DY FJALË NGA BELGJIKA

Një autobus i linjës së Kombinatit, që priste të mbushej me udhëtarë në stacion te Banka, kishte të afishuar, në ekranin elektronik, mbishkrimin e papritur “GEEN DIENST”, të cilin me hollandishten time rudimentare e përktheva “NUK ËSHTË NË SHËRBIM”; dhe që më pas më shpjeguan se përdoret rëndom në flamandishten e Belgjikës.

Kisha ndeshur edhe më parë në autobusë urbanë të Tiranës që bartin akoma në trup shenjat, tatuazhet, lajmërimet, cikatricet dhe reklamat e qyteteve të tjera, poshtë e lart Europës, në Francë, në Gjermani, në Itali; ngaqë kanë mbërritur këtu të përdorur. Kush ka nge dhe dëshirë, mund të përjetojë një lloj zhvendosjeje hapësinore ose ndjesi të së qenit në dy vende të ndryshme, thjesht duke shëtitur në Tiranë me këto mjete, të cilat brenda i flasin udhëtarit një gjuhë tjetër dhe u referohen gjeografive të tjera urbane. Është kjo një metaforë e derealizimit, ose e një skizofrenie përndryshe të padëmshme; por edhe e mbivendosjes performative, mbi Tiranë, të imazhit dhe topografisë së qyteteve të tjera nga Europa.

Edhe pse e kam të qartë dhe e kuptoj se shumë nga ata që përdorin sot transportin publik nuk është se kanë shumë oreks për kësi përjetimesh dhe fluturimesh të ngeshme.

Por a është edhe kjo shenjë e afrimit tonë me Europën? Më kujtohet të kem parë si, kur u hoqën vizat me BE-në para disa vjetësh, rrugët e Tiranës u mbushën me tabela që u referoheshin destinacioneve të mëdha kontinentale, Romës, Parisit, Frankfurtit, së bashku me distancat në kilometra; për të treguar lidhjen edhe të Shqipërisë “në rrjet”; ose një lloj elektrifikimi të shumëpritur të rrugëve dhe të qarkullimit të njerëzve.

Më kujtohet edhe si, kur jam kthyer për herë të parë nga Roma, pas një qëndrimi njëvjeçar atje, m’u bë zakon që ta mbivendosja Romën në Tiranë dhe të kërkoja ngjashmëritë midis rrugëve, shesheve dhe parqeve; a thua se e kisha sjellë një pjesë të padukshme të kryeqytetit italian me vete, ose edhe që ajo pjesë, si tërësi udhëzimesh dhe shprehish për t’u zhvendosur në qytet, më kish ndjekur nga pas.

Përndryshe, këta autobusë që kanë mbërritur këtu pasi i kanë nxjerrë në pension gjetiu, gjithnjë më janë dukur si kafshë barre, të lodhura e të rënduara ndonëse ende në shëndet të mirë; të cilave ua kanë ndërruar habitatin pa i pyetur; thundrakë gjysmë të egër, të transferuar nga një kopsht zoologjik në tjetrin. Të mësuar me ushqim ndryshe, peizazh tjetër dhe komanda në gjuhë të tjera, tani janë të detyruar ta kalojnë pleqërinë në një vend të huaj, ku ndoshta nuk kuptojnë më asgjë.

I njëjti jetërsim do të ndodhte, besoj, edhe me udhëtarët brenda; të cilëve midis dy kotjesh nga një stacion në tjetrin, me siguri u qëllon të lexojnë, të përgjumur, mbishkrime komanda dhe urdhëresa që i porositin, me gjuhë të tjera, të mos i flasin shoferit, të mos pinë duhan, të largohen nga dyert, t’u lirojnë vendet të moshuarve dhe grave shtatzëna, të mbahen pas hekurave; duke përjetuar, edhe ata, sikur i kanë çuar, qoftë edhe për pak minuta, në një vend tjetër, të huaj dhe të panjohur; duke i nxjerrë pa i pyetur nga rutina e përditshme e Tiranës.

Madje ndonjëherë më ka rastisur të shoh, në autobusë, edhe njoftime për pika turistike ose harta me itinerarin e dikurshëm të autobusit vetë, në rrugë tashmë të panjohura, me emra stacionesh që nuk i shqipton dot, në qytete që kushedi udhëtarët e tanishëm as i identifikojnë dot.

Dhe kështu ndodh që gjesh duke qarkulluar në Tiranë, si të ishin reklama të lëvizshme të një parku atraksionesh me temë kontinentale, copëza të Bremen-it, të Graz-it, të Bordeaux-së, të Mantova-s, të Gjenevës, të Rotterdam-it; turistë të një lloji të veçantë, që kanë ardhur të shërbejnë, jo të shërbehen.

Autobusi që pashë unë, me mbishkrimin “GEEN DIENST” ishte, përkundrazi, në gatishmëri të plotë; dhe ai mbishkrim kish mbetur atje me siguri që në kohën, tashmë të largët, kur e kishin liruar nga shërbimi diku në Belgjikë; askush nuk ishte kujtuar ta ndërronte me diçka më funksionale, mundësisht në shqip. Me siguri do t’u sjellë në mendje, turistëve nga Gent-i ose nga Brugge-i, atmosferat familjare të qyteteve të tyre, edhe kur nuk u ngjall shpresën e kotë se flamandishtja është gjuhë zyrtare e Bashkisë së Tiranës; në një kohë që këtu në Tiranë me siguri do të ketë nga ata që “GEEN DIENST” e marrin për ndonjë lloj marke autobusësh ose edhe emër linje; në mos thjesht ornament për automjetet e transportit publik.

Sidoqë shumëçka humbet në shkëmbime të tilla, çfarë shtohet është gjithnjë domethënëse, për të ardhmen jo vetëm tonën, por edhe të vetë Europës.

[Fotoja nuk është e autobusit në Tiranë.]

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin