LIVE

Një farë pështjellimi shoqëroi, në mediat, lajmi për vdekjen e kompozitorit Aleksandër Lalo – u tha se njoftimi u dha pikërisht kur një program me pjesëmarrjen e tij, C’est la vie, po shfaqej në TV Klan.

Me gjasë, një pjesë e publikut të këtij programi besonte se programi shfaqej drejtpërsëdrejti – prandaj u kap në befasi nga vdekja e Lalos teksa ky ishte ende gjallë e shëndoshë në ekran.

Të tjerë kundërshtuan dhe thanë se LIVE, në programin C’est la vie, nuk ishte transmetimi i programit, por performimi i këngëve – në kuptimin që këngëtarët nuk performonin në playback, por këndonin vërtet kur po regjistroheshin.

Dallimi nuk është pa rëndësi: të kënduarit live në skenë mund të regjistrohet dhe të transmetohet më pas, çfarë nuk e bën më pak live. Nga ana tjetër, një spektakël që regjistrohet me këngëtarë që këndojnë live nuk është njëlloj me një spektakël të transmetuar live – meqë në të parin një gabim skandaloz, një performim i keq ose gjithçka tjetër e padëshiruar nga producenti ose regjisori mund të anulohet dhe të regjistrohet sërish.

E gjithë kjo ka të bëjë me ambiguitetin e mbiemrit live, të huazuar tani vonë nga anglishtja. Një këngë e Festivalit të 11-të të Këngës, që shohim sot në YouTube, mbetet live, sa i përket mënyrës si performon këngëtari në skenë; po ashtu, mund të ndodhë që në një koncert ku jemi fizikisht të pranishëm, këngëtari të performojë në playback.

Me fjalë të tjera, mbiemri ka kuptime disi të ndryshme kur përdoret me një performancë muzikore dhe kur përdoret me një transmetim elektronik; dhe është kjo lojë kuptimesh që i ka ngatërruar njerëzit. Kur këngëtari këndon në playback, ai është i pranishëm në skenë si figurë, por zëri vjen i regjistruar më parë; ndërsa kur një program transmetohet i regjistruar më parë, gjithçka që përcjell mediumi ka ndodhur në të shkuarën e subjektit shikues.[1]

Po të duam të shtyhemi edhe më në filozofi, koncepti i të qenit live lidhet me rrjedhën e kohës dhe njëkohësinë (simultaneitetin): kur shkojmë në një koncert, duam që këngëtari të këndojë në të njëjtën kohë që po e dëgjojmë; kur shohim një ndeshje futbolli në TV, do të zhgënjeheshim sikur të na thoshin se kjo ndeshje ishte zhvilluar një ditë më parë dhe po transmetohej e regjistruar – kjo ngaqë prej ngjarjeve të tilla, që na vijnë të mediatizuara (ose nëpërmjet mediave), të qenët live, ose fakti që ndodhin në momentin që po i ndjekim, ia rrit vlerën inherente spektaklit (me këtë lidhet edhe etiketa po ndodh tani, që e shohim ndonjëherë përbri lajmeve për bëma të politikanëve hipstera).

Teknologjia – elektronike, dixhitale, akustike – ka sjellë një hop cilësor edhe në regjistrimin e ngjarjeve (spektakleve), edhe në transmetimin e tyre në kohë reale, përfshi këtu edhe live streaming (ose, po të duam, edhe live blogging). Por e njëjta teknologji lejon tani relativizimin e njëkohësisë – siç ndodh kur na qëllon të ndjekim një ndeshje të regjistruar, pasi jemi kujdesur të mos e kemi marrë vesh rezultatin.

Në raste të tilla, rrjedha kohore brenda qarkut që përfshin shikuesin dhe mediumin nuk përkon më me rrjedhën kohore jashtë qarkut, “objektive” – sa kohë që regjistrimi të lejon ty, shikuesin, të zhvendosesh mbrapa në kohë, ose të mbyllesh në një “time bubble”.[2] Ndryshe nga fotografia, e cila përcjell ndjesinë e diçkaje që ka qenë, filmi i ritransmetuar i një ndeshjeje, së cilës nuk ia dimë rezultatin, përcjell ndjesinë – përndryshe të rreme – të diçkaje që është.

Fill pas lajmërimit për vdekjen e Lalos, folësi i lajmeve në TV Klan, Reis Çiço, sqaroi publikun se puntata e asaj dite “ishte regjistruar dy ditë më parë.” Ky sqarim ndoshta vinte në përgjigje të keqkuptimit – sa kohë që për programe të tilla ka më shumë rëndësi mënyra e regjistrimit të performancave sesa koha e transmetimit të programit. Ndoshta do të duhej shtuar edhe një sqarim tjetër, për kuptimin/kuptimet e termit live.

 


[1] Disa mund të argumentojnë se live është huazuar pa nevojë, sa kohë që shqipja ka ndajfoljen drejtpërdrejt (ose drejtpërsëdrejti) dhe mbiemrin përkatës; por në fakt drejtpërdrejt mbulon vetëm kuptimin e transmetimit të njëkohshëm, por lë jashtë atë të këngëtarit që këndon zërin e vet në skenë, ndryshe nga ai që këndon në playback. Prandaj live mund të kufizohej për t’u përdorur vetëm me këtë kuptim të dytë, ndërsa drejtpërdrejt të mbahej në kuptimin e parë; çfarë do të thotë se një këngëtar mund të këndojë live për publikun në sallë dhe shfaqjen ta transmetojë drejtpërdrejt televizioni.

[2] Rrjedha e kohës gjithnjë varet nga sinkronizimi i orëve; por në shembullin banal që kam sjellë, i njëjti subjekt mund të kryejë, njëkohësisht, veprime të tilla si të flasë me gjyshen në telefon, që i përkasin një rrjedhe kohore tjetër, sepse biseda me gjyshen ndodh në një univers ku ndeshja ka mbaruar tashmë.

5 Comments

    1. Në fakt jo. Është mbiemër DHE ndajfolje. Edhe në anglisht edhe në shqip. Për shembull, në togfjalëshat live show, live performance është qartazi mbiemër.

      Sa për të sjellë një referencë:

      https://www.macmillandictionary.com/dictionary/british/live_2

      Si rregull, kur e njëjta fjalë përdoret edhe si mbiemër edhe si ndajfolje, përdorimi mbiemëror e përfaqëson (meqë ndajfolja mund të merret edhe si “mbiemër” për foljet dhe për fjalitë).

  1. Njesoj si ndryshimi mes “drejtpersedrejti” dhe “i drejtperdrejte”. E para, ndajfolje, eshte qartazi fjala per te cilen ben fjale shkrimi, per mendimin tim.

    1. Teknikisht fare (dhe morfologjikisht), ndajfolja që i përgjigjet, në anglisht, mbiemrit live është lively (përkatësisht, alive) – ndërsa live është nga ato fjalë të anglishtes që i përmbushin lirisht të dy funksionet, në varësi të fjalës që cilësojnë (përcaktojnë). Sa për shkrimin tim, ai i referohet më shumë konceptit LIVE, i cili i nënvendoset edhe mbiemrit edhe ndajfoljes. Madje po të vësh re, te shënimi 1 më lart, unë e kam përdorur edhe termin ndajfolje, kur i referohem drejtpërdrejt. Por dua këtu të theksoj që, në nivelin e kuptimit leksikor të fjalës, dallimi midis live si mbiemër dhe live si ndajfolje nuk vjen fare në vështrim. Aq më tepër që, kur live del në pozicion kallzuesori (p.sh. pas foljes to be ose jam), është punë e vështirë madje e kotë të dallosh mes mbiemrit dhe ndajfoljes; pa çka se, me marrëveshje, kallzuesori do të interpretohej si mbiemër: the performance is live, this is a live performance. Shto këtu edhe që te she is performing live fjala live është në thelb e njëjta me fjalën në dy shembujt e tjerë, dhe dallimi mbiemër/ndajfolje do të ishte gjithsesi pedant.

  2. Ne hame, ju hani, ata hane, ne ju hame, ju na … hani, jo, ju na e hani, -keshtu u be kjo pune me duket, sa dhe sofistet e antikitetit do i kishin zili keta te programit te TV! Nese moderatorja donte te thoshte se kengetaret kendojne aty direkt pa zbukurime elektronike, pra nuk jane te incizuar me pare, ajo nuk ka pse te perdori nje fjale (live) qe vendoset ne ekranin e TV-ve gjate transmentimeve direkte, live! Dhe e dyta, nuk kishin pse e nderprisnin emisionin, kur u njoftua vdekja e kompozitorit ne fjale, -sic u perfol ne media!

Comments are closed.