STANDARDE DHE REGJIME GJUHËSORE

Standarde dhe regjime gjuhësore, e shqipja mes tyre – disa përgjithësi të nevojshme

nga Eda Derhemi

Nuk është e thënë që një gjuhë të ketë e të formësojë standardin e vet. Gjuhët në më të shumtën e jetës së vet janë ndier zoja të randa edhe pa standard. Por fuqive të ndryshme qysh kaherë, për të kontrolluar hapësira masive e popullsi heterogjene, si edhe për të kryer veprimtari të ndryshme që kërkojnë stile, forma, e shërbime shumëllojëshe prej gjuhës, u ka hyrë gjithnjë në punë përzgjedhja e një gjuhe (tipikisht afër grupit më të fuqishëm), kodifikimi i saj, dhe yshtja e detyruar e folësve, me apo pa lidhje me të, për ta përdorur, sidomos në disa domene që kanë ardhur e janë shtuar me kohë. Nuk flas vetëm për mbretëritë mesjetare të Evropës Perëndimore (sidomos për përdorimin e forcuar me ligj të frëngjishtes, anglishtes dhe spanjishtes në mbretëritë përkatëse që në 1500-ën (që veç të ishin demokratike e pro-diversitetit s’kishin si qëllim) e që sot e kësaj dite mbajnë me forcë agresive standardin[i], edhe para situatave politikisht më të sigurta se e jona. Por e kam fjalën këtu edhe për egjiptianishten e vdekur dhe koinetë gjuhësore të antikitetit greko-romak, shumë më herët se Mesjeta. Shqiptarët ndoshta njohin më mirë rastin e italishtes letrare (të përbashkët) – një rast i pazakontë formimi, për fat, krejt i regjistruar në çdo hap të vetin – dhe në dukje më larg skemave politikë-bërëse. E modeluar herët si gjuhë populli e shkruar, ku përzgjedhja skrupuloze për çdo fjalë e për çdo formë gramatikore mori rrugën më të gjatë e të përsiatur të mundshme, italishtja e përbashkët aq e vjetër dhe aq e re, aq kollaj e mbiquajtur gjuhë artificiale skrivanish elitiste, ka qenë në 70 vjetët e fundit shkatërrimtare për dialektet, dhe madje edhe gjuhët (jashtë “çatisë” italiane) e tjera folur në gadishullin italik. Ky është një fakt i njohur dhe i diskutuar gjerësisht nga gjuhëtarët dhe nga grupet aktiviste të gjuhëve të ndryshme krahinore italiane. Por sado larg të ashtuquajturave dialekte italiane, dhe sado i padrejtë dhe i diskutueshëm ligji 481 për mbrojtjen e (12) minorancave gjuhësore, italishtja e përbashkët sot përdoret, pasurohet, e gjallon për bukuri, dhe pranohet masivisht. Krijimi i varianteve të italishteve krahinore (sidomos të folura), si edhe i ashtuquajturi “neostandard” (që nuk lidhet detyrimisht me gjuhën e kryeqendrave), nuk janë shenja vdekjeje, por jete të standardit italian. Rimarr këtu idenë, se përpjekjet për kodifikim, përhapja dhe mbajtja me forcë jodemokratike e kodeve të caktuara, nuk janë shpikur me socializmin dhe janë jetëgjata sa njeriu.

Por, standardizimet gjuhësore (veç “standard”, herë-herë thënë edhe letrarishtet, kombëtarishtet, gjuhët dominante, a gjuhët e përbashkëta) i bëri art kompleks e të sistemuar, në kuptimin e mirë e të keq të fjalës, era e ideologjive të shteteve kombe. Meqenëse në erën e televizionit dhe mediave sociale nuk ka gjë që nuk deformohet keqas, sidomos kur është term special dhe shitet prej njerëzish me prirje populiste, duhet të them diçka të shkurtër këtu edhe për termin ‘gjuhë standard’. Termi në shqip ka hyrë relativisht vonë, dhe shpesh përdoret prej jo-gjuhëtarësh si ‘standart’. Ky term me ‘t’ fundore, ndonjëherë ka shërbyer edhe për t’iu referuar ndryshimeve më të fundit që i bëhen standardit të idealizuar, prej përdorimeve të folësve dhe shkruesve normalë, që ndonjëherë përgjithësohen, ashtu si edhe vetë fjala e shkruar dhe shqiptuar me ‘t’. Këto ndryshime nuk janë veç fonetike e fonematike, por edhe gramatikore, dhe thjesht dëshmojnë jetën e standardit, i cili është një formë thuajse e paarritshme e artificiale, por e synuar, e mësuar, dhe e përdorur nga kombësi që bien formalisht e zyrtarisht dakord ta përdorin, sidomos në të shkruar. Por fakti që legjitimimi i standardit është zyrtar dhe institucional, nuk do të thotë që standardi është gjuhë “burokrate” dhe që disa gënjeshtarë u paskan shtënë trutë e gomarit njerëzve duke ua shitur për gjuhë të përbashkët apo “tinëzisht” si toskërishte (????)– siç thoshte Ledi Shamku në një emision televiziv të këtyre ditëve duke iu referuar letrarishtes shqipe. Unë shpresoj që kjo të jetë një lapsus i Ledit.

https://www.youtube.com/watch?v=eG9BHDum5Ho

Standardi dhe planifikimi gjuhësor, bashkë me politikat gjuhësore janë të stër-studiuara sot, dhe një fushë që i takon më shumë sociologjisë së gjuhës sesa gjuhësisë vetë. Nuk besoj se ka sociolinguist që s’ka punuar në një pikë a një tjetër me temat që lidhen me standardin, sido që çdo sociolinguist ua njeh mirë standardeve natyrën dominante dhe faktin që krijojnë mbyllje sociale për elitat e privilegjuara (social closure), apo situata diglosike me “dialektet” në komunitetet folëse[ii]. Ndaj është normale të ketë planifikime për hapje apo gjallërim standardesh, për ndryshime nga poshtë lart dhe jo vetëm nga lart poshtë, pasurim stilistik dhe përhapje të tyre sa më përfshirëse. Është gjithashtu një detyrim etik i gjuhëtarëve të shtyjnë sa më fort institucionet dhe folësit e shkruesit për përdorimin e dialekteve të minorancave apo maxhorancave, që të jenë të gjalla si forma identitare të grupeve dhe si forma të diversitetit gjuhësor e kulturor aq të nevojshme për mirëqenien e individit dhe shoqërisë (kështu mendoj unë, por ka gjuhëtarë që me këtë sferë nuk duan të merren si një militantizëm politik që nuk lidhet në fakt me gjuhësinë). Një gjuhë që ka krijuar në një pikë të caktuar një version të vetin të kodifikuar në të gjitha rrafshet, me normë shkrimore (por, në terren, thuajse kudo, pa një normë të folur) ligjërisht apo praktikisht, me hir a me pahir të konsakruar si të përbashkët, është një gjuhë që ka standardin e vet. Shqipja e ka standardin e vet si gjuhë të kodifikuar, të shkruar, të pranuar, të përdorur gjerësisht, çati për variante e komunitete folëse, me specialistë që kanë qejf dhe detyrë preskriptivizmin ndaj saj, me detyrim (së paku formal) të përdoret e mësohet në shkolla, në mediat shtetërore e nëpër institucione. Të thuash standardi është gjuhë burokrate (burokratike??), nëse nuk është gafë a shkarje, do të thotë të ngatërrosh gjuhë, regjistra, e stile, ose të manipulosh opinionin. Neni 14 i Kushtetutës thotë se gjuha zyrtare e Republikës është shqipja. Çështja është – cila shqipe! Presupozohet ajo letrarja, si shqipe e pranuar si “e përbashkëta” në një moment të caktuar historik e politik. Por “gjuhë zyrtare” dhe “gjuhë burokrat-e/ike” janë të ndryshme në shumë kuptime.

Maria Todorova[iii] në disa nga punët e veta kritike (sidomos në Imagining the Balkans. 2009) analizon gadishullin dhe popujt e tij, dhe përfundon se Ballkanet nuk janë aq “të vonuara në gjithçka” – zhvillime kulturore, ideologjike, letrare etj. – sa Evropa pretendon dhe emeton. Kanë një mprehtësi e intuitë të pazakontë vështrimet dhe analizat e Todorovës. Gjithsesi, standardi i shqipes, bën pjesë në ato “ballkanizma[iv]”që ishin të vonuar; dhe, për më tepër, ai u tor dhe u end shpejt e shpejt. Jo se individët që e endën korpusin e tij e kryen punën pa kujdes – por, sepse, pas kodifikimit teknik, dhe ngurtësimeve të ndryshme në çdo rrafsh, standardi duhej sheshuar nga koha e përdorimi ndërmes grupeve të ndryshme. Ky proces stabilizues do e kish demokratizuar disi standardin që, për nga natyra, është shtrëngues dhe jo çlirues e demokratik. Por era politike kur i erdhi dita këtij vendimi madhor që u pranua në masë, qëlloi e mbrapshtë për ne – ose, më e mbrapshtë se për shumë procese të tjera standardizimesh gjuhësore tjetërkund. Kjo, si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht: eksperimentimi, diskutimi i kundërshtive, dhe shpirti i tolerancës a kompromisit ishin tek ne fare joekzistues ose cungje prerë me sëpatë ideologjike. Sido të jetë, pas ’72-shit, shpërndarja e forcuar dhe përdorimi intensiv në shkollë e letërsi, e bënë “shqipen letrare” gjuhë që natyrshëm dha e vazhdon të japë vepra e kryevepra të poezisë dhe letërsisë fiction. Kjo letërsi jo veç e natyralizoi standardin shqip, së paku në fushën e letërsisë fiction (prozë e poezi) duke qenë edhe në thelb më e hapur ndaj gjithë varianteve “jo e pak normative”, por, nëpërmjet kësaj fushe, ia rriti asaj bazën e përdorimit dhe edhe të pranimit publik (nënvizoj se këtu s’e kam fjalën për detyrimin). Në fakt, kjo lidhje më e natyrshme e standardit dhe letërsisë fiction vazhdon ende: siç shkruan Vehbiu (2022) duke u ankuar për mënyrën sa është i papërvetësuar standardi ndër njerëz, në një prej eseve të fundit për këtë lëmë të dijes që ka në këtë çast mbi vete syrin publik,

“E vetmja fushë ku standardi duket se zbatohet më mirë, është ajo që për standardin ka relativisht më pak nevojë: letërsia origjinale dhe e përkthyer.”

Ashtu si ka letërsi të keqe të shkruar në shqipen standard, ashtu ka edhe letërsi të mrekullueshme të shkruar sipas të njëjtit kod. Besoj se ngatërrimi i erës kur u krijua dhe i përdorimit komunist të tij në atë erë, me vetë gjuhën e kodifikuar, të shkruar e të mësuar nëpër shkolla (së paku në parim) është manipulues dhe kurrsesi në emër të një gjuhe më të mirë të përbashkët.

Sot është donkishoteske të mendosh se mund të shkosh kund pa gjuhë standard apo të shembësh një e të ngresh një tjetër të ri që “t’lulzojë gërmadhash”, nën maskën e drejtësisë sociale apo nën peshën e diletantizmit; e pamundur dhe vetëvrasëse! Por disa herë formësimet e standardeve u janë lënë kohës dhe janë prodhuar si pjella shekullore e nga një proces sitjeje e përdorimi të gjatë. Kjo s’do të thotë që nuk kanë qenë procese politike, aq sa edhe gjuhësore e shoqërore. Klasa e grupe të caktuara shpesh kanë vendosur padrejtësisht apo janë kacafytur për këto variante. Anglishtja është formësuar ashtu: në kurriz të gjuhëve të tjera (po them gjuhëve krejt të ndryshme prej vetes, si gjuhët kelte, dhe jo më të ashtuquajturave “dialekte”) por duke marrë një kohë të gjatë që ia ka rritur stabilitetin: krejt ndryshe nga vrulli ynë dhe (mos)kohë-zgjatja e standardit tonë. Por për arsye historike e shoqërore, shqipja s’e pati e nuk e ka komoditetin e anglishtes. As fuqinë ekonomike dhe traditën e disa prej komuniteteve të gjuhëve nordike. Shqiptarët nuk e kanë luksin të vërsulen në eksperimente polinomike e pluricentrike për standardin e vet. Shqipes një standard unifikues i duhet e i vlen, e polinomia e standardeve do ishte vrastare e zhvillimit. Besoj se deri këtu do jem dakord me tërësinë e lexuesve. Dëgjoja një profesoreshë të universitetit të Sydney-t të fliste me përçmim për anglishten ngaqë nuk u la të zhvillohej natyrshëm, por u fut për shekuj nën darët e një kodifikimi të gjatë e skrupuloz, si edhe të një përvetësimi intensiv e modern. “Nuk është gjuhë! E kanë përpunuar e deformuar aq fort, sa s’është më gjuhë!” Dhe kur kjo thuhet për anglishten që ka prodhuar një letërsi nga më të admirueshmet, mund të thuhet prej ankuesve për çfarëdo gjuhe tjetër. Nëse teorikisht ky lloj pozicioni ia vlen të diskutohet (e pse jo?!), ide ekstreme të këtij tipi janë shoqërisht të papërgjegjshme dhe shkencërisht banale; ato në kushte të caktuara mund të krijojnë përçarje e luftë, pa arritur të zgjidhin e përmirësojnë gjësendi. Ndaj, kjo kategori propozimesh është gjynah kur vjen prej gjuhëtarësh.

Megjithatë diversiteti është ndër dukuritë më të natyrshme dhe jetike për shoqërinë dhe individin, dhe është po aq çmenduri dhe varfëri ideologjike dhe praktike, t’i takosh grupit që do dëshironte një njësim gjuhësor si artific idealist. Liu [v] (2015) (në kapitullin hyrës dhe në të tjerë, rimarrë më pas në librin e vet) shtjellon tri arsyet pse gjendja heterogjene ndodh të parapëlqehet: së pari, për egoizëm kulturor; së dyti, për efikasitet komunikativ; e, së treti, për hir të legjitimitetit përftuar prej synimit të barazisë së grupeve në një kolektiv. Në këtë kuptim konkretizuar në rastin tonë, gjallimi në një hapësirë gjuhësisht heterogjene do ish i dëshiruar prej vendalish shqiptarë që krenohen dhe e gjejnë si më të mirin variantin e vet lokal, prej atyre që, po të përdornin një variant lokal në vend të një standardi, do e kishin më kollaj njohjen e përdorimin gjuhësor të tij, dhe, së treti, sepse, nëse edhe gjuhësisht (veç shoqërisht, ekonomikisht kulturalisht, etj.), gjithë grupet variante-folëse do kishin të drejta të barabarta variantesh, kjo do paraqiste një situatë më legjitime nga baza etike. Liu i përcakton regjimet gjuhësore si institucionalizime pushtetesh gjuhësore (zgjedhje politikash e planifikimesh gjuhësore prej shtetit) që përcaktojnë detyrueshëm për përdoruesit e gjuhëve të një entiteti socio-politik cilat gjuhë (kode) të përdoren, kur dhe ku. Në kërkim të një zgjidhjeje sa më efikase (edhe ekonomikisht), ajo krijon një kuadrakotomi regjimesh siç vërehen në figurën me dy boshtet më poshtë (Liu. 2015:30).

Tipologjia e regjimeve gjuhësore zhvilluar nga Liu konceptualizohet si veprimtari kombinuese përgjatë dy boshteve apo dimensioneve: njohja si zyrtare (në analizat konkrete, gjuhë që futen në sistemin e edukimit) e vetëm njërës apo e shumë gjuhëve në njërin bosht, dhe njohja si zyrtare e gjuhës së mëmës apo e një tjetre që s’është e folësve. Duke u mbështetur në një larmi tipash të regjimeve konkrete, ajo përfundon në një matrix katër tipash themelore: regjime gjuhësore që e përqendrojnë pushtetin në një gjuhë (standard) ku hyjnë (si shembull) shumica e vendeve të Evropës Perëndimore, ato që e ndajnë atë mes më shumë se një gjuhe (kryesisht për komunitete disa-gjuhëshe si Kanadaja dhe Zvicra, komunitete ku zgjidhet një gjuhë e n-të (jo ndër gjuhët kryesore të komunitetit) që funksionon si Lingua Franca (LF është gjuha nëpërmjet së cilës merren vesh grupe që nuk flasin një gjuhë të përbashkët) si rasti i zyrtarizimit të gjuhës Malai, dhe rasti i katërt është ai i kombinimit të rastit dy dhe tre (njohje si e një LF-je, si edhe e disa gjuhëve të përbashkëta të komunitetit), si rasti i Indisë. Regjimi i vendosur tek ne, hyn në grupin e parë: më dukshëm i padrejti, por edhe më i vjetër dhe stabël se regjimet e tjera. Ndërkaq regjimet e tjera kanë sjellë problemet e veta në përdorim dhe pranim, sido që janë më optimale shoqërisht dhe ekonomikisht. Vendet me maxhoranca etnike të fuqishme ose padiskutueshëm të mëdha kanë normalisht regjimin nr. 1. Shoqëritë shumë-etnike (dhe shumë-gjuhëshe), sidomos me histori apo predispozitë problemesh etnike, rekomandohen të zgjedhin regjimet 2, 3, dhe 4.

Rasti i shqipes nuk ka arsye më të shumta se të tjera vende që mbajnë regjimin nr 1, që ta përmbysë atë regjim që ka. Përkundrazi! Grupet e ndryshme folëse të varianteve të shqipes janë, sot dhe historikisht, etnikisht të bashkuara, pa konflikte e luftëra, dhe pa distanca gjuhësore të forta të tipit abstand (si disa prej “dialekteve” në Itali), si edhe pa tendenca të dukshme të zhvillimeve ausbau (si gjuhët e ish-Jugosllavisë). Shtoj sidomos, që në kushtet ekonomike dhe arsimore të shoqërisë sonë, si edhe për numrin e vogël dhe copëzimet volum-mëdha e të shumta mes shteteve të ndryshme të bashkësisë shqip-folëse, ide për rrënim a zëvendësim të standardit janë aventurë e papjekur që ka veshur petkun e revolucionit populist.

Vazhdon me Pjesën e 2-të

Fati dhe problemet e planifikimit gjuhësor formalizuar në 1972

Shënim: pjesa e dytë nuk do jetë një histori e zhvillimeve standardizuese hershëm dhe gjatë socializmit, por më shumë një analizë e strukturimit të tyre gjatë socializmit dhe sot. Historia si u arrit tek standardi po jepet sot suksesshëm prej shumë studiuesve të shqipes.

© 2022 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[i] Fagyal, Zsuzsanna. 2022. “Monolingulism vs. multilingualism in Western Europe: language regimes in France, UK, and Spain”. Në Mufwene and Escobar (Eds.) Cambridge Handbook of Language Contact. Volume 2: Multilingualism in Population Structure. Cambridge University Press. In press.

[ii] Heinz Kloss, Charles Ferguson, Joshua Fishman, Bernard Spolsky, Peter Trudgill, Ulrich Ammon, Sue Wright, Nancy Hornberger, janë disa prej kryesorëve që ndërtuan shtyllat e teorisë dhe analizës së standardeve dhe planifikimit (/menaxhimit) gjuhësor. Kjo pa lënë mbrapa gjuhëtarët shqiptarë një pjese të të cilëve u takoi (e s’e shmangnin dot) të merreshin gjithë jetën me “shqipen letrare” dhe jetën e problemet e saj, si dhe pa lënë pa përmendur ata kosovarë (për një histori të këtyre punëve mund të shihen disa nga volumet e viteve të fundit të Rexhep Ismajlit, Shefkije Islamajt, dhe, më së fundmi, të Shkumbin Munishit). Shumë e zhvilluar është sot edhe analiza e marrëdhënieve standard-dialekt si dhe mes tyre dhe gjuhëve të minorancave në Itali për hir të problematikave të veçanta lokale, që sjell për analizat që bëhen ndër ne, një shportë fatlume terminologjike dhe konceptuale që lehtë mund të shfrytëzohet pa u manipuluar.

[iii] Todorova, Maria. 2009. Imagining the Balkans. Oxford University Press.

[iv] Jo në kuptimin që afron disi ballkanizmat me orientalizmat saidianë (ende term e konceptualizim sipas Todorovës)

[v] Liu, Amy H. 2015. Standardizing diversity: The political economy of language regimes. Philadelphia, PA: University of Pennsylvania Press.

 

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin