RIKTHIMI I VARGUT

Ka kohë, ndoshta muaj, që redaktorët e “Shekullit” i kanë bërë vend, në rubrikën e opinioneve, një poeti satirik, Arben Dukës.

Faqja e sotme e gazetës online afishonte plot dy poema nga ky autor, i cili edhe paraqitej me dy foto të ndryshme.

Poemat merren me çështje të politikës së ditës, duke ndjekur një traditë të vjetër në publicistikën shqiptare.

Kjo traditë i ka rrënjët në folklor. Aq e vërtetë është kjo, sa disa nga lexuesit e vargjeve të Dukës përgjigjen edhe ata me vargje, duke e shndërruar hapësirën e komenteve në një kafene të vogël fshati.

Krijimet e Dukës përmbajnë vargje të tilla si:

Armiq do të jemi,
Në gjithë historinë,
Armiq të betuar,
Më Salë varfërinë!

ose:

Bir Saliu i nënës,
Fort mos ulëri,
Tani të ka mbetur,
Një gjysmë parti!

Natyrisht, opinionet mund të shprehen me mënyra të ndryshme, madje edhe opinionet për çështje të ditës; por megjithatë mbetet për t’u diskutuar nëse vargjet satirike të Dukës e kanë vendin në atë rubrikë ku i kanë vendosur redaktorët e Shekullit.

Meqë unë botoj vetë shkrimet e mia aty, nuk e kam të lehtë të shprehem. Më vijnë në mend argumente edhe pro edhe kundër këtij vendimi. Kam parë në rubrikën op-ed të The New York Times kontribute në trajtë stripash vizatimorë ose formash të tjera jokonvencionale. Forma vjershëtare, e Dukës, i drejtohet një lexuesi që e ndien veten mirë duke komunikuar me të; ky është lexuesi që kritikën e realitetit kërkon ta bëjë me nota të lehta estrade.

Ka edhe më. Nëse nuk gabohem, Duka është nga ata të paktë komentues të Shekullit që ka arritur të kapërcejë barrierën mes autorit dhe lexuesit, duke i bërë vend vetes në “presidium”. Përndryshe, komentet me vargje nuk u kanë munguar kurrë gazetave online, si një mënyrë e vetvetishme për të shprehur indinjatën ose protestën nëpërmjet ligjërimit.

Për nga përmbajtja, tekste të tilla nuk ka dyshim se, për ta thënë me një shprehje të anglishtes, i predikojnë korit; ose u flasin atyre lexuesve që tashmë nuk kanë nevojë të binden, por vetëm të ngushëllohen për bindjet e tyre. Ndryshe nga arsyetimi që mund të gjesh në një shkrim opinioni të zakonshëm, i cili i drejtohet një lexuesi në gjendje të arsyetojë, pavarësisht përkatësive të tij politike dhe gjendjes së tij shpirtërore, satirat vjershëtare u ngjajnë, për nga funksioni, këngëve rreshtore: i shërbejnë kompaktësimit të grupit, nëpërmjet përndarjes së emocioneve të thjeshta, por gjithëpërfshirëse.

Pse me vargje? Çfarë force ka vargu, në këtë lloj komunikimi, që i mungon ligjërimit të arsyetuar? Kjo pyetje është po aq e vjetër sa edhe retorika; ndoshta, në kontekstin për të cilin flasim, vargu ndihmon me strukturën e përsëritur dhe rimën (edhe ajo një lloj përsëritjeje), duke ndihmuar për të përftuar një lloj valleje të mendimit; dhe duke shërbyer njëlloj siç u shërben një tango dy të dashuruarve: si katalizator.

Mbetet për t’u parë nëse një ditë gazetat do t’ua hapin krejt hapësirën e opinioneve kontributeve të tilla, që e anashkalojnë ligjërimin racional, për ta shndërruar tryezën e rrumbullakët të dialogut në sofër të rakisë. Nuk është se ndihem i kërcënuar nga një lëvizje e tillë e mundshme; jam vetëm kurioz të shoh se ç’do t’u bëjë akoma Interneti mediave tradicionale në hapësirën shqiptare.

Nuk ka komente

  1. Gazetaria po perjeton dite te veshtira fale shume ndryshimeve teknologjike e kulturore por skandali qe po quhet hackgate po e njollos akoma me shume. Gazetaria ne shqiperi ka akoma probleme me te thella. Do ta keni vene re se Shekulli e ka ndryshuar totalisht linjen editoriale e rrjedhimisht edhe faqosjen e saj, ne leter e ne web. Per mua eshte nje renie ne nivel ( nga aq sa mund te pretendonte) dhe me ngjan me shume me nje tabloid kur ve re se cfare vihet ne balline per te terhequr lexuesit. Seksionet e tjera, si kultura, pothuajse jane zhdukur per ti lene vend artit te jeteses, qe ka te bej me kulturen vetem ne nje rrafsh teper banal. Prandaj nuk me habisin shume vargjet e Dukes. Ama, eshte deshperim i vertete ti hasesh ato tek seksioni i OPINIONIT nderkohe qe Shekulli cdo dite e me shume po i krasit shkrimet qe te jene brenda nje formati jo me shume se 700 fjale. Eshte e papranueshme qe tu thuhet bashkepunetoreve qe shkrimet ti kene te nje gjatesie te caktuar per ti lene vend Dukes apo lajmeve sensacionale per Bleonen & Co.

  2. Kjo do pare ne ate suazen e pretendimit, te te shtirurit ( te berit gjoja).

    Gazetat pretendojne ( bejne gjoja) se merren me gazetari
    Lexuesit bejne gjoja se u intereson ajo cka ofron gazeta
    Shteti ben gjoja se administron punet e republikes
    Politikanet bejne gjoja se interesohen per gjendjen e popullsise
    Njerezit bejne gjoja se revoltohen nga e pa drejta/ e paligjeshmja/ e pamoralashmja
    Firmat bejne gjoja se i sherbejne tregut
    Konsumatoret bejne gjoja se i plotesojne nevojat e tyre ne tregun qe ekziston
    Fshataret bejne gjoja se prodhojne
    Shkollat bejne gjoja se edukojne dhe i sherbejne shoqerise dhe ekonomise se vendit
    Studentet bejne gjoja se mesojne
    Shendetesija ben gjoja se eshte ne sherbim te te semureve
    Te semuret bejne gjoja se sherohen
    Sherbimet publike dhe botore bejne gjoja se mirembajne zonat publike
    Publiku ben gjoja se i miremban zonat qe jane te tyre
    Administrata ben gjoja se i sherben qytetarit
    Qytetari ben gjoja se e pranon dhe respekton administraten
    Fete bejne gjoja se ndihmojne te lidhin te tokeshmit me qiellin
    Besimtaret bejne gjoja se besojne ne fete apo Zotet e tyre

    Me duket se i vetmi moment ne ate vend, qe nuk pretendohet, eshte kur hahet , kur shkohet ne banjo dhe kur behet seks. Por edhe kesaj te fundit s`i dihet, po te kihet parasysh numri madh i te dashurave apo te dashurve qe sillen verdalle te “fuqishemve” te cfaredo lloji.

    Ne vitet 80 nje fjali mjaftonin per te spjegura historine e miljona veteve, pergjate shume vjeteve: Shteti ben sikur na paguan, edhe neve bejme sikur punojme.

    Dhe me pas vijme perseri tek Shekulli.
    Cfare me cudit eshte se si e pranon Koco Kokedhima kete gjendje ne gazeten e tij. Une e kam njohur nga afer, dhe mendoj se aftesite e tij jane shume me teper se kaq, Te pakten nga ana e intelektit.

  3. “Cfare me cudit eshte se si e pranon Koco Kokedhima kete gjendje ne gazeten e tij. Une e kam njohur nga afer, dhe mendoj se aftesite e tij jane shume me teper se kaq, Te pakten nga ana e intelektit.”

    Ipare, te kam vleresuar deri tani per njohurite ne historine e lashte. Tani te vlersoj edhe per humorin qe ke.

  4. “Pse me vargje? Çfarë force ka vargu, në këtë lloj komunikimi, që i mungon ligjërimit të arsyetuar? Kjo pyetje është po aq e vjetër sa edhe retorika; ndoshta, në kontekstin për të cilin flasim, vargu ndihmon me strukturën e përsëritur dhe rimën (edhe ajo një lloj përsëritjeje), duke ndihmuar për të përftuar një lloj valleje të mendimit; dhe duke shërbyer njëlloj siç u shërben një tango dy të dashuruarve: si katalizator.”

    Xhaxha, pyetja eshte e vjeter po aq sa dhe historiku i vargjeve/kengeve proteste. Vargu ka qene pjese e pandare e levizjeve sociale. A eshte efikas apo jo tjeter ceshtje. Per shembull, vete zhanri i muzikes “rap” lindi ne vitet 80-t si mjet apo pjese e levizjes sociale anti-reganizem.

    Ne Shqiperi, mjafton t’i hedhim nje sy nje antologjie folklori, dhe ne te gjenden me shume kenge/vargje rezistence, lufte etj se sa kenge dashurie. Mbase ketu po e ekzagjeroj pakez per raportin, por ndoshta jo dhe aq, duke pasur parasysh qe vargu qendron paralel me historikun jo dhe aq paqesor te Shqiperise.

    Pare ne kete kontekst, nuk perben cudi qe vargu te gezoje akoma vemendje. Per me teper, ne nje klime ku ndac per fushate, apo “vetvetiu” vazhdojne e behen kenge e video per “udheheqesin” (besoj se ilustrimi me linqe nga youtube do ishte i tepert) ne nje situate te tille te skajshme eshte e kuptueshme qe pala tjeter do kete rapsodin e vet.

    Persa i perket hapesires ne shtyp qe i jepet “rapsodise” pervec “tradites”, permbush ne nje fare menyre edhe nje lloj boshlleku apo hendeku qe ekziston midis popullit dhe mendimit ndoshta me elitar te analisteve.

    Nga ana tjeter, mbi-vemendja apo mbi-promovimi rrezikon ta ktheje ne “tabloid” edhe aspektin “folk” te perfaqesuar nga vargjet e Dukes. Apo thene ndryshe, te vulgarizoje vulgun.

    Per nivelin e gazetarise pastaj jane gjera qe i kane permendur PA, ipare ndaj nuk po i riperseris. Sikur problemi i Shekullit apo dhe mediave te tjera te ishte vetem Duk-izmi reagimi do ishte thjesht anekdotik.

  5. Shekulli tabloid per tatepjet’
    fund e krye per ibret
    dengas me pislliqe
    pacamure e hic gazet’

    E ne vijim disa vargje te shkruara nga putrat e maces sime per t’u botuar nga Shekulli, nese do te ckodoheshin nga larte-poshte sipas alfabetit mors te kthyer mbrapsht ne gjuhen esperanto (Sale ore burre i keq/ ike e erdhe po dreq/ nuk ka ferman te te ndreq — me gjithe sallaten e ngerdheshjeve :)<3:( XXX )

    'm;pl dka; adaodf; afkd'ad
    adkiwlv p as;f a; ad;fao afd;
    adlfa' 'ad' dofop ;' madfowp

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: