MË KEQ SE VJEDHJE

Një grup mediash të afërta me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës të paktën sa i përket qëndrimit ndaj fatit të godinës historike të Teatrit Kombëtar, u sollën dje si afishe propagandistike, duke përcjellë jo vetëm të njëjtin lajm (të rremë) për protestën qytetare kundër vendimit për prishjen e Teatrit, por edhe të njëjtin formulim lajmi dhe të njëjtën foto.

Këtë e pikasi portali Politiko.al, i cili botoi – të pranëvëna – pamje të çastit nga faqet online të shqiptarja.com, Tirana Post, Dita dhe Lexo.al, të ilustruara me të njëjtën fotografi droni dhe me të njëjtin titull (sërish fake): Fotolajm/ Tirana braktis kundërshtarët e Teatrit pas botimit të skandaleve, pak njerëz në protestë.

Burimi i këtij lajmi është i paqartë. Në të aludohet se arsyeja e “braktisjes” është “botimi i skandaleve” – pa çka se këto “skandale të botuara” nga mediat, për kinse përvetësime fondesh nga disa prej liderëve të protestës, kanë rezultuar edhe ato të rreme (edhe Robert Budina edhe Kastriot Çipi i kanë përgënjeshtruar bindshëm baltosjet; dhe tani edhe Besian Pesha). Vëreni edhe trukun e vendosjes së lajmit vetë – që në protestë nuk pati shumë njerëz dhe që kundërshtohet nga burime të tjera – si premisë, dhe duke e konfirmuar pastaj me një shpjegim se pse kinse ndodhi kështu.

Këtu nuk ka as profesionalizëm, as respekt për lexuesin, as respekt për kolegët, as respekt për qytetarin; por vetëm gatishmëri për të shërbyer, ose media që kanë lidhur në qafë shallin e pionierit dhe ulërijnë: “Gjithmonë gati!”

Shqiptarja.al e paraqet lajmin si të përgatitur nga l.q., ndërsa Dita si të përgatitur nga l.h. Me gjasë, këto janë inicialet e personave që e kanë vendosur lajmin në faqen online; në një kohë që burimi mbetet enigmatik, i pashfaqur, i implikuar, classified.

Ironia këtu është se vetëm dy javë më parë, Carlo Bollino, te Shqiptarja.al, botoi një editorial me titullin Mjaft me hajdutët e lajmeve!, ku shkruante:

Është koha t’i thuhet mjaft piraterisë online. Është koha t’u thuhet mjaft hajdutëve të lajmeve, pasi ajo çka ndodh çdo ditë në mediat shqiptare është një seri pa fund vjedhjesh, ku asnjë fajtor nuk paguan. Vjedhja është një krim që kryhet kur dikush përvetëson çfarëdo gjëje që i përket dikujt tjetër.

Edhe lajmet, ose më mirë artikujt me të cilët paraqiten lajmet, janë të mira private, janë pronë intelektuale e atij që i prodhon dhe i publikon. Por, ndërkohë që çdo lloj hajduti vepron në fshehtësi dhe, kur zbulohet, përfundon në burg, hajdutët e lajmeve, në të kundërt, veprojnë në dritën e diellit dhe askush nuk i kërkon apo dënon.

Argumentin e Bollino-s e rimori pastaj Elvin Luku në Media Look.

Nuk di sa mund të vlejë akuza e Bollino-s për “vjedhje” në rastin e lajmit dyfish të rremë, për protestën e Teatrit: gjasat janë që klonimi i lajmit shpesh të mos jetë rezultat i vjedhjes, por thjesht të vijë ngaqë i njëjti lajm u dërgohet gazetave dhe portaleve i paketuar nga i njëjti burim. Në rastin e tanishëm, ky është pikërisht burimi që kërkon ta minimizojë problemin e shembjes së Teatrit Kombëtar dhe e bën këtë, mes të tjerash, duke u shkelur të drejtat qytetare liderëve të protestës (Kastriot Çipi dhe Robert Budina dje, Besian Pesha sot, kushedi kush tjetër nesër; duke kërkuar qimen në vezë, a thua se këta po kandidojnë për kryepeshkop); dhe që spekulon se mospjesëmarrja e duhur në protestë vika ngaqë njerëzit nuk dashkan të udhëhiqen nga persona me precedentë penalë (vëreni si mospjesëmarrja merret si e mirëqenë, thjesht ngaqë paska një fotografi krejt të pacertifikuar, të nxjerrë nga një dron: i kujt është ky dron? I forcave të NATO-s?).

Një pështirje mediatike e denjë për çmim ndërkombëtar.

Që disa media dhe portale në Tiranë nuk janë veçse zgjatime të pushtetit ekzekutiv, këtë kritikët e mediave e kanë vënë në dukje shumë herë; dua të veçoj këtu një hulumtim të fundit nga Media Look, me titull “Televizionet, gazetat e portalet online “në shërbim” të Bashkisë Tiranë”, e cila ka arritur në përfundimin se

Mediat kryesore audiovizive, print dhe online në Shqipëri përdoren si altoparlant për të përhapur propagandën e Bashkisë së Tiranës.

Mes rezultateve të këtij monitorimi, bie në sy që lajmet e publikuara nga faqja online e “Panorama” për veprimtaritë e Bashkisë përkojnë në masën 86.4% me njoftimet në faqen e Bashkisë; ndërsa lajmet e publikuara nga faqja online “BalkanWeb” përkojnë në masën 93%.

Me këtë nuk dua të them se edhe lajmin e rremë për protestën e ka shpërndarë Bashkia e Tiranës, meqë nuk kam asnjë provë për këtë; por dua vetëm të vë në dukje se një numër i madh mediash dhe portalesh japin të njëjtat lajme sepse u binden të njëjtëve padronë; dhe se lajme të tilla, pronë intelektuale e autoriteteve, duhen shoqëruar jo me shenjën e pronësisë intelektuale, por me etiketën MONUMENT KULTURE – MBROHET NGA SHTETI.

Mbase duhet filluar me shembjen e kësaj mendësie totalitare, që lihet të gjëllijë kështu e patrazuar.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi i paautorizuar.

2 Komente

  1. Është më keq se vjedhje, më keq edhe se dhuna madje. Disa nga këto media të afërta me qeverinë dhe Bashkinë kanë filluar të ngrenë një mit të ri për kryeministrin si flamurtar i lirive civile ne Shqipëri, i cili, po citoj Bazen në një intervistë dje me DITA, “ndryshoi historinë e lirive civile në Shqipëri dhe sjelljen e liderit ndaj publikut”, si antipodin e Berishës së dhunshëm, i cili në një protestë si ajo për armët kimike vetëm “mund të tërhiqej pas dhjetëra të vrarësh”. Ndërsa Rama “shikohet nga të gjithë si një udhëheqës që mund ta shash, ta sulmosh, ta fyesh, të zihesh me të […] dhe nuk ndjehesh i rrezikuar prej kësaj”. Gati, gati duhet t’ia dimë për faleminderit kryeministrit që nuk na vret si Berisha.

    Këto media harrojnë (në fakt, bëjnë sikur harrojnë) dhunën e një lloji tjetër, si kjo që ushtrohet kundër artistëve kundërshtarë për prishjen e Teatrit, dhunën psikologjike që ato vetë janë duke ushtruar mbi ata që kritikojnë aferat dhe paudhësitë e tjera të kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës. Është dhunë mentale, bullying: shantazh, tallje, poshtërim publik. Shiko sulmet ndaj Budinës, Çipit, Peshës dhe Xhepës. Qytetarëve që ata u vunë syrin u duhet të përballen me shpifje dhe manipulime, me vënie në lojë në publik, me zhbirime në biografi dhe të marrëdhënieve së punës që ata bëjnë, me presion direkt dhe duke i joshur me premtime – ose indirekt, nëpërmjet diskriminimit të firmave ku ata punojnë.

    Nuk është dhunë fizike por në efekt pasojat e saj për të prekurit janë si ato, madje dhe më keq se ato të dajakut të Berishës. Sepse dajaku vërtet të tremb, të dëmton fizikisht ose dhe të vret, por moralisht ajo e ngre personin e dhunuar, e bën të eci me kokën lart, e bën hero para publikut. Dhuna psikologjike në të kundërt synon diskretitimin në publik të kundërshtarit, poshtërimin moral dhe shoqëror të viktimës, do ta çnderoj tjetrin, ta bëj të eci me kokën ulur, të “mos dal më nga shtëpia”. Është strategji perverse për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve duke i çnderuar.

    http://www.gazetadita.al/debati-ne-dita-reforma-dhe-deshtime-pese-vitet-e-rames-sipas-mero-bazes/

    http://www.respublica.al/2018/07/14/ndriçim-xhepa-zbulon-marifetin-e-radhës-së-erion-veliajt

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin