MENDIME TË PAKREHURA (XXXVII)

(nga Stanislaw Lec*)

Asnjë Zot nuk i ka mbijetuar humbjes së besimtarëve të vet.

E bëri copë-copë rrota e fatit.

Në fillim ishte kryeartikulli, në fund nekrologjia.

Budallallëku nuk të shpëton. Me mishin e gomarit bëjnë sallam.

Baza e racionalizmit është besimi tek arsyeja.

Brezat e kanë trashëguar puthjen – sipas traditës gojore.

Jemi të padrejtë ndaj shpifjes: a nuk dëshiron ajo vallë të trajtohet, me çdo kusht, si e vërtetë?

Nuk do ta shuash zjarrin duke i pështyrë.

Të dish të lexosh mes rreshtave të pashkruar.

Zakonisht janë eunukët që mbikëqyrin ligjshmërinë e ndjenjave.

Ishte më i urtë se të urtët që i kishin paraprirë. E dinte që nuk ka nevojë të jesh kaq i urtë.

Shpesh martesat nuk kanë kuptim, por fëmijë.

Të urtët hartojnë ligjet, më pak të urtët i zbatojnë. Apo e kundërta?

Të mendosh që bota është krijuar në kohët kur gjithçka duhej bërë me dorë!

Nuk më pëlqen buzëqeshja e përzier me lot. Është e holluar.

Monologu i brendshëm i ventrilokistit.

Ata që nuk kanë zot, janë besimtarë që nuk duan të jenë të tillë.

Dëgjova këtë ultimatum: “Do t’ju lëmë të flini të qetë kur të ndaloni së ëndërruari.”

Disa duhet t’i çosh në parajsë të lidhur me zinxhirë.

Sikur të ekzistonin vërtet aq shumë kohë sa ç’ka në gramatikë!

Kur populli është lakuriq, i veshin këmishën e forcës.

Është plagjiator: i merr paradokset drejt e nga jeta.

Nuk bënte kurrë prapa. Kthehej dhe vazhdonte përpara!

Sadizmi shpesh shfaqet si mungesë e çdo ndjenje.

Fëmija i përfton prindërit.

Ëndrra e tiranëve: t’ua presin kokën qytetarëve, por t’i mbajnë gjallë.

Ai shkrimtar krijoi një shkollë, i së cilës ishte nxënësi më i dobët.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin