DUKJA DHE VOTA

Mes temave kyçe që karakterizuan fushatën e zgjedhjeve të qershorit në Shqipëri, ajo e kombëtarizmit u duk, për një kohë, sikur do të ishte faktor përcaktues në rezultatet – aq sa e detyroi krejt spektrin politik të zhvendosej, për t’iu përshtatur.

Mediat, të vjetra e të reja, luajtën rolin e tyre në këtë mes, duke u dhënë përparësi dhe vëmendje të ekzagjeruar lajmeve dhe komenteve me natyrë haptazi kombëtariste, ndonjëherë në kufi të vulgaritetit, të cilat përfshinin në mënyra të ndryshme veprimtaritë me tundje flamujsh e dylbi të AKZ-së dhe të kryetarit të saj K. Spahiu, konfliktet e Shqipërisë me fqinjët dje dhe sot, paranojat e pakicave dhe të antipakicave dhe, veçanërisht, imponimin e etnocentrizmit foklorik si tonalitet të parazgjedhur të ligjëratës politike në Tiranë.

Veçanërisht në Internet, në rrjetet sociale (Facebook), forumet e debateve të lira, palestrat e mendimit shqiptar anonim dhe faqet e komenteve të gazetave online, opsioni kombëtarist u duk se ngadhënjeu ndaj opsioneve të tjera, në vazhdën edhe të entuziazmit naiv e shpesh të manipuluar për bashkimin kombëtar dhe të zhgënjimit, të përligjur, me perspektivat europiane të Shqipërisë dhe statusin e Shqipërisë në kontinent.

U duk për ca kohë sikur kombëtarizmi vetë, tashmë i kristalizuar me përkufizim rreth AKZ-së, do të mund të përfaqësonte një alternativë të fuqishme ndaj politikës tradicionale në Tiranë; të tillë që të ishte në gjendje të mobilizonte e të shfrytëzonte energji të reja, moralisht të shëndetshme dhe me pasion të mirëfilltë për ndryshimin politik, në emër të paktën të dashurisë për atdheun.

Efekti i këtij iluzioni madhështor ndikoi deri edhe në fushatën elektorale të një dore të vjetër të kazinosë elektorale, si Sali Berisha, i cili vendosi të improvizojë edhe ai me kartën kombëtariste, kushedi i trembur se mos zallahia propagandistike e AKZ-së, e amplifikuar egërsisht nga mediat e të gjitha ngjyrave, do t’ia gërryente elektoratin; por duke bërë figurë komike, në sytë e qytetarëve të vet dhe sidomos të Europës, kur i shtriu këmbët e paqeta përtej jorganit diplomatik, gjatë festimeve groteske të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në fund të nëntorit 2012.

Sot, kur rezultatet e zgjedhjeve dihen, ky aspekt i fushatës parazgjedhore dhe i debateve politike të ndezura para dhe gjatë asaj fushate duket gati i pamundur për t’u shpjeguar, sa kohë që alternativa kombëtariste, në trajtat e programit të AKZ-së, të kultit fotozhenik të kryetarit K. Spahiu dhe të koreografisë me simbole kombëtare dhe zhaqeta para-ushtarake ngjyrë thiu, pësoi kolaps spektakular, duke mbetur pa asnjë vend në parlamentin e ri.

E megjithatë, kushtet dhe rrethanat për lulëzimin e një alternative kombëtariste në politikën e Tiranës ishin pjekur tashmë, sikurse e patën kuptuar edhe vëzhgues të huaj dhe palë të interesuara në zhvillimet shqiptare, të cilët shprehën rezerva serioze, edhe kur nuk shprehën refuzim të prerë, për një alternativë të tillë, të pompuar nga mediat dhe, në dukje, të mirëpritur nga opinioni publik.

Orvatjet e administratës Berisha, për ta afruar politikisht Shqipërinë me Europën nuk kishin çuar gjëkundi, madje vetë kryeministri shqiptar, në vitet e fundit të detyrës së vet, ishte katandisur në persona non grata për shumë kryeqytete dhe kancelari të Perëndimit; teksa me zbehjen e shpresës për integrim në Europë, opsioni kombëtarist, i përqafuar prej një lëvizjeje politike që do të vinte në qendër të veprimtarisë së vet interesat e mirëfillta “të kombit shqiptar” dukej si i vetmi në gjendje të sillte diçka të re në politikë, krahas edhe forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan, Kosovës së pavarur dhe dëshirave në të dy anët e kufirit për bashkim politik.

AKZ-ja u tregua relativisht e shkathët, për t’i shfrytëzuar këto rrethana dhe për t’u folur qytetarëve atë gjuhë që këta dëshironin të dëgjonin; veçanërisht meshkujve të rinj të dyndur masivisht drejt qendrave urbane perëndimore dhe të rrezikuar për të përfunduar në brez të humbur. Edhe koreografitë e tyre të mirënjohura, me flamuj kuqezi, ceremoni folklorike, turne sentimentalë në diasporë dhe teknologji tifozerish futbollistike sikur po funksiononin.

Diskursi i ri kombëtarist u duk se gjeti truall të përshtatshëm në Internetin shqip, dhe veçanërisht në rrjetet sociale, ku bashkimi kombëtar ishte fakt i kryer tashmë; dhe ku çdo kundërshtim i etikës dhe i retorikës etnocentrike do të trajtohej si blasfemi dhe do të ndëshkohej si blasfemi. Me pjesëmarrje të gjerë shqiptarësh nga jashtë Shqipërisë, këto hapësira nisën të shërbejnë si vatra hiper-aktive të politikave të integrimit kombëtar, ku luftohej me vendosmëri dhe pa kompromis kozmopolitizmi, paria e Tiranës, eurocentrizmi, Sorosi, Janullatos-i, Brukseli dhe Oliver Jens Schmitt-i. Të patrulluara ditë e natë nga mendje të ndezura fanatikësh, shumë forume shqiptarësh online kultivuan krijimin e Sturmtruppen virtuale të një force politike që s’e kish problem të flirtonte deri edhe me fashizmin dhe teknikat politike të fashizmit, për t’u imponuar në arenën elektorale.

Të gjitha këto i gjen sot e kësaj dite, të varrosura me kujdes në arkivat e forumeve dhe në faqet e komenteve të gazetave të Tiranës online; dokumente të çuditshme, të një realiteti politik që sot duket sikur i përket një universi paralel, nën dritën e çfarë ndodhi në 23 qershor; dhe në kontekstin e zbythjes totale të atij eksperimenti etnocentrik, që ishte AKZ-ja.

Vëzhguesi nuk e ka të lehtë të shpjegojë si ndodhi që mijërat e qytetarëve që ndiqnin AKZ-në në Facebook dhe në veprimtaritë brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërruan mendje dhe ia dhanë votën e tyre partive tradicionale të spektrit politik, edhe pse deri dje kishin shprehur haptazi përkrahjen e tyre për programin politik të kombëtaristëve.

Po të kemi parasysh edhe se fituesja e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte LSI-ja, ose një parti që nuk i mëshoi pothuajse fare aspektit mirëfilli etik të politikës, atëherë mund të formulojmë hipotezën se dështimi i AKZ-së dhe i programit të saj politik, të themeluar në virtytin kombëtarist, ka të bëjë me mënyrën si e koncepton, qytetari shqiptar, raportin midis fytyrës së vet publike dhe veprimtarisë së vet private.

Rezultati i zgjedhjeve të qershorit, kur një masë e madhe njerëzish, që deri atëherë u duk se ia kishin “dhënë besën” AKZ-së, vajtën dhe votuan për elitat politike tradicionale të Tiranës, dëshmon se për qytetarin shqiptar sot diskursi kombëtarist i përket sferës publike, ose mënyrës standarde si duam të shfaqemi ndaj të tjerëve e si duam ta shohim veten; por vota i përket, përkundrazi, sferës private, ose përmasës ku realizohet, në praktikë, raporti i individit me pushtetin.

Nga ana tjetër, një pjesë e fajit për këtë deformim të perceptimit politik do t’i mbetet vetë Internetit shqip, i cili ende vazhdon ta shpërfillë atë çfarë e quajnë selection bias, ose faktit që protagonistët e forumeve dhe të komenteve nuk përfaqësojnë gjë ndonjë fotografi të rastësishme të masës së zgjedhësve, dhe as masës së qytetarëve; por një kampion që tashmë i është nënshtruar një përzgjedhjeje paraprake; dhe që tashmë konsiston në qytetarë, zakonisht anonimë, të cilët kanë zgjedhur të identifikohen nëpërmjet diskursit të tyre publik, duke sendërtuar, fjalë pas fjale, një personalitet publik fiktiv, të themeluar mbi virtytin dhe praktikën politike të kombëtarizmit, në emër të një nevoje jo aq për kultivim të debatit dhe të mendimit kritik, sesa për t’u konformuar me një ideal minimal.

Kësisoj, edhe suksesi parazgjedhor i kombëtarizmit shqiptar, edhe katastrofa e tij gjatë dhe pas zgjedhjeve duhen parë si efekte anësore të teatralitetit me të cilin ne, si qytetarë, paraqitemi në publik; të gatishmërisë me të cilën konformohemi me pasionin diskursiv të momentit; të aftësisë me të cilën nuhatim pozicionet ideologjike politikisht korrekte dhe pastaj i bëjmë ato tonat; dhe të aftësisë, njëlloj të rafinuar, për ta ndërtuar ligjërimin tonë politik, qoftë ky monolog i brendshëm a dialog me të tjerët në logun e burrave, pasi t’i kemi përcaktuar mirë tabutë përkatëse dhe ta kemi etiketuar si virtyt deri edhe vetë varfërinë e atij diskursi në tema dhe sfida.

Fiaskoja e AKZ-së dhe në përgjithësi pafuqia e diskursit kombëtarist, etnocentrik për të ndikuar në mënyrë domethënëse në rezultatet e zgjedhjeve do parë, në këtë kontekst, si pasojë e drejtpërdrejtë e mos-harmonizimit midis fjalës dhe veprës, në veprimtarinë politike qytetare; ose e faktit se, për qytetarin standard, ende nuk ka ndonjë lidhje organike midis fjalës dhe fytyrës publike nga njëra anë dhe votës nga ana tjetër. Nëse fytyra publike ende i bindet etikës dhe nevojës për konformim me virtytin e shumicës, vota trajtohet, përkundrazi, si transaksion privat, mes palësh privatisht dhe fund e krye të interesuara.

Po të kemi parasysh të panjohurat e mëdha dhe deri rreziqet gjeopolitike që i shoqëroheshin një fitoreje të mundshme të AKZ-së në këto zgjedhje; si dhe përvojën e kundërt të triumfit elektoral të një fytyre të re, si Beppe Grillo dhe partia e tij M5S në Italinë fqinje, atëherë vjen pothuajse i detyrueshëm përfundimi se, të paktën këtë herë, dinamikat politike në Tiranë arritën t’i shmangen ekstremizmit dhe radikalizmit etnocentrik të politikës shqiptare, falë papjekurisë së votuesve dhe të sistemit vetë.

Shënim: botuar në numrin e fundit të gazetës Impakt.

Nuk ka komente

  1. Shqiperia nuk mund te prodhoje nje nacionalizem te tipit grek apo serb,ku tjetrin e perjashton nga çdo aspekt i jetes publike,po nuk qe pjesetar i origjines se perbashket.Patem shpresuar se nen qeverisjen e te djathteve,do t’i afrohej nje nacionalizmi te moderuar,po as kjo nuk ndodhi.E per kete ,fajin e kane idete socialiste e internacionaliste te ngulitura thelle ne vetedijen publike te Shqiperise Londineze,e kaluara komuniste,dy parti te fuqishme te majta etj.
    Eshte interesante ,perderisa shumica e partive te majta europiane kane braktisur Internacionalen Socialiste,duke formuar Aleancen Progresiste,PS-ja nuk leviz nga organizata e themeluar nga F.Engelsi.
    Prandaj,AKZ-ja e ka pasur te pamundur te luftoje kunder nje fryme te tille.
    Mjaft interesante edhe fakti se te gjitha partite ne Kosove jane deklaruar te djathta dhe aderojne ne organizma te djathte partish nderkombetare.
    Nje paralele interesante me Kinen dhe Tajvanin,perderisa nacionalizmi ende mban frymen ne Tajvan,ne Kine mbreteron i qete socializmi.
    Mbase qeveria e re shqiptare,pas anglishtes do ta fute eshe kinezishten si gjuhe te dyte te huaj ne shkollat e Shqiperise.

  2. Ne fakt, pritshmeria per rezultat te mire per AKZ, ra ndjeshem qe para zgjedhjeve, dhe kjo renie ndodhi prej momentit qe kjo force doli e vetme ne zgjedhje (akt qe u shoqerua edhe me “sqarimin” qe opozita tradicionale i beri elektoratit, ne lidhje me efektin e votes per AKZ, dhe me “realizmin” qe riperftuan mediat qe e kishin pompuar); e kam vene re kete ndryshim edhe ne persona konkrete, qe para krijimit te aleancave mendonin ta votonin… mendoj se ne fund mbizoteroi “pragmatizmi” dhe nuhatja per mbijetese, ku rreziku shihej tek Berisha, dhe vota duhet te merrte vlere maksimale, e jo te eksperimentohej me nje kacurrels argetues. Konformizmi, shtirja, apo edhe genjeshtra politike (jo vetem), me duket se vijne edhe prej mungeses se lirise se shumices sone, qe edhe pse 20(+) vjet pas diktatures, ende ska arritur te ndryshoje mjaftueshem. Te them te drejten, asgje nuk me trishton me shume per shoqerine tone, sesa mungesa e lirise (fale ketij tipari lulezojne edhe personazhe katastrofike si Berisha, apo fashiste qesharake si Spahiu); uroj qe te shkeputemi, ne menyre te sigurt, dhe me ritme te mjaftueshme.

  3. Duhet hulumtuar nëse fiaskoja e AKZ-së u shkaktua deri në një farë mase nga operacionet politike të Sali Berishës dhe partisë së tij në pushtet. Lideri historik i PD-së i ndoqi nga pas tullumbacet kombëtariste të Aleancës KuqeZi, që para se të fillonte zyrtarisht fushata elektorale, duke dhënë përshtypjen e një force politike tashmë të zhvendosur tepër djathtas.
    Praktikisht i kishte mbivlerësuar potencialet e partisë së re (duke e konsideruar minë pët t’u çminuar në krahun e qendër të djathtës), përderisa rezultatet e zgjedhjeve për Aleancën nuk dolën entuziasmuese.
    Sali Berisha me siguri ka ndikuar në plasjen e tullumbaceve të AKZ, duke i ndjekur me gjilpërë në dorë, por pagoi një çmim të lartë politik. Njerëzit ndoshta e dinin që në fillim se ato ishin pikërisht tullumbace, që i duheshin vetëm dekorit publik të 100 vjetorit të Pavarësisë e ndoshta hapësirë virtuale shqiptare.

  4. Shume interesant ky trajtim. Vertet te shohesh nje rregullsi ne sjelljet e cuditshme te turmes eshte aq e veshtire, sidomos kur shfaqet nje sjellje disi e papritur.

    … mund te jete edhe nje lloj flirtimi prej artisti te skenes teatrale te shqiptareve ne pergjithesi… Vota eshte akt publik sa edhe privat; po aq publik sa edhe akti i pjesemarrjes neper mitingje me shenjen +KOMBETARIZEM. Por ky i fundit eshte pjese e ‘lojes’, e ‘aktrimit’, e ‘falsos’, e ‘eksperimentimit te lehte me veten dhe pasionet e momentit’, e ‘shtirjes’, pra, e ‘skenes’ dhe e ‘te parendesishmes’. Turma e ka me te lehte t’ia lejoje vetes ndjekjen e modes, te grupit qe bertet me shume, si dhe kercimin ne “bandwagon”, kur eshte fjala thjesht per nje loje te luajtur ne grup, ose nje ambient ku futemi me parakushtin qe “ketu te gjithe bejne sikur”. Ndersa akti i votes eshte personi publik me gjithe seriozitetin e vet, eshte pesha e te menduarit, momenti i se vertetes. Pra nuk konceptohet me si loje, skene ose aktrim. I gjithe diskursi patriotik duket si nje diskurs me te cilin shqiptaret luajne kur kane nge, por kur vjen momenti i nje vendimi serioz qe konsiderohet prej tyre si me pasoja per te ardhmen, diskursi patriotik fluturon menjehere jashte axhendes se ceshtjeve te trajtueshme dhe te votueshme. Pra figura serioze publike (ajo percaktuesja dhe finalja- the ultimate), ndryshe nga ‘loja’ publike, percaktohet si sjellje praktike dhe pragmatike. Shqiptaret luajten me AK-ne por nuk e moren kurre seriozisht. Ne brendesi ata e dinin qe i kish perenduar ylli gjithe teorive te saj, si psh, ri-percaktimi i sinoreve te vjetra etnike. Por nje flirt ne kohen e lire me keto ide, ishte ekzotik, dramatik, teatral, terheqes, ‘sexy’.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin