ÇUDIRA BIOGRAFIKE

Në Shqipërinë e para 1990-s, shkrimtari me “biografi të keqe” dënohej me heshtje: askush nuk do t’ia botonte dorëshkrimet; madje edhe sikur “biografinë e keqe” t’ia harronin, do të mjaftonte precedenca e mosbotimit, për ta ruajtur stigmën.

I pat ndodhur edhe Kapllan Resulit, një autori të cilit ia mbaj mend suksesin që pati dikur në Shqipëri me romanin “Tradhtia”, por edhe me një vëllim tregimesh (“Ushtima e Korabit”) dhe një novelë për fëmijë (“Gjarpni”). Ky kish ardhur nga Kosova, ku e kish përndjekur regjimi jugosllav – por pastaj u tha se e kishin rrasur në burg edhe në Shqipëri.

Siç ishte adeti, librat e këtij “armiku” u zhdukën nga raftet dhe nuk i zuri më kush në gojë publikisht. Edhe pse “Tradhtia”, por edhe tregimet, rrëfenin konflikte që do të rindizeshin me dhimbje dhe tallaz në vitet 1980. Por bashkë me autorin ish dënuar me burg edhe vepra.

Pas 1990-ës nuk mbaj mend që vepra e Resulit të jetë rehabilituar, me gjithë aktualizimin urgjent të dramës kosovare. U tha se ai autor ishte agjent i UDB-së, se pas daljes nga burgu dhe largimit nga Shqipëria kish mbajtur qëndrime “antishqiptare”, se kish mohuar identitetin.

U tha se kish sulmuar kolegët e vet dhe, me veprën e vet “albanologjike”, kish sulmuar dijen (dogmën?) albanologjike.

U tha se gëzonte përkrahjen e serbëve.

Të gjitha këto, që nuk di sa i përgjigjen realitetit, ia dënuan veprën letrare sërish me heshtje.

Më e keqja që u tha, ishte se atë vepër letrare dikur aq të lëvduar Resulit ia paskësh shkruar “dikush tjetër”; dhe se dorëshkrimi mbase kish dalë nga laboratorët e UDB-së, në mos i ishte grabitur ndonjë shkrimtari fatzi.

Për të gjithë ata që Resulin e njihnin si autorin e romanit “Tradhtia” – mjaft popullor për ca kohë në Shqipëri – kjo që romanin e kish shkruar “dikush tjetër” tingëlloi absurde, meqë këta Resulin thjesht e identifikonin si autorin e “Tradhtisë”.

Parateksti – gjithë ajo rrjetë rrëfimesh biografike, thashethemesh dhe gjykimesh morale që i shoqërohet veprës letrare – edhe këtu qëlloi me pasoja fatale për tekstin.

Madje një gjykatë e fibrës patriotike dhe morale atë tekst nuk mund të nxirrte veçse të pafajshëm.

U tha se Resuli, si agjent i UDB-së a i kushedi ç’spiunazhi tjetër antishqiptar, e kish përdorur një tekst “të mirë” për të konsoliduar pozicionin e vet në Shqipëri – që pastaj të vepronte.

Mundimet e atij njeriu – i fajshëm a i pafajshëm – krijuan ato vetë një narrativë që, me kohë, ia zuri frymën veprave të tij. Resuli ishte shkrimtar “armik”, të cilit vepra nuk do t’i qarkullonte më. Regjimi në Tiranë e dënoi njeriun me burg të gjatë dhe veprën me burg edhe më të gjatë.

Ky asgjësim nuk u zhbë më.

Nuk e njoh veprimtarinë publike të Kapllan Resulit pas 1990-ës – edhe sepse mediat kanë zgjedhur ta shpërfillin, mbase edhe duke ia censuruar fjalën.

Nuk di nëse ai ka vepruar për “mirë” apo për “keq”.

Por emri i tij, dhe bashkë me emrin edhe narrativa e “armikut” dhe e “tradhtarit antishqiptar” vazhdojnë të rimerren në mediat, teksa vepra i ka humbur.

Paçka se ajo vepër është e vetmja arsye për të cilën Resuli u bë dikur i njohur për publikun, të paktën në Shqipëri.

Jo pse u arratis prej Jugosllavie, jo pse foli dhe kundërfoli, mëkatoi dhe çmëkatoi; jo pse në fillim u konformua dhe pastaj u antikonformua, jo pse regjimi i Hoxhës e kalli në burg, si shumë kosovarë të tjerë me histori të ngjashme.

Disa prej “biografëve” të tij të improvizuar u rrekën t’ia tjetërsojnë edhe veprën, kur thanë se “nuk e kish bërë vetë” dhe se kjo, vepra, ishte produkt i një operacioni agjenturor, për mbjelljen e një agjenti armik në radhët e shkrimtarisë shqipe në Tiranë.

Të thoje se nuk i kishim armiqtë me bollëk, që pa u shfaqur Resuli.

Nuk ka asgjë të pabesueshme – në parim – te përsiatjet se një vepër mund t’i jetë vjedhur autorit të vet fillestar. Unë vetë jam i bindur se ca vepra me peshë në letrat dhe në studimet shqipe e kanë një origjinë të tillë, nga sirtarët e “armikut”. Ka njerëz që kanë bërë karrierë meteorike, duke ia zëvendësuar një teksti autorin.

Rrëfejnë për dorëshkrime studiuesish “armiq”, që u janë dhënë studiuesve “miq”, për t’i shfrytëzuar. Edhe këto rrëfime duhen përfshirë njëfarësoj në folklorin politik të viteve të totalitarizmit, por kjo nuk i bën më pak të vërteta.

E megjithatë, për shumë nga ne që e lexonim, “Tradhtinë” nuk mund të kish shkruar veçse Kapllan Resuli, sepse Kapllan Resuli nuk ishte tjetër, veçse autori i atij romani.

Dhe nuk kish arsye letrare të ishte tjetër.

Mbas 1990-ës i ndenjën larg, sepse edhe ai u ndenji larg. Kur diskursi kombëtarist në Kosovë u kthye në faktor shtetformues, përjashtimi i veprës së Resulit prej qarkullimit letrar vazhdoi si më parë.

Ai nuk e pati shansin të trajtohej si një Ezra Pound, si një Céline, si një Majakovski, si një Shollohov, si një D’Annunzio, si një Ernst Junger, si një Yuko Mishima, si një Ernest Koliqi – t’i ndahej vepra nga pozicionimi në politikë dhe në histori.

Fatwa-ja kombëtariste kundër veprës së tij ia kaloi edhe asaj të ajatollahëve kundër Salmanit.

A e meritonte vallë? Sërish, nuk di asgjë për veprimtarinë e tij pas 1990-ës dhe, në fakt, nuk u besoj shumë as historive për veprimtarinë e tij para 1990-ës.

Me këto gjëra u morën dikur kufitarët, hetuesit, spiunët, prokurorët, policët dhe gardianët e burgut. Sot mbase do të merren biografët.

Më intereson fati i një vepre, të cilën dikur e gjykuan me vlera artistike, por që sot vazhdon të “vuajë” dënimin për shkak të biografisë së keqe të autorit të saj.

Një vepre me “kleçkë” në biografi.

Madje edhe mediat – që shpesh ndërhyjnë në histori me kokëfortësinë e ajsbergut që shpoi “Titanikun” – druhen t’i afrohen veprës së tij. Si e kanë anatemuar deri dje, tani e kanë më të lehtë ta shpallin Resulin “shkrimtar dhe albanolog të shquar” (i referohem imazhit shoqërues të këtij shkrimi).

Por vërejeni mirë këtë cilësim: “albanolog i shquar”. Ku dhe si u shqua Kapllan Resuli si albanolog? Apo thjesht ngaqë iu lakua emri?

Apo “i shquar” sepse shembëllzon fundosjen dhe rishpikjen e një vepre, sipas reputacionit që gëzon autori përkatës karshi ideologjisë sunduese?

Konfuzion i plotë, aq më tepër në kontekstin kur Resulin e kanë sulmuar gjerësisht si “antialbanolog”.

Për mua, një kulturë që vendos në piedestal vepra letrare, për shkak të biografisë së autorëve të tyre (“shkëlqimit moral”), njëkohësisht do të fundosë vepra letrare të tjera, për shkak të biografisë së autorëve të tyre.

Të cilët mbase edhe mbeten “të shquar” në mungesë.

Kjo kulturë është jo vetëm e papjekur, por edhe e paemancipuar, sepse fokusohet në njerëz dhe biografitë e tyre, jo në veprat dhe në biografitë e tyre si vepra.

© 2022 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin