NJË GJINI E RE LETËRSIE

 nga Sokol Çunga

Le të themelojmë një gjini të re letërsie.

Letërsi që shkruhet në dialekt, por respekton të gjitha qejfet e gjuhës standarde.

Letërsi që denoncon krimet kundër njerëzimit, masakrat, gjenocidet, feminicidet, maskilicidet, gerontocidet, por njëherazi nuk përmend me emër autorët e tyre, sepse autorët, me gjasë, tani nuk jetojnë më dhe pasardhësve të autorëve mund t’u shkatërrohet jeta.

Letërsi që u jep hakën hebrenjve, por nazistët nuk i përmend me emër, sepse nazistë s’ka më gati 80 vjet pas përfundimit të L2B.

Letërsi që u jep nderimet dhe respektin e përshtatshëm viktimave të stalinizmit e komunizmit, diktatura të pështira, por pasardhësve politikë të tyre nuk u përmend emrin, as gjynahet, sepse kjo quhet lustracion, dhe lustracioni është i paligjshëm.

Letërsi që respekton të drejtat e gruas, por patriarkëve s’bën t’u cekësh mustakun.

Letërsi që gratë i lejon të zgjedhin për vete, në duan apo jo të mbajnë shami, në duan apo jo të bëjnë abort, por ligjvënësve të shamisë dhe të abortit s’duhet t’u bjerë në sy, sepse, pastaj, ç’kuptim kanë klasat dhe rendet shoqërore?

Letërsi që lufton përkrah me kauzat LGBTI+, por pa u lëbyrur sytë me flamur atyre që besojnë se atdheu, feja, globi mbështeten tek familja e bashkuar.

Letërsi e cila merr parasysh vetëm atë që shkruan autori, ashtu siç dëshiron ai, madje e korrigjon kur letërsia nuk përputhet me aspiratat e autorit, të cilat lehtësisht sendërtohen prej qëndrimit të tij publik.

Letërsi e cila nuk përzihet me biografizimin e autorit, veçse kur kjo biografi larton veprën, edhe kur vepra është e dobët.

Letërsi që nderon autorët e traditës, por që vijon të promovojë pa kufizime veprën e autorëve të periudhës së socializmit.

Letërsi e cila vlerëson dhe çmon posaçërisht autorët që nuk u botuan në kohën e tyre, pasi vepra u ndalua nga diktatura dhe autorët u përndoqën, burgosën a u dënuan me vdekje për shkak të fjalës së lirë, por që, për hir të shanseve të barabarta, në të njëjtën kolanë përfshin edhe trubadurët e ish-regjimit, pasi këta nuk mund të konsiderohen fajtorë vetëm pse bënë detyrën, se “ashtu ishte koha”.

Letërsi që jep hakun pa marrë hakën.

Letërsi që trajton marrëdhënien e njeriut me hyjnoren, por njëherazi nuk blasfemon, që s’e përflet cilitdo Profet a Bir të Atit, sepse edhe sipër kokës së atij që s’beson ka një inxhi që mban shënim.

Pra, shkurt, një letërsi që ndoshta do të quhej “e lejuar”, “politikisht korrekte”, ose “kosher”, por që unë parapëlqej ta quaj LETËRSI HALLALL. Pasi, pavarësisht realiteteve të së shkuarës, e vetmja letërsi që sot ndëshkohet me vdekje, që nga autori, deri tek botuesi, përkthyesi, shpërndarësi dhe shitësi është “letërsia haram”.

Dhe në këtë dekadencë post-moderne, kur klasat shoqërore dhe financiare po shuhen, për të mbizotëruar vetëm klasa e diktatorëve financiarë dhe moralë, kjo rrymë e re letërsie do të ishte thjesht epitafi në pllakën e varrit të artit të fjalës dhe të mendimit të lirë.

© 2022 Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin