BAD SEX AWARD PËR ERRI-N

Jam ca dyshues për ata shkrimtarë emrin e të cilëve e njoh më parë se veprën për shkak të ndonjë bëme jashtë letrare. Kështu e solli rasti me italianin Erri de Luca. Fillimisht e njoha si trim i çartur kundër trenave të shpejtë, veçanërisht kundër atij Torino-Lion. Në atë kohë firmosa edhe një peticion që të mos gjykohet si nxitës për sabotim.

Kjo ngjarje që do t’ia sillte emrin në krye të gazetave më të mëdha botërore mendoj se ka qenë një rastësi dhe jo ndonjë marifet i kurdisur prej tij,. Ka shumë vetë në botë që procedohen për punë të tilla, të shtyrë nga motive ambientaliste, por kur kjo i ndodh një shkrimtari, detyrimisht nuk mund të rrijë askush indiferent. Dhe për të përligjur përflakjen e tyre mediat, veçanërisht ato jashtë Italisë, u detyruan të shkruajnë edhe për veprat e tij, gjë që ia shtoi atij njohjen edhe në masat e publikut të gjërë.

Eshtë gjë e mirë që shkrimtari të merret me politikë, por mbase nuk duhet shumë. Se kurrë nuk kanë shkëlqyer. Megjithatë motivet e tij i kuptova më mirë kur mësova se ai e filloi jetën si punëtor dhe që në moshë të re do të konvertohej në anarkist, pasi lexoi Nderim për Katalonjën të Xhorxh Oruellit.

Sidoqoftë ishte procesi si sabotues që nisi të zhvillohej kundër Erri de Luca-s, ai që më shtyu të marr e të lexoj një roman të tijin, atë që më ra në dorë së pari. Titulli ishte Peshqit nuk mbyllin sytë. Më pëlqeu. Më pas gjeta dhe lexova Montedidio. Ngjarjet zhvillohen në lagjen e Napolit me të njëjtën emër dhe libri është shkruar me një stil pa shumë lajle, por mjaft poetik e mbresëlënës.

Mbase gjithçka do të mbetej këtu, sikur De Luca të mos ishte « nderuar » me Bad Sex in Fiction Award që jepet përvitshëm në Londër. Në të kaluarën çmimi i është dhënë Tom Wolfe-it, Jonathan Little-it, Sebastian Faulks-it etj..

Edhe këtë herë konkurenca ishte e pamëshirshme, por De Luca mundi të fitojë. Për ata që nuk e njohin këtë çmim më duhet të shtoj se që prej më shumë se njëzet e ca vjetësh, jeta edhe pse deri tani vetmuar e një shkrimtari, i nënshtrohet edhe terrorit të çmimit të përshkrimit të skenës më të keqe të seksit, çmimi letrar më i frikshëm që jepet në Angli nga The Literary Reveiw.

Në ceremoninë e çmimit janë të ftuar edhe shkrimtarët fitues, të cilët duhet të kalojnë nëpër torturën e një fjalimi falënderimi, por ata mungojnë sistematikisht. Kryeredaktori Auberon Waugh ka paralajmëruar se po të vazhdojë kështu, ata do të detyrohen të ftojnë aktorë që do të luajnë rolin e shkrimtarëve fitues. Zatën, aktorë nuk mungojnë edhe tani, por roli tyre kufizohet në leximin e teksteve “të zgjedhura”.

Mbahet mend se disa vite më parë çmimi ra mbi N. Royle, për ca pasazhe të romanit të tij The Matter of the Heart, i cili u nxitua t’ia hedhë fajin së shoqes duke thënë se ajo e kishte ndaluar të përshkruante më në thellësi skena seksi sepse lexuesit mund të mendonin se ato kishin ndodhur midis atyre të dyve”. Dhe ai ishte mjaftuar të përshkruante një personazh femëror, Jasminën, me fraza të tilla: ajo gulçonte sa ngjante herë si një fokë që kishte ngecur në breg e herë si sirena e një makine policie. Ndërkohë që partneri i saj, Ambrozi, “bënte vajtje ardhje duke e shpuar si një makinë qepëse”. Fantastike!

Erri de Luca-s iu çmimi iu dha për romanin Il giorno prima della felicità, që në Itali është botuar më 2009 dhe në Angli u përkthye dhe botua nga Pinguin me titullin The Day Before Happiness.

Sipas shtypit, në finale ai konkurrohej rreptë edhe nga A Doubter’s Almanac i E. Canin, Men Like Air i T. Connolly-it, The Butcher’s Hook i J. Ellis, Leave Me i G. Forman dhe The Tobacconist i R. Seethaler.

Erri e fitoi çmimin me dorën lart. Por duhet thënë (dhe e thonë ata që e njohin), ai nuk është fort i kënaqur po t’ia kujtosh këtë çmim. Libri u përkthye nga Jill Foulston dhe shumë vetë shtruan pyetjen nëse edhe përkthyesi duhet të ketë pjesën e tij në këtë çmim. Pyetje jo pa interes.

Ngjarjet e romanit tonë zhvillohen në Napolin e pasluftës. Një fëmijë jetim, që më pas do të bëhet tregimtar, jeton nën përkujdesjen e kujdestarit të pallatit. Djaloshi mëson shumë prej tij. Për më tepër ai di të lexojë edhe në mendimet e personazhit tonë dhe e di se ai ëndërron për një vajzë, që e ka parë dikur pas një xhami. Kur vajza kthehet aty vite më pas djaloshi ka përsëri nevojë për ndihmën e don Gaetanos, kujdestarit, i cili në një farë mënyrë është ai që e njeh edhe me të fshehtat e mardhënieve intime.

Revista e gazeta të ndryshme kanë dhënë fragmentet e këtij libri që u analizua nga ekspertët e jurisë së çmimit të sipër cituar. Gjeta versioni italisht dhe solla këtu skenën e përfolur:

“Premette sui miei fianchi, un ordine che mi spingeva dentro. Entrai. Non solo il sesso, io entrai dentro di lei, nelle sue viscere, nel suo buio a occhi spalancati senza vedere niente. Tutto il corpo era sceso nel sesso. Entrai con la sua spinta e restai fermo. Mentre mi abituavo alla quiete, al battito del sangue tra le orecchie e il naso, mi spinse un poco fuori e poi di nuovo dentro. Lo fece e lo rifece, mi teneva con forza e mi spostava a ritmo di risacca. Agitò i seni sotto le mie mani, aumentò le spinte. Entravo fino all’inguine e uscivo quasi tutto, il mio corpo era un suo ingranaggio”

Po i lejoj vetes të shtoj këtu, se ata, të cilëve puna ua ka dashur të përshkruajnë një skenë seksi e dinë mirë se sa e vështirë është një gjë e tillë. Ajo duhet të jetë në funksion të gjërave të tjera, se po të jetë seks për seks ka mjaft autorë romanesh erotikë, që mbase skenat e tjera nuk dinë t’i përshkruajnë mirë, por kur është fjalë për to, janë virtuozë, të pakonkurrueshëm.

Një skenë seksi është mjaft më komplekse se vetë seksi. Për më tepër problemi i De Luca-s nuk është vetëm përshkrimi ( gati si tranazh ushtarësh në brezin e sulmit) i skenës të mësipërme por edhe ai i përdorimit të “aksesorëve” të tjerë, para se të mbërrijë aty. Diku ai rri e përshkruan seksin e tendosur të alter egos së tij dhe e krahason atë me një “balerinë që qendron në majë të gishtave”. Mirpo, i rrëmbyer nga një frenezi e tillë krahasimesh, ai harron se po përshkruan herën e parë të një pothuaj adoleshenti. Eshtë e pamundur që hera e parë të jetë aq e shlirë, e sigurtë, e suksesshme. Ajo në tërësinë e saj zakonisht nuk ka asnjëherë karakteristika e lëvizjes së njëfarsoj pajisje mekanike, siç e përshkruan ai. Një paragraf i tillë më shumë se herën e parë të një personazhi mjaft të ri, të kujton performancën e një kali race.

Detajet e përshkrimit të tij dalin fare jashtë kontrollit, thotë diku juria. Dhe duket se ka të drejtë. Asnjë shenjë timiditeti, frike, turpi, sakëllije, kompleksi që shoqëron fillimet.

Pra, edhe pse nuk jam në linjën e redaksisë, kam frikë se Erri, e ka meritur këtë çmim ankthndjellës. Por gjykimin e ruaj për vete.

Shumë kritikë thonë se po të ishte shpërndarë edhe më parë, nga një çmim i tillë nuk do të shpëtonte as Henri Mileri, Samuel Beketi, Philip Roth etj.

…………………..

Shënim: Ky shkrim është përfunduar para disa kohësh, por për të u kujtova këto ditë ndërsa i hodha një sy sitit të çmimit në fjalë, i shtyrë nga kureshtja se në listën e kandidatëve të këtij viti (që duhet të shpallet këto ditë) përflitet edhe ndonjë fitues i mëparshëm i çmimit Pulitzer (Michael Cunningham) apo edhe ndonjë pretendent i rregullt i çmimit Nobel (Haruki Murakami).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin