Reklama

POEZIA ËSHTË AUTOBIOGRAFI!

nga Arta MARKU

-A është poezia autobiografi?

Është një pyetje që nuk harroj kurrë t’ua bëj poetëve të ftuar në BIBLIOTEKË. E ndërkaq kam bindjen, qysh në krye të herës, pavarësisht kujt pyes, se do të marr të njëjtën përgjigje pozitive:

-Po, poezia është autobiografi!

Sa herë lexoj një poezi, përfytyrimi i autorit është i fuqishëm. Tejet i fuqishëm madje. Teksa përfytyrimi i prozatorit kur lexoj një roman a tregim nuk më shqetëson me praninë e vet, përfytyrimi i poetit nuk pranon të zmbrapset pak më tutje. Më rri aty, herë përballë, herë përanash e herë mbi krye, duke pëshpëritur si për të këmbëngulur për praninë e tij pikërisht në poezinë që lexoj. E kështu, mendimi se poezia është një autobiografi qëndron gjithnjë, në të njëjtin vend, gjithnjë e më ngulshëm.

***

Në prag të dasmës bëj llogarinë,
për të gjitha gjërat që duhen blerë.
Që nga dhoma e gjumit dhe kostumi i ri
e deri te shishet me raki e verë.

Më dëgjon kjo zemra në kraharor
dhe më thotë, ndërsa numëroj paratë:
-Veç për mua s’ke fare nevojë,
të shpenzosh ndonjë qindarkë.

Vargjet më çuan në një kohë të largët, përfytyrova përgatitjet për martesë të Ndoc Gjetjes. A është një poezi autobiografike kjo më sipër? Sigurisht, kur them autobiografi nuk kam assesi ndërmend rrëfimin e pikëpërpiktë të ngjarjes, fotografimin e çast pas çastshëm. Pra, përfytyrimi i përgatitjeve për dasmë të Ndoc Gjetjes nuk ka të bëjë me koncepte të tilla sikurse kur e ku, apo si. Asnjë interes për pamjen e kostumit të dhëndrit, modelin a ngjyrën. As për dhomën e gjumit, cilësinë e verës a gradacionin e rakisë. Për të ftuarit, a këngët që kënduan dasmorët… Sepse tek e fundit, vargjet e mësipërme përbëjnë një poezi që konsiderohet e tillë, mes të tjerash apo pikësëpari për shpërfilljen e hollësive si të sipërpërmendurat. Për të qenit, pra, përtej tyre. Si përfundim: kur them se përfytyrova përgatitjet për dasmë të Ndoc Gjetjes, kam ndërmend vorbullat e mendimit dhe të emocionit që shoqëruan këtë ngjarje të jetës së poetit. Sigurisht poezia është krejtësisht universale. I përshtatet njeriut, thotë me fjalë një të vërtetë që shumëkush e di por ndoshta jo të gjithë kanë ditur ta formulojnë si mendim e aq më pak si poezi. Ama për të mbërritur deri te vargjet, poetit padyshim i është dashur një provë “nën lëkurën e vet”. I është dashur të depërtojë thellësive të errëta të vetvetes, të shëtisë aty pari, vetëdijshëm e pavetëdijshëm t’i vërë unët në komunikim mes tyre, derisa njëri syresh t’i pëshpëritë mendimin që do ta shndërrojë më pas në poezi.

Pikërisht kështu dhe unë e përfytyrova poetin: dy unët e tij më saktë, njëri këtej e tjetri andej pasqyrës, tek lidhin njëkohësisht kravatën e kostumit dhëndëror dhe grinden. Heshturazi, njëri un kap prej bërryli tjetrin, atë të harruarin pas përllogaritjeve të cilat në rastin e një dasme nuk mund të shpërfillen, dhe i kujton zemrën. Shumëkush mund të jetë gjendur papritmas, në një ndalesë reflektuese, i hallakatur mes dy unëve, ndoshta edhe në një pragdasme. Ku i dihet. Por e sigurt është se askush nuk mund ta kuptojë se ç’ndodh me njeriun mes dy unësh, në një rast të tillë, pa e njohur përplasjen. Para se të artikulohet mendimi, duhet përjetuar gjendja. E si mund të shkruash për gjendje që nuk i njeh? Poezia nuk i pranon të panjohurat!

***

E pranon kureshtjen, përfytyrimin, sepse i drejtohet të ardhmes aq sa edhe të shkuarës. E megjithatë të panjohurën s’e pranon. Sigurisht, as proza nuk i pranon të panjohurat, por mundëson njohjen ama të gjërave nga ana e autorit, në rrugë e sipër. Kurse poezia vjen vetvetiu me njohjen, ose pas njohjes, ose pas përjetimit, ose pas zbulimit, ose befasimit, provimit, shijimit, apo tmerrimit, apo… Është rezultat tek e fundit, i prekjes së drejtpërdrejtë nga vetë poeti. Nuk mund të jenë assesi përjetime të rrëfyera të të tjerëve. Mendoj, nuk shkruhet asisoj poezia. E si mund të shkruash për dashurinë pa qenë i dashuruar?

Dhe meqë do lidhej pashmangshëm dashuria dhe poezia: nuk mjafton të kesh provuar një çast dashurie që të jesh poet i dashurisë. Duhet, që pas çdo poezie dashurie të fshihet një çast a një gjendje më e gjatë, e ndryshme nga ajo e mëparshmja, nga të gjitha të mëparshmet. Kanë të drejtë lexuesit kur mëtojnë të zbulojnë protagonisten pas secilës lirikë dashurie. Ose, më saktë kanë të drejtë të mendojnë se dikush është pas atyre vargjeve, dikush prej mishi e gjaku dhe assesi një përfytyrim i tymtë. Deri edhe kur lexojmë Pushkinin sot, rrekemi të identifikojnë protagonisten dhe kjo nuk mendoj se duhet konsideruar kureshtje e sëmurë. Falë kureshtjes së pashuar emri i Ana Kernës ka mbërritur deri më sot. Dhe padyshim, më mirë që ka ndodhur kështu sesa të harrohej. Dhe pastaj, pse të mos e shohim kureshtjen që provokon një poezi për të gjetur nxitjen si një element që jo vetëm nuk prish asnjë punë, por bind më shumë se poezia ia vlen? Ia vlen sepse është e vërtetë. Vetë poezia nuk të lejon të mbetesh te pyetja: Cilës i kushtohet? As te përgjigja, sado e saktë qoftë, e të njëjtës pyetje. Poezia aty vetëm sa fillon.

“I kushtohet V”, jep një shenjë Kadareja. Por rrekja për të vizualizuar gruan e nistores V e ka një kufi. Ajo çfarë e kapërcen kufirin është poezia: ndarja, fundi, largimi, zbrazëtia, boshësia… gjendja e një funddashurie… e ka bërë poezinë të të gjithëve.

Kureshtja është aty, shuarja e saj ka një shije e veçantë, magnetike, të dëshirueshme… Por kaq! Përderisa poezia është bërë UNIVERSALE. Dhe të tillë e ka bërë vërtetësia, kurse vërtetësinë ia ka dhënë vetëpërjetimi i autorit. AUTOBIOGRAFIZMI!

***

Nuk dua të mund,
Nuk dua fitore
Veç me u ndesh dua
Për t’u çliruar nga lodhja e lodhjeve
Duke duruar

Është autobiografia e tij e drejtpërdrejtë, është historia e tij, është AI vetë. Ai përballë ndjenjës së tij, emocionit, mendimit, këndvështrimit, perceptimit… të tij… Sepse i tij është perceptimi për ndeshjen, i Preç Zogajt. Dëshira e tij e brendshme për t’u ndeshur, aspak me qëllimin e fitores aspak me qëllimin e mundjes, por veç për të mos plasur… Imazhi i poetit, qëndron aty, mbi krye teksa lexon, sepse i përket vetëm atij këndvështrimi për ndeshjen që të çliron nga lodhja e lodhjeve. Ndoshta nuk është i vetmi që mendon kësisoj për ndeshjen. Por e sigurt është se jo të gjithë kanë të njëjtin qëllim final për ndeshjen, jo të gjithë i cyt i njëjti synim drejt ndeshjes, jo të gjithë duan të ndeshen për të njëjtat arsye. Dikush e bën pikërisht për të shijuar fitoren, për t’ia përplasur tjetrit mundjen në fytyrë, për t’u ndjerë i fortë, për të gjetur vendin e vet, për të siguruar ngjitjen në lartësi të ëndërruara… a për çfarëdolloj arsyesh. Kurse për Preç Zogajn, ndeshja bëhet e detyrueshme, vetëm pasi durimi i është shndërruar në lodhje, vetëm pasi prej kësaj lodhjeje tashmë i duhet të çlirohet. Është filozofi individuale mbi ndeshjen. Pasi çfarë të shkon në mendje për së pari lidhur me ndeshjen është përfytyrimi i humbësit dhe fituesit të ardhshëm. Porse poeti propozon diçka tjetër: ndeshjen si shkarkim, ndeshjen si çlodhje, ndeshjen si katharsis. Rezultati, mesa duket, i ndeshjes mund të qëndrojë edhe përtej fituesit dhe humbësit…

***

Në krye të herës, poezia e Zogajt, ka qenë një farë brenda vetë poetit e cila ka mbirë. E njëjta gjë mund të thuhet për poezitë e Frederik Rreshpes: nxitjet, farat që lëshohen kushedi se si, e mbijnë brenda qenies. Nuk duhet shumë për të kuptuar se gjeneza e tyre është universi i tij. Gjeneza e poezive, para se poeti t’ia vinte ato botës përpara, si pasqyrë për t’u vetëkundruar.

Sonte kam festë,
Sonte pres miq.
Dita e Shën Gjergjit!
Të gjitha i kam bërë vetë.

Asnjeri nuk troket në portë
Tani pi vetëm dhe them:
Miqtë nuk po vijnë.
Atëherë, kush do të më tradhtojë?
 

A mundet që autori i vargjeve të mësipërme të jetë tjetër veç një vetmitar i pangushëlluar? A nuk është imazhi i Rreshpes, me republikën cepangrënë, me fytyrën e rrudhur nga lodhja e cigaren ne cep të buzës, i vetmi që të rri diku i pështetur në cep të tryezës, teksa lexon vargjet e mësipërme? Vetëm një vetmitar, a i braktisur nga bota, mund të shkruajë një poezi kaq të errët, me potencim kaq të pakrahasueshëm të vetmisë. “është e tmerrshme të presësh, por më e tmerrshme është kur s’ke ç’pret ” nuk më kujtohet se ku kam lexuar kohë më parë. E mu rishfaq në kujtesë teksa besova se Rreshpes i mungonte prania, le të ishte ajo edhe një tradhti. Veç të ishte. Epo, padyshim, duhej të depërtonte më parë në skutat e thella të qenies së vet poeti, e të nxirrte andejmi këto diamante të zinj. Veç të vetvetes, sepse nuk ka se si t’i nxjerrë nga thellësitë e qenies së askujt tjetër, diamante të një shkëlqim të tillë, sa këto vargje rreshpjane. Anipse të tjerët mund t’ia  përçojnë vetëpërjetimet poetit, anipse poeti mund të ketë antena të fuqishme për të përthithur valët e të tjerëve, anipse poeti mund të jetë një përcjellës i mirë. Padyshim, aty nuk është tashmë thjesht dhe vetëm Rreshpja. Është ekzistenca njerëzore aty, është njeriu ai që pret më kot. Porse pikërisht Rreshpja ishte në gjenezë të poezisë.

***

Dhe historia vazhdon. I njëjti këndvështrim. Jo thjesht rrëfim për vetveten. Edhe kjo është padyshim, por kryesorja është rrëfim sipas vetvetes, nisur nga vetvetja. Është vetë poeti pas panelit të radiografisë që qëndron për të fiksuar skeletin e vet në negativ. Pas kësaj shumëkush mund të gjejë vetveten në të njëjtën radiografi, shtyllën e vet kurrizore, të njëjtat deformime rruazash e shtypje unazash, të njëjtat provokime nervaturash që shpërndahen me dhimbje gjymtyrëve. Njëlloj si të poetit, me siguri. Ama atje, te rëntgeni, qëndron poeti vetë dhe rreket ai së pari të njohë vetveten duke e depërtuar tejpërtej, duke e zbuluar, nëpërmjet aq pak drite që është e mundur të lëshohet  skutave të pandriçueshme.

Kam ecur mes dimrit që jep dhe merr frymë.
Jam pjekur në saçin e diellit të verës.
Mbuluar me pluhur, me vesë, me brymë,
kam heshtur si gurët,
kam klithur si shpendët.
Jam rritur si pema me rrënjët shumë thellë.
Jam djegur rrufesh, jam mbytur nga shiu.
Por krahët dhe rrënjët gjithnjë mi ka prerë,
Një dorë njeriu!

Çfarë ka ndodhur me Ilirian Zhupën? Sërish, kureshtja mund të jetë cimbisëse, por le të jetë. Le të kërkojnë kureshtarët, të mbeten këtu. Poezia gjetiu synon. Ama autobiografizmi e ndihmon. Pa të, vështirë t’ia arrijë synimit. E para sepse vështirë të arrihet në një të tillë konkluzion nëse “eksperimenti” nuk është kryer në qenien tënde. Dhe pastaj, edhe nëse konkluzioni merret me mend falë njohjes së psikologjisë njerëzore, askush nuk do të guxonte ta thoshte ashtu, kuturu, në formë të përgjithshme. Poeti sidomos. Nuk do të guxonte sepse, do të ndihej falsiteti, artificialiteti, diçka do të ta kish tradhtuar poezinë.

Shumëkush mund ta thotë, pasi e ka provuar nën lëkurë sigurish. Madje poetë të tjerë e kanë thënë. Pak më ndryshe por më egërsisht, e ka thanë edhe Ndoc Gjetja.

O Zot, që fatet tona në dorë i mban!
Na ruaj nga shëndeti trashaman.
Na ruaj nga orekset e Sanço Pançës.
Na ruaj nga hija e rëndë e famës.
Në ruaj nga faqeputhjet helmuese të Judës.
Nga ruaj nga orteku rrënimtar i turmës.
Na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë.
Na ruaj nga thyerja e timonit të kresë.
Na ruaj nga putra pushtetore e njëshit.
Na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit.
Na ruaj përditë nga ftohjet e miqësive,
Na ruaj o Zot, secilin prej të gjithëve.
Unë ruhem vetë o Zot nga i ligu,
Por ti më ruaj nga shoku dhe miku!

Gjithnjë pas fjalës fshihet mister edhe kur nuk duket në pamje të parë, edhe në këto raste. Por le të rrimë tek pjesa e qartë: krahët Zhupës një dorë njeriu ia ka prerë, Gjetja mendon se lipset ruajtur prej mikut (edhe prej vetes natyrisht). Konkluzionet ngjajnë. Madje këtu qëndron një prej vlerave: Ngjashmëria ia zmadhon përmasën të vërtetës. Në një botë jetojnë poetët. Në të njëjtën botë. Mes njerëzish. E konkluzionet e tyre janë filozofia e jetës. Ama filozofi jetësh të jetuara prej gjithsecilit. Janë individuale si konkluzione, ose më saktë, ashtu siç dhe më sipër e thashë disa herë: janë nisur si konkluzione individuale, duke shkuar detyrimisht, pashmangshmërisht drejt universalizimit. Kjo është poezia tek e fundit, ajo e vërteta. Kurse autobiografizmi gjithnjë aty. Qëndron, lartësohet madje. Poetët shkruajnë: njohin, analizojnë, krahasojnë, mendojnë, konkludojnë, përfytyrojnë, ballafaqojnë… por gjithnjë në krye të herës PËRJETOJNË!

Njerëzit (miqtë që le të ishin tradhtarë veç të ishin) e torturuan Rreshpen. Njerëzit e lodhën Zogajn. Ata, mund të jenë të rrezikshëm. Mund të të presin krahët… FERRI JANË TË TJERËT!, thotë Sartri. Padyshim ka edhe këndvështrime të tjera. Të ndryshme, madje të kundërta. E sakaq, edhe kur këndvështrimet ngjajnë, kanë nuanca dalluese, ndonjëherë mjaft të holla. Epo, secili këndvështrimin e tij! Secili poezinë e tij!

***

Një monument i gdhenda vedit pa vu dorë.
Udhëza drejt tij s’ka mu vesh prej barit.
Më i lartë do jetë ai më madhështor,
Se shtylla e Aleksandrit…

Sigurisht, kur them që poezia është autobiografi, e kam fjalën për një autobiografi që i shkel të gjitha rregullat. Autobiografi edhe kur poeti i referohet te shkuarës së tij, përvojës së cilës i bindet, ashtu edhe kur i referohet te ardhmes që ende s’e ka prekur e ndoshta nuk do ta prekë ndonjëherë prej vërteti, ashtu sikurse Pushkini me Exegi monumentum-in e tij profetik.

Po, poezia është autobiografike! Ka qenë gjithnjë përgjigja e pyetjes sime, që pothuaj asnjëherë nuk kam harruar tua bëj poetëve që kam pasur të ftuar në studion e BIBLIOTEKËS.

(c) 2020, Arta Marku. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Reklama

2 Komente

  1. Poezia vertete eshte autobiografi. Kjo me solli ndermend, poezine me vetem kater vargje te mikut tim, Arben Kosova, shkruar me teper se 30 vjet me pare:

    Une prirem natyrshem drejt se barabartes,
    Skllaverine e urrej,
    Cuditem edhe vete kur krijoj pushtet,
    Cuditem dhe iki…

  2. Poezia eshte autobiografi e shpirtit dhe jo e trupit te krijuesit (efemerezuesit) te saj!

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: