ZEMRA E AROMAVE TË QYTETIT

nga Rael Hoxha

(shkëputur nga “E padukshmja”, një libër i pabotuar)

Na ishte njëherë, pas rënies së murit të Berlinit, një ajër plot me këngë zogjsh dhe thirrje fëmijësh, që më pas u kthyen në britma armësh dhe piskama gjeneratorësh. Aroma e ndryshimit sundonte të ardhmen e njerëzisë, si era e naftës, dollarit, kromit. Por ajo aromë e fortë e lirisë tek ne, ishte e athët, plot bajga e glasa, barut dhe hi. Epiqendra e aromës tonë gumëzhinte nga thirrjet e valutës, qepenat e kioskave, karrocat me kuaj, kinematë pornografike, deklaratat politike dhe vrasjet e bujshme. Qendra aromatike ishte zemra e ndodhisë, e tregimit dhe dramaturgjisë. Ajo aromë, jepte shpresë për shqiptarët se nga bota e tretë do kalonin në botën e parë, duke kapërcyer mrekullisht të dytën. Kështu u hodhën nga sheshi i parakalimeve, tek sheshi i protestave, e sërish qendra e aromave të kryeqytetit është ajo që kujtohet, fotografohet, festohet, ikonizohet dhe mbrohet nga kushdo, ashtu siç sulmohet, goditet dhe shkatërrohet nga kushdo qoftë.

Ajri në zemrën e qytetit, tashmë ka grimca plastmasi të djegur, të përzier me ujëra të zeza dhe mbetje karburantesh, lesh xhami dhe pluhur betoni. Koncertojnë pa pushim frezat dhe çekiçët pneumatik, si një diskotekë ndërtimi. Horizonti është i mbushur prej vinçave që ngjajnë si gjirafa të trishta, me kokën ulur dhe jargët varur. Qendra historike, apo historia e qendrës, është kthyer në një varrezë prej graniti të varfër, si një përkujtimore e vdekshmërisë së qyteteve dhe qytetarëve. Skelete pallatesh, prozhektorë, vetrata fotokromatike, skela të ngrehura, mbajnë sytë mbi kalimtarët, teksa një simfoni klaksonësh që shkrihen me bilbilat policor, sundojnë akustikën. Ndërsa, si me magji, lulet dhe shkurret përreth, shkëmbinjtë, oazet e befme, pishat dhe uji që rrjedh si urinë, freskojnë luginën e të rilindurve. Nuk është një mirazh, por një territor i ri vdekjesh që  sundon çdo ditë në kryeqytetin e rinuar, rinovuar, botoksuar, aq sa do duhej një tjetër Dervish Hatixhe, për të shpëlarë këtë kolerë nga ky qytet.

Mbi sundimtarët kulturorë ngrihen hekurishte shumëkatëshe, nga ato me tabela ofenduese, tek ato me tabela ungjillore që premtojnë parajsën urbane. Kanalet e hapura në mes të rrugës, leshnajat e telave telekomunikativ, instalacionet e rrezikshme nëpër këndet e fëmijëve, eklipsohen paksa nga busti i heroit që lartësohet i makiazhuar, i lyer me “antiruggine”, mbi shkëmbin piedestal, mbi kalin e tij, mbi sheshin e ri, mbi një parking nëntokësor. Këto janë vetëm disa nga shembujt absurd që ngopin hapësirën e qendrës së kryeqytetit. Mbi të gjitha, banjat publike edhe pse janë një shpikje tremijë vjeçare, në këtë qytetet me mbetje vilash romake, mungojnë. Këtu kanë kaluar legjione nga të gjitha perandoritë, luftëra nga të gjitha konfliktet, dyzetepesë vite komunizëm, dhe tashmë shprehja e kërkon frazeologjinë e saj: “muti kala”. Tanimë, tridhjetë e tre vite shndërrim politik pa nevojtore publike, nuk ngjan si neglizhencë, por si një program mizorie.

A është e mundur që mungesa e tyre të jetë rastësi?

Një kryeqytet pa nevojtore, tregon një plan të zi për qytetarët. Ky plan djallëzor synon dështimin e individit, duke mohuar të drejtën themelore të zbrazjes. Ka një gropë në mes të qytetit që shërben për stacion makinash me pagesë, dhe aty gjenden disa nevojtore. Mirëpo, shërbejnë për “party”, lahen e pastrohen vetëm kur u nevojitet lekë-bërësve, (200 mijë spektatorë me 6 banja), sipas burimeve zyrtare. Ndërsa parkimi shërben si komoditet institucional për zyrat private, bankën e shtetit, godinën e bashkisë, ministritë, teatrin e kukullave, muzeun historik, teatrin e operës dhe baletit, godinën e partisë socialiste dhe pallatin e kulturës, që është përpirë nga ndërtimet përbri, anash, lart e poshtë. Madje të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje, mund të përfitojnë nga nevojtoret e parkimit nëntokësor, nëse i bien rrugës shkurt, përmes kalasë së rimodeluar, tek e cila pijnë kafe dhe verë të shtrenjtë çdo ditë parlamentarë e pazarxhinj, si Toptanë të lashtë. Se për çudi, sulltanllëkun dinë ta riprodhojnë përsosur, ndërsa trashëgiminë kulturore e varrosin nën qendrat komerciale. Ama jashtë këtij perimetri, njeriu mund të zbrazet në poturet e veta lirshëm.

Kjo nevojtore e re, me territor abuziv të konsiderueshëm: nga Universiteti Politeknik, e deri tek ish-stacioni i trenit e më tutje, ka konsensusin e të gjithëve. Bulevardi i brekëve të mbushura, duhet quajtur, sepse sa të shkosh deri në sheshin “Skëndërbej”, do jeshë mbushur ose zbrazur me siguri. Poshtë qendrës së Tiranës, të kujtohen rifuxhiot anti-atomike të kohës së Yllkave dhe Fatosëve. Fortesa që qeveria e atëhershme i promovonte fort, duke provokuar armikun se me dy gisht beton do ta shpëtonin njeriun e ri socialist nga vdekja bërthamore dhe ata do të ishin të vetmit të mbijetuar nga apokalipsi, duke ringritur kultin e enverizmit edhe njëherë nga hiri i imperialistëve që shkatërruan veten me shpikjen e tyre.

U tha diku, nga dikush, se sheshi na qenka koncertor, i konceptuar për publikun, nga maja drejt bazës. Ngjan si mesazh politik: “nga maja drejt bazës”. Banorët që kalojnë mbi çatinë e rifuxhios (forma e çatisë është e dukshme), ngjajnë sikur po bredhin varreve për të gjetur të dashurit e larguar në jetën tjetër, dhe disa sikur rendin për të marrë ndonjë certifikatë në zyrat e shtetit për t’u larguar drejt botës së parë. Disa pllaka guri në formë qivuresh, vendosur mirë nëpër rrugicat e sheshit koncertor, kombinuar me këmbët e Pallatit të Kulturës, e bëjnë mauzoleale hijen e vdekjes tek kalimtarët. Ata enden nëpër “Edenin” guror, mes muzikës së sazeve dhe vokalicave operistike, panaireve të dentistëve-turistikë dhe zgarave kërcëllitëse, në pritje të pikës së diellit gjatë zhegut, ose shkarjes vdekjeprurëse gjatë ngricave të njohura të Tiranës dimërore.

Kalimtarët përmes sheshit, përshëndeten njëri me tjetrin sipas gjendjes së dekompozimit psikologjik dhe shpirtëror, me fytyra të varura, lëkura të krisura dhe dhëmbë pa shërbim. Që prej statusit si një: “ish- i gjallë ekonomik”, e deri tek statusi prej: “kufome financiare”, shoqëruar me psikozë të rënduar post-zgjedhore, ata nuk buzëqeshin më. Mungesa e shpresës, besimit, dinjitetit, u lexohet në portrete. Madje disa arrijnë të shprehen rastësisht mes kurtheve të gazetarëve përballë Bibliotekës Kombëtare (një prej dyerve më shpresëdhënëse të një kombi), se janë larguar prej vitesh ose presin të largohen nga ky vend sa më parë. Nëse këta të panjohur kokën e mbajnë lart, si për parakalimet e Një Majit, do të thotë se kanë qenë funksionarë të majmur, ose drejtues në administratën shtetërore të parasë. Por nëse koka u bie poshtë, si kanoçet e antenave të improvizuara, sigurisht që duhet të kenë qenë skllevër në sektorin privat, ose nëpunës civil të përjetshëm.

Italianët i thonë: “impiegato”, përkthehet: “i përfshirë”, por mua më pëlqen: “i përkulur”.

Tashmë këta individë i përkasin shtresës nevojtare, jo nevojtore. Në padijeni respektive, ata vazhdojnë të ekzistojnë në të kaluarën e tyre ekonomike, pa u përfshirë në të ardhmen financiare ku i pret veç vdekja e ngadaltë gjatë vaktit të fundit të kosit me niseshte, para se të pijnë ilaçet përballë televizorit të blerë në Neptun, zoti i deteve të shitura. Ndërsa Teuta, mbretëresha e deteve ilire, shet gazeta poshtë shtëpisë sime. Disa prej kalimtarëve janë edhe ish-ministra, së bashku me eskortat e tyre. Ndërsa disa përmenden si kufoma politike vetëm në kronikat e arratisë britanike. Ka edhe nga ata që hiqen si të një shtrese të lartë, me pasuri të trashëguar, të grumbulluar, ose të nxjerrë nga dheu i farefisnisë. Këta mashtrojnë pa një interes konkret financiar, se paratë i kanë, por u mungon vetëm një status përkatësie mediokre, një tip: “neopashallëku”, ose “neoborgjezie”. Por shumica e banorëve të kryeqytetit i përkasin grupit pa të shkuar financiare dhe pa asnjë të ardhme buxhetore, sidomos ata me poture të mbushura.

Kur rastësisht komunikojnë këto shtresa të ndryshme, vihet re një lloj zhvendosje e pozicioneve të kokës. Ata që dikur kanë qenë “dikushi”, ulin kokën në shenjë pendese për abuzimet dhe dëmet që kanë shkaktuar gjatë viteve të shërbimit, ndërsa “askushët”, e ngrenë kokën lart dhe shqyejnë sytë për të gjetur vlerësimin që u ka munguar gjatë jetës. Kaq dinë njerëzit për sjelljen e tyre, sepse në fund komunikojnë me instinkte, me dëshira, nevoja, veshur me rrënim socio-ekonomik dhe një psikologji traumatike, që pas “97-izmit”, (vitit filozofik). Nëse ia vë qëllim vetes, mund të zbulosh se këto absurditete janë status quo-të e reja në shoqërinë tonë post-supost-moderne. Kjo situatë kotësie e “hapjes së bythës”, është rezultat i instinkteve me sfond ekonomik të shqiptarit bipolar, në kërkim të ëndrrës amerikane, brenda një territori politik të kushtëzuar nga homofobia dhe pro-arabizmi, ose më mirëshprehur: homo-arabizmi dhe profobia.

Këtu vallëzohet mes simitesh dhe samitesh, çitjanesh dhe çetjanësh, në prag të luftës, në prag të diktaturës, në prag të çmendurisë, mes stuhisë së liturgjisë politike dhe drejt hukamës së fundit të letërsisë moderne. Kështu qyteti harrohet, teksa qytetarët harrojnë, dhe për shkak se po ndodh shumë në të ardhmen e botës që të merremi me të shkuarën tonë, ne shohim vetëm përpara. Kanë kaluar mijëra vite sukses dhe luftë për mbijetesë, duke bërë që “shqiptarozauri”, të rilindë çdo herë nga plehu i tij.

Ka kohë që liturgjia politike e bën më të lehtë këtë rilindje, këtë tranzicion, duke tematizuar shpëtimin nga njëra palë e pushtetit dhe duke përvetësuar të gjitha ringjalljet, rindërtimet dhe rimëkëmbjet. Mes këtyre liturgëve në shërbim të ideologjisë parti-popull, rriten edhe shenjtorët e së ardhmes, të cilët performojnë mrekulli televizive dhe shkruajnë psalme të reja për nevojtarët në rrjetet sociale. Nuk ka më rëndësi cilës lagje i përket, apo cilës parti ia dorëzon fatin, tashmë feja e shqiptarit nuk është më shqiptaria, por qeveria, duke lënë mbi qeverinë vetëm zotin, i cili i ka lënë shqiptarët në mëshirë të ungjijve partiakë, psalmeve parlamentare, meshave zgjedhore dhe kungatave politike. Nuk duhet të quhet më politikë, sepse ka kuptimin e qytetarisë, por duhet të riemërtohet si: “prozlitikë”, ku fjala merr rolin e veprimit, spektatori në vend të qytetarit dhe skenaristi në vend të politikanit.

Asnjë mendim tjetër… Teksa kalimtarët ecin mbi pllakat e gurëve nga të gjitha trevat, në vendin e bustit të rrëzuar, teatrit të shembur, sahatit të përdhunuar, rinisë së vrarë, pesëmbëdhjetë katëshit të zvogëluar, heroit të lodhur dhe sheshit më të ri koncertor në Evropë. Të gjithë përfshihen thellësisht në hallet e botës, duke lënë pas vetëm poturet e mbushura dhe një aromë të re në zemrën e qytetit me beton.

 

(c) 2023 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin