisedore, eshte perdorur dhe perdoret ne kuptim perkeqesues.
    Si argument , meqe kjo fjale e ka origjinen nga ajo bote, historikisht armiqesore ndaj hebrenjve, te pakten qe kur lindi feja islame, dhe meqe ne kete bote, edhe vete termi i paanshem jahudi ( ne Kosove dhe Maqedoni, islamiket por edhe myslimanet e thjeshte dhe te paditur, per te te fyer, te thone “o jahud!” … ashtu sic ne Shqiperi te thone ” o cifut!” ) perdoret ne kuptim perkeqesues, eshte krejt e natyrshme qe edhe shqiptaret, a te pakten shumica e tyre e ndikuar fetarisht dhe kulturalisht nga kjo bote per shekuj me radhe, ta kete perdorur ne kuptimin perkeqesues.
    Dhe, qe kjo me pas, te kete vazhduar per inerci edhe pas shkeputjes nga Perandoria osmane, edhe ne kohen e Zogut, per t’u theksuar me pas ne kohen e diktature komuniste, ku antisionizmi dhe antisemitizmi, mund te ngaterroheshin shume lehte, nga padija por, pse jo, dhe me qellim.
    Edhe une nuk e besoj qe Edi Rama eshte antisemit. E kjo per vete faktin e thjeshte, qe Edi Rama ,nuk eshte as anti e as pro asgjeje; sepse nuk beson ne asgje, pervec “idese se tij per te hyre ne histori ,dhe per te lene gjurme atje…”.
    Por, kjo nuk do te thote qe t’ia “falim”, ashtu sic eshte bere e zakonshme tashme nder intelektualet e majte shqiptare : po hajt, se Rama keshtu e ka … e tepron por… i falet ….keshtu eshte ai…!
    Dhe, aq me pak ta justifikojme. Ai eshte Kryeminister i Shqiperise. Ne nje vend tjeter europian, ashtu sic u tha me te drejte , nje gafe e tille, do te trondiste politiken, mediat dhe shoqerite perkatese.

    1. Ne fakt timur, Islami ka qene me tolerant me pranine e çifuteve sesa krishterimi, prandaj edhe termi nuk ka qene veçanerisht perkeqesues. Pavaresisht se nuk e permend askush çifutet ishin pakice fetare dhe jo gjuhesore apo etnike. Pasi perkufizoheshin fetarisht, perkufizoheshin edhe mbi bazen e vesit te kopracise, si bejme rendom edhe me njeri-tjetrin, ku fisi per fisin fqinje apo krahina per krahinen fqinje, ku dalim, te gjithe o hajdute, o frikacake, o koprace, o te pabese, o te trashe etj.
      Ne kete kuptim, te thuash o çifut per koprac eshte njesoj si e permendi n-ja me siper o gjirokastrit, gje e cila eshte shume shqiptare dhe jo thelbesisht ”anti”, aq me pak antisemite.
      Cifuti si i pabese eshte konceptim fetar, i pabese ka kuptimin i pafe, qe nuk i takon ”beses se krishtere”. Besa e krishtere ka qene koncept themelor dikur;per nje te krishtere, qofte çifuti, qofte myslymani ishin te pabese.

      Teknikisht, le te themi, çdo njeri i dhene pas financave (kursimi ka qene baza) eshte koprac, çifutet,keshtu qe armenet apo pakica te tjera tregtare, kane qene koprace, kjo nuk eshte e dhene e shtremberuar historike, kjo eshte ne natyren e finances, ku leku del nga leku, keshtu qe çdo qindarke eshte e shtrenjte.

      Po aq teknikisht, per nje te krishtere, çdokush qe nuk i takonte fese/beses se krishtere ishte i pabese/i pafe, pra çifutet ishin te pabese. Ne kohen e pare nuk ia kishte besen kush atij te fese tjeter; edhe myslymanet i quanin te krishtere te pabese, te pafe, kauri i pabese.

      Nga nje ane tjeter, çifuti ishte njeri pa atdhe, çka ishte e mirenjohur per te gjithe, ose me sakte te gjithe ata qe interesoheshin e mesonin menjehere, mjaft te pyesin priftin apo hoxhen e fshatit. Jo thjesht pa shtet se kishte plot popuj pa shtetet perkatese(si ka ende sot), por pikerisht pa atdhe, si apolide. Kjo ka qene keq edhe atehere kur toka ishte baza e konceptimit te jetes. Te ishe çifut ishte si te ishe pa atdhe, pa nje toke ku kishe jetuar denbabaden, te cilen e quaje tenden ne baze te trashegimise, qe kur s’mbahej mend.

      Te ishe çifut ishte nje perkufizim alla-shqiptarçe brenda botes se trazuar e konfiktuale shqiptare, qe i bindej te njejta ligjeve qe shqiptaret zbatonin per njeri-tjetrin.

      Une besoj se per çifutet e Izraelit mund te perdoret termi izraelit ose edhe hebre apo jude, kurse per çifutet qe kane ndenjur neper bote, terminologjia e vjeter çifute, meqenese i kane te njejtat karakteristika te mesiperme, e ruajne komunitetin nepermjet fese, merren ende gjeresisht me financa, jetojne neper qytete e jo neper fshatra dhe sigurisht jane gure te hedhur ne ato vende dhe jo gure te mbire, per te perdorur nje shprehje allashqiptarçe.
      Per krahasim, Sorosi eshte çifut, kurse Netanjahu, izraelit ose hebre,

      Ne Izrael ata perpos fese, kane rikthyer hebraishten, punojne token dhe jane rekordmene ne rendimente bujqesore dhe blegtorale, merren me çdo lloj pune (jo vetem me financa dhe mjekesi), pra jane me ne fund nje popull, nje komb, pra jane njerez te respektueshem si çdo popull apo komb tjeter ne bote.
      Kurse keta qe mund te vazhdohet te quhen çifute, jane tjetersoj, kane nje tjeter filozofi, tjeter stil jetese e mbijetese, as hebraishten nuk e mesojne, as nuk integrohen ose asimilohen ne shoqerite perkatese.
      Pak a shume si romet/arixhinjte qe vijne diku nga zonat e Pakistanit,, ka rome/pakistaneze ne Pakistastan njerez si gjithe bota qe bejne te gjitha punet, ka edhe rome/arixhinj qe specializohen ne zonat ku kane emigruar.

      Ne fund fare, te gjitha pakicat e çdo lloji qe nga koherat antike deri me sot ose kane asimiluar vendasit ose jane asimiluar ose jane ne asimilim e siper. cifutet kane rezistuar, por per nje arsye a tjetren, me paqe a me lufte, duket se territoret homogjenizohen. Nje ligj historik te cilit çifutet iu pergjigjen me rihebraizimin e tyre ne Izrael.

      Gjithsesi ne s’kemi pse kompleksohemi se tek ne nuk raportohet te kene pasur ndonje problem, ne asnje kohe. Te pakten jo nga shqiptaret. Nuk kemi pse shpikim rroten ne keto ane, besoj se çifutet qe kane dashur miqesi u kemi dhene miqesi, çifuteve qe kane dashur konflikt u kemi dhene konflikt, ashtu si kemi bere me gjithe te tjeret, qe kane zbarkuar ne keto ane. S’kane pse te kene ndonje status special, nuk u kemi ndonje borxh, e kunderta mund te jete e vertete dhe presim ta shlyejne, nqs duan.

      1. ” Islami ka qene me tolerant me pranine e cifuteve sesa Krishterimi”, – ky eshte nje mit.
        Nje mit qe e ka burimin tek nje keqkuptim, a me sakte, nje nderthurje keqkuptimesh mes perndjekjes se hebrenjve nga Spanja dhe mikpritjes ( te ekzagjeruar) ne Perandorine Osmane.
        Spanja eshte nje rast specifik i raportit te hebrenjve me popullsite europiane dhe shtetet e tyre. Spanja ishte i vetmi vend europian, ne kohen e vet, i okupuar ne nje pjese shume te madhe nga arabet. Debimi i arabeve nga Spanja, pati si pasoje edhe debimin e hebrenjve, qe kishin gjetur pozicionin e tyre ne nje mjedis unik krah myslimaneve dhe te krishtereve. Njesoj si ne Jeruzalem.
        Keshtu, mendoj une, shpjegohet (pjeserisht) se pse nje pjese e ketyre hebrenjve – sepse, te tjere u shperndane neper Europe – u shperngulen ne Perandorine Osmane.
        Ky miti i “mikpritjes” ottomane te hebrenjve eshte i hershem, por ne Shqiperi ka marre kete permase qe ka, nga ideologet e rinj myslimane shqiptare dhe nga “albanologet e rinj” shqiptare.
        Nga te paret, me qellim dhe synim te caktuar; nga te dytet, prej vanitetit intelektual.
        Nga aq sa kam verejtur nga leximet, bota islame ka qene me e ashper ndaj hebrenjve sesa ndaj te krishtereve, historikisht; e theksoj: HISTORIKISHT; dhe kete, per te shmangur argumentin bajat, se eshte nje armiqesi e shekullit te fundit.
        Sa per tolerancen aq te perfolur ne Perandorine Osmane, une kam nje mendim timin qe mund te duket edhe thellesisht racist dhe naiv ne te njejten kohe.
        Duke besuar se naiviteti i kesaj bindjeje, do ta neutralizoje ndjesine raciste, po e them : toleranca e shumeperfolur ottomane ishte me detyrim-percaktim.
        Te vetedijshem se po sundonin popullsi europiane, nje rrace, dmth, te perceptuar qe nga koherat me te lashta, si me superiore , ottomanet e ngriten ne perfeksion diplomacine dhe politiken e kulacit dhe kerbacit.
        Mund te thuhet se kjo eshte perdorur nga te gjithe, por ajo qe tradheton kompleksin ottoman, eshte kontrasti i thelle dhe i cuditshem ne perdorimin e tyre.
        Nga njera ane, kur kane patur mundesi, kane perdorur dhune te skajshme, me ane tjeter, jane treguar po aq te bute, kur e kane ndjere se c’pasoje mund te kishte trashja e zullumit.
        Spanja e krishtere i perzuri me dhune mylimanet, po kete nuk e bene ottomanet me te krishteret.Nuk mund ta benin;dhe ,jo per shpirt por, pikerisht per ate kompleks qe thashe.

        1. Mund edhe te jete si thua ti, po nuk i kam hasur. Islami duket te kete qene me tolerant se krishterimi edhe po kemi parasysh se ne shume vende te Lindjes se mesme ka pakica te krishtera, psh Siri,Irak,Egjipt,Liban etj, nderkaq ne vendet e krishtera s’ka pasur myslymane me Spanjen qe permende qe eshte shembulli i vjeter po edhe me vendet ballkanike qe spastruan masivisht popullata myslymane, psh greket myslymane u vrane e debuan nga Greqia qysh gjate luftes çlirimtare.
          Edhe sot qe Europa eshte ateiste, emigrantet nga vendet myslymane jane ne shenjester.
          Islami duket se eshte mjaftuar me te qenit shumice derrmuese ne nje territor- 80-95%, ndersa krishterimi ka dashur nje bindje afer 100%.

          Nuk po bej dallimin i mire/i keq se fete universale per mua jane njera me damlla se tjetra, (nuk vriteshin njerezit per fe ne kohen e politeizmave etnike, madje merrnin ose kopjonin edhe hyjnite e njeri-tjetrit me vullnet te lire) po Islami ka pasur nje qasje me tolerante ose me pragmatike.
          Anrisemitizmi ka qene qasje fetare, racizem fetar si e kerkon konceptin ideologjia e sotme dhe te krishteret kane qene me te talentuar sesa islamiket.

          Vete holokaustit mund t’ia gjejme rrenjet ne Rusine e pogromeve te shek 19 e fillimshek 20, qe acaroi marredheniet, çka solli reagimin çifut, fillimisht me ane te Jakob Schiff-it qe financoi gjysmen e shpenzimeve janoponeze gjate luftes ruso-japoneze te 1904-1905 (pa keto fonde veshtire se Japonia do kish hyre ne lufte me Rusine ) pastaj me ane te revolucionit bolshevik kur pothuaj gjithe kokat ishin çifute. Por edhe shume nga kokat e bolshevikeve ne Gjermani, ishin çifute psh bashkethemeluesja Roza Luksemburg apo kryetari komunist pas saj Paul Levi.

          Ti fole per antisemitizmin ”hoxhist” te intelektualeve e majte, mirepo intelektualet mund te quhen te majte ne saje te teorive te autoreve çifute markiste e neomarksiste, si Arendt,Markuse, Horkheimer,Adorno etj, me salce poperiane e sorosiane, edhe keta çifute.

          Intelektualet e majte mund te quhen nxenes çifutesh por jo antisemite. Inatin e kane me shtetin e Izraelit, çka e ben situaten te duket paradoksale. Sipas ndarjes qe bera me siper ne çifute(emigrantet shekullore) dhe hebrej/izraelite (ata qe banojne ne Izrael), intelktualet e majte jane proçifute dhe antihebrej. Si psh italianet kur dallojne ne arbereshe te mire dhe shqiptare te keqinj apo greket ne arvanite te mire dhe alvanoze te keqinj.

          Qe te flas edhe dy fjale per Ramen, ne kontestin e tij, ku krahas çifutit fut edhe eskimezin, fjala çifut duhet kuptuar si njeri pa atdhe ashtu si eskimezet, qe ka qene edhe nje nga kuptimet historike mese te verteta per çifutet (si te dallueshem nga izraelitet/hebrejte). Nuk ka pase gje me shtetin e Izraelit e me propaganden ”antisemite” hoxhiste, ne fakt i shpetoi batuta me burim traditen shqiptare.
          Ngaqe eshte tip logorroiku dhe i duket se nxjerr nga goja vetem perla, c’ka barku ia nxjerr bardhaku, pa pasur nevoje per shishen e rakise.
          Ideologjia e sotme ve po aq limite sa e djeshmja komuniste apo e pardjeshmja fetare. Jane bere aq te shumta kufizimet e fjales, sa eshte bere diçka e patolerueshme per nje sistem demokratik, ku te gjithe shtetasit gezojne sovranitet te barabarte. Po rimerren te gjitha argumentat qe pengonin dje te drejten e fjales dhe po perdoren per te stabilizuar ideologjine e re. Ishalla nuk fillojne te fusin prape njerezit ne burg, se pastaj na mori dreqi.

        2. Ti Timur i ke paragjykimet ne koke dhe zor se i heq. Madje per te mos i pranuar faktet sic jane ben edhe teori qesharake si ajo me siper (se kur i paskan perceptuar aziatiket evropianet si race superiore, nga ty po e lexoj per here te pare kete gje, sepse Azia eshte djepi i qyteterimeve te lashta, Babilonia, fenikasit, asirianet, Persia etj.) Vete studiuesit hebrenj e pranojne qe kane qene me mire nen P. Osmane se nen shtetet e krishtera evropiane, madje edhe ne Shqiperi, ne Vlore. Ja se cfare shkruan nje prej tyre: “With the Imperial decrees by Justinian (527–565) came a series of anti-Jewish rules which were reinforced by the emperor Basil. The Romaniot Jews were, therefore, victims of persecution and poverty, a situation that ended only when the Ottomans captured Valona in 1417” (Gad Nasi, “Una Forteresa Romaniota,” in: Aki Yerushalaim, No. 66 (May 2000), 15.)

  14. Cunat e Tironës nje here motit perdornin rendom shprehje si C’kemi mër jahu, Ça bo mër jahu etj. A ka ndonje lidhje midis kesaj “jahuje” dhe jahudi?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin