CENSURA QIMEN E NDËRRON…

Nëse në Tiranë gjen akoma kaqolë që i përshëndetin lapërdhitë e mediave si sukses të “lirisë së fjalës”, ka shenja shqetësuese që censura – gjithnjë e aftë për t’u përshtatur – po zhvillon forma të reja, në pajtim me rrethanat e reja ku ndodh komunikimi publik.

Kështu, është krijuar përshtypja se mediat – të shkruara dhe në linjë – botojnë gjithçka, meqë i kanë ulur standardet në minimum. Që këtej, çdo refuzim për botim i një shkrimi çfarëdo do të perceptohet, nga autori, si një formë censure.

Pa çka se, në kushte normale, refuzimi për botim do të ishte provë e seriozitetit editorial – jo për këtë apo atë shkrim, por në parim. Madje, mediat profesionale nuk duhej të ishin të hapura, gjithnjë në parim, ndaj kontributeve vullnetare; dhe t’u rezervonin këtyre, në raste të posaçme, një vend më vete në faqe.

Disa autorë, ndërkohë, duke pasur parasysh edhe që shkrimi mund të mos u botohet, ose edhe të mos lexohet fare nga redaktorët, e dërgojnë atë në disa gazeta dhe faqe njëherësh, me shpresë se të paktën te njëra do ta çajnë “bllokadën.”

Kjo praktikë nuk duhet ngatërruar me shkëmbimet e clearing-ut të shkrimeve midis mediave vetë (në të cilat merr pjesë, shpesh pa u pyetur fare, edhe Peizazhe të fjalës). Në këtë rast të dytë, një shkrim që konsiderohet i mirë ose, më shpesh akoma, i dobishëm, kalohet dorë-më-dorë nga një gazetë në tjetrën, në linjë dhe në letër.

Meqë gazetat nuk kanë politikë editoriale, dhe as i shpallin kriteret e botimit ose të mosbotimit të një shkrimi, atëherë kjo u jep liri të madhe redaktorëve, duke ua zbritur këtë liri autorëve. Një redaktor gjithnjë mund ta refuzojë një shkrim, madje pa qenë i detyruar të përgjigjet – në rast se shkrimi është dërguar pa qenë i porositur më parë.

Dhe pikërisht këtu fle lepuri: kjo liri refuzimi, që duket legjitime e parë nga larg, shfrytëzohet për të censuruar një artikull, koment, analizë ose opinion të padëshiruar.

Censura në këtë rast vepron nëpërmjet përzgjedhjes: nga dhjetë artikuj që më kanë ardhur unë përzgjedh vetëm pesë, duke lënë jashtë jo vetëm të dobëtit, por edhe problematikët.

Po si mund ta denoncosh këtë lloj shurdhimi të zërit? Herë pas here sheh ndonjë shkrim të mirë në Facebook, që fshikullon institucione ose persona me pushtet; të shoqëruar me shënimin: “ky artikull u refuzua për botim nga kjo ose ajo gazetë.”

Kështu ndodhi, tani së fundi, me një shkrim të Arlind Qorit, ku kritikohej mënyra si u shkarkua nga posti Hysamedin Ferraj, pedagog i shkencave politike në UT. Kur e botoi më në fund shkrimin te faqja Organizata Politike (dhe te gazeta Telegraf), Qori e shoqëroi me këto fjalë:

Ky artikull iu është dërguar për shtyp disa gazetave kryesore që një javë më parë. Disa syresh e kanë justifikuar mosbotimin me eufemizma, të tjera s’kanë lodhur gishtat as të kthejnë përgjigje për mosbotueshmërinë e tij. Arsyet që më vijnë ndër mend janë tre: mospërfillja e temës së artikullit, ndikimet okulte censuruese dhe cilësia e shkrimit. Uroj të jetë kjo e fundit.

Natyrisht arsyeja e fundit nuk qëndron, sepse artikulli është solid; dhe një incident si ky i heqjes nga puna të një intelektuali të mirënjohur si Feraj meritonte të paktën debat publik në mediat kryesore shqip.

Internet-CensorshipGjithsesi, kaq nuk mjafton, për të pranuar se po vepron censura. Në fakt asnjë gazetë nuk është e detyruar të botojë një shkrim që i vjen nga një i jashtëm; madje edhe kur ky shkrim i ofrohet falas. Sikurse nuk është e detyruar të japë shpjegime se pse e refuzoi shkrimin.

Nga njëra anë, shumë prej atyre që dërgojnë shkrime e keqkuptojnë lirinë e fjalës me një liri hipotetike për të publikuar atje ku dëshirojnë – edhe pse kjo e dyta nuk garantohet gjëkundi (as edhe stenda e fletë-rrufeve dikur nuk ta garantonte). Aq më tepër, teknologjitë Web 2.0 ua bëjnë të mundur të gjithëve të publikojnë; prandaj vështirësia nuk është te publikimi, por si të arrish te lexuesi.

Dhe autorët, tek e fundit, duan që t’i lexojnë; sidomos të papaguarit.

Nga ana tjetër, çdo gazetë ndjek një vijë editoriale të caktuar, çka parakupton edhe përzgjedhjen midis shkrimeve në dispozicion. Censura, nëse ekziston, nuk ka të bëjë as me vijën editoriale, as me përzgjedhjen vetë, por me mungesën e transparencës në marrëdhëniet me autorët – duke filluar që nga kriteret e dorëzimit të shkrimeve.

Një mënyrë më e stërholluar, për ta censuruar një shkrim problematik në linjë, është duke e hequr nga faqja hyrëse ose kryesore dhe duke e lënë vetëm në rubrikat; me shpresë se vizitorët e faqes nuk do ta gjejnë dot. Natyrisht, struktura e sajtit të një gazete në linjë janë njëlloj si raftet në supermarket: markat, firmat dhe kompanitë përkatëse luftojnë mes tyre me thonj e me dhëmbë, që të sigurojnë një vend në lartësinë e syve të blerësit.

Kjo ndodhi me një shkrim të Viktor Malajt në Dita, që analizonte debatet pas një letre publike të shkrimtarit Nasho Jorgaqi drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare; i cili ende mund të lexohet lirisht këtu, pa çka se në faqen hyrëse të Ditës mund të mos ketë qëndruar më shumë se shtatë minuta. Më ra në sy veçanërisht ky shkrim, sepse kisha qenë përlyer vetë në debat dhe “shqytarët e vrerosur”, për të cilët fliste artikulli (ca zelltarë, ca klounë), më kishin baltosur me ngut të paparë.

I hequr nga faqja kryesore dhe nga indekset përkatëse, artikulli serioz i Viktor Malajt kaloi pa u lexuar, edhe pse normalisht duhej të ish shoqëruar edhe ai me debat; dhe, në fakt, në Google sot e kësaj dite ia gjen vetëm tre hit-e; pa çka se mbetet i vizitueshëm lirisht te Dita. Do t’i kuptoja ata që do të flisnin, edhe këtë herë, për një lloj censure të butë por tepër efikase, sidomos po të kemi parasysh se fati i një materiali në ueb varet i tëri nga dukshmëria.

Një formë më e rrallë, edhe pse më flagrante e censurës është tërheqja e shkrimit nga faqja në linjë*, pa dhënë asnjë shpjegim. Kjo ndodhi, bie fjala, me një kritikë të Besmir Vokopolës, botuar para disa ditësh, për probleme me vënien në skenë të operës Toska në Tiranë (“U katandis Toska një thelë”), e cila u botua nga Shqip dhe ResPublica, por pastaj u hoq nga të dy këto faqe (edhe pse gjithnjë mund të lexohet në cache, këtu dhe këtu).

Natyrisht, Shqip dhe ResPublica kanë të drejtë të modifikojnë arkivat e artikujve dhe të heqin që andej çfarë mendojnë se duhet hequr: problemi është te mungesa e informacionit për këtë escamotage. Dhe kur është fjala për materiale me përmbajtje tepër kritike, është afërmendsh të dyshosh për censurë.

Shënim: më ka qëlluar edhe mua, rrallëherë, të tërheq shkrime të miat nga Peizazhe të fjalës; e kam bërë kur shkrimi mbështetej mbi një informacion ose interpretim të pasaktë nga ana ime, edhe pse in fair play. Nuk më ka pëlqyer kjo që kam bërë, por e kam konsideruar si të keqen më të vogël, duke pasur parasysh çakenjtë që i vërtiten blogut; dhe gjithnjë e kam shoqëruar tërheqjen me shpjegimet përkatëse.

Nuk ka komente

  1. Censuren politike edhe mund ta arsyetoj kur shoh sa e felliqur eshte lufta per pushtet dhe nderlidhet e saj me biznese te fuqishme. Natyrisht presioni per t’i ndenjur besnik kesaj apo asaj partie eshte e madhe dhe shpesh here shfaqet ne forma jo direkte sic eshte presioni nepermjet reklamave.

    Ajo qe nuk kuptoj eshte censura pa teklif per pune te kultures si ne rastin e artikullit me siper per Tosken dhe Kadarene. Natyrisht te “kritikosh” Kadarene konsiderohet nje fyrje e vete kombit sipas llogjikes censuruese. Dhe meqe ra fjala tek kombi, shkrimi i Artan Sadikut mbi nacionalizmin pas ndeshjesh Serbi-Shqiperi, u refuzua nga dy gazeta kryesore ne Tirane nderkohe qe faqja e pare dominohej nga supermbesa! Ky seleksionim i “kritikes” behet pra vetem per qitje e shantazh politik. Kujt i ben shantazh nje artikull i mire artikuluar si ai i Sadikut?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin