MITINGJE LETRARE

nga Anna Shkreli

Falë një mpleksjeje rastësish sikundër qenë promovimet e dy librave e deri te aktivitetet e ndryshme që herë i ndoqa e herë fatmirësisht nuk i ndoqa, pothuaj çdo javë më ka takuar të jem e pranishme në prezantime librash të rinj, takime të autorëve me lexues, diskutime, lexime, madje dhe shfaqje varieteje të krijuara kinse “për librin”.

Disa syresh pa bujë (ato më të mirat) dhe të tjera më glamour, këto promovime mbeten gjithsesi zgjedhje të autorëve dhe të botuesve, e sigurisht secili është i lirë t’i qaset lexuesit të vet siç e mendon më mirë. Veçse panorama ndryshon krejtësisht në rastin e “takimit me lexuesin”, format ky i cili duket të jetë shumë i pëlqyer jo vetëm nga botues privatë por dhe nga institucione që synojnë nxitjen e leximit dhe të çdo forme tjetër të përthithjes a krijimit në fushën e artit dhe kulturës.

“Takimi me lexuesin” në vetvete është ndër formatet më të vështira për t’u organizuar në mënyrën që të dy palët të përmbushin kërkesat apo pritshmëritë e tyre. Autori duhet të ketë përballë një audiencë e cila e njeh, ia ka lexuar veprën, apo minimumi interesohet për subjektin, apo fushën e studimeve të shqyrtuar nga autorit. Ndërsa lexuesi sigurisht ka të drejtën t’ia kushtojë 2 orë një autori apo tematike për të cilën ka kërshëri. Si rrjedhojë në një shoqëri si ajo shqiptare ku nuk ka shumë lexues dhe ku “konsumohet” më shumë letërsi e huaj e përkthyer se vendase, është e vështirë që këto dy kushte të bëhen bashkë. Megjithatë nuk është e pamundur, pasi shumë botues organizojnë herë pas here takime të tilla, të cilat dhe pse me një rreth të kufizuar njerëzish rezultojnë mjaft të këndshme e madje rrinë gjatë në kujtesë.

Problemi nis atëherë kur kjo formë qasje ndaj librit përdoret nga institucione apo dhe subjekte private, botues, administrator hapësirash kulturore, të cilët nuk janë të interesuar te libri në vetvete apo te misioni por te PR dhe te plotësimi i “detyrave të shtëpisë” që i kanë vënë vetes. Këto evente, të prezantuar si “Takim me lexues” në raste të shumta nuk janë asgjë më shumë se një “one man show” i një zyrtari apo ndokujt që ka fituar një ndër projektet e shumta në fushë.

Në shumë raste valëvisin pas vetes flamurin e nxitjes së leximit ndër të rinjtë (“lexues të rinj” është më sexy se kurrë), dhe kështu përfundojnë duke instrumentalizuar në të mirën e tyre dhe të PR-it të tyre autorët dhe lexuesit vetë. Më konkretisht, mbaj parasysh tani një “Takim me lexues” të një autori shumë të dashur për mua. Aktiviteti zhvillohej në një holl të madh të stërmbushur me njerëz. Pas 2-3 minutave të para vura re se pjesëmarrësit ishin të tërë e njëjta moshë dhe nuk mu desh shumë të kuptoja se ishin 2 klasa nga e njëjta shkollë. Nxënësit kishin ardhur pothuajse me zor (nëse mund të përdoret ende në shoqërinë tonë një term i tillë) dhe nuk kishin kurrfarë kurioziteti të dëgjonin autorin, që i kishin çuar të dëgjonin në një ditë të rastësishme tetori. Sa më gjatë rrija në sallë aq më keq ndjehesha, për autorin, që ishte krejtësisht përpara audiencës së gabuar dhe për audiencën e vet, që mbase duhet të kishte përzgjedhur një tjetër subjekt… nëse do kishte patur mundësinë të përzgjidhte…

Me kalimin e minutave, gjatë zhvillimit të kësaj bufonade mes pyetjeve bozë si “Cili ka qenë libri juaj i parë?”, “Cili është libri që ju ka marrë më shumë kohë?”, “Cila është muza juaj?”, vura re se në sallë qarkullonte një mësuese e cila përveçse ruante “rendin”, u dërgonte me celularë nxënësve këto pyetje gjeniale, në mënyrë të tillë që aktiviteti të mos dështonte me zero pyetje, siç do kish qenë e pritshme kur vë një 15 vjeçar përpara një autori që shkruan filozofi gjuhësore. Në sallë vërdallosej një fotograf me lente me kënd të gjerë dhe paçka se aktiviteti ishte një dështim i plotë në kuadër të dështimit për të realizuar funksionin në të dy kahet, me siguri në botën virtuale do të pasqyrohej si një sukses i radhës. Humbësi ishin autori dhe nxënësit, të cilët do të kishin patur nevojë për më shumë dinjitet. Për të gjithë ata që mendojnë se praktikë e të tërhequrit me urdhër drejtoreshe nxënësit në takime që su interesojnë aspak, është e shëndetshme, dua vetëm tu them se është thellësisht fyese të vësh një 15 vjeçar të papagallojë pyetjet e tua sepse TI s’do që të të dështojë aktiviteti.

Nuk do shumë shqisë të gjashtë për të parashikuar se 15 vjeçari nesër do të shërbejë si altoparlanti i dikujt tjetër pasi sot je ti vetë, autoriteti akademik, që nuk je përpjekur në asnjë moment të hartosh një plan që të funksionojë për atë vetë, por e ke shfrytëzuar duke i cenuar çdo dinjitet. Ti mësues, zyrtar dhe gazetar sot je duke riprodhuar të njëjtat qenie të skllavëruar mendërisht të cilat nuk kanë mendim të tyrin, por  lënë të tjerët të flasin nëpërmjet tyre, si të ishin thjesht amplifikatorë të mesazhit të dikujt tjetër, tamam si totalitarizmi që përpiqemi të lëmë pas.

Ardian Vehbiu shkruan në “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”:

“Regjimi totalitar mund të fillojë me censurën, por vetëm duke e çuar më tej – sepse nuk kërkon aq t’u imponojë qytetarëve çfarë nuk duhet thënë në publik, sa t’i stërvitë këta për ta riprodhuar veten në publik duke thënë ato që duhen thënë… Indoktrinimi paraqitet si e kundërta e censurës, sepse ka natyrë (logjikisht) pozitive; të bën të thuash gjëra të caktuara dhe, përkatësisht, të marrësh fjalën në rrethana të caktuara, të skriptuara. Individi gjuhësisht i indoktrinuar flet në publik me parafabrikate, ose me fraza të përdorura prej të tjerëve, duke e lejuar veten të flitet nga ligjërimi i Tjetrit.”

Është paradoksale dhe madje në mos djallëzore të proklamosh nxitjen e leximit, që normalisht duhet të ndihmojë mendimin kritik, dhe më pas nëpërmjet mospërfilljes së plotë të vijosh të edukosh adoleshentë me abuzimin ndaj mendimit të tyre duke i edukuar të bëjnë gjëra sa për duk. Në thelb bart një trishtim të madh mohimi që në start i mundësisë eventuale se këta 15-vjeçarë mund dhe të kenë kuriozitet për autorë të caktuar, se mbase ata mund dhe të hartojnë pyetje që i lindin vetiu. Për sa kohë aktivitete të tilla do bëhen sa për duk ato më shumë do ta dëmtojnë raportin e lexuesi me librin se do ta ndihmojnë.

Vështirë ndokush të dalë me një formulë ekzakte mbi se si projektohet qasja e suksesshme ndaj leximit… por njerëz të ndershëm dhe punëtorë në Shqipëri kanë përdorur metoda të ndryshme: pedagogë të mirë kanë gjetur mënyra interesante duke ndërthurur filmin me librin, lokale interesante organizojnë mbrëmje poezie dhe muzike jazz, të tjera panaire të vogla Krishtlindjesh.

Në Tiranë kanë lindur grupe libri të dedikuara për mendimin feminist, në Kamëz djem dhe vajza organizojnë vetë takime me autorë, në Durrës gjithashtu ka librari që e bëjnë, në Shkodër po ashtu. Këta janë njerëzit që e njohin lexuesin nga afër  dhe të cilëve u vjen në mënyrë organike të mbledhurit bashkë, mbledhje e cila nuk ka pse të jetë masive pasi rituali i leximit është intim dhe si i tillë nuk ka nevojë për prozhektorë. Ndaj besoj se nëse mund të flitet për stimulim në nivel shoqëror, duhen stimuluar pikërisht këto “muskuj” modest në shoqëri. Pikërisht këto zjarre të vogla, të cilat janë kapilare, përfshijnë shokun e klasës, komshien, motrën ashtu sic zhvillohet një shoqëri në trajtë indesh.

Lus të gjithë autorët: Herën tjetër para se të shkoni në një takim pyesni organizatorët cila ka me qenë audienca juaj.

Lus të gjithë organizatorët: Aktivitetet tuaja mos i trajtoni si mitingje letrare.

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin