Qytetaria si zgjedhje

Që në momentin kur lindim, bëhemi pjesë grupesh të ndryshme: për shembull, dikush mund të lindë si qytetar shqiptar, me kombësi shqiptare, mashkull, i krishterë katolik (kur pagëzohet) etj. Të gjitha këto përkatësi janë efekt i zgjedhjeve të të tjerëve, jo tonat. Më pas, kur fitojmë aftësinë dhe të drejtën për të marrë vendime në lidhje me fatet e personit tonë, liria na lejon të ndryshojmë edhe ato përkatësi, pa ia shkelur kujt të drejtat ose liritë. Ka njerëz që ndërrojnë fenë (i gjen me mijëra sot në Shqipëri), ose edhe seksin. Ka njerëz që ndërrojnë emrin (përsëri me mijëra, shqiptarë në Greqi).

Natyrisht, disa do ta bëjnë këtë po aq lehtë sa edhe ç’ndërrojnë modelin e pantallonave ose të flokëve. Të tjerë për të nxjerrë përfitime personale.

Në mesjetë ishte feja grupi kryesor ku klasifikoheshim, me të ardhur në këtë botë. Në kohën e Enverit, mund të lindje armik i klasës. Për disa, sot dogma e përkatësisë në lindje është kombësia (etniciteti). Kjo nuk mund të kalojë pa diskutime, as të merret si e vërtetë e shenjtë dhe e pacenueshme.

Unë them që e vetmja gjë që prindët duhet të kujdesen për fëmijën që lindin, është që ta sjellin në një botë ku fëmija të jetë njeri i lirë. Të tjerat vijnë dhe ikin. Dikujt i pëlqejnë, dikujt jo. Cilët jemi ne që t’u bëjmë njerëzve gjyqin për vendime personale dhe të arsyetuara? Aq më tepër që sot – kur votuesit në Shqipëri vazhdojnë t’i besojnë një regjimi i cili, me ç’dëgjojmë e shohim, mendon vetëm për të mbushur xhepat e për të rrjepur deri edhe pleshtat – njerëzit kanë të drejtë t’i bëjnë vetes pyetje të rënda e tronditëse; ndënjëherë edhe t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.

Aqifi mund të ndihet krenar se është shqiptar, dhe këtë e kuptoj. Por Aqifi mund të ndihet krenar se është shqiptar, meqë shqiptarët numërojnë në radhët e veta njerëz si Aqifi dhe familja e farefisi e tarafi i Aqifit. Në këtë rast të dytë, krenaria kombëtare kthehet në një peliçe për t’u krekosur në publik – dhe krenaria e Aqifit nuk do të na mallëngjente më.

Në mërgim ka njerëz që nuk kanë qejf t’ua kujtosh se janë shqiptarë. Kur e prezantojnë veten, shpikin lloj-lloj origjinash – kroatë, maltezë, moldavë, hungarezë – për të evituar kategorizime. Kështu, shqiptarësia kthehet në një dimension privat, pothuajse të fshehtë. Kam përshtypjen se kjo ndodh më shumë në Evropë, ku edhe paragjykimet kundër shqiptarëve janë të forta dhe nxiten nga segmente të mediave vendëse. Arsyet e një sjelljeje të tillë janë shpesh praktike dhe dihen. Më shumë ka interes të shihet pse është kaq “e dobët” ndjenja e krenarisë kombëtare, sa t’i lejojë këto arsye të veprojnë.

Me fjalë të tjera: ku e ankorojnë krenarinë kombëtare këta të mërguar? Pse nuk mjaftojnë Skënderbeu, pellazgët, shqipja dykrenare, Ismail Kadareja, ndoshta nënë Tereza, për t’i bërë këta krenarë që janë shqiptarë?

Ka edhe njerëz që krahasojnë realitetin e ri, me atë shqiptarin që kanë lënë pas. Nuk mund të mos vënë re dallimet, ndonjëherë flagrante, dramatike. Ka njerëz të thjeshtë, që nuk merren me simbole kombëtare, por që shohin si të drejtat u respektohen më shumë në vendet mikpritëse, se ç’u respektoheshin në Shqipëri dikur. Ç’tu themi këtyre njerëzve?

Ka njerëz që kthehen të investojnë në Shqipëri, dhe ndeshen në maskarenj që ua vjedhin paratë, në maskarenj të tjerë që u kërkojnë rrushfet në çdo hap, në organe të rendit që u kërkojnë më shumë para se të tjerët për t’i mbrojtur. Bien viktima të mashtrimit, papërgjegjësisë, korrupsionit. Dalin si rruar-qethur. Për çfarë të jenë krenarë këta njerëz? Po sikur ta kenë harruar edhe “Bagëtinë e bujqësinë” e Naimit?

Për sa kohë kombi shqiptar e ka një shtet të vetin, Republikën e Shqipërisë, moraliteti i këtij shteti do të bëjë hije mbi moralitetin e kombit vetë. Duam apo nuk duam ne shqiptarët, z. Fatos Nano na përfaqëson në sytë e opinionit ndërkombëtar më shumë se Nënë Tereza.

Ka njerëz që e kanë të fortë edhe ndjenjën e nderit, edhe ndjenjën e përkatësisë në grup. Kur e shohin maskarallëkun sheshit në dheun mëmë, këta fillojnë e lëkunden, sepse nuk identifikohen dot më.

Unë vetë nuk i gjuaj dot me gurë, tha.

[2004]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin