VERBËRIA E PËRVOJËS

pergjithesimiFjalia e njohur “Nuk dukesh shqiptar” – të cilën shumë emigrantë shqiptarë e kanë dëgjuar jashtë shtetit kur i kanë pyetur për prejardhjen – e ka bazën e vet në imazhin e përçuar nga mediat. Megjithatë, profili që përftohet në mendjen e njeriut, për një kategori çfarëdo, mund të varet edhe nga kushte personale.

Në kapërcyell të mijëvjeçarit, kur në Itali furtuna e paragjykimeve ndaj shqiptarëve ishte në kulmin e vet, gjatë një konference njoha krejt rastësisht një grua drejt të gjashtëdhjetave. E kisha fqinjë në karrigen përbri.

Më pyeti diçka për programin. Iu përgjigja me mirësjellje. Pasi më kërkoi një informacion tjetër, më pyeti nga vija e çfarë bëja. Kureshtjen ia interpretova si efekt të theksit tim në të folur, ose diçka e ngjashme, pavarësisht se më vonë kuptova që interesi ishte më shumë një mënyrë për të shprehur falënderimin.

“Jam shqiptar. Punoj atje”, i thashë qetësisht.

“Shqiptar? Nuk dukesh i tillë!”, tha e habitur zonja në krah.

“Po, nuk bëj shaka. Jam shqiptar”, ia ktheva me një buzëqeshje që i referohej më shumë klimës së paragjykimit social dhe dendurisë së batutës, se sa personit vetë. Por me sa duket buzëqeshja u interpretua si rreng.

“Nuk e besoj. Nuk dukesh fare si shqiptar. Pastaj e flet shumë mirë gjuhën. Mendoj se je nga veriu, ose diku këtej”, tha me shprehje të bindur.

“Nuk beson? Po pse, si janë shqiptarët?”, iu përgjigja me një klishè po aq të përdorur nga shqiptarët e ngacmuar, ndërkohë që buzëqeshja tregonte ironi të përzier me argëtim.

“Lëri ato. Më thuaj nga je”.

E pashë që bashkëbisedimi nuk do të nxirrte gjë në shesh. Atëherë, në shenjë sfide, i nxora nga xhepi lejeqëndrimin me fotografi e me të gjitha të dhënat personale. I mori në dorë, i kontrolloi me imtësinë e policit dhe ma kthehu e menduar.

“Dukesh djalë i mirë”. Kokën e tundi në shenjë habie. Diçka po mendonte.

“Po pse, duhet të isha i keq?”. Zëri dhe qëndrimi m’u ngurtësuan disi. Buzëqeshja pak e ngrirë.

“Nuk e di”, tha në mendim e sipër. “Të gjithë shqiptarët që kam njohur janë të këqij”.

Shprehjen e fytyrës e kishte aq të sigurtë saqë nuk mund ta konsideroja shaka. E kishte seriozisht. Madje shumë seriozisht.

“Dëgjo zonjë”, vijova me të njëjtën monedhë serioze. “Nuk ka mundësi që të gjithë shqiptarët që keni takuar në jetën tuaj të jenë njerëz të këqij”.

“Ja që kështu është. Të gjithë shqiptarët që kam njohur deri më sot, dhe ju siguroj se kam takuar shumë, janë të këqij, kriminelë, të paudhë”. Siguria e saj filloi të më irritonte, por isha mësuar me debate për paragjykime raciste.

“Është e pamundur, zonjë, që të gjithë shqiptarët që keni takuar të jenë të hurit e të litarit. E kuptoj që mediat i transmetojnë publikut imazh negativ për shqiptarët, por është gjithshka e ndërtuar në media. Realiteti është tjetër, edhe pse pyll pa derra nuk ka. Si çdo popull, ka të mirët e të këqijtë e vet”. U mundova ta bind, pavarësisht se shpresa nuk kisha. I kujtova gjithashtu se vetë proverbi thotë se bën më shumë zhurmë një dru që bie se sa një pyll që rritet.

Mirëpo reagimi i saj më konfirmoi çka tregonte mbledhja e buzëve. “Nuk më duhen mediat. Unë flas nga përvoja”, ma ktheu shkurt.

Mbeta pa fjalë. Deri në atë çast i kisha luftuar paragjykimet dhe imazhin mediatik duke i bërë thirrje përvojës personale, e cila normalisht përgënjeshtronte imazhin e dhënë nga mediat, ku bënin lajm vetëm kriminelët, prostitutat, keqbërësit e ndryshëm. Si taktikë nuk ishte e gabuar, edhe pse shembulli pozitiv i njohur personalisht katalogohej nga bartësit e paragjykimeve si përjashtim.

“Statistikisht e pamundur”, i thashë me bindje të verbër. “Nuk ka mundësi. Nuk ke takuar vallë asnjë burrë ose grua shqiptare normale? S’ka mundësi!”.

“Ja që ka mundësi. Ju jeni i pari”, m’u përgjigj gati e lodhur nga dialogu i pafrytshëm.

Pothuajse i dorëzuar përballë murit të bindjes absolute e pyeta krejt instinktivisht: “Po juve zonjë, nga vini dhe çfarë bëni?”.

Prejardhja krahinore nuk më habiti, sepse e kisha identifikuar nga theksi. Por puna e saj më la me gojë hapur: “Jam gardiane burgu”, tha me shprehje neutrale.

Mbeta ashtu, i hutuar, pa fjalë. Nuk mora as mundimin t’i shpjegoja arsyet e përfundimeve të saj për shqiptarët. Në një farë mënyre thoshte të vërtetën, se atje ku punonte vetëm keqbërës kishte njohur. E falënderova, ashtu nëpër dhëmbë, për mësimin që më dha. Tek e fundit, falë meje, si përjashtim i rregullit, edhe ajo iku me bindje të lëkundura.

 

[Shënim: Ngjarja është e vërtetë]

3 Komente

  1. “Statistikisht e pamundur”, i thashë me bindje të verbër. “Nuk ka mundësi. Nuk ke takuar vallë asnjë burrë ose grua shqiptare normale? S’ka mundësi!”.

    Pishak, ka qene nje periudhe, para dhjete vjetesh, kur as mua nuk para me qellonte te takoja shqiptare normale ne Itali. Per fat te mire keto vitet e fundit gjendja ka ndryshuar ndjeshem. Gjithmone e me rralle me qellon te takoj shqiptare “jonormale”.

    Nderkohe po me ndodh nje dukuri e perkundert. Kur shkoj ne Shqiperi, shqiptaret me duken gjithmone e me te mire, ndersa kam pershtypjen se une atyre u dukem gjithmone e me “jonormal”. 🙂 Dyshimi mizor qe me bren ne kete rast eshte se mos ata kane te drejte. 🙁

    1. Eh, more Relapso, po na hap çështje madhore e të ndërlikuara! E ç’të them unë i shkreti. Në pak rreshta ke futur konceptin e normalitetit (e kush është normal do të thoshte Frojdi?), perceptimin e realitetit, pasqyrimin e mediave, vlerën e statistikave, dhe së fundi, dinamikat e marrëdhënieve midis emigrantit e vendlindjes. Dy emotikonet që ke vënë me të drejtë, gjithsesi nuk mjaftojnë për ta shpjeguar kompleksitetin e fenomeneve. Unë do t’i vija të gjitha. Si p.sh. 😎 ose :'( Por edhe 😮
      Nuk e di a më kupton 😉

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin