KOSTOT E RISHIKIMIT TË STANDARDIT

Kaq shumë energji – edhe pse jo doemos intelektuale – po shpërdorohen për të ashtuquajturën nevojë për “reformë drejtshkrimore”. Janë ata që gjykojnë se drejtshkrimi ekzistues vërtet ka nevojë të preket; janë ata që e shohin drejtshkrimin si parlament të krahinave të shqipes dhe duan t’u hapin dyert elementeve të nahijeve të tyre; janë ata që drejtshkrimin e tanishëm e shohin si krijesë të politikës totalitare të Hoxhës dhe ipso facto të padenjë; janë ata që ende ushqejnë dëshirën e fshehtë për ta përmbysur drejtshkrimin dhe për ta ri-standardizuar shqipen mbi bazat e gegnishtes… Janë edhe të tjerë që nuk po i përmend se më zgjatet shumë lista.

Më të maturit thonë e besojnë se Kongresi i Drejtshkrimit nuk ua pat mbyllur derën ndryshimeve dhe korrigjimeve në të ardhmen. Nga të gjithë këta, një pjesë vërtet shqetësohet për shqipen dhe të ardhmen e saj; ndonjëri është thjesht vandal, në kuptimin që kërkon të prishë. Por edhe më të përkushtuarit ndaj qytetarisë së shqipes nuk i dëgjoj të shqetësohen për mundësitë praktike të realizimit të një reforme drejtshkrimore, në gjendjen e sotme të arsimit dhe të kulturës dhe të institucioneve në Shqipëri. Reformat drejtshkrimore mund t’i sugjerojnë dhe t’i miratojnë specialistët e planifikimit gjuhësor sa u përket modifikimeve në mënyrën si duhen shkruar fjalët, por zbatimi i tyre kërkon një përpjekje titanike në terren, që sot askush nuk është në gjendje ta realizojë. Institucionet e sotme të arsimit publik po dështojnë masivisht që t’u mësojnë nxënësve rudimentet e drejtshkrimit ekzistues; si mund t’u besosh këtyre barrën e realizimit të ndryshimeve? Një pjesë e madhe e mësuesve të gjuhës e të letërsisë anembanë nuk e zotërojnë drejtshkrimin e sotëm të shqipes – si mund të shpresosh se do të përvetësojnë drejtshkrimin e reformuar? Kush do t’i edukojë edukatorët? A ka ndonjë që ende e mban mend si u implementua standardi i vitit 1972 –çfarë përpjekjesh njerëzore dhe financiare kërkoi, çfarë impenjimi nga të gjithë, çfarë organizimi top-down, çfarë gatishmërie masive për t’u besuar rregullave gjuhësore? Si mund ta replikojnë këtë institucionet e sotme të arsimit, të kulturës dhe të shkencës, që shpesh nuk arrijnë të mbledhin as 2-3 vetë në aktivitetet që promovojnë?[1]

Le të shohim pastaj rreth e rrotull, në Evropë dhe gjetiu, se si kanë ecur reformat drejtshkrimore – një gjë që nuk kam dëgjuar ta bëjnë të dijshmit: ashtu do të zbulojmë se asnjë këto reforma nuk mund të konsiderohet si e suksesshme dhe as të merret si model. Kështu, në hollandishte, reforma e vitit 1995 ka çuar në përdorimin e dy sistemeve të ndryshme të drejtshkrimit, njëri nga shkollat dhe institucionet, tjetri nga mediat. Në frëngjishte, një ndryshim në drejtshkrimin e disa pak mijëra fjalëve i urdhëruar nga qeveria franceze ende më rezulton të mos jetë adoptuar në shkallë të gjerë. Në Rumani, drejtshkrimi i disa fjalëve me î, përkatësisht â, të cilat zanore sot shqiptohen njëlloj, por që shkruhen ndryshe për arsye historike (ose më mirë pseudo-historike), u thjeshtua në vitin 1993 – shkrimi me î i fjalëve të tilla si romîn (dhe jo român) konsiderohej gjerësisht si mbeturinë e një sistemi drejtshkrimor të imponuar nga regjimi komunist. Drejtshkrimi i ri, megjithatë, nuk është adoptuar nga të gjitha entet botuese, publike dhe private; disa revista, si  România literară, i lejojnë autorët të përdorin atë sistem drejtshkrimor që dëshirojnë. Edhe reforma drejtshkrimore e gjermanishtes ndeshi në rezistencë të madhe nga shoqëria civile, në një kohë që autoritetet nuk arritën të merren vesh për mënyrën si do të zbatohej reforma dhe si do të vihej në jetë drejtshkrimi i ri.

A i dinë këto gjëra kolegët e mi, që kërkojnë “rishikim” të drejtshkrimit të shqipes? Nëse nuk i dinë, atëherë do t’i gjykoja të papërgatitur për çfarë kërkojnë; nëse i dinë por vendosin t’i shpërfillin, janë në keqbesim. Sepse të kërkosh një reformë, do të thotë të jesh në gjendje edhe të argumentosh si do të implementohet reforma në praktikat arsimore dhe kulturore.

Të gjitha këto, pa llogaritur ende kostot financiare të një reforme drejtshkrimore në Shqipëri dhe në Kosovë – të papërballueshme për shtete si këta të sotmit: fjalorët që duhen rishkruar, gramatikat, trajnimi i mësuesve dhe i redaktorëve dhe vështirësitë totale të brezave përndryshe më të alfabetizuar në historinë e shqiptarëve për t’iu përshtatur drejtshkrimit “të ri”. Shqetësimin mund ta formuloja edhe kështu: si mund të reformojë drejtshkrimin (dhe, në përgjithësi, standardin) një shtet që nuk arrin dot ta mirëmbajë atë që ka? Ose, për ta thënë me një metaforë: si mund të fillojnë të ecin në litar institucione që sot nuk arrijnë dot as të lidhin brekët?

Edhe nëse kryhet një reformë drejtshkrimore shkencërisht e mbështetur dhe kulturorisht e ndjeshme, ajo sot pas gjase nuk do të përkrahet veçse nga një pjesë e shqipshkruesve; në një kohë që pjesa tjetër nuk do ta pranojë dhe do të vazhdojë të ndjekë modelin e vjetër, edhe pas përfundimit të periudhës ndërkalimtare (grace period). Kësisoj, palët politike të kundërta do të pajisen edhe me variantet drejtshkrimore përkatëse; dhe shqipja do të shkruhet, në thelb, me të paktën dy forma të ndryshme pak a shumë të legjitimuara; çfarë ka ndodhur, tani vonë, me gjuhë shumë më solide se shqipja, të tilla si rumanishtja dhe holandishtja.

(Refuzoj të pranoj se mos ndoshta ndonjë promovues entuziast i reformës drejtshkrimore të shqipes synon fshehurazi të arrijë pikërisht këtë rezultat: shkërmoqjen e njësisë gjuhësore të shqipes, në nivel institucional dhe zyrtar. Përpiqem t’i marr rregullisht barnat kundër paranojës.)

Çfarë mund të bëhet, atëherë? Sugjerimet e mia i kam sjellë shumë herë – e vetmja ndërhyrje e arsyeshme, që mund të bëhet sot në drejtshkrim (dhe në standard) me kosto jo shumë të lartë është lejimi më dorëlëshuar i dysorëve në regjistrat më të ulët të shqipes së shkruar publike (të krahasohen italishtja giuoco dhe gioco), përfshi këtu edhe tolerimin e paskajores së tipit me punue, qoftë edhe në formën artificiale me punuar, të cilën mund ta përdorë eksperimentalisht kushdo që e ndien të nevojshme, pa u konsideruar kjo shkelje e rregullave. Kësisoj prania e dysorëve do të ndihmonte, në afat të mesëm edhe të gjatë, edhe kristalizimin e regjistrave të shqipes së shkruar. Njëlloj nevojitet urgjent adoptimi i kritereve të rrepta për drejtshkrimin e (1) huazimeve të freskëta nga anglishtja dhe (2) të emrave të përveçëm nga gjuhë të tjera, të dyja çështje që do ta meritonin një konferencë shkencore të nivelit të lartë.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Debby Hudson on Unsplash.


[1] Argumenti për fizibilitetin dhe kostot e mëdha të implementimit të një reforme drejtshkrimore mund të kundërshtohet me argumentin se edhe vazhdimi me një drejtshkrim “të keq” ka kostot e veta; dhe drejtshkrimi i përmirësuar, pasi të zbatohet masivisht, do të mundësojë ulje të kostos. Por unë besoj se mes këtyre argumenteve nuk ka simetri, sikurse besoj se drejtshkrimi i sotëm (ekzistues) i shqipes nuk është aq i keq sa të përligjë ekonomikisht (financiarisht) shpenzimet e një reforme. Drejtshkrim “të keq” do të quaja atë të anglishtes, të paktën mes gjuhëve alfabetike; ose të japonishtes mes gjuhëve të tjera – por jo tonin.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin