FALËNDERIM ME JARMULKE

Dje ishte Dita e Falënderimeve në SHBA (Thanksgiving Day), aq e festuar nga familjet amerikane – dhe më vizitoi, me këmbëngulje, kujtimi i herës së parë që më pat kapur kjo festë, në nëntor të vitit 1996, në New York. Kisha qëlluar vetëm – familja gjendej për vizitë në Shqipëri – dhe një koleg në kompaninë ku punoja, G.S., mjaft më i ri se unë, kur e mori vesh se nuk kisha me këtë ulesha në tavolinë atë pasdite, më ftoi që ta kaloja festën me familjen e tij, në Long Island.

Kisha krijuar goxha miqësi me G.S., edhe ngaqë ishim të dy “të rinj” në punë dhe ndiheshim njëlloj të persekutuar nga shefat. Punonte si project manager, por ishte i specializuar në hungarishte – ashtu më ish prezantuar që në krye, si me origjinë hungareze, por i lindur në SHBA. I ati kish përkthyer në anglisht autorë të njohur nga Hungaria. Meqë kompania ku punoja atëherë merrej me përkthime, gjendesha natyrshëm i rrethuar nga kolegë nga gjithë bota: kinezë, latino, portugezë, italianë…

Erdhi më mori në Bronx me makinë. Ish ftohtë, temperatura kish rënë nën zero. Para se të drejtoheshim për Long Island, na u desh të bënim një ndalesë të shkurtër në Rego Park, në Queens, ku G.S. takoi të gjyshin dhe e përshëndeti për festën. Gjyshi m’u duk plak zevzek dhe ankimtar, megjithë një skufje leshi që e mbante rrasur deri mbi vetulla. Më ngjau edhe me ca voskopojarë të lashtë që kisha njohur në Tiranë… Me G.S.-në jepnin e merrnin në hungarishte, gjuhë për mua e padepërtueshme – dëgjoja një igen, igen të përsëritur dhe kushedi pse, mendoja për një shoqe të viteve të gjimnazit në Tiranë, që e kish të ëmën hungareze.

Prindët e G.S. banonin rreth një orë e gjysmë larg – por rruga zgjati edhe më, për shkak të trafikut. Nuk e kisha ditur, pra, që Thanksgiving festohej me aq intensitet e bujë në SHBA, madje ende nuk e kisha shumë të qartë çfarë ishte kjo ditë tamam, duke e përfytyruar turbullt si diçka fetare dhe protestante, që parakuptonte shkëmbim buzëqeshjesh dhe dhuratash të kota. Me siguri G.S. ishte përpjekur të ma shpjegonte…

Arritëm në destinacion, ku na prisnin me tryezën të shtruar. Mjedisi ishte tipik i rrethinave të New York-ut (suburbs), me çifte të veshura rëndë, burrat me jelekë dhe gratë me fustane të komplikuara dhe çizme të buta. U prezantuam – nga njëra anë gjithfarë mësuesish, nga ana tjetër unë, i ardhuri ekzotik nga Europa “tjetër”, e sapo-shëruara nga totalitarizmi.

U ulëm në tryezën që gati po shembej nga pjatancat, dhe ashtu pata fatin që të zbuloj, që me kafshatën e dytë ose të tretë, një lloj kungulli që më la pa mend, dhe që pastaj më shpjeguan se paskësh qenë “patate e ëmbël” – diçka që nuk e kisha futur kurrë në gojë. Pimë birrë dhe verë. Nisëm muhabete dhe i lamë përgjysmë për të nisur të tjera.

Pastaj erdhi momenti kur, nuk di pse dhe si, i zoti i shtëpisë bëri një shenjë dhe disa nga burrat në tryezë, përfshi këtu edhe kolegun tim G.S., nxorën ca kësula të vogla për t’i vënë në kokë. U ktheva nga ky për ta pyetur me pëshpërimë se ç’ishin këto. Do t’i jem dukur i alarmuar, sepse më qetësoi, duke më thënë se ishte një si adet që duhej ndjekur… Ashtu mezi më në fund e mora vesh se familja e G.S. dhe një pjesë e të ftuarve ishin hebrenj dhe kësulat që vunë burrat në kokë jarmulke.

Tani edhe unë mezi e besoj vetë, por eksperienca ime e përditshme me hebrenjtë, deri atëherë, kish qenë fare minimale. Në Itali ku kisha jetuar në vitet 1990-1996, një kolegu im grek më pat dëftuar një herë se pronari i librarisë afër universitetit ishte “ebreo”; siç më pat informuar më pas prof. Fortinoja se botuesi Brenner – ai që nxori Grammatica albanese të M. Camajt përkthyer prej meje – ishte edhe hebre gjithashtu. Para 1990-ës, në Shqipëri, i njihja disa hebrenj në Tiranë, por këta ishin më shumë një kuriozitet, në Shqipërinë etnikisht të kulluar të atyre kohëve.

Në nëntor të vitit 1996 bëja gati nëntë muaj që isha zhvendosur në SHBA, dhe me siguri do të kem parë në rrugë hebrenj hasidikë, lehtësisht të dallueshëm nga veshja dhe mënyra si i mbajnë flokët – por pa e vrarë shumë mendjen (kisha të tjera halle, në atë periudhë). Kishte hebrenj edhe në zyrat e kompanisë ku fillova punë për herë të parë si freelance (Berlitz), por edhe s’isha mësuar t’i perceptoj si pjesë të New York-ut; dhe sidomos nuk më vinte natyrshëm ideja se dikush mund të ishte edhe amerikan edhe hebre, por gjithë duke ruajtur lidhjet me vendin nga e kish origjinën në Europë.

E kam fjalën për G.S.-në, mikun tim biond, që me mendje e kisha klasifikuar në miletin e hungarezëve. Më vonë, shumë më vonë, do të merrja vesh se jarmulket ose kippa-t i mbajnë zakonisht burrat hebrenj ortodoksë – por ndonjëherë edhe hebrenjtë më liberalë ose shekullarë, për të treguar respekt ndaj traditës së tyre fetare. Familja e G.S. me siguri nuk ishin ortodoksë, por i kishin nxjerrë jarmulket për t’i vënë në kokë në shenjë respekti ndaj Ditës së Falënderimeve.

Gjithnjë më vonë do të mësoja edhe se, për shumë hebrenj, kjo Ditë e uruar është edhe rasti për të shprehur një mirënjohje të ritualizuar ndaj SHBA-ve dhe mikpritjes që kanë gjetur te ky vend, si popull gjetiu i persekutuar. Madje një numër i madh hebrenjsh ortodoksë e pranojnë tani këtë festë si kremtim familjar dhe të përkatësisë së tyre në bashkësinë (nation) amerikane, ngjashëm me 4 korrikun (Independence Day) dhe ndryshe nga, të themi, Kërshëndellat, që janë festë e krishterë.

Tani që e bluaj me vete sërish, G.S. do ta ketë interpretuar tjetër për tjetër habinë time me jarmulket në kokat e të ftuarve për darkë; do të ketë kujtuar se unë nuk e prisja jo që të ftuarit të ishin hebrenj, por që të ishin nga ata hebrenj që vënë jarmulke; meqë ai dhe familja e tij dhe rrethi i tyre shoqëror mbaheshin për (dhe ishin) hebrenj liberalë, shekullarë, që nuk i jepnin shumë rëndësi fesë në jetën e tyre të përditshme dhe e përjetonin identitetin e tyre më shumë si diçka mirëfilli etnike dhe kulturore; siç mund të ketë kujtuar se unë u habita edhe nga vetë gjesti i shfaqjes së njëkohshme të jarmulkeve (ndoshta i shoqëruar nga ndonjë lutje, këtë tani nuk e kujtoj dot), prandaj edhe më shpjegoi se ish fjala për një gjë “tradicionale” – dhe jo thjesht që “ne i vëmë këto kësula, sepse jemi hebrenj.”

Ajo darkë ishte përkujtesë e padijes sime, por edhe më prezantoi me hebrenjtë në Amerikë ashtu siç nuk i kisha njohur kurrë. Tek e fundit, a nuk isha unë, shqiptari i mërguar më parë nga Shqipëria e më pas nga Italia drejt SHBA-ve, një prani aq “Jewish” në tryezën e pasur të hebrenjve shekullarë të Long Island-it; teksa mikpritësi im do të më rrëfente për Thanksgiving dhe jarmulket, në të njëjtën fjali?

Padija është bekim, thotë një fjalë e urtë; dhe ashtu u tregua për mua, atë mbrëmje. Gjithnjë më ka intriguar momenti i kalimit nga padija në dije, i vetëdijshëm siç jam që ky kalim nuk ka të bëjë as me arsyen as me kalimin nga errësira në dritë – sa kohë që njohja e mirëfilltë vjen gjithnjë në trajtën e zbulesës (rivelacionit). Por edhe tani më duket domethënëse që unë, i ardhuri rishtas në New York, do të mësoja për Amerikën i ulur në një tryezë hebrenjsh, dhe do të mësoja për hebrenjtë i ulur në një darkë Falënderimesh, ose në më amerikanen e festave.

(Bra mirë që nuk u thashë mikpritësve të mi se për mua, shqiptarin, gjeli i detit i bashkëlidhej natës dhe festës së Vitit të Ri, si Ersatz sovjetik për Krishtlindjet – sepse shpjegimi im do të kish qenë edhe më i komplikuar se ai për jarmulket e befasishme; dhe gjithsesi, muhabeti do të kish degraduar në një formë antropologjie të krahasuar sallonesh.)

Çfarë më bindi t’i rrëfej sonte këto kujtime, ish një lajm që lexova për një Joy Reid, komentatore në rrjetin MSNBC, që nuk e humbi rastin për t’i shpjeguar publikut, mu para festës, se Thanksgiving nuk qenkësh veçse një “simplistic fairytale” që shërbente për të fshehur si SHBA ishin themeluar mbi “genocid” dhe “supremaci të bardhë” dhe, gjithsesi, i paskësh rrënjët në dhunë.

Ndoshta Dita e Falënderimeve duhet të vlejë edhe për të reflektuar si lyhet historia me gëlqere, para se të festohet; por unë nuk shoh arsye pse duhet të pushoj së risjelli ritualisht në mendje, çdo fund nëntori, atë moment aq të mbarsur me kuptim, që ishte shfaqja e jarmulkeve në toçet e shogëta të mikpritësve të mi hebrenj në Long Island; një kuptim që u bënë tash më shumë se 25 vjet, që po përpiqem ta rrok.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa leje. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Kopertina: Photo by Joshua Sukoff on Unsplash.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin