Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

RRETH MBIEMRIT TË GRAVE TË MARTUARA

nga Arben Dedja

Shoh një numër të madh grash në rrjetet sociale (nuk jam në gjendje të bëj një llogari të saktë, se më duhet të zbres beqaret) që mbajnë dy mbiemra: të vajzërisë dhe të bashkëshortit. Unë, që kam kaluar edhe vetë nën “zgjedhën” e lidhjes martesore – ndodhi diku aty nga mesi i viteve nëntëdhjetë, në Tiranë – më kujtohet (ca gjëra nuk harrohen lehtë) që ligji shqiptar ishte fare i qartë; i linte gruas dy mundësi: ose të mbante mbiemrin e vet ose të merrte atë të burrit. Mbiemri dopjo, pra, nuk lejohej (shtrati dopjo, ama, nuk ishte ndaluar akoma). S’shihja ndonjë arsye pse ime shoqe të merrte mbiemrin e burrit (timin domethënë), ndaj isha – për një herë, të paktën – në një mendje me të që ajo të mbante mbiemrin e vet, në mos tjetër edhe për arsye praktike: ja të ndodhte që të ndaheshim, kush rrinte e ndërronte prapë mbiemër, veç në mos e bënte si Agatha Christie, që mbajti mbiemrin e burrit të parë edhe kur u martua për herë të tretë. Por edhe Christine Lagarde si shembull, shkon. Ndonëse për këtë rast kam lexuar se kemi të bëjmë më tepër me një çështje eufonie (Lagarde versus Lalluette), por s’i hyj dot më thellë analizës se, mjerisht, nuk jam muzikolog.

Dhe kështu ime shoqe e mbajti mbiemrin e saj (që, për t’i shtuar edhe ca piper muhabetit, ishte mbiemri i babait të divorcuar nga e ëma kur ime shoqe ishte vetëm një vjeçe: ndodhte në një ditë të largët të viteve gjashtëdhjetë, pikërisht kur Carlo Ponti vërtitej, “si çifuti nëpër shkretëtirë” kur i thonë, për të gjetur një shtet që ta divorconte – Italia nuk e njihte divorcin – që të mund të martohej me Sofia Loren-in).[1]

Këtu në Itali ligji thotë që secili nga bashkëshortët mban mbiemrin e vet. Po në Shqipëri, të ketë ndryshuar ndërkohë ligji? Si skrupuloz që jam… Hm! në një shkrim të “Brumbullit”,[2] viti 1928, në vend të fjalës “skrupuloz” përdorej neologjizmi: “plesht-frevënës”. Po e riformuloj: Si plesht-frevënës që jam, vajta e shpluhurosa kodin aktual të familjes: LIGJI Nr.9062, datë 8.5.2003, ndryshuar me ligjin nr. 134/2015, datë 5.12.2015.

[…]

Neni 51

Mbiemri i bashkëshortit

“Bashkëshortët, kur lidhin martesën, kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër të përbashkët njërin nga mbiemrat e tyre ose të mbajnë secili mbiemrin e vet.

Mbiemri regjistrohet në regjistrin e martesave.”

Me ligjin e ri, pra, punët paskan shkuar edhe më tej: tani edhe burri mundkësh të marrë mbiemrin e bashkëshortes. Nuk po dua tani t’u hyj analizave shoqërore – e them për t’i dhënë vetes një rezervë (me siguri do të ketë ekspertë juristë dhe psikologë të familjes që do të më hedhin poshtë gjithçka), por druaj se në këtë kahje do të na duhet të presim edhe ca për të parë kush do ta fusë i pari këmbën në ujin e ftohtë të pishinës. Por është për dopjo mbiemrat që po flasim.

Duke e lënë mënjanë mundësinë fantastiko-shkencore që përmendëm, rastet mbeten dy: 1) kanë mbajtur mbiemrin e tyre dhe, në një kohë të dytë, i kanë bërë një koncesion të vogël bashkëshortit duke shtuar edhe llagapin e tij nga pas; 2) kanë marrë menjëherë mbiemrin e bashkëshortit dhe pastaj i kanë thirrur mendjes duke shtuar edhe të vetin, me një akt aristokracie vakti (që mbante dy mbiemra nga frika mos zulmëmadhësia e tyre tretej). Do të kishim kështu të bënim me një kompromis, mbase një formë ancestrale e respektit për vjehrrën, ndaj më shumë se juristët e psikologët me këtë çështje duhet të merren antropologët.

Po unë, personalisht, cilën nga mundësitë më sipër e mendoj si mbizotëruese? Nuk përgjigjem dot me fakte, se faktet janë mirëfshehur në certifikatat e martesave, por do të përgjigjem duke rrëfyer një situatë. Kur mora shtetësinë italiane, m’u desh të përcjell në zyrat e gjendjes civile të Padovës dokumentacionin përkatës nga bashkia e Tiranës. Natyrisht, edhe certifikatën martesore. Kur nëpunësi i gjendjes civile e mori në dorë, u ngrys, filloi të spërdridhej, nuk them që bëri si ai burokrati i poezisë së Majakovskit me pasaportën e poetit kur ky udhëtonte jashtë shtetit (e merr/ si bombë/ e merr si iriq/ si brisk me dy tehe/ e merr/si gjarpër/me zile/dy metra të gjatë/me njëzet gjuhë…), por, gjithsesi, poezinë ma kujtoi, ama. Pati një shpirt më praktik: u ngrit ta studionte dokumentin në kundërdritë. Ishte origjinal. U interesua për mbiemrin e time shoqeje. Ia shpjegova.

“Është hera e parë që më ndodh me shqiptarët” tha.

“Ligji e parashikon” thashë.

Siç tregojnë shenjat, pra, mbiemrat dyshë qenkan një pozë për t’u shfaqur në rrjetet sociale? Por edhe pozat kanë rëndësi, sidomos kur e dimë që gratë kanë në familje rolin e Ministrit të Punëve të Jashtme (ose atë të Kryeministrit, me Punët e Jashtme ad interim). Atëbotë, i mirëkuptoj dhe do t’i toleroj deri në fund. Sepse paskemi të bëjmë thjesht me një pen name, me një pseudonim për të shkruar në Facebook, nganjëherë me tone sopranoje, mendime me një spektër që shkon nga receta e bakllavasë te barazia gjinore. Është si të quhesh Currer Bell, me një fjalë.

© 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Pa dashur të jem pedant, disa përparësi rendi socialist i kishte (i ka?). Kështu, për shembull, krahasuar me Italinë, gratë në Shqipëri kanë votuar më parë (punë muajsh, në fakt); kanë divorcuar më parë; gra ministre Shqipëria ka patur përpara se Tina Anselmi të bëhej ministrja e parë e Republikës Italiane etj.

[2] “Brumbulli” është Gjergj Bubani (1899-1954).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin