XNGLXSH

Dy shembuj të freskët, për të ilustruar efektet e korrektesës politike në anglishten amerikane.

Një udhëzim i sapo-lëshuar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Qytetit të NYC ndalon diskriminimin në bazë të statusit të qytetarisë dhe përmend aty, mes të tjerash, që termi alien, në referencë të dikujt që nuk është qytetar (“noncitizen”) mund të ketë konotacione negative dhe t’i de-humanizojë imigrantët, duke i shënjuar si “tjetër”. Prandaj, përdorimi i termave si “illegal alien” dhe “illegals” me synimin për të poshtëruar ose fyer një person, përbën diskriminim nën ligjin përkatës dhe mund të rezultojë në gjoba deri 250 000 USD.

Për të shënjuar një person ligjërisht të parregulluar në territorin e SHBA-ve, anglishtja juridike vë në dispozicion një mori termash: illegal alien, unauthorized alien, undocumented alien, illegal immigrant, undocumented person, illegal entrant, undocumented migrant, illegal migrant prej të cilave asnjë nuk kodohet në leksik drejtpërdrejt si fyes (slur). Mes termave në fjalë, illegal alien është më i shpeshti.

Nuk dua të hyj në meritën e kësaj urdhërese, as të diskutoj konfliktin e saj të mundshëm me Kushtetutën e SHBA-ve (amendamentin e parë); por vetëm të shënjoj se, duke ndëshkuar ligjërisht synimin e përdorimit të një fjale me status juridik korrekt ajo kërkon të kontrollojë ligjërimin, në emër të luftës kundër diskriminimit. Paçka se, kur një imigrant është i padokumentuar, atëherë raporti i tij me ligjin mbetet problematik, pavarësisht se ç’emër do t’i vëmë. Prandaj dispozita në fjalë kërkon të mbrojë të drejtat e njeriut të një kategorie të caktuar personash, duke shkelur të drejtën e fjalës të një kategorie tjetër personash; pa çka se një imigrant pa statusin ligjor të imigrantit është i diskriminuar nga ligji, para se të diskriminohet nga ligjërimi.

Rregullimi me ligj i gjuhës (ligjërimit), me shpresën se kjo do të zbutë diskriminimin real të “mysafirëve” në metropol: jemi, në rastin më të mirë, në truallin e semantikës së përgjithshme të Korzybski-t; aq më tepër kur urdhëresa zgjedh si kriter synimin e përdoruesit të një fjale që, në vetvete, është term juridik përshkrues dhe, gjithsesi, jo-fyese (slur).

Le ta krahasojmë këtë me një deklaratë tani së fundi, të kandidates demokrate për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Elisabeth Warren, në falënderim të mbështetjes që ia dha një grup aktivistesh i quajtur “Black Womxn For”:

Thank you, @BlackWomxnFor! Black trans and cis women, gender-nonconforming, and nonbinary people are the backbone of our democracy and I don’t take this endorsement lightly. I’m committed to fighting alongside you for the big, structural change our country needs.

Është fjala për një organizatë grash afrikane-amerikane, trans dhe cis, personash që nuk konformohen me gjininë dhe jo-binarë, të cilët (cilat?) e quajnë veten womxn. Këta persona Warren i quan “the backbone of our democracy” – shtylla kurrizore e demokracisë dhe zotohet të luftojë përkrah tyre, për të sjellë “ndryshimet e mëdha strukturale” që ka nevojë SHBA.

Nuk dua të futem në këtë debat, sepse nuk është imi. Nuk kam takuar ndonjëherë ndonjë womxn, por e marr me mend se kjo kategori personash mund të ndihet e diskriminuar, për shkak të mënyrës jo-konvencionale si e përjeton dhe e prezanton trupin dhe identitetin e vet për të tjerët. Nga ana tjetër, nuk besoj se këta persona janë shtylla kurrizore e demokracisë amerikane. Me gjasë, Warren thjesht po provon dorën me bullshitting.

Por këtu dua të ndalem sërish te gjuha e përdorur: womxn është një fjalë që anglishtja nuk e ka (nuk e ka pasur) – dhe arsyeja e saj ka të bëjë me refuzimin e grupit në fjalë, për t’u kategorizuar me termat gjinorë ekzistues.

Edhe fjalë të tjera në deklaratën e Warren-it: trans, cis, non-binary, duken sikur janë nxjerrë nga ndonjë tekst shkencor. Të tillë janë edhe terma si si cisgender, agender, AFAB dhe AMAB (Assigned Female/Male at Birth), aromantic, bigender, genderqueer, heteronormative, intersex, monosexual, multisexual, pansexual etj., që i ndesh rëndom në diskurset publike të grupeve të tilla. Disa nga anëtarët e këtyre grupeve dhe kategorive kërkojnë që t’i thërrasësh me përemra që i zgjedhin ose i sajojnë dhe eventualisht imponojnë ata vetë: në thelb, anglishtja nuk i ka mjetet për ta përballuar dukurinë.

Nga të gjitha këto emërtime, më ngacmon veçanërisht womxn, që po përdoret që prej vitit 2015, krahas womyn dhe wimmin, për të zëvendësuar tradicionalen women – e cila konsiderohet nga disa si term përjashtues, sidomos “në raport me luftën e grave black për t’i rezistuar objektifikimit dhe impakteve të kombinuara të racizmit dhe seksizmit,” duke iu kundërvënë kështu edhe “esencializmit seksual”. Së bashku me latinx dhe krijime të tjera të ngjashme, ky neologjizëm synon të kontribuojë drejt një anglishteje gender-neutral.

Me sa duket, nuk ka ende një konsensus si ta shqiptosh këtë fjalë, çfarë lë të kuptohet se, më shumë se fjalë, ajo funksionon si formulë, e artikuluar vetëm me shkrim. Si e tillë, womxn nuk është larg monstruoziteteve të Newspeak-ut në 1984-ën e Orwell-it, të tipit goodthink, Minipax, prolefeed,   sexcrime, joycamp, Ingsoc, bellyfeel, thinkpol – fjalë enkas artificiale, të krijuara për të shprehur një nocion jo vetëm specifik, por në kontekstin specifik të një ideologjie.

Ironikisht, shkruan Orwell-i në apendiksin e romanit

“[Newspeak] dallonte nga shumë gjuhë të tjera, ngaqë fjalori i saj zvogëlohej në numër çdo vit, në vend që të zmadhohej. Çdo reduktim ishte përfitim, meqë sa më e vogël fusha e zgjedhjes, aq më i vogël tundimi për të menduar. Në analizë të fundit, shpresohej që të folurit e artikuluar të dilte nga laringu pa përfshirë qendrat më të larta të trurit. Ky synim pranohej haptazi në fjalën duckspeak, literalisht, të kakarisësh si rosë… prandaj edhe The Times i referohej njërit prej oratorëve të Partisë si doubleplusgood duckspeaker, për të shprehur një kompliment të vyer.”

Të jetë ky rezultati i pashmangshëm i përpjekjeve për të imponuar një ideologji të caktuar, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në ligjërim?

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

6 Komente

  1. Nga xhevahiret e mediave shqiptare:
    1. “Atentat mafioz”… të gjitha atentatet a nuk janë mafioze? :p
    2. Kërcënimi me jetë: kur dikush vjen dhe të thotë: do të të jetoj.
    3. Politikisht korrekte: Dhë fak iz dhet?! A është politika ndonjëherë korrekte? Etj. etj. etj.

  2. Liberalet amerikane po behen gjithmone e agresiv ne kufizimin dhe heqjen e te drejtave te atyre qe nuk mendoj e dhe veprojne e si ato. Fatkeqesisht mendoj se keto e kane kaluar politikisht the point of no return dhe tani po shkojne drejt konfrontimit te drejtperdrejte fizik. Po siguro qe do behet me keq para se te behet me mire.

  3. Erdh Trumpi me të vetët e po e çliron të folurit publik,se qysh ke duke shku puna, përnjëmend, gjindja do fillonin duckspeak-un. si variant standard i të shprehurit korrekt…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin