LETËRKËMBIMI I NOLIT

Letërkëmbimi i Nolit: një dimension pak i njohur i universit nolian

nga Agim Vinca 

Gjatë jetës së tij të gjatë, 83 vjeçare, Fan Noli shkroi me qindra letra, kartolina e telegrame. Sekretarja e tij amerikane, Meri Xhons, dëshmon se Peshkop Noli ishte “një letërshkrues i ndërgjegjshëm” dhe njeri që “harxhonte shumë kohë dhe energji për letra”. Për nga numri i letrave që ka shkruar dhe që ka marrë, Noli zë pa dyshim një nga vendet e para në historinë e epistolarit shqiptar.

Një pjesë e këtij epistolari të pasur, u botua në librin Letërkëmbimi i Fan Nolit, të përgatitur nga studiuesi i tij i përkushtuar, Profesor Nasho Jorgaqi. Në këtë libër, që pa dritën e botimit në Njëqindvjetorin e Pavarësisë, në vitin 2012, janë përfshirë gjithsej 336 letra, kartolina, telegrame e mesazhe të Nolit dërguar të tjerëve dhe 204 letra e kartolina të dërguara atij nga të tjerët.[1]

Natyrisht që ky nuk është as përafërsisht letërkëmbimi i plotë i Nolit dhe se puna në mbledhjen dhe botimin e kësaj pasurie të madhe kombëtare duhet të vazhdojë.

Letrat e Nolit, sikurse edhe shkrimet e tjera të tij, janë shkruar në kohë e vende të ndryshme: ato shtrihen në tre-katër kontinente: Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë dhe përfshijnë një periudhë kohore mbi gjysmëshekullore, saktësisht 59 vjet nga letrat e para të vitit 1906 e deri tek ato të fundit të shkruara pak para se të vdiste më 13 mars 1965.[2]

Duke u nisur nga koha kur janë shkruar, letrat e Nolit mund të ndahen në katër etapa kryesore: 1. Letrat e viteve 1906-1912, shkruar në vitet e fundit të Rilindjes Kombëtare, në kohën e kryengritjeve antiturke dhe në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë 2. Letrat e viteve 1912-1924, që lidhen me veprimtarinë e Nolit për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për vendosjen e një regjimi demokratik në Shqipëri, 3. Letrat e viteve 1925-1939, që përfshijnë kohën e emigracionit politik, fillimisht në Evropë, pastaj në Amerikë; tërheqjen nga jeta politike në vitin 1933 dhe dhënien pas studimeve historike, muzikore e të tjera dhe 4. Letrat e viteve 1940-1965, që pasqyrojnë riaktivizimin politik të Nolit gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbështetjen luftës antifashiste në Shqipëri dhe lidhjet me shtetin shqiptar të krijuar pas LDB-së, Shqipërinë socialiste.[3]

Lista e njerëzve me të cilët ka korresponduar Noli është e gjatë, jashtëzakonisht e gjatë dhe, natyrisht, edhe e larmishme; ajo përbëhet nga familjarë, miq, shokë, kolegë, bashkëpunëtorë (ndonjëherë edhe kundërshtarë), njerëz të profileve të ndryshme profesionale dhe të orientimeve të ndryshme politike; bashkatdhetarë me banim në atdhe dhe shqiptarë në mërgim, por edhe personalitete të huaja, botërore, disa prej të cilave njerëz që kanë vendosur për fatin e botës: presidentë, kancelarë, kryeministra, diplomatë, peshkopë, prelatë e dinjitarë të tjerë.

Noli ka shkëmbyer letra me personalitete politike të botës shqiptare si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Lef Nosi, Mehmet Konica, Ahmet Zogu, Kostë Çekrezi, Enver Hoxha, Hysni Kapo, Koço Tashko, Behar Shtylla, Omer Nishani, Sejfulla Malëshova etj.; me intelektualë si Faik Konica, Sotir Peci, Asdreni, Mihal Grameno, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Mithat Frashëri, Milto Sotir Gurra, Nexhat Peshkëpia, Skënder Luarasi, Anton Logoreci, Mitrush Kuteli, Qerim Panariti, Arshi Pipa, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani, Ramiz Harxhi, Kristë Maloki, Xhevat Korça, Andon Frashëri, Branko Merxhani, Kahreman Ylli etj., në mesin e të cilëve ka, siç mund të shihet, krijues e intelektualë të të gjitha proveniencave: toskë e gegë, të themi kështu; të majtë e të djathtë, demokratë e komunistë, republikanë e monarkistë. I vetmi kosovar që ka pasur nderin të korrespondojë me imzot Nolin është ish-punëtori i Institutit Albanologjik (të parit)[4] dhe redaktori i Redaksisë së Botimeve “Rilindja”, Ali Rexha.[5]

Noli ka komunikuar, siç mund të shihet, me elitën e Kombit dhe, deri diku, edhe të Botës.

Noli ka komunikuar, siç dihet, me presidentin amerikan Vudro Uillson, me të cilin ishte takuar në jahtën e tij në vitin 1918 dhe kishte kërkuar nga ai që ta mbronte të drejtën e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (Versajë), gjë që presidenti legjendar ia kishte premtuar dhe e kishte bërë duke proklamuar parimin e “vetëvendosjes së popujve”.

Noli kishte korrespondencë pothuajse të rregullt me miken e madhe të shqiptarëve, Mis Edit Durhamin dhe me albanologun e shquar austriak, Dr. Norbert Joklin. Lidhur me këtë të fundit, i cili ishte, siç dihet, me origjinë hebreje, Noli do të bëjë përçapje të pareshtura për ta shpëtuar nga kthetrat e vdekjes pas “Anschluss”-it, aneksimit të Austrisë nga Gjermania naziste, duke u shkruar letra shumë institucioneve e personaliteteve evropiane, deri edhe një telegram kancelarit Hitler, por pa sukses.[6]

Babain e presidentit Xhon Kenedi, me të cilin kishte qenë shok shkolle në Harvard, por edhe të vëllain, senatorin Xhozef Kenedi dhe bashkëshorten e tij, Zhaklinë Kenedi, do t’i ngushëllojë me telegram për humbjen e birit, vëllait dhe bashkëshortit të tyre të vrarë me atentat në vitin 1963.

Ndërsa ai vetë, pas botimit te veprës së tij të njohur Bethoveni dhe Revolucioni frëng, që ishte doktorata e tij e dytë, do të marrë letra me vlerësime e komplimente nga më të lartat nga personalitete të shquara të botës letrare e akademike si Xhorxh Bernard Shou, Tomas Mani, Franc Novaku, Xhorxh La Piana e të tjerë. “U-gabuat kur u dorëzuat klerik – i shkruante Shou i njohur për spirituozitetin e tij. – Libra juaj (Beethoven And The French Revolution) nukë është predikimi a hagjiografia e një kallogjeri, po është vepra e një kritiku e biografi të dorës së parë”.

Noli nxirrte nga duart e tij pothuajse vetëm gjëra (vepra) të dorës së parë. Si mbreti mitik Midas i Frigjisë, krejt çka prekte e shndërronte në ar.

Interes të veçantë paraqet korrespondenca e Nolit me udhëheqësit politikë të Shqipërisë komuniste dhe personalisht me “gjeneral-kolonel” Enver Hoxhën, si i drejtohej Noli në letrat e tij menjëherë pas luftës, kryeministrit të shtetit shqiptar në vitet 1945-1954.

Nga letërkëmbimi i Nolit me Enver Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë të Shqipërisë së re mund të shihen përpjekjet e Nolit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rikonfirmimin e Shqipërisë si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por në disa raste edhe ankesat për nivelin e ulët intelektual dhe fanatizmin politik e ideologjik të disa kuadrove që dërgoheshin me shërbim në Amerikë.[7]

Në letrat drejtuar Enver Hoxhës Noli e ngre edhe çështjen e përmbushjes së amanetit të Faik Konicës për t’u varrosur në atdhe. Kështu, në letrën e dt. 8 nëntor 1945, ai i shkruante kryeministrit të ri të Shqipërisë: “Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij me nderimet përkatëse si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”.[8]

Këtë kërkesë Noli e përsëriti edhe disa herë të tjera, në intervale të ndryshme kohore, derisa e pa se pushteti i ri që po instalohej në Shqipëri nuk kishte ndër mend t’u bënte vend eshtrave të Faik Konicës në truallin e të parëve, kurse insistimi i Nolit për rivarrimin në atdhe të mikut dhe rivalit të tij, Faik bej Konicës, nuk do të ishte pa ndikim edhe në qëndrimin e pushtetit komunist të Tiranës ndaj atij vetë.

Në këtë kontekst shtrohet natyrshëm pyetja aq e përfolur në mesin e shqiptarëve, qofshin ithtarë a kundërshtarë të regjimit komunist shqiptar, apo edhe të vetë Nolit, se përse “Peshkopi i kuq” nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë në të gjallë të tij?

Në vitet ’50, që njihen si kohë e makartizmit, Noli iu shmang ofertave për ta vizituar Shqipërinë, ngaqë akuzohej si “i kuq” e “bolshevik” nga kundërshtarët e tij, kurse në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur qenë krijuar kushtet për këtë vizitë dhe kur për këtë kishin rënë dakord edhe autoritetet amerikane, qeveria shqiptare, tërthorazi, refuzoi t’i ofronte mikpritje, me pretekstin se nuk ishte distancuar sa duhet nga qarqet ekstreme (antikomuniste) të mërgatës shqiptare të Amerikës, që mbanin qëndrim të hapur kritik ndaj regjimit të Tiranës. Në një telegram të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të dt. 28 korrik 1962 drejtuar Misionit Shqiptar në Nju-Jork (OKB), thuhej tekstualisht: “Mos tregoni asnjë interesim për ardhjen e Fan Nolit dhe mos e inkurajoni atë”.[9]

Në fillimet e veprimtarisë së tij patriotike, janë të shpeshta letrat dërguar njeriut i cili e nisi Nolin “me mision” nga Egjipti në Amerikë, Thanas Tashkos, të cilit Noli i shkroi një numër të konsiderueshëm letrash, sidomos në periudhën 1906-1911. Shikuar nga aspekti letrar disa prej tyre janë ndër letrat më të bukura të Nolit.

Noli ishte njeri me dhunti të shumta e talent të rrallë, por ai kishte në vete edhe diçka mesianike. Mund të duket e ekzagjeruar mbase, por është e vërtetë, se ai dy herë si të thuash e shpëtoi Shqipërinë: herën e parë kur takoi presidentin amerikan Uillson në mbarim të Luftës së Parë Botërore dhe herën e dytë kur refuzoi propozimin e Zogut për t’u vënë në krye të qeverisë shqiptare në mërgim dhe mbështeti pa rezervë ata që e radhitën Shqipërinë në anën e koalicionit të madh antifashist, ku bënin pjesë jo vetëm Bashkimi Sovjetik, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, sepse e kundërta do të ishte vetëvrasje.

Përveç në gjuhën shqipe, Noli shkroi letra edhe në gjuhë të tjera: greqisht, anglisht, frëngjisht etj. Të shkruante në këto gjuhë Noli nuk e kishte problem, sepse ai ishte, siç dihet, poliglot. Sipas të dhënave që ofron dishepulli i tij, Kryekancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, Atë Artur Liolini, rreth 55 për qind të letrave të Nolit janë shkruar në gjuhën shqipe, rreth 20 për qind në greqisht, po aq në anglisht dhe pjesa tjetër në gjuhë të tjera.

Fan Noli nuk përtonte të shkruante letra – si mik, si shok, si familjar, si atdhetar, si klerik, si burrë shteti, si artist, si shkencëtar, si dijetar, si prijës shpirtëror, si përkthyes i Shekspirit dhe i krijuesve të tjerë të mëdhenj të letërsisë botërore, i bindur se ato krijojnë ura mes njerëzve, por edhe lënë gjurmë në kohë. Letrat, sikurse edhe krijimtaria në përgjithësi, qenë dhe mbetën për të “sa shfaqje e fuqishme e lidhjeve njerëzore, aq edhe mjet lufte e pune në shërbim të idealeve liridashëse”.[10]

Ndonëse të shkruara në rrethana të ndryshme, shumë herë të pavolitshme dhe me qëllime po ashtu të ndryshme, ndonjëherë edhe praktike, letrat e Nolit, sikurse edhe ato të personaliteteve të mëdha të letërsisë dhe kulturës botërore, si: Gëte, Bajroni, Balzaku, Floberi, Tolstoi etj., marrin shumë herë karakterin e “traktateve filozofike” dhe përçojnë mesazhe të fuqishme.

Noli i nënshkroi letrat e tij, sidomos në periudhën e hershme (1906-1912), pos me emrin e tij të vërtetë, Fan Noli, edhe me pseudonime të shumta, si: Ali baba Qyteza, Theofan Mavromati, Ali Dervishi, Ali Asllan Qyteza, Ali dyshmish Qyteza etj.

Letërkëmbimi është një dimension i rëndësishëm, por pak i njohur, i këtij personaliteti poliedrik e gjenial, që, sikurse edhe Autobigrafia, publicistika dhe shkrimet polemike, flet (flasin) shumë për natyrën dhe karakterin e Nolit si njeri e krijues, por edhe për kohën dhe rrethanat në të cilat jetoi e krijoi ai.

Të shkruara në një kohë kur nuk ekzistonin format e komunikimit që ekzistojnë sot, letrat e Nolit shpalosin një botë të pasur ndjenjash, mendimesh, refleksesh, pikëpamjesh e idesh dhe sjellin të dhëna e dëshmi të shumta, dëshmi sidomos, për ngjarjet, rrethanat, njerëzit, proceset historike. Si të tilla ato janë, në njëfarë dore, përmendore e kujtesës njerëzore dhe e moralit njerëzor në kohë dhe në hapësirë.

Ky edhe është roli i asaj që quhet “letërsi dokumentare”: autobiografi, ditarë, kujtime, letra e të tjera të ngjashme.[11] Svetllana Aleksijeviç, fituese e Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2015, u laurua me këtë çmim pikërisht për këtë lloj letërsie, që bazohet mbi ngjarje dhe fakte reale. Me atë rast ajo pati deklaruar: “Arti mund të gënjejë, dokumenti jo”.

[1] Libri Letërkëmbimi i Fan Nolit është i ndarë në dy pjesë: Letra të Fan Nolit dhe Letra dërguar Fan S. Nolit.

[2] Epistolari i Nolit hapet me një letër dërguar nga Nju-Jorku Thanas Tashkos, që mban datën 15 maj 1906, kur Noli ishte vetëm 24 vjeç dhe mbyllet me dy letra drejtuar Sotir Dilogjikës, një prifti shqiptar në Amerikë, në shkurt të vitit 1965 nga Florida, ku mbylli sytë përgjithmonë pas më pak se një muaji.

[3] Shih parathënien me titull Epistolari nolian në librin Letërkëmbimi i Fan Nolit, f. 12.

[4] Instituti Albanologjik i Prishtinës u themelua në vitin 1953, por pas dy vjetësh u mbyll, për shkaqe politike, për t’u rihapur sërish në vitin 1967.

[5] Nga letrat që ka shkëmbyer Noli me Ali Rexhën (gjithsej tri), që datojnë nga gjysma e parë e viteve ’50, mësojmë se ky i fundit i ka dërguar Nolit, ndër të tjera, edhe disa numra të revistës letrare “Jeta e re”. Në përgjigjen e tij të dt. 28 prill 1952, Noli e falënderon për këtë, duke theksuar se “midis të tjerave shijonj këngët popullore të Kosovës”. Ndërsa Ali Rexha nga ana e tij, në letrën e dt. 28 dhjetor 1954, e informon Nolin se kritiku serb Zoran Gllushçeviq kishte botuar në gazetën letrare “Književne novine” një recension për librin e tij mbi Bethovenin.

[6] Lidhur me letërkëmbimin Jokli-Noli, i cili, për çudi, nuk përfshihet në librin e mikut tim Nasho Jorgaqi, kam shkruar në librin (Po)etika e fjalës, ARS-ZZ, Tetovë 2010), në kapitullin Letra (f. 555-563) dhe kam sjellë edhe faksimilin e letrës së dt. 31 tetor 1941, në të cilën albanologu i njohur e falënderon “Peshkop Nolin” për përpjekjet që kishte bërë për largimin e tij nga Vjena dhe vendosjen në Amerikë (apo edhe në Shqipëri). Ndërkaq, përmbajtja e telegramit dërguar Hitlerit, i cili nuk ka datë të saktë, por supozohet të jetë shkruar ndërmjet viteve 1939-1942, është kjo: “Udhëheqësit A. Hitler, Berlin, Gjermani. Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë shtetit janë të shqetësuar për shëndetin e keqësuar të profesorit në pension të Universitetit të Vjenës, dr. Norbert Jokl, autoritetit të gjallë më të madh në filologjinë shqiptare dhe pasuesit më të shkëlqyer të një vargu të gjatë të studiuesve gjermanë, që kanë bërë një punë të paçmueshme pionieri për historinë, letërsinë dhe folklorin e Shqipërisë. Në emër të gjithë shqiptarëve unë i bëj thirrje shkëlqesisë suaj për ta ndihmuar këtë studiues të madh albanolog në çfarëdo mënyre të përshtatshme në kushtet e tashme të vështira. Peshkop Fan S. Noli”. (Letërkëmbimi i Fan Nolit, f. 163-164).

[7] Në letrën drejtuar Enver Hoxhës më 30 shtator 1946, Noli bën portretin e “kollonel Tuk Jakovës” si njeri të pagdhendur e arrogant, i cili, me sjelljen e tij, i shkakton dëm të madh shtetit të cilin e përfaqëson. “Kolloneli”, thotë Noli me ironinë e tij të hollë, jo vetëm që “nuk di Inglisht”, por “nuk di as Shqip, as Gegërisht as Toskërisht. Në çdo dialekt që i flisja (…) nuk më merrte vesh nga shkaku që është një budalla pa kulturë”. Megjithëse, posa arriti në Nju-Jork, vazhdon më tej Noli, “i blatova ndihmën time, dijen time dhe eksperiencën time pa asnjë konditë (…) më shikonte shtrëmbër me mosbesimin instinktif të barbarit kundrejt njeriut të mësuar”. Si përfundim, atë që ne mezi e ndërtuam për dy vjet, ai e shkatërroi me lehtësi për dy ditë”, përfundon Noli. Shih: Letërkëmbimi i Fan Nolit, f. 195-197.

[8] Letërkëmbimi i Fan Nolit, f. 176.

[9] Shih: Nasho Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit II, OMBRA GVG, Tiranë 2005, f. 380.

[10] Nasho Jorgaqi, Epistolari nolian, f. 9.

[11] Francezët përdorin edhe termin “letërsi epistolare” (littérature épistolaire). Shih: Dictionnaire des Genres et notions littéraires, Nouvelle édition augmentée, Encyclopædia Universalis, Albin Michel, Paris 2002, f. 448-451. Konform këtij koncepti, letra e Alfred dë Mysesë e dt. 1 shtator 1834 dërguar të dashurës së tij Zhorzh Sand, futet në antologjitë e poezisë franceze. Shih: Alfred de Musset, Lettre à George, në Anthologie thématique de la poèsie française, hartuar nga Max-Pol Fouchet, Seghers, Paris 1968, f. 34-36.

1 Koment

  1. “Me atë rast ajo pati deklaruar: “Arti mund të gënjejë, dokumenti jo”.”

    Varet çfar quan te vertete dhe çfar quan genjeshter. Dokumenti mund te genjeje qe mund te luaje fene.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin