GJENETIKA NË SHKOLLË

Në një shkrim të mëparshëm, u vërejtën rezultate të ngjashme në arritjet e nxënësve në Shqipëri dhe të emigrantëve shqiptarë në Itali, Angli dhe Greqi. Për këtë u hodh hipoteza se këto ngjashmëri mund ti atribuoheshin inteligjencës së kombit shqiptar, dhe jo thjesht faktorëve ekonomikë apo politikave arsimore. Në nivelin e krahasimit ndërmjet vendeve ka një korrelacion të lartë ndërmjet IQ dhe arritjeve të nxënësve në provimet e standardizuara të PISA dhe TIMSS. Për shembull, për PISA ky korrelacion është shumë i lartë sidomos për matematikën dhe shkencën (mbi 0.8[1]).

Diskutimet mbi ndikimet gjenetike në arritjet shkollore janë kryesisht pjesë e ligjërimeve të grupeve të ekstremit të djathtë, të cilët justifikojnë shkencërisht pabarazitë ekonomike, diskriminimet, e stereotipet racore apo etnike. Në Shqipëri ka përpjekje për ta lidhur të djathtën shqiptare në ligjërime të ngjashme, sidomos ato që janë kundër vlerave progresiste. Është interesante se çfarë drejtimi mund të marrë një diskutim i tillë në Shqipëri, sidomos në ato që përkrahin D. Trump, V. Orban apo ndonjë tjetër populist të së djathtës.

Nga përllogaritjet e mia, në varësi të formulës (me devijimin standard të PISA 2015, apo të rezultateve të saj brenda vendit) del që IQ e Shqipërisë të jetë ndërmjet 83-88 (IQ ka një mesatare prej 100 pikësh dhe devijim standard 15). P.sh. nga vlerësimi më i fundit i Lynn & Vanhanen (2012) Shqipëria e ka IQ 82 (shih grafik 2 për disa vlerësime apo lloje të matjes së IQ, por vlerësimi më i lartë është bërë në vitin 2000 nga të njëjtët autorë duke marrë fqinjët si mesatare). Në krahasim me vendet e rajonit është rezultati më i ulët. Gjithësesi, ka një përmirësim duke marrë parasysh rritjen e rezultateve të PISA në 2015.

IQ ne rajon

Vleresime të IQ të disa vendeve të Ballkanit

Bazuar mbi notën e matematikës në PISA 2015, e përllogaritur me formulën e Lynn & Vanhanen (2012), IQ e Shqipërisë në 2015 shënon disa pikë ngritje, në gati 86 pikë.

Arsyet për nivelin e ulët të IQ, mund të jenë edhe gjenetike, veç faktorëve të ndryshëm ekonomikë dhe social (shpenzimet për arsim, kequshqimi etj.). Për shembull, edhe pse IQ e disa vendeve është e ulët, si p.sh. Kuvajti (me 85.6), rezultatet në testet ndërkombëtare janë më të larta nga çfarë parashikojnë modelet. Në rastin e Kuvajtit, shpjegohet pjesërisht me investime në arsim dhe reformat e fundit në sistemin arsimor. Ndërsa Filipinet (90), e kanë IQ më të lartë se Kuvajti, por dalin më dobët në testet ndërkombëtare. Kurse studimet më të fundit[2] kanë demonstruar lidhje të konsiderueshme ndërmjet polygenic score dhe arritjeve në arsim.

Në testet e inteligjencës maten edhe shprehitë verbale, si p.sh. pasuria e fjalorit. Në jetën e përdishme kjo mund të analizohet në diversitetin e leksikut të individëve. Për këtë unë analizova diversitetin leksikor të 3 mediave online më të mëdha në vend (Gazeta Dita, Panorama, Tema). Ndërtova një korpus me rreth 50 artikuj editorial dhe komentet poshtë tyre. Vendosa edhe Peizazhe të Fjalës si kut matës për ta krahasuar me to. Diversiteti leksikor matet ose me raportin e fjalëve unike mbi totalin e fjalëve  (TTR , Text-Types Ratio) dhe Hapax (Hapax proportion, raporti i fjalëve që përdoren vetëm një herë në tekst, ndaj numrit total të fjalëve).

 

Sikur vërehet në grafik, editorialet e gazetave Tema dhe Panorama janë më të varfra në fjalor. Te Tema editorialet i shkruan vetëm pronari (M. Baze).  Gazeta Dita lejon komente shumë të gjata dhe numri i fjalëve unike në seksionin e komenteve është i madh, pasi nga gabimet ortografike ka shumë versione të së njëjtës fjalë. Peizazhe ka diversitetin leksikor më të lartë se të tjerat (TTR dhe Hapax) dhe mund të spekulohet se këtu shkruajnë e komentojnë individë me inteligjencë së paku mesatare. Por bisedat e fjalimet në Parlament (p.sh. Seanca 21 Korrik 2015, Legjislatura VIII) e ka diversitetin leksikor (TTR =0.5, dhe Hapax proportion=0.4) më të lartë se të gjitha mediat në këtë analizë. Ndoshta me të vërtetë na qeverisin më të mençurit, edhe pse jo më të denjët.


[1] Lynn, R., & Vanhanen, T. (2012). Intelligence: A unifying construct for the social sciences. Ulster Institute for Social Research.

[2] Selzam, S., Krapohl, E., von Stumm, S., O’reilly, P. F., Rimfeld, K., Kovas, Y., … & Plomin, R. (2017). Predicting educational achievement from DNA. Molecular psychiatry22(2), 267.

7 Komente

  1. Studime te tilla jane gjithnje te mirepritura dhe per mendimin tim, ne rradhe te pare sepse synojne nje vleresim jashte faktorve te themi emocionale dhe raciale, edhe pse mbeta pak keq tek lexova se : « Arsyet për nivelin e ulët të IQ, mund të jenë edhe gjenetike… ». Jane gjera qe nuk thuhen shpesh e nuk thuhen hapur, ndaj instinktivisht se pari desha te besoj se mos valle fjala eshte per faktore te pashoshitur kulturore…
    Megjithate jane interesante edhe raportet e iq-ve individuale dhe zhvillimi tersor i nje shoqerie te caktuar. Por edhe e kunderta do te qe po aq interesante.
    Gjithnje me ka intriguar Rusia e shk. XIX-te qe ndonse ishte nje shoqeri qe ne mase jetonte periudhen e bujkroberise, nje gje e tille nuk e pengoi te nxjerre figura gjeniale qe edhe sot mbeten pakapercyeshem ne te gjitha fushat. Ketu kam parasysh I. Mendelejevin qe lindi nje nje familje shume, shume te varfer (e ema e mori prej dore dhe u nisen te dy ne kembe te shkojne ne Sankt Peterburg per t’u rregjistruar ne shkolle), por edhe piktore apo poete. Kam parasysh ketu T. Shevçenkon (ukrainas, por lindi ne suazen e perandorise ruse) qe lindi ne nje familje bujkeroberish, ishte edhe vete i tille deri ne dhjete vjeç, me keq akoma, prinderit i vdiqen te dy kur ishte ende femije, por kjo nuk e pengoi te behej nga figurat me gjeniale te vendit te tij dhe sot emrin e tij ta mbaje univeristeti me i medh i Ukraines…
    Gjithsesi, duhet te kete edhe diçka tjeter jashte statistikeve, megjithate:-))

  2. Pergezime autorit per punen e veshtire krahasuese qe duket se ka dashur ky shkrim. Persa i perket IQ gjenetike mesatare ose zgjuarsia e lindur, mendoj se popujt e Ballkanit nuk duhet te kene ndonje ndryshim te dukshem, nisur edhe nga nje studim qe kam lexuar se korelacioni gjenetik midis shqiptareve grekeve dhe italianeve me duket se edhe sllavo maqedonasit apo malazezet ishte nga me te lartet ne Europe, pra praktikisht levizjet migratore dhe “perzierja e gjakut” ka qene shume e larte ne shekuj. Sic e thote dhe autori ka faktore te tjere qe ndikojne dhe niveli i arsimit ne trevat shqiptare nuk eshte se sa vjen e rritet. Nuk me duket surprize qe PTF te radhitet me lart ne cilesine e komenteve duke pasur parasysh kujdesin qe behet ketu me perzgjedhjen, por me ben pershtypje ajo seanca e Kuvendit me ata te mencurit qe paskan diskutuar ne Kuvend dhe une nuk i njofkam per te tille… dikush mund te kete miresine te me ndricoje? falemnderit

  3. Duke ruajtur mendimin me te mire per punen e autorit, une per ate diversitetin leksikor te politikaneve kam shpjegim tjeter. Ai nuk tregon se ata jane me te mençurit, por me te felliqurit. Dhe kjo thjesht sepse perdorin nje leksik alabakesh e rrugesh qe te tjeret refuzojne ta perdorin ne komunikimin e tyre normal.
    Ky eshte problemi i vertete i statistikave,..

    1. autori do te kryeje nje studim tjeter per te verifikuar kete hipoteze.

    2. Ky eshte problemi i vertete i statistikave,..

      Në fakt, edhe statistikat e shpjegojnë këtë fenomen, po qe se marrim parasysh se çfarë shpërblen (reward) sistemi, në kutimin që përberja e grupit në përzgjedhjen politike nuk tërheq nga qëndra e shpërndarjes së mesatares statistikore, por nga ekstremet, ku diferencat midis karakteristikave të grupeve bëhen më të theksuara.

      Në një sistem demokratik përzgjedhja do të kryhej në mësin e kurbave të grupeve të shpërndarjes statistikore (of normal distribution curb), ku diferencat në karakter midis populatave të përzgjedhurve nuk do ishin shume të mëdha. Kurse perzgjedhja në sistemin tonë bëhet nga ekstremet e këtyre popullatave, jo nga shumica – për shembull të atyre që nuk do kishin problem të korruptoheshin financiarisht (pakica), përkundër atyre që do e kërkonin votën me ndershmëri (shumica).

      Po sjell një shëmbull që përdoret rëndom nga socilogët: diferencat midis meshkujve dhe femrave në atë që quhet “agreeableness” ose “në pranueshmëri”. Në mesin e mbivendosjes së dy kurbave të shpërndarjes, atë të meshkujve dhe femrave përkatësisht, ndryshimi “në pranueshmëri” midis tyre nuk është shumë i madh. Si përqindje e popullatës në mesin e kurbës, pak meshkuj ndryshojnë nga femrat në karakter. Por në extremet e dy kurbave kjo diferencë, si përqindje, bëhet shumë e madhe. Çfarë shpjegon përshembull numrin e madh të meshkujve që përfundojnë në burg, në krahasim me femrat, ndonë se diferencat midis të dyve në karaker, në pamje të parë, nuk janw aq të theksuara sa ta justifikojnë atë .

      Sikurse sistemi i burgjeve që “shpërblen” më agresivët, edhe sistemi ynë politik “shpërblen” më vulgarët, mundësisht me IQ shumë poshtë mesatares, sidomos po të kihet parasysh edhe se dikush i korruptuar, dhe me IQ të ulët, ka edhe tendencën të mos njohë dhe përfaqsojë grupin, dhe anasjelltas.

  4. Për sa i përket gjenetikës duhet pasur parasysh se zhvillimet në fushën e epigjenetikës, si një fushë relativish e re që studion ekspresivitetin e gjeneve, kanë treguar se ndikimi mjedisor dhe trashëgimia gjenetike janë dy hapësira shumë më të përcjellshme mes tyre se ç’mendohej më parë. Me fjalë të tjera, të dhënat gjenetike nuk janë aspak “të gdhendura në gur”.

  5. E përshëndes autorin për shkrimin dhe analizën. IQ e ulët e shqiptarëve (në krahasim me Europën) është shpjegimi i vetëm që mund të jap pse ky vend vazhdon të lëngojë pa fund nga keq-politika! Këto nivele të ulta të IQ janë shprehje e një sistemi të kalbur arsimor që ka lënë të rinjtë shqiptarë dhe Shqipërinë në vend-numëro! Ndoshta në një ambjent më të zhvilluar e stimulues ka hapsirë për një përmirësim të IQ në vitet në vazhdim (edhe pse influenca e kualitetit të jetës është e kufizuar po të kemi parasysh kurbat e distribucionit të IQ në vendet e zhvilluara si Japonia).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin