KUSURET E ZOTIT SHYTI

 

[Intervistë nga Fatmira Nikolli]

Kush është Zoti Shyti, ose ai që fshihet pas personazhit: jeni ju, është ish-kryeministri Berisha, kryeministri Rama, janë të tjerë në raste të ndryshme sipas temës?

Jo, nuk është figurë e njohur politike. Është kompozitë e disa njerëzve që kam njohur dhe që më kanë bërë përshtypje me ekspansivitetin e tyre dhe aftësinë për të angazhuar të tjerët në biseda dhe debate. Por bëhet fjalë këtu për njohje me natyrë private. Tek e fundit, çdo personazh letrar do të zërë fill nga një kujtim i autorit, nga një mbresë sado fluturake, nga një iluzion a një zhgënjim; edhe pse, siç shohim në historinë jo vetëm të letërsisë por edhe, të themi, të arteve vizuale, lidhje të tilla mund të jenë sa befasuese – kujtoj Caravaggio-n, për të cilin thuhet se përdori një prostitutë si model për Shën Mërinë në një nga pikturat e tij; aq edhe pa interes për pritjen dhe interpretimin e veprës.

A ju jep distanca fizike me Shqipërinë një farë lehtësimi në të thënit të atyre që mendoni?

Besoj se po; edhe pse kjo është më e vërtetë për veprimtarinë time mirëfilli publicistike. Përndryshe, distanca është gjithnjë kusht për të krijuar letërsi. Shehrazadja i tregonte përrallat për të mbetur gjallë; mua më duket ndonjëherë sikur i tregoj për të mbetur në lidhje me gjithçka dhe gjithkënd për të cilët më merr malli. Edhe kështu, është çështje jetë a vdekje.

Zoti Shyti, herë-herë të kujton Doktor Gjilpërën, në rrokjen e tematikave dhe në mënyrën si i gjykon dukuritë e shoqërisë shqiptare…

Po më duket shumë i hollë ky vëzhgim, sidomos ngaqë nuk e konsideroj Doktor Gjilpërën si influencë… por tani e kuptoj se do të jetë një konvergjencë e cila njëfarësoj më miklon; dhe që ka lidhje me artin dhe privilegjin e të vrojtuarit nga larg; por edhe me një farë tradite tonën publicistike, që i ka rrënjët në muhabetet karakteristike të kafeneve. Në rastin tim, gjithsesi, kemi të bëjmë me një personazh që di diçka më tepër se autori.

“Shkelja e privatësisë dhe kufizimi i transparencës janë dy anë të së njëjtës monedhë kallpe, me të cilën na e shpërblen besnikërinë shteti i mbikëqyrjes”. A mendoni edhe ju si Z. Shyti?

Po. Jemi fare zbuluar, përballë teknologjisë së përgjimit. Dhe nuk duhet të mendojmë se kjo po përdoret vetëm për të kënaqur pasionet tona voyeuriste – si në rastet e bisedave erotike të zbardhura, ose të filmimit të vrasjeve, me të cilat na gostitin mediat çdo ditë. Kjo lloj transparence më shumë mbulon, sesa zbulon. Natyrisht, kjo nuk lidhet vetëm me Shqipërinë; madje në Shqipëri survejimi masiv është ende në shkallë primitive, po të krahasohet me çfarë ndodh gjetiu në Europë dhe në ShBA. Por mendoj se kjo nuk do të kuptohet dot mirë, pa ndriçuar marrëdhënien midis survejimit dhe sekretit, e cila gjen pastaj shprehje si (pseudo)transparencë. Çfarë do të thotë edhe se survejimi është vjedhje e privatësisë, ndërsa transparenca e shpallur me të madhe shenjë e raporti neurotik me sekretin. Shyti i thotë të gjitha këto nga pozitat e një paranojaku; por kam përshtypjen, të cilën mund edhe ta përpunoj në një vazhdim eventual të kësaj serie, se ai ka arsye për të qenë paranojak; sepse paranoja ndonjëherë është arma e vetme që u mbetet atyre që nuk duan ta shesin shpirtin.

Në një prej ndërhyrjeve, i pyetur për “përmalljen irracionale ndaj një diktatori të pamëshirshëm”, pra ndaj Enver Hoxhës, zoti Shyti thotë se shqiptarët çmon arbitraritetin jo besnikërinë. Në fakt, si e shpjegoni ju atë ‘përmallje’ për Hoxhën?

Vlerësimi për arbitraritetin e liderit është pjesë e kulturës sonë politike kolektive; çka do të thotë edhe, përkundrazi, që nuk kemi ndonjë respekt të madh për një lider që i përulet ligjit. Dhe meqë sot drejtësia nuk po arrin të jetë “e drejtë” dhe ligji ndihet i pafuqishëm përballë paligjshmërisë, kjo e fuqizon nostalgjinë për atë kohë kur lideri mund të vendoste me kokën e vet, duke i anashkaluar institucionet; sidomos për të ndëshkuar të gjithë ata që e shohin pushtetin edhe si një autorizim ose carta bianca për ta shpërfillur ligjin. Por që të jetë i tillë, lideri “ideal” duhet të qëndrojë jashtë sistemit, si dikur Hoxha.

Diku ju keni edhe një koment mbi/për ata që vranë të atin-Enverin mbasi e kishin adhuruar, që sipas jush janë më të rrezikshmit. Më gjerësisht, çfarë nënkuptoni?

Atëvrasja është krim i rëndë edhe ndaj vetes; simbolikisht, është ekzekutim i autoritetit moral (super-egos) që kemi brenda nesh – në kuptimin që pas kësaj jemi të lirë, në mos të përligjur, të kryejmë çdo lloj krimi tjetër. Në rastin tonë, kjo vlen për të gjithë ata që e konsideronin Hoxhën si babanë e tyre, por që pastaj e mohuan. Ende nuk e di, nëse mes tyre ka qenë edhe vetë Shyti, për të cilin nuk e përjashtoj një farë entuziazmi politik për regjimin, qoftë edhe gjatë rinisë së hershme; dhe që tani e detyron ta mbyllë veten në monologë dhe të fortifikohet në tryezën e vet në kafe; por kushedi ai tregohet pak si tepër i rreptë me veten. Të gjithë ne, që kemi qenë të mitur atëherë, e kemi recituar një vjershë a thënë një lutje për Enverin; por kjo nuk na bën gjë të pashelbueshëm.

7413117332_197383452a_hMungesa e shtetit ose mbi prania e tij, si në rastin e instalimit të kamerave, kanë marrë jo pak vëmendjen e Z. Shyti. Si janë pritur kritikat tuaja mbi shtetin shqiptar dhe mbi qeverisjen e tashme?

Përtej zotit Shyti, i cili nuk merr dot pjesë në këtë bisedë tonën, do të thoja që kritikat e mia janë pritur zakonisht mirë nga lexuesi/publiku dhe ndonjëherë kanë pasur efekt edhe institucional, ose konstruktiv. Synimi im, më shumë se të kritikoj për këtë apo atë dukuri, është të krijoj një praktikë të diskursit kritik, e cila të zhvillohet pastaj në hapësirën e shoqërisë civile, jo të politikës. Me fjalë të tjera, synimi im – ideal dhe besoj vështirë i arritshëm, si çdo synim tjetër i denjë – do të ishte tkurrja e pranisë agresive të politikës në komunikimet tona. Kjo do të thotë edhe se vetë libri për të cilin flasim është edhe produkt i frustrimit tim, brenda kësaj hapësire komunikimi të cungët dhe të shurdhët; zoti Shyti i dorëzohet monologut, me ngushëllimin që të paktën e dëgjoj unë, autori; dhe përmes meje si përçues teksti edhe lexuesit e librit; por kjo parakupton një parim pothuajse teologjik, që nuk e zbatojmë dot në realitet.

Duke u ndalur prapë tek qeverisja: Ju nuk keni ngurruar të jepni mendimin dhe qëndrimin tuaj për shumë çështje të përditshmërisë shqiptare, nga plani për Tiranën tek “kullat” e shumë më gjerë. Madje, një prej artikujve tuaj flet për mënyrën se si e pret qeverisja kritikën (Ju punoni, ne ju paguajmë). A keni pasur presione, kritika, armiqësi për shkak te mendimeve të dhëna?

 Ndonjëherë njerëz të caktuar më kanë shprehur pakënaqësi ose zhgënjim, por unë s’e konsideroj këtë si presion, dhe besoj as ata. Problemi që ka ekzekutivi me kritikën nuk kufizohet dhe as lidhet kryesisht me ato që them unë; por me bezdinë për t’u angazhuar me kritikuesit jashtë skemave të llojit pozitë-opozitë. Kjo vjen, besoj unë, edhe për shkak se një kategori kritikash janë, që në origjinë, instrumentale.

Dikur kishte censurë për mendimet ndryshe, shpalleshe armik, po sot? Ku shkojnë sot ata ‘autorët që dikur përfundonin në orizore’?

Censura vjen në forma të ndryshme – dikujt mund t’ia mbyllësh gojën edhe duke e rrethuar me zhurmë. Përndryshe, sot kam vënë re që shumë zëra që u humbet privilegji i deridjeshëm, kërkojnë strehë në bunkerët e Internetit: portalet. Por sistemi i sotëm i komunikimit publik është i tillë, që shumë nga ata që kanë gjëra për të thënë, nuk arrijnë ta çojnë fjalën e tyre te shumë nga ata të tjerët, që kanë nevojë për atë fjalë. Pra, potenciali i komunikimit nuk po realizohet dot, sepse sistemi nuk funksionon – dhe kjo edhe në letërsi, edhe në media, edhe në art. Dhe kjo dukuri është gjithashtu një lloj censure.

Megjithë “miqësinë” që keni me kryeministrin, pozicionimi juaj në “Peizazhet e fjalës” ose edhe tek ndërhyrjet e Zotit Shyti, ka treguar se jeni shpesh kundër disa vendimeve të palës qeverisëse. Si e ruani veten për të mos qenë “shkrimtari i oborrit”? Dhe a ju ka distancuar kjo ju nga miqtë?

“Miqësia” ime me kryeministrin nuk ekziston; dhe përgjithësisht nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e mia me Edi Ramën. Nga ana tjetër, unë i jap rëndësi të madhe pavarësisë sime dhe mundësisë për të ndërhyrë lirisht në debatet e ditës, qoftë edhe për t’i krijuar ose nisur ato; por edhe mundësisë tjetër për t’i injoruar këto debate, si të papërfillshme. Miqtë e mi, të vërtetët, besoj se ashtu më njohin e më pranojnë, dhe nuk kam humbur asnjë prej tyre, madje edhe kur kemi polemizuar ndonjëherë haptazi – ndoshta sepse unë nuk hyj kurrë në këto “konflikte” si palë me interesa privatë për të mbrojtur, dhe as për të larë hesapet me armiqtë e mi, realë qofshin a imagjinarë.

Tek çështja e sozive politike, vihet në lojë prania në media e politikanëve. Mbase duhen shtuar këtu edhe Facebook-ët e tyre dhe albumet me fotografi profesionale. A është kthyer politikëbërja ironikisht në “luftë imazhesh” në ekrane e fotografi?

Po të më pyeste ndonjë prej politikanëve, do t’ua sugjeroja të largoheshin menjëherë nga Facebook-u dhe rrjetet e tjera sociale, të rrallonin daljet në televizion dhe t’ua linin propagandën zyrave përkatëse dhe ekspertëve. Ndoshta paraqitja e përditshme mund të ndihmojë me votën, por ajo largon të gjithë ata që mund të ndihmonin mirëfilli në politikë dhe kudo gjetiu. Kjo e politikanit që sillet si të ishte rock star ose celebrity nuk është shpikje jona dhe deri diku ushqehet edhe nga mediat, që ashtu e kanë më të lehtë; por një politikan nuk mund të funksionojë dot si politikan, kur reduktohet në imazh; sepse imazhi është dy-përmasor, i mungon thellësia – në kuptimin që personi i sheshuar në imazh nuk arrin të mendojë; dhe publiku, në analizë të fundit, gjithnjë e kupton këtë.

Si i shihni çështjet e kulturës në Shqipëri: teatrin, artin pamor, muzikën, trashëgiminë, letërsinë. A jemi në “drejtimin e duhur” apo po reklamojmë mirë?

Edhe pse përpjekjet nuk mungojnë, ende nuk janë përcaktuar mirë marrëdhëniet e institucioneve publike me artistët dhe krijuesit. Mua më bezdis veçanërisht një lloj protagonizmi prej këtyre institucioneve në çështje të artit dhe të kulturës; në vend të protagonizmit, do të kisha parapëlqyer padukshmërinë. Nga ana tjetër, reklama mund të jetë teknikisht e arrirë, por kjo nuk të thotë gjë për produktin që reklamohet; madje sa më e madhe të jetë diferenca midis teknikës së reklamimit dhe vlerës së produktit të reklamuar, aq më e madhe do të jetë neveria.

Ju trajtoni në libër edhe tabunë seksuale, edhe mungesën e higjienës intime, shpesh edhe mungesën e kulturës a të mirësjelljes, e në raste të tjera edhe mungesën e dijes. Çfarë na thonë gjithë këto mangësi?

Besoj se kjo i duhet kërkuar zotit Shyti, i cili për këto çështje ka opinione shumë më të forta se unë.

Ju përmendni vizitën e saj në Shqipëri, megjithatë a biem dakord për Nënë Terezën si një figurë unifikuese të shqiptarëve?

 Nuk do të ishte keq që të nderohej; por me kusht që të pranohej se Nënë Tereza me vetëdije dhe vokacion i përkiste më parë Kishës Katolike dhe pastaj shqiptarisë; prandaj edhe forca e saj unifikuese do të varej nga sa jemi gati ne të gjithë që ta pranojmë këtë rend përparësish.

Botuar për herë të parë te Gazeta Shqiptare (BalkanWeb).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: